A do ta ketë edhe Isa Mustafa Qeverinë më të madhe në Evropë

3 Dhjetor 2014 - 09:24 - Augustin Palokaj      

Qeveritë e Kosovës dhe administrata shtetërore deri tash janë formuar sipas kriterit se kë ku duhet rehatuar. Tash në vend që të zvogëlohet ky aparat me shpenzime të padurueshme, për një vend me nivel ekonomik çfarë është Kosova, mund të ndodhë e kundërta, që të rritet edhe më tepër, sepse edhe LDK-ja tash do të tentojë t’i rehatojë njerëzit e vet. Dhe kjo nga Evropa shihet me shqetësim, sepse Kosova është vendi më i varfër në kontinent

Kriza më e madhe ekonomike në Evropë, që kishte shpërthyer në vitin 2088 dhe nga e cila me shumë përpjekje BE-ja tashmë po shërohet, i ka detyruar shumë shtete që të ndërmarrin masa të rënda. Ndër to më e rëndësishmja ka qenë ajo e zvogëlimit të shpenzimeve publike.

BE-ja ka shtyrë vendet e saja anëtare që të zvogëlojnë administratën publike, të bëjnë kursime në shpenzime të shtetit e ndërkohë të rrisin efikasitetin e mbledhjes së taksave dhe, si masë jo shumë e popullarizuar, të zvogëlojnë ndihmat sociale, pagat në disa raste, dhe të rrisin moshën e shkuarjes në pension nga 65 në 67 në të ardhmen.

Nuk është sot rastësi kur në Bruksel delegacionet e shteteve të pasura vijnë në numër shumë më të vogël sesa më parë. Jo pse shtetet si Luksemburgu, Austria apo Holanda nuk kanë para të mjaftueshme të paguajnë për shpenzimet e një apo dy nëpunësve më shumë, por duan që, në kohën kur nga qytetarët kërkohen sakrifica, qeveria të tregojë me shembullin e vet së pari se do të prijë në këtë proces jo të lehtë, por të domosdoshëm, për të ruajtur stabilitetin fiskal.

Ndërkohë Kosova ka shkruar në drejtim të kundërt. Rrogat dhe shpenzimet publike janë rritur. Është rritur edhe administrata publike, e cila me rritjen e saj nuk e ka rritur edhe efikasitetin. Vërtet Kosova ka shënuar rritje më të madhe ekonomike sesa mesatarja e BE-së. Por ky trend pozitiv është për shkak të nivelit të ulët fillestar, sepse Kosova është skajshmërisht e varfër krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian. Nuk mund të arrijë madje as në 20 për qind të mesatares së BE-së në bruto prodhimin vendës për kokë banori.

Ikja dëshpëruese e njerëzve nga Kosova që po shohim këto ditë tregon se në çfarë niveli të varfërisë jetojnë sot ata kosovarë, të cilët nuk e kanë pasur fatin të përfitojnë nga lidhjet politike dhe të zënë ndonjë punë në administratën publike, e cila do t’u siguronte një lloj ekzistence.

Për shkak se administrata publike është e politizuar dhe e keqpërdorur për të krijuar një makineri votuesish, dhe sidomos për shkak të rritjes së rrogave në prag të zgjedhjeve, Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësim serioz për Kosovën në Raportin e fundit të Progresit. Në Bruksel po e vërejnë se në Kosovë nuk po investohet në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në investime të cilat do të krijonin vende të qëndrueshme pune, por po rriten shpenzimet publike. Kjo shihet edhe në madhësinë e aparatit shtetëror në Kosovë.

Ndoshta shembulli më i mirë është të shihet se sa anëtarë ka Qeveria e Kosovës. Nëse nisemi pra nga koka, vërejmë qartë se Qeveria, me shpenzimet e saja, vendos një shembull shumë negativ dhe tregon një mosrespektim të madh ndaj parave të taksapaguesve dhe qytetarëve të varfër.

Qeveria e Kosovës nuk duhet të ketë më shumë se 14 ministra

Si shteti më i varfër në Evropë, Kosova ka pasur Qeverinë më të madhe në Evropë nëse vlerësojmë nga numri i anëtarëve të saj (kryeministrit, zëvendësve të tij dhe ministrave).
Në Qeverinë e Hashim Thaçit kishte 23 anëtarë. Shtatë më shumë se në qeveritë e Gjermanisë, Belgjikës dhe Sllovenisë, 9 më shumë sesa në qeverinë e Letonisë apo Austrisë dhe madje 2 më shumë se në qeverinë e Rusisë. Me gjasë, Qeveria e Thaçit me 6 zëvendëskryeministra mund të hyjë ndoshta edhe në librin e rekordeve të Ginisit. Qartë, kjo është bërë vetëm për t’ua bërë qejfin të gjithë partnerëve.

Madje edhe nga “Lista Rugova” të birit të ish-presidentit, e cila pati fituar një vend në Kuvend, dhe atë në listën e AAK-së së Ramush Haradinajt, Thaçi kishte emëruar një zëvendëskryeministër dhe një ministër (Bujar Bukoshi dhe Dardan Gashi). Ky akrobacion është i pashpjegueshëm dhe tregon se në Qeveri janë sjellë njerëzit pa kurrfarë kriteri, madje as politik.

Belgjika është shteti që ka pesëfish më shumë banorë se Kosova dhe është dhjetëfish më i pasur. Por ka 10 ministra më pak se Kosova. Gjermania duhet të jetë së paku 40 herë më e madhe se Kosova, por ajo mjaftohet me 10 ministra federalë, më pak sesa ka Kosova. Letonia është përafërsisht sa Kosova me numër të banorëve, natyrisht edhe pse nën nivelin e BE-së, edhe shumë më e pasur sesa Kosova. Por ajo ka vetëm 14 anëtarë të qeverisë, një kryeministër dhe 13 ministra, sa ka edhe Austria. Këta 14 anëtarë të qeverisë do t’i mjaftojnë Letonisë që të udhëheqë madje tërë Bashkimin Evropian në gjashtë muajt e parë të vitit që vjen.

Edhe Sllovenia, pak më e afërt me Kosovën, ka vetëm 14 anëtarë të qeverinë e saj. Të gjitha këto vende, përmes buxhetit të BE-së, japin asistencë të madhe financiare për Kosovën. Dhe shpesh diplomatët nga këto shtete na thonë se do të donin që edhe Kosova të tregonte më shumë respekt ndaj atyre që vetë kursejnë në shtetin e tyre, por i japin ndihma Kosovës. Prandaj nuk u vjen mirë kur shohin kolegë kosovarë të kenë pasurinë, madje vetëm atë të deklaruar - sepse të padeklaruarën nuk mund ta marrin me mend - shumë më të mëdha sesa ata të cilët jetojnë në shtetet më të pasura.

Në bazë të rrethanave dhe nevojave që ka Kosova, Qeveria e saj nuk do të duhej të kishte më shumë se 14 anëtarë. Nëse dikush thotë se duhet pasur më shumë për të siguruar përfaqësimin e duhur të pakicave, ky nuk është një argument i vërtetë. Edhe në Belgjikë ndahen postet në bazë të përkatësive etnike, apo më saktësisht komuniteteve gjuhësore dhe njësive federale. Dhe kjo nga Evropa shihet me shqetësim, sepse Kosova është vendi më i varfër në kontinent.

Kosovës nuk i duhen Ministria e Integrimeve Evropiane dhe ajo e Diasporës

Nëse kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Isa Mustafa, nuk e zvogëlon dukshëm numrin e ministrave në Qeverinë e tij, atëherë ai do të dëshmojë që nga fillimi se asgjë nuk do të ndryshojë nga e kaluara. Me këtë do të tregojë edhe një mungesë të madhe të përgjegjësisë dhe respektit ndaj qytetarëve. Numri i ministrave është vetëm maja e akullnajës që rrit shpenzimet e parave të taksapaguesve, sepse pas tyre vjen një armatë e tërë e këshilltarëve, sekretarëve, shoferëve, truprojave, veturave, mëditjeve, udhëtimeve, e çka jo tjetër.
Ka shumë ministri të panevojshme në Qeverinë e Kosovës.

Shikuar nga Brukseli, është shumë e qartë se për së paku dy nuk ka nevojë e ato janë ministritë që kanë elemente të politikës së jashtme: Ministria e Integrimeve Evropiane dhe ajo e Diasporës. Jo që Kosova nuk duhet ta ketë prioritet përafrimin me BE-në apo kujdesin për diasporën e saj të madhe, por këto punë mund t’i bëjë pa asnjë problem Ministria e Jashtme në aspektin formal dhe shumë ministri të tjera në aspektin praktik.

Vetë Bashkimi Evropian më nuk ka një resor të vetëm për procesin e zgjerimit. Këtë e ka ndarë tash me politikën ndaj fqinjëve. Por kjo nuk do të thotë se është ndalur procesi. Nëse Kosova nuk do të ketë Ministri të Integrimeve Evropiane, nuk do të thotë se Kosova do ta ndalë procesin ende formalisht të pafilluar të integrimeve evropiane. Sipas vetë logjikës së BE-së, ministritë duhet të marrin përgjegjësi për më shumë fusha dhe të zvogëlohet numri i tyre.

Integrimet e Kosovës në BE janë një qëllim afatgjatë që do të realizohet në një të ardhme jo edhe aq të afërt, së paku 15-vjeçare. Edhe ato punë që duhet kryer u takojnë ministrive të punëve të brendshme të bujqësisë, mjedisit dhe asaj të ekonomisë dhe tregtisë. Të gjitha punët formale, kontaktet me BE-në, do t’i koordinonte Ministria e Punëve të Jashtme, e cila do të mund të kishte edhe një departament të veçantë për integrime evropiane, pa pasur nevojë për një ministri të veçantë.

Dialogu i famshëm i vizave, të cilit me gjithë premtimet e mëdha nuk po i shihet rezultati, varet nga puna e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo nuk është fare çështje që ka ndonjë lidhje me integrime evropiane, dhe edhe në BE me këtë merren departamentet e punëve të brendshme.

Sa i përket diasporës, Kosova për ta duhet të kujdeset në tri fusha. E para, janë shërbimet konsullore, të cilat edhe ashtu ua kryen Ministria e Punëve të Brendshme përmes Ministrisë së Jashtme, nën të cilën janë edhe konsullatat jashtë vendit. Së dyti, është ndihma për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar dhe kulturës. Këtë mund ta bëjnë përsëri, duke shfrytëzuar edhe rrjetin e përfaqësive diplomatike, Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit.

Dhe së treti, është shfrytëzimi dhe mobilizimi i aftësive dhe resurseve të diasporës kosovare për të investuar në Kosovë dhe për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të saj. Këtë natyrisht mund dhe duhet ta bëjnë ministritë nga fushat ekonomike. Pra nuk ka kurrfarë nevoje të arsyeshme që Kosova të ketë dy ministri, punën e të cilave mund ta kryejë Ministria e Jashtme, e cila edhe ashtu ka numër tepër të madh të nëpunësve krahasuar me mundësitë dhe madhësinë e Kosovës.

Tash para Isa Mustafës dhe partnerit të tij të ri, Hashim Thaçi, është një test ku mund të shihet se sa vërtet duan të ndërtojnë një qeveri efikase në shërbim të qytetarëve. Por shpresat nuk janë të mëdha nëse gjykojmë në bazë të asaj se çfarë dëgjojmë rreth negociatave për formimin e Qeverisë.

Nuk flitet fare për programet dhe prioritetet e saj, por vetëm për emrat se kush çka do të marrë. Në vendet e zhvilluara dhe me përgjegjësi ndaj qytetarëve partnerët në qeveri së pari merren vesh për programet e pastaj në fund lehtë vendosin për emrat.
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...