Sërish vjen nëntori

2 Dhjetor 2014 - 08:38 - Flaka Surroi      

Kishte qenë prej kohësh rregull i pashkruar – që dimrit të mblidheshin forcat dhe të përgatitej taktika për ta vazhduar luftën në pranverë (qoftë atë përnjëmend, qoftë ndonjë tjetër, pa armë). Kështu kishte qenë edhe në Kosovë: pranvera, përkatësisht muaji mars, ishte shndërruar prej kohësh në muajin kur ndodhnin kthesat, ndryshimet, trazirat, masakrat, apo edhe kur ngjallej shpresa.

Duket se krejt ato që na kishin ndodhur në të gjitha marset më të freskëta që i mbaj mend, kishin qenë pasojë e kalitjes gjatë dimrit – sa për t’i numëruar s’do t’i harrojmë demonstratat e 1981-s; dhe të 1989-s; shuarjen e autonomisë më 1989; helmimin masiv të fëmijëve nëpër shkolla më 1990; pajtimin e gjaqeve më 1990; fillimin e luftës në Kosovë dhe masakrën në Prekaz më 1998; bombardimin e NATO-s më 1999; masakrat në Suharekë, Gjakovë, Rahovec etj., më 1999; trazirat e marsit më 2004; paraqitjen e Planit të Ahtisaarit më 2007...

Prandaj edhe nuk është çudi se pse në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, ishte bërë modë që sa herë nuhatej ndonjë telashe apo se diçka e madhe do të mund të ndodhte, përsëritej gjysmë në shaka e gjysmë seriozisht: “Sërish vjen marsi”. Dhe marsi sërish vinte, dhe jo përherë me lajme të mira.

Nëntori në vend të marsit

Por, po të ishte se e gjitha do të mbaronte në këtë muaj, mbase më lehtë do ta përballonim. Porse jo. Duket se tash, marsit primatin do të mund t’ia zërë nëntori, i cili për vit po bëhet më “aktiv”. Thuajse përgatitjet për shpërthimin vjeshtor po bëhen në sezonin e vdekur të pushimeve – aty kur ata që i ideojnë këto punë e shfrytëzojnë që të tjerët e lëshojnë trurin në lëndinë, me shpresën se krejt punët do të zgjidhen me automatizëm.

Është kujtesa ajo që e kthen vëmendjen nga ky muaj, në të cilin qe gjashtë vjet e festojmë Ditën e Flamurit ani që nuk e kemi festë zyrtare shtetërore, por vetëm festë ceremoniale, apo kështu diçka quhet kjo punë që kurrfarë lidhjeje me trurin s’ka. Ka lidhje me politikën dhe natyrisht me nënshtrimin e deputetëve që e votuan ligjin nën trysninë e të huajve, kësisoj që “të mos i provokonim serbët”. Do të kujtojmë se shumicën e atyre që e votuan Ligjin e festave zyrtare e bënin përfaqësuesit e versionit të parë të Guns & Roses, që tash kanë vendosur të bashkohen sërish në pushtet. Po për këta, pak më vonë.

Po kjo kujtesë tregon që më 2008, në nëntor, na u shfaq post-festum, katërpikëshi i Sejdiut si “përgjigje” e vonuar ndaj gjashtëpikëshit të Ban-ki Moonit. Ky i fundit na nxori në rrugë, për ta shënuar protestën më të madhe e të qetë të organizuar deri atëherë. Kot protestuam: edhe Sejdiu, edhe Thaçi bënë atë që ua mori mendja dhe atë që ua dhanë urdhër Dellat e të ngjashmit. Veriu atëherë filloi të çkapej, dhe u nisëm drejt negociatave sipas masës që na e qepën.

Më 2009, ndodhi tragjedia në Tisë. Në mes të fushatës zgjedhore, pësuan madje 15 viktima, duke u përpjekur për ta kaluar kufirin ilegalisht, në kërkim të një perspektive më të ndritur. Të një mbijetese të dinjitetshme që nuk e gjenin dot në shtetin e ri që me hapa të sigurt kishte nisur fundosjen drejt krimit dhe shkatërrimit ekonomik.

Më 2010 Guns & Roses kishte kolapsuar kur u kuptua se Sejdiu ishte shkelës Kushtetute. Mu për shkak se ideologjia që e udhëhiqte Sejdiun ishte inati (meqë ra vetë, e mori me vete gjysmën e Qeverisë), ky e shkaktoi krizën dhe humbi. Humbi madje në shtëpi të vetën, në një konventë në të cilën besonte se hynte si favorit absolut. Derisa nuk i hyri në garë Isa Mustafa – ish-këshilltari i tij në Presidencë, i cili deri në çastin e fundit thoshte se nuk do të garonte. Porse kur vendosi të garonte, përnjëherë u bë me shumë përkrahës nga Vranjevci, madje me pankarta dhe zhurmë nëpër rrugë. Një vëzhgim më i kujdesshëm do të duhej të na kishte zbuluar që atëherë afinitetin e Mustafës për të thënë një gjë publikisht dhe për të vepruar të kundërtën, jo përherë publikisht.

Më 2011 ndodhi përpjekja për kontrabandimin e shitjes së PTK-së nëpërmjet Ligjit për buxhet. Kjo qe duke e kolapsuar shtetin tërësisht – sepse populli mbeti pa para.., porse pa para mbetën edhe porositësit e rrugës më të shtrenjtë në Evropën Juglindore. Ndërkohë, ndodhi edhe përpjekja e KFOR-it gjerman kinse për ta hequr barrikadën në veri me lopata, që u kthye në poshtërimin më të madh që kanë mundur ta përjetonin në këtë mision. Porse, në esencë, kjo ishte porosi e qartë e të huajve për ne: Mitrovica bëhej patate edhe më e nxehtë, dhe ata nuk e kishin as mendjen që të merreshin me të. I takonte Kosovës ta zgjidhte këtë punë. Ashtu siç nuk e ka idenë. Ashtu siç i thonë ata.

Më 2012 zbuluam se flisnim italisht. Shpërtheu afera “Pronto”, dhe asgjë askujt. Pos që u tregua niveli jashtëzakonisht i ulët i komunikimit të zyrtarëve të lartë politikë, u zbulua ajo që tashmë dihej prej kohësh: se kush ishin njerëzit që i mbanin krejt penjtë në duart e tyre. Kush ishin përgjegjësit e katandisjes së Kosovës në këtë derexhe.

Më 2013 mbase do të ketë qenë njëri nga nëntorët më të bukur, për shkak se solli ndryshim. Zgjedhjet komunale nxorën rezultate të papritura; sollën fytyra të reja; sollën largimin e mujsharëve nga komunat e Dukagjinit dhe humbjen e bastionit të LDK-së me Mustafën që garonte me duar në xhepa. Ishte hera e parë pas sa vjetësh që ngjallej një shpresë se gjërat mund të ndryshonin për të mirë; se populli do të mund ta merrte përgjegjësinë në duart e veta me vota. Se populli do të mund të vinte në pikën ku do t’i detyronte politikanët të bëheshin më të përgjegjshëm. Shpresë e cila mbijetoi deri në nëntorin e sivjetmë, për t’u shuar plot dëshpërim.

Sërish vjen nëntori

Pra, në javët e fundit, tashmë janë shkruar me qindra rreshta e paragrafë, duke e shpjeguar shpartallimin e Bllokut dhe krijimin e një koalicioni të ri të vjetër, të cilin apriori do ta shpall të keq, për shkak se është mbështetur mbi interesat personale të liderëve dhe realizimin e ambicieve të tyre. Në asnjë çast, në këtë konstelacion, nuk mund të flasim për një koalicion parimor që ka për synim të mirën e popullatës. Për shkak se asnjëra nga këto parti nuk ka parime. Dhe për shkak se prej vitesh e dëshmojnë që pesë pare nuk i japin për popull. Pos kur duhen rritur rrogat për vota çdo dy vjet. Po këto pare janë tonat e jo të tyret.

Ishte tejet dëshpërues rrëfimi i Dardan Molliqajt të Vetëvendosjes në Rubikon të martën e shkuar. Jo për shkak të Molliqajt, por për shkak të zbulimeve që na i bëri. Për shkak se na bëri të kuptojmë atë së cilës të gjithë i ishim frikësuar në heshtje: se as LDK-së e as AAK-së nuk u besohej se e kishin pasur sinqerisht dhe se në çdo çast do të mund të plaste sherri për punë karrigeje. Është neveritëse të kuptoje se gjatë gjithë atyre muajve kur komplet një popull u mbajt peng, këto dy parti nuk e kishin ndërprerë kontaktin me PDK-në. Duke e fuqizuar sërish, dhe duke e bërë atë faktorin vendimtar për formimin e Qeverisë së re. Duke e bllokuar mundësinë që të niste spastrimi si i Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe i teksteve ligjore dhe vetë Kushtetutës, të cilave kjo ua gjen përkufizimin dhe interpretimin ashtu siç i përshtatet momentit politik.

Dëshpëruese të kuptohet se krejt kjo punë paskësh mundur të kryhej para gjashtë muajsh. Një gjysmë viti i humbur që për Kosovën do të thotë kthim prapa me vite të tëra dhe ngecje ekonomike e financiare që do ta ngufasin edhe atë pak biznes që mbijeton me shumë vështirësi në kësi ambienti pasigurie të të gjitha llojeve. Pasiguri që është efekt i drejtpërdrejtë i qeverisjes së keqe i shtatë vjetëve të fundit.

E nëse ka nevojë për të treguar se sa e madhe është pasiguria, mjafton të flitet për ikjen masive të njerëzve, apo për përpjekjen e tyre për të ikur prej këtu. Duhet të jesh tepër i dëshpëruar dhe i pashpresë që t’i shesësh të gjitha që i ke, apo të marrësh shumë hua, për t’ia mësyrë një rruge që nuk i dihet fundi. Që madje nuk i dihet nëse do të ketë sukses. Që mund të përfundojë sikur me djemtë e ngujuar në Hungari; me familjet e shtrira nëpër çadra plastike nën ndonjë urë diku në Francë apo edhe me të fundosurit në Tisë.

Nëntori erdhi sërish në formën e vet më të shëmtuar. Na e solli sërish intervenimin e të huajve për “të na nxjerrë nga kriza”, duke na futur edhe më thellë në të. Na e solli përsëritjen e viteve të hershme nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, kur me dhjetëra autobusë niseshin në drejtim të Perëndimit për t’i ikur represionit serb dhe skamjes së cilës na kishin nënshtruar ata që na e riinstaluan aparteidin në Kosovë. Na e solli një koalicion të panatyrshëm që nuk po e do as një pjesë e elektoratit të LDK-së, e besa as një pjesë e deputetëve të kësaj partie në këtë Kuvend që nuk funksionon ende.

Por, s’do të ishim ne këta që jemi, po të mos kishte pasur të tillë që nuk dorëzohen. Që besojnë në ndryshime. Që mund t’i shtyjnë ndryshimet përpara. Që e kanë fuqinë në mendje dhe në duar. Që kanë dinjitet. Që nuk frikësohen.

Kosova ka kohë që vjeshtën, përkatësisht muajin nëntor, e ka sezonin kur ndodhin kthesat, ndryshimet, trazirat, tragjeditë, apo kur edhe ngjallet shpresa. Nuk i dihet kurrë – mbase nëntori i ardhshëm do të na e qesë mbi sipërfaqe një fuqi të re politike. Një që do ta përgatisë terrenin që fishekët dhe petalet të dalin në opozitë për një kohë të gjatë. Por jo pa i larë paraprakisht borxhet që i kanë ndaj Kosovës. E këto borxhe janë shumë të mëdha.

flaka@koha.net 

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...