Koalicioni sipas filozofisë së Nasradin Hoxhës apo sipas parimeve perëndimore

26 Nëntor 2014 - 08:31 - Augustin Palokaj      

Në parim nuk është problem pse LDK-ja ka hyrë në koalicion me PDK-në. Problem është se kjo ka ndodhur pas shumë fjalëve të rënda dhe “të forta” që janë thënë dhe pas “garancive” të liderëve të LDK-së se kjo në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë. Në Bruksel ky koalicion pa dyshim se do të mirëpritet, sepse është kombinim i mirë i atyre të cilët kanë dëshmuar se asnjëherë nuk i thonë jo asnjë kërkese ndërkombëtare. Sa i përket faktit se liderët e LDK-së kanë humbur çdo kredibilitet, sepse kanë bërë atë që kanë thënë se nuk do ta bëjnë kurrë, në Perëndim kanë vetëm një porosi: “Ne edhe ashtu politikanët e Kosovës kurrë nuk i gjykojmë në bazë të asaj çfarë thonë, por çfarë bëjnë”

Shpesh miqtë më thonë se kolegu im Halil Matoshi shkruan shumë mirë, por po i lodh nganjëherë duke cituar në kolumnat e tij “dofarë filozofish” për të ilustruar dukuritë e politikës kosovare. Ja sot unë vendosa po ashtu të përdor një filozof, apo së paku e quajnë kështu, e i cili do të mund të jetë i njohur edhe për opinionin e gjerë në Kosovë dhe mbase filozofia e tij më e kuptueshme sesa ajo e Rusosë, Kantit, Hegelit apo dikujt tjetër.

Ky filozof e ka një përmendore këtu në Bruksel, diku rreth 4 kilometra larg selisë së Bashkimit Evropian, dhe vetëm një apo dy kilometra larg një përmendoreje të Gjegj Kastriotit-Skënderbeut. Në këtë bust ai është i ulur mbi gomar me kokë të kthyer nga bishti i tij dhe me shpinë të kthyer nga koka e gomarit. Është ky busti i Nasradin Hoxhës, në të cilin shkruan se ai është një filozof i njohur turk dhe i vihet epiteti “filozof i humorit”.

Shqiptarët të cilët jetojnë një kohë të gjatë në Bruksel më thonë se komunitetit turk në këtë qytet i është lejuar të ndërtojnë një përmendore të ndonjë heroi të tyre në kohën kur shqiptarëve u ishte lejuar të ndërtonin një bust të heroit të tyre (të mos e ndiejnë veten të fyer ata të cilët nuk e konsiderojnë Skënderbeun si hero kombëtar). Në bustin e vogël të Skënderbeut është shkruar se ai ka qenë mbrojtës i civilizimit evropian.

Për të mos shkaktuar ndonjë debat politik thuhet se turqit në Bruksel kanë zgjedhur pikërisht Nasradinin për t’i ndërtuar përmendore në kryeqytetin evropian.

Nasradin Hoxha thuhet se ka qenë vërtet një njeri i zgjuar, një filozof popullor në shekullin XIII, që ka jetuar dhe vepruar në Turqinë e sotme. Ai është i njohur për shumë anekdota dhe zgjuarsi. Si fëmijë neve në Kosovë na janë treguar anekdota të tij dhe shpesh e kanë quajtur si “Nasradin rrenci”. Një prej anekdotave të tij të cilat shpesh citohen ndër shqiptarët është ajo kur e kanë pyetur pse e ka ndërruar mendjen, apo thënë në gjuhën popullore “pse i ka hangër fjalët”. “Nëse i kam hangër fjalët, i kam hangër fjalët e mija e jo tujat!” citohet në këto tregime Nasradini i zgjuar, të cilin nuk ka mundur askush ta mashtronte.

Nuk mund t’i ik përshtypjes që Nasradini duke qëndruar mbi gomar në statujën e tij në lagjen “Scharbeek” të Brukselit, gomari, duke ecur në një drejtim, por Nasradini me kokë të kthyer në drejtim të kundërt, si dhe fjalia “nëse i kam hangër fjalët, nuk i kam hangër tuajat por të mijat!” të mos m’i përkujtojë Isa Mustafën dhe liderët kryesorë të LDK-së, si: Ismet Beqirin, Teuta Sahatçiun, Skënder Hysenin dhe shumë të tjerë. Ata sot nuk kanë nevojë të kërkojnë arsyetime për veprimet e tyre, të cilat i kanë shokuar ata të cilët u kanë besuar.

Nuk kanë nevojë të shpifin se kinse kështu “kanë kërkuar miqtë ndërkombëtarë” apo se “kjo sakrificë është bërë në interes të vendit dhe të qytetarëve”. Më së miri e kanë të përsërisin thënien e Nasradinit “i kemi hangër fjalët tona e jo tuajat”, sepse kjo përgjigje do të ishte edhe më e sakta. Edhe ashtu rruga e tyre kohëve të fundit duket se ka qenë sikur e Nasradinit me gomar, duke ecur me të në një drejtim e duke shikuar në drejtim të kundërt. Duke zhvilluar takime me “partnerët” e bllokut në njërën anë dhe duke pritur zyrtarizimin e marrëveshjes me PDK-në, në anën tjetër.

Në parim nuk është problem pse LDK-ja ka hyrë në koalicion me PDK-në. Problem është se kjo ka ndodhur pas shumë fjalëve të rënda dhe “të forta” që janë thënë dhe pas “garancive” të liderëve të LDK-së se kjo në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë. Në Bruksel ky koalicion pa dyshim se do të mirëpritet, sepse është kombinim i mirë për të zbatuar marrëveshjen për statusin special të Veriut, për formimin e Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë, nëse realizohen parashikimet, disa nga ish-zyrtarët më të lartë të UÇK-së dhe është koalicion i atyre të cilët kanë dëshmuar se asnjëherë nuk i thonë jo asnjë kërkese ndërkombëtare. Sa i përket faktit se liderët e LDK-së kanë humbur çdo kredibilitet, sepse kanë bërë atë që kanë thënë se nuk do ta bëjnë kurrë, në Perëndim kanë vetëm një porosi: “Ne edhe ashtu politikanët e Kosovës kurrë nuk i gjykojmë në bazë të asaj çfarë thonë, por çfarë bëjnë”.

Gabojnë politikanët në Kosovë dhe ata të cilët mundohen t’i arsyetojnë veprimet e tyre pa asnjë parim, nëse mendojnë se është normale të mashtrosh në politikë. Ndoshta sipas filozofisë së Nasradin Hoxhës, por jo sipas parimeve perëndimore mbi të cilat na thotë Thaçi se është ndërtuar ky koalicion. Një politikan që sot thotë se “kurrë” nuk do ta bëjë një gjë të cilën e bën të nesërmen, ai do të ishte i përfunduar si politikan në një shtet normal evropian. Nuk është ndjenjë e mirë për qytetarët kur kanë politikanë të cilët as një gram nuk u japin peshë fjalëve të tyre. Pra, në LDK ka politikanë të cilët fare nuk i respektojnë fjalët e tyre. E çfarë të presin qytetarët e Kosovës nga ata të cilët as vetvetes nuk i besojnë.

PDK-ja është fituese e shumëfishtë e tërë këtij cirku politiko-juridiko-diplomatiko-psikologjik që ka zgjatur gati gjashtë muaj në Kosovë. Presidentja dhe Gjykata Kushtetuese kanë siguruar kohën e mjaftueshme që të thyejnë LDK-në aty ku ajo në opinion vlente më së shumti, në përparësinë morale që kishte ajo në krahasim me PDK-në. Tash e një kohë të gjatë nuk do të flitet për pabesinë e PDK-së, por të LDK-së. Së dyti, Isa Mustafës dhe LDK-së do t’i jepet tash mundësia t’i zbatojë premtimet që ka bërë Hashim Thaçi edhe ndaj qytetarëve të Kosovës, edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Nëse i zbaton, meritat i shkojnë Thaçit dhe PDK-së dhe nëse jo atëherë faji i shkon Isa Mustafës dhe LDK-së. Një pjesë të madhe, nëse jo edhe më të madhen, tash të kritikave nga shoqëria civile dhe nga mediat do ta bartë mbi barrën e saj LDK-ja. Në aspektin ndërkombëtar LDK-ja, e cila është anëtare e asociuar e partive popullore evropiane (EPP), do t’i ndihmojë PDK-së, e cila ka nisur procesin e anëtarësimit në këtë grupim më të madhe të partive politike evropiane, dhe kur ta arrijë këtë PDK-ja si parti më serioze, do ta lërë në plan të dytë LDK-në, apo që nuk përjashtohet. LDK-ja do të shkrihet në PDK duke e formuar një parti të vetme.

Nga shumë qytetarë të Kosovës, ditën kur Mustafa lidhi besën me Thaçin, kam dëgjuar se do të votojnë më parë për PDK-në sesa për LDK-në, “pse të votohet për kopjen kur e ke origjinalin“, thoshin ata. LDK-ja, sado e civilizuar të jetë konsideruar deri më tani, nuk ka lënë përshtypjen as ndaj ndërkombëtarëve se është aktive. Më shumë anëtarët e LDK-së janë konsideruar nga “ndërkombëtarët” si “politikanë të modës së vjetër evropiane- lindore”. E ata të rinj të cilët kanë qenë më aktivë janë shprehur kundër këtij koalicioni, prandaj priten metodat e vjetra të udhëheqjes së LDK-së për t’i “neutralizuar” të tillët. Dhe PDK-së LDK-ja i ndihmon shumë edhe për të mbajtur një imazh të dyfishtë në të njëjtën kohë. Deri më tash nuk ka pasur asnjë dyshim rreth orientimit perëndimor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por disi pati nisur të luhatet imazhi i PDK-së së cilës për shkak të flirtit të tepruar të liderit të saj me Turqinë, dhe për shkak të koalicionit me Partinë e Drejtësisë, falë së cilës duket se edhe doli si koalicioni më i votuar në zgjedhje, nuk i besonin më aq shumë në sinqeritet kur thoshte se ka orientim të pazëvendësueshëm perëndimor. Tash me LDK-në mund ta zbatojë politikën në dy drejtimet. Ky koalicion, përfshirë edhe pakicat, tash është vërtet gjithëpërfshirës dhe shumë i gjerë edhe sa u përket orientimeve të deputetëve të tyre, ka sa të duash që shikojnë edhe nga Brukseli e Berlini, edhe nga Beogradi, edhe nga Ankaraja, Moska e edhe më larg.

Edhe një element është i rëndësishëm për të konstatuar se tash në Kosovë, pasi ka humbur shpresa, humbi edhe besa. Është përfshirja e faktorit ndërkombëtar, sidomos e atij amerikan. Takimi te presidentja mes Thaçit dhe Mustafës, në prani të ambasadores amerikane, nuk ka qenë për të dhënë ajo garanci. Ajo vetë tha se nuk është në pozitë të japë garanci. Dhe fjala garanci nuk ekziston në fjalorin e politikanëve normalë. As fjala “kurrë“ nuk ekziston në fjalorin e tyre. Prania e saj aty ishte për t’u ndihmuar Mustafës dhe Thaçit të krijonin përshtypjen se ky koalicion është dëshirë e “miqve tanë ndërkombëtarë”.

Dhe kur diçka mbështet Amerika, atëherë askush në Kosovë nuk ka të drejtë të kritikojë dhe të jetë kundër. Dikur liderët politikë të Kosovës bënin foto me presidentët e Amerikës. Dhe me ato foto bënin fushatë dhe krijonin lloj-lloj mitesh në opinion. Tash mjaftojnë edhe fotot me ambasadorë, sepse ata janë përfaqësues të Amerikës. Dhe nuk ka asnjë mbrojtje më të mirë, asnjë mbështetje më të madhe, sesa përshtypja se Amerika qëndron prapa dikujt.
Më kujtohet edhe koha kur Thaçi kishte zhvilluar takimin e parë me kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Ishte vërtet moment jo i lehtë as për Thaçin, as për ne gazetarët dhe qytetarët.

Thaçi, si ish- lider i UÇK-së e tash kryeministër i Kosovës, takohej në Bruksel me ish-zëdhënësin e Milosheviqit, dhe bisedonin për çështje të brendshme të Kosovës. Delegacioni i Kosovës pas këtij takimi dukej nervoz, po ashtu dhe nervozizmi i tyre u shndërrua në buzëqeshje kur morën vesh se më në fund ka dalë ajo “deklarata” që e prisnin. Fjala ishte për komunikatën e Departamentit Amerikan të Shtetit me të cilën mirëpritej ky takim. Dhe kjo “mirëpritje” nga amerikanët i jepte një siguri Thaçit se nuk do të ketë probleme në Kosovë kur të kthehet, sepse ai e ka mbështetjen e Amerikës.
Por përderisa vetë ambasadorja amerikane nuk jep ndonjë sqarim të plotë dhe të saktë, mund të thuhet se prania e saj në takimin tek Jahjaga nuk do të thotë se “amerikanët” preferojnë vetëm këtë koalicion të formuar. Nëse Mustafa vërtet ka dashur që ajo të japë “garanci”, vetëm t’i kujtohet se çfarë u bë me “garancitë” e ish-ambasadorit Dell se Atifete Jahjaga si presidente do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme. Ja ajo gradualisht po shkon drejt mbarimit të një mandati të plotë. Edhe Thaçi nëse kërkon “garanci”, le të kërkojë se ku gjendet sot Robert Cooper, i cili jepte garanci për Kosovën gjatë dialogut me Beogradin. Apo edhe baronesha Ashton.

Të dytë tash janë në pension ndërsa Mitrovica është më e ndarë sesa para dialogut, ndërsa roli i Beogradit në Kosovë është edhe më i madh, sepse lista e cila do të jetë në qeverinë e Mustafës dhe të Thaçit është formuluar në Beograd. Ku janë tash Shtefan Fule dhe Ashton të na japin llogari pse nuk u realizuan “garancitë” për heqjen e vizave në vitet 2012, 2013, apo këtë vit. Tash Thaçi na jep “garanci” se liberalizimi do të ndodhë “vitin e ardhshëm”. Edhe “garancitë” e Thaçit për liberalizim vizash janë bërë sikur njoftimet e shkruara për myshterinjtë në dyqanet e Gjakovës: „Sot me pare – nesër veresi!“. Çdo vit jepen “garanci” se kjo do të ndodhë “vitin e ardhshëm” dhe kështu shkojnë vitet, ndërsa qytetarët e pashpresë, e tash edhe me më pak besë, në numër gjithnjë e më të madh, e lëshojnë Kosovën.

E kanë lehtë diplomatët evropianë të na mësojnë që të gjykojmë politikanët “jo në bazë të asaj çfarë thonë, por të asaj çfarë bëjnë“. Por kjo nuk është e lehtë për qytetarët të cilët janë lodhur duke pritur ditë më të mira dhe ato për ta nuk po vijnë. Në Kosovë nuk vlejnë aq shumë parimet perëndimore, por më shumë filozofia e Nasradin Hoxhës. Për fat të keq kosovarët e kanë humbur besimin jo vetëm në politikanët e tyre, por edhe në bashkësinë ndërkombëtare, në ambasadat e huaja, në gjykatat e tyre, në EULEX-in. Nuk e dinë më as kujt t’i besojnë. Dhe kjo është një situatë e mjerueshme, sepse në këtë vend dikur nderi dhe fjala kanë pasur peshë. Tash për nder nuk e qan kush kokën, ndërsa fjala hahet sikur hallva pa asnjë problem.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...