Koalicioni i Ditës Ndërkombëtare të Tualetit*

25 Nëntor 2014 - 13:28 - Flaka Surroi      

... apo rrëfimi për supersovranin, tri dëshpërime e një shpresë

Kaq e pati LAN-i.

Mjaftoi insistimi deri në lodhje se nuk ka institucione pa PDK-në, e që me ndihmën e kryetares, Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërkombëtarëve (të cilët megjithatë u përzien në këtë proces), Thaçi t’ua hidhte të gjithëve edhe një herë. Duke dëshmuar këtu se është artist i vërtetë i konspiracionit e i mashtrimit. Mjeshtër i politikës kosovare, pa dyshim. Për shkak se pavarësisht nëse e ka ideuar i vetëm gjithë skemën e pesë muajve të fundit apo jo, e ka luajtur lojën për mrekulli dhe pa gabime. Sepse në çastin kur dukej se s’kishte më shpresë për të, e ktheu situatën në favor të vetin, duke i bërë pikë e pesë krejt ata të cilët në fund dolën të jenë më të vockël sesa një farë e zezë luledielli, sa për t’i ilustruar disi. Dhe nëse për diçka duhet zgjatur dorën Thaçit, është se ua luajti lojën të gjithëve njësoj dhe në fund e arriti atë që e deshi nga fillimi: të mbetet i gjithëpushtetshmi. Supersovrani.

U arrit njëfarë marrëveshjeje, që askush nuk e ka parë, në prezencë të Jahjagës dhe Jacobsonit, për rikrijimin e koalicionit më të keq që ka pasur Kosova ndonjëherë: PDK-LDK. Kështu, kinse partia më e madhe opozitare në dy mandatet e shkuara, brenda natës ia doli t’i përpijë të gjitha fjalët e pista dhe akuzuese që ia kishin bërë zyrtarët e saj “PDK-së kriminale, zhvatëse, zaptuese etj.” Duke u shndërruar kështu në policën e sigurimit për amnistinë e ndjekjes dhe të dënimit për krimet e supozuara që do t’i ketë kryer PDK-ja me partitë e koalicionit të kaluar qeverisës.

Për më tepër, u bë garant se askush pos “Vetëvendosjes” në Kuvend, nuk do të merret me të gjitha skandalet, ku përgjegjësinë primare e kanë institucionet shtetërore të Ekzekutivit dhe të Gjyqësorit. Skandalet sikurse është ikja e recidivistes që akuzohet për trafikim me qeliza seksuale; apo që vrasësi që e ka pranuar vrasjen të kalojë kohën deri në gjykim në arrest shtëpiak apo që komplet thesari i Bibliotekës më të madhe të shtetit të përfundojë nëpër frigoriferët e një kompanie patatesh, ashtu që të shpëtohet nga kalbja për shkak të lagështisë. Këta janë vetëm tre shembuj se si jetohet e veprohet në Kosovë, falë udhëheqjes së konsorciumit të partive politike, që për më pak se një javë e dëshmuan se aq ua bën për mirëqenien e vendit, dhe se e vetmja arsye se përse merren me politikë është që t’i rehatojnë prapanicat e tyre. Nëpër kolltukë, kuptohet.

Jahjaga

Personi, i cili pa dyshim, ka përkrahjen absolute të amerikanëve, është Jahjaga. Mandati i saj është i sigurt – dhe këtë ia garantojnë ata që e kanë vendosur aty. Pra, kushdo që bën plan me ia zënë vendin, mund të llogarisë që kjo mund të ndodhë vetëm nëse ajo vendos të japë dorëheqjen për “shkaqe personale” apo për shkak se ashtu e udhëzojnë.

Në krizën pesëmujore, roli i saj në nisjen e më pas edhe thellimin e krizës, nuk ka qenë fare i vogël. Tashmë e kemi përmendur, letra e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese ia dha një ide fenomenale Thaçit se si duhej ndalur hovin e koalicionit paszgjedhor. Refuzimi i saj që të kishte ndikim aktiv ashtu që ta fuste në veprim kryesuesen e seancës konstituive, tregoi qëndrim të qartë kundër Bllokut. Sikurse që e tregoi edhe ajo që nga shumëkush u quajt mesitni zyrtare e koalicionit PDK-LDK. Për shkak se me veprimin e saj e shkatërroi Bllokun, duke anuar për një zgjidhje që mbase do t’ia kenë përgatitur e imponuar mentorët e saj, duke harruar se ajo paraqet simbolin e unitetit e shtetit. Dhe se uniteti nuk nënkupton unifikimin e “partive të qendrës së djathtë”, siç i ka përkufizuar kreu i PDK-së, për shkak se sipas kësaj logjike, në aut po mbeteshin “partitë e qendrës së majtë”. Pra, shikuar nga ky kënd, Jahjaga e bëri edhe të tretën shkelje kushtetuese në më pak se pesë muaj. Por është e sigurt se ky koalicion, i cili tash është borxhli i Jahjagës, nuk do ta çojë në Kushtetuese për shkarkim. E sa për këso Kushtetueseje, njësoj është shkoi apo nuk shkoi lënda e saj, se vetë Gjykata ia ka borxh Jahjagës funksionimin në këtë përbërje.

Pra, Jahjaga do të flejë zbathë. Detyrën e mashës e ka kryer me përpikëri.

Haradinaj

Është e pabesueshme se si një njeri, i cili cilësohet hiperinteligjent nga ata që kanë pasur rastin të komunikojnë me të, të zërë në thua dy herë mbi gurin e njëjtë. Është e pashpjegueshme se si pas poshtërimit të cilin e përjetoi me t’u kthyer nga Haga, para dy vjetësh, t’i ketë besuar Thaçit se ky do t’ia lëshonte kolltukun. Absolutisht nuk e kam të qartë se si nuk e kuptoi se në çastin kur u nda i hidhëruar nga Blloku për t’u hyrë negociatave me PDK-në u bë monedhë kusurimi dhe rritje pazari e PDK-së karshi LDK-së.

Nëse kështu e ka imagjinuar se do t’i hakmerrej LDK-së, gabim e ka pasur. Se lëre që ia dha vetes një autogol sa koka, por edhe e shkatërroi komplet një mundësi që e shpinte PDK-në në opozitë. Kjo, vetëm po ta kishte pasur ambicien më modeste dhe të pranonte të bëhej i dyti i Qeverisë me fuqi të madhe ekzekutive. Prandaj edhe nuk do të ishte fare korrekte të thuhej se Mustafa është i vetmi përgjegjës për këtë që na ka gjetur.

Shpjegimet që tash është duke ua dhënë përkrahësve të tij nëpër terren, po u ngjasojnë meseleve të odave të burrave: “erdh ky, e më tha kështu, se lypke unë me bâ kështu, e ai me bâ ashtu...”, kur esenca e gjithë kësaj është se së bashku me Mustafën e kanë bërë llom punën dhe se tash do t’i kenë nja dy a tre vjet për ta sharë njëri-tjetrin, derisa Thaçi do të vazhdojë të qeshë që e bëri budallë sërish.

Mustafa

Dëshpërimi më i madhi në këtë situatë, pa dyshim, është akademiku. Por jo vetëm ai, por edhe i gjithë Këshilli i tij i Përgjithshëm 100-anëtarësh minus gjashtë veta, që kanë votuar shprehimisht kundër koalicionit me PDK-në.

Po mbase edhe nuk do të duhej të ishte edhe ndonjë befasi e madhe – për shkak se në këta vjet që ka qenë partia më e madhe opozitare, LDK-ja nën udhëheqjen e Mustafës ka qenë parti oportuniste, pa qëndrim të vetin gati për asnjë send të vetëm dhe parti që ia ka dhënë votën madje edhe marrëveshjes me Serbinë që do të shpijë Kosovën drejt ndarjes etnike, tash me këtë konstelacion në Kuvend.

Në tre vjetët e kryesimit të tij me partinë, Mustafa ka regjistruar shumë më tepër dështime sesa ngadhënjime. Dhe aty ku ka dështuar më së shumti ka qenë në reformimin e partisë së tij. Me përbërjen që ka, hiç disa përjashtime, në fakt kjo parti nuk dallon nga ajo që tashmë njëherë kishte ndarë tryezën me PDK-në. Pra njerëz që kanë qenë njësoj të papërgjegjshëm sikur homologët e tyre nga PDK-ja dhe të cilët krejt problemet na i zgjidhnin duke na thënë se janë në duar të Zotit.

Në këtë çast ende nuk dihet nëse Mustafa do të jetë vërtet kryeministri i dalë nga ky koalicion. Nëse ndodh se do të jetë, atë që do të duhej ta dinte është se Qeveria e tij do të bjerë në çastin që PDK-ja të vlerësojë se duhet. Pra atëherë kur Thaçi të ketë vlerësuar se duhet organizuar zgjedhje të reja, në të cilat LDK-ja ka gjasa të shpartallohet krejt, për shkak se dëshmoi që nuk ka as parim, as guxim e as vendosmëri për ta ndryshuar veten.
Dhe as thirrja në filozofinë rugoviane (që nuk diti kush ta shpjegojë se çfarë do të thotë në të vërtetë – sepse filozofinë e Rugovës që ne e mbajmë në mend nga vitet nëntëdhjetë ka qenë përsëritje e thirrjes për durim) nuk do ta shpëtojë.

Kah tutje

Rastësi apo jo, që në çastin kur u zyrtarizua koalicioni PDK-LDK, me shpejtësi të dritës filloi qarkullimi i informatave për mundësitë e emigrimit legal në Suedi e Kanada. Me të madhe filloi përsëritja e barsoletës së vjetër: “Ai që del i fundit, le ta fikë dritën!” Për shkak se me të madhe ky koalicion u pa si shuarje e mundësisë për të përjetuar ndryshime pozitive pa pasur nevojë të pritet edhe një mandat legjislativ. Pra, dëshpërimi duket të jetë monumental.

Sado që në shikim të parë numrat i japin stabilitet kësaj Qeverie të re, ajo megjithatë do të jetë peng i raporteve të pasinqerta të një çifti të martuar me zor dhe për interes, dhe pos që do të krijojë garë përbrenda Ekzekutivit për të siguruar sa më shumë mjete për arkat respektive partiake, nuk do të sjellë as zhvillim ekonomik e as punësim. Për një arsye shumë të thjeshtë: për shkak se këto parti nuk kanë programe politike, as të veçanta, as të përbashkët dhe për shkak se zhvillimi ekonomik nuk është pjesë e prioriteteve në agjendën e tyre të rehatimit.

Kosova do të ketë një “Vetëvendosje” në opozitë, por kjo nuk do të mjaftojë. AAK-ja, pavarësisht se shefit të saj nuk ia plotësuan dëshirën që “të punojë”, është treguar edhe më oportuniste sesa LDK-ja dhe zor se mund t’i ikë inercisë. Pra, nuk është se do të mund të bëjë shumë në Kuvend. Shpresoj ta kem gabim.

Prandaj, më shkon nëpër mendje që zgjidhja do të mund të vinte me formimin e një partie të re politike – me njerëz të pashpenzuar dhe me duar të pastra. Dhe, e udhëhequr nga një femër që ka dëshmuar të ketë parime e tru, e mbi të gjitha edhe guxim. Me siguri se do të kishte përkrahjen e rinisë së zhgënjyer e të ngufatur. E, nuk e kam as dyshimin më të vogël, se do të kishte edhe përkrahjen e të huajve.

Mbase është koha që të niset një projekt i këtillë, me idenë që më në fund të çlirohemi nga kjo neveri, të cilën e jetojmë për çdo ditë. Kandidatë për ta formuar e udhëhequr atë ka gjithandej. Tash vetëm duhet vepruar. Dhe duhet ruajtur nga SHIK-u dhe shmikat e tjerë, që ekzistojnë për të ruajtur koalicione sikur ky që, mbase hiç rastësisht, lindi në Ditën Ndërkombëtare të Tualetit.

flaka@koha.net

__________
*tualet – është fjalë frënge që daton nga shekulli i 16-të, e që kuptimin bashkëkohor e ka marrë nga fillimi i shekullit 20. Në shqipen letrare e ka kuptimin: “nevojtore”. Në popull njihet si qenef apo kenef.

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...