Revolucioni rumun

20 Nëntor 2014 - 09:38 - Enver Robelli      

25 vjet pas pushkatimit të diktatorit Nikolai Çaushesku gjatë një puçi brenda Partisë Komuniste dhe periudhës së rëndë të ndryshimeve demokratike, që u dominuan nga korrupsioni e plaçkitja e shtetit, nga shkatërrimi i boshtit social të shoqërisë dhe poshtërimi i aktivistëve të shoqërisë civile – rumunët të dielën zgjodhën, më në fund, një kryetar të ri – një pasardhës të gjermanëve me imazhin e politikanit me duar të pastra

Demokracia mund të jetë një lojë impozante politike. Madje edhe në Evropën Lindore, në demokracitë e reja dhe të pakonsoliduara, shoqëritë e të cilave vuajnë nga depresioni e apatia, nga ndjenja e nënshtrimit përballë politikanëve të korruptuar, oligarkëve plaçkitës dhe satrapëve medialë.

Për 25 vjet Rumania, vendi më i madh i Evropës Juglindore, është përpëlitur në rrugëtimin e gjatë të ndërtimit të një shteti funksional. Të dielën zgjedhësit rumunë ndërmorën edhe një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të një ardhmërie më të mirë: ky hap mund të ndihmojë që shteti t’u kthehet qytetarëve. Me zgjedhjen befasuese të Klaus Johannis për kryetar të shtetit, qytetarët kanë përçuar një mesazh të qartë: “Ne vetë jemi përgjegjës për fatet e vendit”.

Johannis e mposhti kundërkandidatin Victor Ponta, i cili për shkak të aftësive të tij për manipulime politike bart nofkën “Miki Maus”. Andaj një ndër parullat e rinisë rumune ishte kjo: “Klaus, Klaus na shpëto nga ky Miki Maus!” Ndonëse 42-vjeçar, socialisti Ponta, i cili është kryeministër i vendit, përfaqëson strukturat e vjetra të ish-regjimit komunist. Konservatori Johannis, ndërkaq, gëzon reputacionin e një politikani modest, të pakorruptuar dhe të orientuar nga përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo mbushjes së xhepave të vet. Siç e tregojnë emri e mbiemri Klaus Johannis është pasardhës i fisit gjerman të sasëve, të cilët para 800 vjetësh u vendosën në Evropën Juglindore, madje edhe në Kosovë.

Për këtë ka disa dëshmi nga periudha e artë e Novobërdës, që gjermanët e atëhershëm e quanin Neuberg – dhe për çudi në Kosovë ky lokalitet tani me modën e re të toponimeve po quhet Artanë, në vend se t’i kthehej emri i vjetër: Neuberg.

Fitorja e Klaus Johannis në Rumani tregon dëshirën e shumicës së qytetarëve për ndryshime cilësore në politikë. Fakti që këtë ndryshim e simbolizon një pjesëtar i një pakice është shenjë e dukshme se sa janë të neveritur rumunët me politikanët e tyre “tamam rumunë”. Në Rumani me presidentin e ri Johannis triumfoi politikani solid, që e sheh veten si shërbëtor të qytetarëve, dhe jo politikani që përparësi të vetme e ka përkatësinë etnike të shumicës së popullsisë.

Në këtë vend të Bashkimit Evropian jetojnë vetëm 35 mijë pasardhës të sasëve të dikurshëm dhe të shvabëve të Banatit. Johannis është figura më prominente e kësaj pakice të përqendruar kryesisht në rajonin e Transilvanisë historike (apo Siebenbürgen, siç njihet në gjermanisht). Qendër rajonale është qyteti Sibiu (Hermannstadt), ku Johannis nga viti 2000 është zgjedhur tri herë radhazi kryetar. Ky 55-vjeçar mishëron disa klishe pozitive që ekzistojnë për gjermanët: i zellshëm, korrekt, i pandotur nga korrupsioni, kursimtar.

Në librin e tij “Hap pas hapi”, të botuar para zgjedhjeve, fizikani Johannis tregon se si fëmijë kishte mbledhur sanë dhe kishte punuar në ara dhe si i ri kishte pritur në rend për të blerë qumësht. Me këtë ai ua bënte me dije zgjedhësve se e njihte mirë mjerimin e së kaluarës, mjerimin e kohës së komunizmit. Gjatë qeverisjes së qytetit Johannis krijoi kushte aq të volitshme për investime, saqë në Sibiu dhe rrethinë hapën filialet e tyre rreth 800 ndërmarrje gjermane dhe austriake – mes tyre gjigantë ekonomikë si Siemens, Continental, Thyssen-Krupp.

Deri në vitin 2016 Daimler ka paralajmëruar ndërtimin e një fabrike, që do të kushtojë 300 milionë euro. Ndonëse në mesin e 150 mijë banorëve të Sibiut jetojnë vetëm 1.500 gjermanë, në qytet gati gjithkund shihet ndikimi gjerman: gjimnazi gjerman, universiteti në gjermanisht dhe rumanisht, një trupë teatrale me aktorë lokalë gjermanë, një qendër kulturore gjermane dhe një gazetë në gjermanisht. Këto janë vetëm disa nga institucionet e rëndësishme që e mbajnë gjallë kulturën gjermane në Transilvani. Në vitin 2007 Sibiu u zgjodh “kryeqytet kulturor i Evropës”. Që nga atëherë gjithnjë e më shumë turistë vizitojnë këtë qytet.

Demokracinë në Rumani e bënë impozante qytetarët e vetëdijshëm për rëndësinë e zgjedhjeve. Të dielën rumunët e gjetën ilaçin. Secili ndryshim pozitiv në politikë fillon me pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhje. Kësaj radhe rreth 60 për qind e rumunëve me të drejtë vote ushtruan të drejtën e tyre demokratike.

Madje gjatë fundjavës në shumë qytete u organizuan protesta si paralajmërim kundër pushtetit të Victor Pontas që të garantonte një proces të rregullt zgjedhor. Zemërimi i qytetarëve u shtua pasi në raundin e parë mijëra rumunë që jetojnë në botën e jashtme – që nga viti 1989 mbi 3 milionë rumunë kanë braktisur vendin – nuk patën mundësi të merrnin pjesë në zgjedhje për shkak të kaosit që mbretëronte në përfaqësitë diplomatike të Rumanisë në Evropë.

Ky kaos i mobilizoi mijëra rumunë që në raundin e dytë t’i japin votën Klaus Johannis, ndonëse ai para dy javësh kishte fituar vetëm 30 për qind, ndërsa Ponta 40 për qind të votave. Ishte mahnitëse të shihje skenat para konsullatave rumune anekënd Evropës Perëndimore: zgjedhës duke pritur në shi në Londër, zgjedhës që u binte të fikët duke pritur të votojnë në Stuttgart, qindra të tjerë në Vjenë e gjetiu. Qytetarët u hakmorën pas përpjekjes bizare të Qeverisë së Pontas për t’i penguar të marrin pjesë në zgjedhje. Edhe njëherë, kësaj radhe në Rumani, u pa se pa pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhje nuk ka ndryshime të thella. Në vitin 2000 në Kroaci vetëm pjesëmarrja masive në zgjedhje kishte rrëzuar nga pushteti regjimin e korruptuar të HDZ-së.

Edhe Kosova mund të ketë shans të tillë, por, siç dihet, diaspora e re kosovare pothuaj është e përjashtuar nga pjesëmarrja në zgjedhje. Dhe dihet pse: pushteti në Kosovë i do vetëm paratë e diasporës, jo edhe votat. Sepse votat e atyre që jetojnë në mirëqenie në Perëndim nuk do të shkojnë për ata që pengojnë mirëqenien në Kosovë, madje – edhe më keq – e thellojnë varfërimin, duke plaçkitur pamëshirshëm çdo arkë të shtetit.
Ashtu si shumë vende të Ballkanit edhe Rumunia pas ndërrimit të sistemit politik në fillim të viteve 90 mbeti peng e strukturave të korruptuara dhe të shërbimeve sekrete.

Më 1989 në Rumani në fakt nuk ndodhën ndryshime demokratike si në vendet e tjera të Evropës Lindore. Pas pushkatimit të diktatorit Nikolai Çaushesku gjatë një puçi brenda Partisë Komuniste struktura të fuqishme të shërbimit famëkeq Securitate në bashkëpunim me aparatçikun Ion Iliescu arritën të marrin pushtetin. Kundër këtij zaptimi protestuan atëbotë mijëra studentë, të cilët u rrahën nga grupe minatorësh të sjellë në Bukuresht nga kryetari Iliescu, i cili edhe sot ka ndikim në Rumani përmes rrjetit të tij politik.

Njëri prej trashëgimtarëve të tij është ish-kryeministri Adrian Nastase, i dënuar me burg për korrupsion. Pasardhës politik i tij është pikërisht Victor Ponta. Ky klan viteve të fundit është akuzuar për disa afera korrupsioni dhe ka ushtruar vazhdimisht presion kundër drejtësisë, segmente të së cilës kanë kryer veprime të guximshme në luftimin e korrupsionit.

Kjo ishte bërë e mundur sidomos gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, edhe pas hyrjes në BE Rumania nuk arriti të shkundë e heq qafe tërësisht strukturat e vjetra, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në gjysmëhijen e ilegalitetit.
Për fat të keq aktivistë të guximshëm të shoqërisë civile në Rumani (dhe në shumë vende të Evropës Lindore) nuk janë mbështetur sa duhet nga Bashkimi Evropian. Diplomatë cinikë, “ekspertë demokracie” dhe ekzistenca të tjera jostabile më shumë kanë preferuar të lidhin aleanca me politikanë të fuqishëm lokalë, të cilët garantonin “qetësinë sociale”, që s’është gjë tjetër veçse qetësi varri e shoqërive të zhytura në apati.

Këto shoqëri buzë humnerës mund të konsumojnë lirisht prodhimet perëndimore, mund t’i paguajnë koncernet perëndimore për shërbime telefonike, mund t’ua paguajnë firmave perëndimore faturat e rrymës dhe mund të hapin xhirollogari në filiale të bankave perëndimore, por jo edhe të kërkojnë zgjedhje të pastra, llogaridhënie nga pushtetarët, përgjegjësi për harxhimin e buxhetit, privatizime transparente. Angazhimi i shumë misionarëve ndërkombëtarë për demokraci është shpeshherë vetëm deklarativ.

Prapa skenës pazaret dhe pushtetin e kurdisin me atë kamarillë politike që ka më shumë fuqi muskujsh, armësh dhe që nuk njeh asnjë skrupull për të kontrolluar çdo institucion shtetëror, çdo medium dhe çdo resurs. Këtu Rumania nuk dallon shumë nga vendet e Ballkanit. Me zgjedhjen e Klaus Johannis ka filluar një epokë shpresëdhënëse që ndoshta mund t’i inspirojë edhe shoqëritë e Evropës Juglindore për të luftuar për triumfin e demokracisë dhe largimin e demonëve të së kaluarës. Johannis do të jetë pasardhës i presidentit Traian Basescu, i cili ishte përpjekur të luftojë deri diku korrupsionin.

Sa i përket çështjes së Kosovës Basescu kishte mbajtur një qëndrim shumë të ngurtë. Mbetet të shihet nëse Johannis do të ndryshojë politikën e injorimit të pavarësisë së Kosovës.
robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...