Mbi ulërimat e AAK-së dhe udhëkryqin e LDK-së

19 Nëntor 2014 - 15:12 - Enver Robelli      

Kosova nuk është bërë shtet vetëm për realizimin e ëndrrave të Ramush Haradinajt. Ideja ishte që Kosova të jetë shtet për qytetarët e saj. Haradinaj, ndërkaq, po përpiqet të na bind se ai e ka mandatin e përjetshëm për t’u bërë kryeministër, sepse që në djep e ëma i ka kënduar një këngë se kur të rritet do të bëhet i pari i nahijes. Ai që është i bindur në legjenda të tilla, s’ka nevojë të mendojë se për të qenë përherë (kandidat për) kryeministër duhet të kesh edhe disa vota. Në zgjedhjet e fundit R.H. s’arriti të kalojë as pragun e 10 përqindëshit.

Megjithatë, partitë e tjera anti-PDK, një pjesë e madhe e opinionit, por edhe ambasadorë të vendeve të rëndësishme e shihnin mundësinë e një qeverie të shumicës shqiptare si opsion real – me Haradinajn si kryeministër. LDK u tregua zemërgjerë ndaj Haradinajt duke e gëlltitur kërkesën e tij këmbëngulëse për të qenë kryeministër.

Meqë ideja fillestare e bllokut nuk u realizua, sepse regjimi i Hashim Thaçit me instrumente jodemokratike dhe përmes kontrollit të Gjykatës Kushtetuese arriti të minojë çdo ndryshim demokratik të pushtetit, e udhës do të ishte që të gjithë liderët e bllokut të mendonin për rrugëdalje nga qorrsokaku, por pa u ulur në prehrin e Thaçit. Këtë kanë mundur ta bëjnë më 9 qershor dhe jo ta terrorizojnë opinionin me përbetime e premtime për qeverisje që i jep fund pushtetit të korruptuar. Për të bërë ndryshime cilësore secili nga liderët e bllokut duhet të kërcejë përtej hijes së vet. E sidomos AAK.

Por, çfarë bën AAK? Eksponentë të saj që po e shohin veten në zyra ministrash me dy asistente, tre mercedesë dhe një visa-kartë ngjyrë floriri ulërijnë nëpër medie sociale dhe portale se vetëm lideri i tyre shpirtëror duhet të jetë kryeministër. Askush tjetër. Këso sjelljesh i shkojnë për shtati cubave, por jo politikanëve të përgjegjshëm. R.H. po përpiqet që votat që nuk i ka marrë nga populli t’i sigurojë në tavolinë me kërkesa shantazhuese ndaj partive të tjera. Modestia duket fjalë e huaj për AAK-në.

Një AAK-je të tillë vërtet duhet t’i urohet një koalicion me PDK-në, në mënyrë që në shoqërinë e Kosovës të krijohet në vitet e ardhshme një front i shëndoshë politik kundër të keqes. AAK lëre qe nuk po heq dorë nga posti i kryeministrit, por as nga ambiciet për të marrë disa ministri. A do të ishte për AAK-në, ta zëmë, e pranueshme që R.H. të jetë kryeministër, por të gjitha ministritë të drejtoheshin nga LDK dhe VV? Asnjë propozim nuk ka ardhur nga AAK në drejtim të zhbllokimit të situatës, sepse jurishnikët e saj mendojnë se vetëm me sharje e shantazh arrihet në majat e pushtetit. Atëherë vendin e kanë te PDK – si qershi mbi tortën e krimit të organizuar dhe korrupsionit gjigant.

E LDK? LDK gjendet para një situate delikate dhe për liderin e saj Isa Mustafa po vjen momenti i së vërtetës: nëse në këtë poker politik R.H. nuk lëshon pe, LDK do të duhej të shkonte në opozitë dhe jo me PDK-në, siç e dëshirojnë disa senilë politikë të LDK-së. Si parti opozitare LDK pa humbur kohë duhet ta pensionojë Isa Mustafën ashtu siç e ka pensionuar argatin e SHIK-ut Fatmir Sejdiun. Ky le të merret me ngatërresat e të birit, me të shtënat me allti nëpër lagje të Prishtinës, me punësimin e nuseve në PTK, me importimin e çajit etj.

Sivjet bëhen 25 vjet që nga themelimi i LDK-së. Është momenti që në LDK të ndodhë, më në fund, një kryengritje e të rinjve. Por, jo e të rinjve që duan të imitojnë pleqtë që e varrosën LDK-në dhe e sollën nga gati 60 për qind e votave në 25 për qind. Në LDK duhet të rebelohen ata që vërtet besojnë në idealet e një shteti demokratik dhe funksional. Një çerekshekull me këtë garniturë është mjaft. Në krye të partisë duhet të vijnë nipat e pakorruptuar politikë të Ibrahim Rugovës dhe jo bashkëpunëtorët e tij të rrejshëm dhe të korruptuar!

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...