Kafshimi helmues i PDK-së

18 Nëntor 2014 - 09:07 - Flaka Surroi      

Po qe se mbahen zgjedhjet, është gati e sigurt se ato do t’i fitonte PDK-ja, për shkak të abstenimit që do të pasonte, si dhe për shkak të vjedhjes tradicionale të votave, për të cilën PDK-ja ka ekspertizë. Humbës do të jenë “Vetëvendosja” dhe Kosova

Kjo paska qenë java e sportit. Brenda javës shqiptarët u bënë me nja tri medalje të arta, prej të cilave për Kosovën më e vlefshmja ishte ajo e Nora Gjakovës në Evropianin e xhudos për kategorinë e më të rinjve se 23 vjeç.

Mandej na u ndërkombëtarizua Federata e shkathtësisë fisnike (demek e rrahjes me grushte) dhe më në fund lojtarët shqiptarë të futbollit në Zvicër kanë vendosur që më mos t’i festojnë golat me dykrenore, në emër të kodit të ri të sjelljes “antiprovokative”...

Nëse është për t’u krijuar lista në bazë të preferencave të fejsbukut, kjo ishte edhe javë e Edi Ramës dhe më të madhes së motrave Mustafa. I pari për shkak se e tha publikisht në konferencë për shtyp se Serbia duhet ta pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur, dhe për shkak se nuk buzëqeshi as edhe një herë të vetme në takim me homologun e tij, duke e mbajtur një qëndrim që shumë e quajtën superior.

Se sa do të zgjasë ky dashurim në Ramën dhe a do të ketë ndonjë pasojë fuqizimi i tij si politikan i vendosur, mbetet të shihet. Nga ana tjetër, e madhja e motrave u bë lajm në çastin kur paditi familjen e bashkëshortit të saj të ndjerë për vërtetimin e pasurisë dhe kërkesën që ta kthejë shtëpinë familjare sërish në posedim të sajin dhe të vajzave të veta.

Nga e cila shtëpi ishte detyruar të largohej, me gjasë për shkak të adeteve tona të mbrapshta. Luftimi, në shekullin 21, për një të drejtë të garantuar me ligj e Kushtetutë që nga koha e ish-Jugosllavisë, nuk flet fort mirë për shoqërinë tonë që në shumë aspekte është kalbur.

Java ishte edhe e rektorit të UP-së, që nisi luftën me MASHT-in dhe me shoqatat e dala nga lufta për regjistrimin e vonshëm të madje një mijë studentëve, të cilët, sipas kërkesës së shoqatave, i plotësojnë kushtet e memorandumeve që Rektorati kishte nënshkruar dikur me përfaqësuesit e tyre.

Në këtë rrëfim del të bëhet fjalë për kandidatë që nuk e kanë kaluar provimin pranues; për kandidatë që do të duhej të regjistroheshin në Mjekësi e Arkitekturë, ndër të tjera, dhe për kandidatë, që sipas rektorit, po qe se do të pranohen, do t’i shkelin propozicionet e konkursit. Këta kandidatë nuk janë deklaruar boshnjakë, se saora i kishin regjistruar.

Përfundimisht dhe njëkohësisht -- kjo ka qenë edhe një javë në vazhdimin e trajnimit të nervave që na bëhet kolektivisht qe pesë muaj, me rrezikun fort të madh që brenda natës të kërcasë e tëra – për shkak se taktika e kapadaillëkut dhe e kryeneçësisë, të cilën e zbatoi PDK-ja, ia doli t’i përçante që të gjithë ata që në rend të parë e patën interesin për t’u bërë me post. Nervat vazhduan të na i trajnojnë edhe kryetarja e edhe Gjykata Kushtetuese: e para për shkak se përfundimisht e vulosi përkrahjen për PDK-në me qëndrimin e saj pro qeveri gjithëpërfshirëse, kurse kjo e dyta për shkak se e refuzoi kërkesën e Avokatit të Popullit që ta shpallë kundërkushtetues dekretin e Jahjagës për zgjatjen e mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë

Loja e PDK-së

Mosthirrja e seancës nga PDK-ja e ka pasur qëllimin shumë të qartë dhe me gjasë do të arrijë t’ia realizojë Thaçit cakun: që të sigurohet përkrahja e ndërkombëtarëve për një qeveri gjithëpërfshirëse që do të jetë një e “shpëtimit kombëtar”, ku krejt do të jenë të përfaqësuar aty, pos VV-së.

Dhe dy, që kjo të arrihet duke e copëtuar bllokun që deri në këtë moment është mbajtur unik, përderisa posti i kryeministrit i ishte ndarë Haradinajt. Tash, ngase nuk mund të shkohet me realizimin e planit A (Mustafa kryeparlamentar, Haradinaj kryeministër), kanë dalë të gjitha planet e mundshme me të gjitha opsionet në lojë. Dhe në të gjitha opsionet del fitimtare PDK-ja, po qe se blloku nuk e mbijeton ambicien.

Pra, po qe se blloku copëtohet (e kjo nuk ndodhi mbrëmë, porse nuk përjashtohet si opsion), aleancat e mundshme do të jenë PDK-AAK me minoritete ose PDK-LDK madje edhe pa minoritete. Dhe kur ta shikosh, nuk e di se cili është kombinimi më i keq – i pari, për shkak se paraqet kombinimin e partive politike që njihen si krahu i luftës dhe të cilat deri tash kanë treguar më së paku respekt për ata që nuk janë krahu i luftës; më së paku respekt për sundim të ligjit; më së paku respekt për Kosovën shtet dhe për mirëqenien e popullit.

Kombinimi i dytë na e kujton me automatizëm Zanzibarin dhe koalicionin Guns and Roses – kombinimi i keq i dy partive që njëherë tashmë kanë dështuar të udhëheqin shtetin si duhet, përderisa në esencë ende kryesohen nga të njëjtët njerëz, me pak ndryshime. Në të dyja variantet mbesim vetëm me “Vetëvendosjen” në opozitë, e cila po qe se funksionon sikurse në mandatin e shkuar, do të jetë shumë e fortë, sado e vogël me numra.

Po qe se blloku copëtohet, kjo do të jetë dëshmi që PDK-ja e luajti lojën për mrekulli; se meqë e ka siguruar kontrollin e secilit segment në këtë shoqëri, do të vazhdojë ta luajë lojën ashtu siç i konvenon dhe do të mund ta rrëzojë cilëndo qeveri kur të dojë, e të prishë secilën aleancë për çfarë të dojë. Për shkak se e ka krijuar një mentalitet ku gjithçka i lejohet atij që është i lidhur për të fortin. E ku i forti e shfrytëzon secilën mundësi të vetme për ta treguar fuqinë; ku e përdor secilin mjet për ta mbajtur pushtetin dhe për ta mbajtur kërcënimin e destabilizimit përherë të gjallë.

Ashtu siç ka bërë me shoqatat e dala nga lufta – që përherë janë të gatshme të protestojnë e kërcënojnë, edhe atëherë kur e kundërshtojnë një rektor që kësaj radhe ka të drejtë. Që ka të drejtë që refuzon që dikush të vihet në pozitë më të barabartë e të regjistrohet në fakultet edhe nëse nuk ka afinitet për studime. Për shkak se refuzon që të prodhojë edhe një mijë të tjerë profesionistë mediokër, në emër të sakrificës së familjarëve të tyre.

Ashtu siç ka bërë me shërbyesit civilë që mbase do të mbesin pa rroga për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, e për të cilën gjë PDK-ja do të vazhdojë ta fajësojë bllokun, “që nuk deshi të arrinte marrëveshje me PDK-në”. Sepse, siç e kanë përsëritur zyrtarët e PDK-së, “...pa këtë parti s’ka institucione”. Ka zgjedhje.

Humbësit

Po qe se mbahen zgjedhjet, është gati e sigurt se ato do t’i fitonte PDK-ja, për shkak të abstenimit shumë të madh potencial që logjikisht do të pasonte mbas pesë muaj budallallëqesh koti. E edhe për shkak të vjedhjes tradicionale të votave, për të cilën PDK-ja ka ekspertizë në kushte abstenimi të lartë.

Humbës gjithsesi do të dalë Vetëvendosja. Për shkak se ka qenë ideatorja e krijimit të bllokut; për shkak se ka mbajtur qëndrimin parimor në lidhje me atë se kë do ta përkrahte e kë jo, dhe për çfarë arsye; për shkak se naiviteti dhe sinqeriteti kanë mundur t’i bënin udhëheqësit e saj të besonin në fjalën e dhënë të partive politike, e të cilët fjalën e harrojnë kur të vijë puna e akomodimit të kërkesave të tyre individuale.

Do të dalë humbëse për shkak se ka rrezikuar shumë kur ka ofruar përkrahje edhe për partitë, të cilat i ka kritikuar shumë për pasivitet dhe bashkëpunim me krimin – me qëllimin që të largohet PDK-ja nga pushteti. Zgjedhjet e reja do t’ia humbnin goxha do vota.

Por “Vetëvendosje” mund të jetë humbëse edhe nëse nuk ka zgjedhje, por ka riformatim të bllokut. Prej asaj që po kuptohet nga presioni të cilin po e bëjnë të huajt, është se Qeveria duhet t’i ketë serbët në përbërje të veten. Kjo lehtë mund të nënkuptojë që “Vetëvendosje” të mbetet në opozitë (që vetvetiu nuk do të ishte mbase edhe gjë e keqe), porse karshi përkrahësve të vet do të dilte si një strukturë udhëheqëse naive dhe e papërgatitur për ujqit e mëdhenj që i çojnë me pi ujë e i kthejnë të etur.

Por mbi të gjitha, me zgjedhje të reja, humbëse del Kosova. Sepse ka humbur mbi gjysmë viti duke shpresuar se gjërat do të ndryshojnë dhe se do të mund të nisej një shtegu të ri, pavarësisht se sa i çuditshëm kombinimi i partive të bllokut – për të mos thënë sa i panatyrshëm.

Kosova do të humbë edhe nëse PDK-ja nuk kalon në opozitë, për shkak se do të krijohen kushtet që katër vjetët e ardhshëm të mbulohen e fshihen hajnitë dhe malverzimet e Qeverisë që me muaj quhet “në ikje”. Do të amnistohet krimi i organizuar, dhe Kosova do të bjerë edhe më thellë në hendek.

Kosova do të humbë po qe se nuk ia del ta kapërcejë këtë amulli në të cilën e ka fundosur PDK-ja me keqqeverisjen, sikurse udhëheqja e saj me arrogancën e vet. Do të humbë, po qe se e blloku thyhet – për shkak se pas gjithë këtyre vjetëve do t’i ikë shansi që ta përjetojë zëvendësimin e një të keqeje të madhe me një të keqe më të vogël, që për një vend normal nuk do të duhej të shërbente as si argument, e aq më pak si shpresë a opsion shpëtimi nga katandisja edhe më e thellë.

Por ja që Kosova është e këtillë çfarë na e kanë bërë, e çfarë kemi lejuar ne të na e bëjnë – prandaj edhe do të gëzoheshim po qe se blloku do ta mbijetonte kafshimin helmues të PDK-së.

flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...