Diplomati me daulle

14 Mars 2014 - 09:53 - Enver Robelli      

Ambasadori zviceran në Berlin, Tim Guldimann, është emëruar përfaqësues i posaçëm i OSBE-së për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Pas angazhimeve në Çeçeni, Iran dhe Kosovë, Guldimann sërish e ka gjetur vendin e kërkuar në skenën e politikës botërore

Ai nuk njihet si njeri i heshtur. Dhe nuk është diplomat i shkollës së vjetër, i cili bashkëbiseduesit i mërzit me llafe të kota, duke tentuar ta mjegullojë realitetin. Tim Guldimann me siguri nuk e ka lexuar librin “Kur e themi të vërtetën, atëherë dijeni se na ka rrëshqitur gjuha. Nga bota aventuriere e diplomacisë”. Ambasadori i Zvicrës në Berlin, i cili tani po përpiqet të qetësojë situatën në Ukrainë si i dërguar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), preferon të flasë qartë, pa therë në gjuhë.

Para 10 ditësh, kur në siujdhesën e Krimesë luftëtarë me uniforma dhe me gjasë me urdhër të kryetarit të Rusisë, Vladimir Putin, përpiqeshin të ndiznin fuçinë e barotit, i dërguari i OSBE-së Guldimann gjeti kohë të flasë në Kuvendin e Partisë Socialdemokrate të Zürich-ut, që u mbajt në ndërtesën multifunksionale “Volkshaus” (“Shtëpia e popullit”). Këtu ku dikur Lenini kishte mbajtur një fjalim të rëndësishëm për agjendën e tij politike tani referoi Tim Guldimann. Ai foli për pasojat e një iniciative të pranuar nga votuesit zviceranë, e cila kërkon nga qeveria uljen e numrit të të huajve që vijnë në Zvicër për të punuar.

Çfarë tha Guldimann tingëlloi stuhishëm. Në qarqet antievropiane të Zvicrës diplomati u akuzua për fyerje të popullit. Guldimann nuk e fshehu zemërimin ndaj bashkëkombësve të tij, të cilët më 9 shkurt kishin votuar për iniciativën e Partisë Popullore të Zvicrës kundër lëvizjes së lirë të njerëzve nga Bashkimi Evropian. Zvicra, tha Guldimann, është bërë e paparashikueshme. Madje edhe më keq: të menduarit politik ndalet në kufijtë e vendit, tha ai. Si qytetar ai rikujtoi se vetizolimi i Zvicrës është “skizofreni”.

Dhe u ankua, duke cituar një politikan evropian, mbi “statusin e parazitit të Zvicrës në Evropë”. Guldimann bëri thirrje që një aleancë e qendrës së majtë të marrë në dorë fatet e vendit. Vetë diplomati 63-vjeçar është anëtar i Partisë Socialdemokrate.
Kush e ka përjetuar në intervistë Tim Guldimannin pranë oxhakut të një hoteli në Prishtinë, kush e ka dëgjuar se si angazhohet për një botë më të mirë dhe si e akuzon Perëndimin për arrogancë ndaj kulturave të tjera, kush e ka parë atë duke argumentuar në mënyrë brilante dhe në nivel të lartë intelektual, nuk mund të jetë i befasuar nga paraqitja e tij në Zürich. Guldimann dëshiron të jetë aktiv jo vetëm në botën e jashtme, por edhe në atdhe.

“Zviceranët”, kishte shkruar poeti gjerman Heinrich Heine, “kanë ndjenja fisnike si kodrat e tyre, por pikëpamjet e tyre për shoqërinë janë të ngushta si grykat e tyre”. Guldimann dëshiron të ndryshojë këtë dhe angazhohet për integrimin e mëtutjeshëm të Zvicrës në Bashkimin Evropian, ndonëse shumica e qytetarëve të këtij vendi hedhin poshtë anëtarësimin në BE.
Shkrimtari amerikan Eugene O’Neill citohet të ketë thënë se “diplomati është një njeri që të rënat e daulleve nga burrështetasit duhet t’i shndërrojë në tinguj të butë të harpës”.

Për Guldimannin një gjë e tillë nuk vlen. Ai i bie vetë tupanit. Asnjë diplomat i Ministrisë së Jashtme të Zvicrës nuk do të thoshte publikisht se Zvicra vuan nga “shkurtabiqizimi i vetvetes”. Guldimann edhe këtë e tha në Zürich dhe vazhdoi rrugën drejt Vjenës, Berlinit e Kievit. Atje, në skenën e politikës botërore, ai ndihet si në shtëpi. Ende është e paqartë se çfarë mund të bëjë ai në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë. Vëzhgimi i zgjedhjeve, shkollimi i policëve, mbështetja e medieve të pavarura – në këto fusha është e specializuar OSBE.

Por, në Ukrainë tani duhet të evitohet një konflikt i armatosur. I dërguari i OKB-së Robert Serry u kërcënua dhe ishte i detyruar të largohet nga Krimeja. Vëzhguesve të OSBE-së po ashtu u është ndaluar hyrja në këtë siujdhesë. Guldimann synon të “deeskalojë” gjendjen, siç thuhet në zhargonin e industrisë ndërkombëtare të krizave. Ai sapo ia ka nisur misionit të tij, por në Zvicër tashmë po e përshkruajnë si shpëtimtar të Ukrainës. Ndoshta pritjet e tilla nuk janë të tepërta kur të kihet parasysh se bëhet fjalë për një diplomat me karrierë të jashtëzakonshme diplomatike dhe akademike.

Guldimann është, pa dyshim, i talentuar. Ai flet rusisht, arabisht dhe persisht, e njeh mirë Kuranin dhe kulturën arabe e persiane – dhe nga Santiago e Kilit deri në Novosibirsk ka pak metropole ku Guldimann nuk ka studiuar, mësuar apo ligjëruar. Nga viti 1999 deri më 2004 ai e ka përfaqësuar Zvicrën si ambasador në Teheran. Edhe më interesante për të ishte një detyrë tjetër: në kryeqytetin e Iranit Guldimann përfaqësonte edhe interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që Washingtoni nuk mban lidhje diplomatike me Teheranin. Guldimann u angazhua për bisedime të drejtpërdrejta mes Iranit dhe fuqive perëndimore për zgjidhjen e konfliktit bërthamor, por kjo ide u hodh poshtë nga administrata e George W. Bushit, e cila më shumë pëlqente shkopin se sa karotën.

Presidenti Barack Obama, ndërkaq, është më i hapur. Në shtator ai njoftoi opinionin se ka telefonuar me presidentin e ri të Iranit Hasan Rohani – ky ishte kontakti i parë zyrtar mes dy vendeve që nga kidnapimi i diplomatëve amerikanë në Teheran në vitin 1979. Në nëntorin e kaluar u arrit një pajtim mes Iranit dhe fuqive perëndimore, plus Rusisë, që programi atomik të ngrihet. Dhe bisedimet të vazhdojnë. Guldimann shënoi një fitore – ndonëse me vonesë.
Si përvojë kyç në karrierën e tij Guldimann e përmend, ndërkaq, Çeçeninë, ku në vitet 1996 dhe 1997 kishte drejtuar misionin e OSBE-së. Guldimann lavdërohet se me vetëm 7 persona kishte arritur të ndërmjetësojë mes çeçenëve dhe Moskës, të organizojë zgjedhje, të lidhë paqe mes palëve në luftë. Por, ky mision ka edhe disa anë të errëta. Më 17 dhjetor 1996 në jug të Groznit, kryeqytetit të Çeçenisë, u vranë - derisa po flinin! - gjashtë delegatë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Para se të ndodhte kjo tragjedi ishin rrëmbyer edhe punëtorë lokalë të OSBE-së, të cilët pas lirimit kishin njoftuar zyrën e OSBE-së se cak i sulmeve mund të jenë edhe punëtorët e Kryqit të Kuq. Njohës dhe vëzhgues të situatës në Çeçeni në atë kohë thonë se Guldimann nuk e kishte alarmuar Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, sepse nuk dëshironte të rrezikonte zgjedhjet në Çeçeni, të cilat i konsideronte projekt të tij prestigjioz. Guldimann edhe sot i hedh poshtë këto akuza.

Një përjetim tjetër, por jo kyç, ishte angazhimi i Tim Guldimannit si shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, në vjeshtë 2007. Sapo erdhi ai bëri bujë me deklarata përbuzëse ndaj punëtorëve të OSBE-së, duke thënë se aparati gjigant i ndërkombëtarëve dhe vendorëve ishte joefikas. “Në Ballkan kemi një treg tepër të madh të punës të ndërkombëtarëve, të cilët kalërojnë nga një vend në tjetrin”, kishte thënë Guldimann atëbotë. Ndonëse e kishte vënë gishtin në një pikë të dobët të misioneve ndërkombëtare, fjalët e diplomatit nga Zvicra nuk u pritën mirë, madje gjithnjë e më shumë u kritikua edhe stili i tij i punës që përshkruhej si arrogant. Kontrata e tij e punës nuk u vazhdua dhe në shtator 2008 Guldimann braktisi Kosovën.

Në prag të pavarësisë së Kosovës ai u shqua në rolin e paralajmëruesit dhe kërkonte vazhdimisht që në procesin politik të përfshiheshin Serbia dhe Rusia – gjë që tashmë e kishte bërë Martti Ahtisaari. Madje rusët kishin nënshkruar edhe parimet e Grupit të Kontaktit, sipas të cilave çdo zgjidhje e statusit të Kosovës duhet të jetë e pranueshme për popullsinë e Kosovës. Se çka ishte e pranueshme për shumicën e banorëve të Kosovës ishte e qartë ngaherë: pavarësi! Gjatë shërbimit si shef i OSBE-së Guldimann në opinionin kosovar shihej si kundërshtar i pavarësisë. Tani ai thotë se kjo nuk është e saktë, madje tregon se e kishte këshilluar ministren e atëhershme të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Guldimann pa dyshim është diplomat i aftë, por për shkak të qëndrimeve të tij shpeshherë të prera ai polarizon. Në vitin 2006 ai llogariste se do të dërgohej ambasador i Zvicrës në Izrael, por në çastin e fundit ministrja Calmy-Rey emëroi një kandidat tjetër. Në Bernë ekzistonte frika se Izraeli nuk do ta pranonte Guldimannin si ambasador për shkak të afërsisë së tij me iranianët, fundja Guldimann në intervistën e tij pranë oxhakut në Prishtinë kishte thënë se revolucioni i vitit 1979 në Iran ka qenë “revolucion antikolonialist”.

Tani diplomati me daulle gjendet para sfidës më të madhe në karrierën e tij diplomatike. Mbetet të shihet nëse aftësitë e tij prej ndërmjetësuesi do të kenë sukses. Gjasat janë të vogla. Kancelarja gjermane Angela Merkel, një fizikane e ftohtë, pas bisedës telefonike me Vladimir Putinin në lidhje me krizën në Krime, tha se presidenti rus e ka humbur raportin me realitetin. Merkel rrallëherë ka gabuar në vlerësimet e saj politike.

robelli@bluewin.ch


© KOHA Ditore
 

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...