Tash bllokada ka vetëm tri shkronja: PDK

15 Nëntor 2014 - 09:01 - Adriatik Kelmendi      

Bllokada e tashme e PDK-së nuk është as parimore, as shtetndërtuese, as emancipuese e as e moralshme. Askush asnjëherë nuk do të mund t’i thotë asnjë subjekti politik se ti s’mund të jesh pjesë e ndonjë institucioni, ose e ekzekutivit, nëse ai në bashkëpunim me ndonjë subjekt tjetër do t’ia dalë ta sigurojë shumicën në Kuvend. Por të gjithë do ta quajnë zaptues, nëse pa i pasur vetë këto vota, nuk do t’ua japë shansin edhe të tjerëve që pretendojnë t’i kenë ato

NËSE KA PASUR dikush dilema se shteti i Kosovës është i zaptuar në masë të madhe nga partia në pushtet, HashimThaçi si duket është duke u përkujdesur që t’i heqë këto dilema.
S’ka se si të shpjegohet ndryshe ngurrimi i tij (nëpërmjet rastësisë së quajtur Flora Brovina) për ta thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Absolutisht që nga fillimi ka qenë jokorrekte thirrja nga secila anë që deputetët, si individë të votuar drejtpërdrejt nga populli, të deklarojnë votën e tyre. Mirëpo, ja që është gëlltitur si organizim i subjekteve politike për të arritur qëllimet e tyre në krijimin e institucioneve, meqenëse mbetet jashtë çdo logjike të një demokracie të shëndoshë.

E tash, kur po këta deputetë të subjekteve politike, edhe pse të ndara në blloqe, janë shprehur të gatshëm që të votojnë për kryetar Kuvendi një kandidat të propozuar nga subjekti i parë politik sipas rezultatit zgjedhor, s'ka mbetur më asnjë arsye që PDK-ja të mbështetet në "marrëveshje politike", në mënyrë që të thirret seanca një orë e më parë.

LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, pa “Vetëvendosjen!”, njëanshëm kanë deklaruar se do ta votojnë kandidatin e propozuar nga PDK-ja për kryetar.

Besoj se barrikadimi i tyre rreth pozitës së deritashme, sa i përket spikerit të Parlamentit, sado që të ketë qenë edhe për përmbushjen e detyrimeve ndaj posteve personale brenda vetë bllokut opozitar, tashmë mjafton për ecjen përpara.

Qytetarët s'kanë pse të dënohen me pritje të mëtutjeshme.
Për votimin e Qeverisë, pastaj, ka mjaft qartësi.
Nëse PDK-ja siguron koalicion e vota, e ka shansin ta provojë e para ta krijojë Qeverinë. E nëse këtë nuk arrin ta bëjë, atëherë do të ishte dinjitoze për një subjekt që bazohet në merita të shtetformimit – t’i hapë rrugë shumicës tjetër parlamentare, nëse ekziston ajo.

Topi është tash krejtësisht në anën e PDK-së, njësoj siç është edhe përgjegjësia për dështimin e shtetit.

Thjesht, Kosova nuk mund të mbetet peng i asnjë bllokade, prej kujtdo qoftë, vetëm për shkak të ndonjë fuqie të rastësishme, që në këtë rast është deputetja më e moshuar në vend.

BLLOKADA E TASHME e PDK-së nuk është as parimore, as shtetndërtuese, as emancipuese e as e moralshme.

Natyrisht, askush asnjëherë nuk do të mund t’i thotë asnjë subjekti politik se ti s’mund të jesh pjesë e ndonjë institucioni, ose e ekzekutivit, nëse ai në bashkëpunim me ndonjë subjekt tjetër do t’ia dalë ta sigurojë shumicën në Kuvend. Por të gjithë do ta quajnë zaptues, nëse pa i pasur vetë këto vota, nuk do t’ua japë shansin edhe të tjerëve që pretendojnë t’i kenë ato.

Të gjithë në Kosovë e kanë fare të qartë situatën e bllokadës në formimin e Qeverisë, pas zgjedhjeve të para parlamentare të pasluftës. Mirëpo, derisa nuk kishte pajtim mes partive për postin e presidentit dhe udhëheqjen e Qeverisë, askush nuk kishte insistuar që të mos zgjidhej kryetari i Kuvendit, meqë, natyrshëm, shihej si hap që s’do të duhej të ndikohej nga ecejaket e tjera institucionale.

Kryekuvendari Nexhat Daci, për rreth tre muaj, kishte qenë i vetmi lider institucional vendës i dalë nga procesi zgjedhor, pa hyrë kurrë në kombinatorikat e postit të presidentit ose të Qeverisë.
Pse të mos ndodhë edhe tash njëjtë?

Sado e pakuptueshme që të jetë mosgatishmëria e VLAN-it për t’u ulur në një tavolinë me PDK-në, as kjo e fundit, e as askush tjetër mund të mos ketë mundësi t’i detyrojë ata që ta bëjnë këtë nëse nuk duan.

Për më tepër, tash, kur megjithatë lëshuan pe sa i përket insistimit në të drejtën e pandehur për ta mbajtur edhe postin e kryetarit të Kuvendit.

LE TË BËHET HAPI i parë në Kuvend, të zhbllokohet institucioni, nga i cili mes tjerash varet edhe buxheti i vitit të ardhshëm, dhe pastaj sa të duan të gjithë të bëjnë fizkulturat e veta në drejtim të formimit të Qeverisë. Dhe kështu, së paku do të dihet ose do të kemi Qeveri brenda afateve kohore të parapara me Kushtetutë, ose vendi do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pastaj secili subjekt ose secili institucion të përpiqet të na e mbushë mendjen se pse ata janë më të mirët.
Por, në mungesë të marrëveshjes për formim të Qeverisë me subjektin që ka dalë i pari në zgjedhje, është krim të mos konstituohet as Kuvendi. Qytetarët, fundi i fundit, kanë dhënë votën për Parlament, kurse e kanë të drejtën subjektet që të bëhen bashkë e ta bëjnë Qeverinë.

E teksa, deri para një jave, do të mund edhe të arsyetohej se një pjesë të përgjegjësisë për bllokim institucionesh e bart edhe VLAN-i, tash bllokada ka vetëm një emër, ka vetëm tri shkronja.
Quhet: PDK!

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...