Diktatori dhe piktori në Beograd

13 Nëntor 2014 - 08:30 - Enver Robelli      

Vizita e Edi Ramës dhe vizita e Enver Hoxhës në Beograd: disa dallime thelbësore

Në prag të vizitës së sotme të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, në opinionin shqiptar janë bërë komente të ndryshme pro dhe kundër. Gati secili e ka të gatshëm një shpjegim, kërkesë, apel, brohoritje. Janë bërë edhe krahasime të çuditshme mes vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, në vitin 1946, dhe vizitës së Edi Ramës, më 10 nëntor 2014.

Këto krahasime janë nonsens. Ka disa dallime thelbësore:

1. Enver Hoxha shkoi në Beograd si vasal i Jugosllavisë.
2. Ramiz Alia ishte në atë kohë shef i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Jugosllavi.
3. Partia Komuniste e Shqipërisë ishte themeluar nga të dërguarit e Josip Broz Titos (Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi).
4. Kur Enver Hoxha në maj të vitit 1947 e vizitoi për herë të parë Moskën, udhëheqja e Kremlinit së pari e mori pëlqimin e Beogradit.

5. Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore ishte pothuaj pjesë e Jugosllavisë – me vullnetin e Enver Hoxhës. Kjo qasje e tij ndaj Beogradit i mundësoi udhëheqjes jugosllave të neutralizojë gati plotësisht çështjen e pazgjidhur të Kosovës.
6. Politika e Hoxhës deri në vitin 1948 ishte qartësisht projugosllave jo vetëm në aspektin politik, por edhe ekonomik dhe kulturor.

7. Udhëheqja e Partisë së Punës e Shqipërisë ishte e përçarë në bllokun projugosllav (të cilit i printe Koçi Xoxe) dhe atij prosovjektik (që drejtohej nga Nako Spiru). Spiru u gjet i vrarë pasi ishte akuzuar për kursin e tij antijugosllav. Liri Belishova, e veja e Spirut, pas rënies së komunizmit në Shqipëri e akuzoi Enver Hoxhën për vrasjen e burrit të saj. Teneqexhiu projugosllav, Koçi Xoxe, u ekzekutua më 1949 pasi Hoxha siguroi mbështetjen e Moskës.

8. Vetë Stalini në bisedë me Milovan Gjilasin, njeriun e besueshëm të Titos, në një takim në janar 1948 në Moskë ishte shprehur pro bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Nostalgjikët shqiptarë të diktaturës së Enver Hoxhës mendojnë se Stalini e shpëtoi pavarësinë e Shqipërisë.
9. Stalini e kundërshtoi befas okupimin e Shqipërisë nga Jugosllavia jo pse kishte ndonjë simpati për shqiptarët. Diktatori sovjetik nuk mund të pajtohej që Jugosllavia të ndiqte politikë pak më të pavarur nga Moska dhe të ushtronte ndikim në mbarë Ballkanin.

Pas takimit mes Gjillasit dhe Stalinit në Moskë, ku ishte arritur pajtimi për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, Enver Hoxha lejoi stacionimin e trupave jugosllave në rrethinën e Korçës. Tito e kishte arsyetuar këtë me rrezikun që vinte nga “monarko-fashistët” grekë. Pas protestës së Moskës, Jugosllavia u tërhoq nga dërgimi i ushtarëve në jug të Shqipërisë.
10. Në të gjitha këto lojëra mes fuqive rajonale, Enver Hoxha ishte një figurë e vogël shahu që i interesonte vetëm konsolidimi i pushtetit të vet në dëm të popullit shqiptar. Këtë e tregon pastaj prishja e raporteve me Bashkimin Sovjetik dhe afrimi me Kinën, manipulimi me nacionalizëm në vitet ‘70 dhe ‘80 dhe paranoja e rrethimit të Shqipërisë nga armiqtë e saj. Në fakt armiku më i madh i Shqipërisë ishte Partia Komuniste e Shqipërisë (më vonë Partia e Punës).

Si e tillë Shqipëria komuniste nuk mund të ishte mbështetëse serioze e aspiratave për liri të shqiptarëve jashtë kufijve të saj të rrudhur që më 1913 në Londër. Një pushtet që i mbante në robëri e varfëri shqiptarët nga Vermoshi në Konispol nuk mund të angazhohej për të drejta demokratike të shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo nuk do të merrej seriozisht nga fuqitë perëndimore, të cilat Hoxha i urrente patologjikisht. Andaj ndihma e Shqipërisë u kufizua kryesisht në lojën politike me grupe marksiste-leniniste kosovare.

Me rezultat absurd: në qytetet gjermane, zvicerane apo austriake emigrantët shqiptarë nga Jugosllavia e atëhershme, e cila në Perëndim gëzonte imazhin e shtetit më liberal në kampin komunist, protestonin kundër shtypjes nga Beogradi dhe njëkohësisht madhëronin sistemin e Enver Hoxhës në vend se të kishin idhull disidentë si Vaclav Haveli. Kjo situatë shkaktoi mjaft keqkuptime mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës në prag dhe pas rënies së komunizmit: shqiptarët kosovarë ua zinin për të madhe shqiptarëve në Tiranë që më 2 korrik 1990, në ditën e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese në Prishtinë, një lloj akti pavarësie, kishin hyrë në ambasadat perëndimore në përpjekje dëshpëruese për të braktisur burgun e hapur komunist. A mund të akuzohet dikush që aspiron lirinë?

Nga ana tjetër, shumë shqiptarë në Shqipëri në fillim të viteve ‘90 e kishin të vështirë të kuptonin arsyen e rezistencës në Kosovë kundër regjimit serb, fundja ky regjim kosovarët i lejonte të kishin traktorë, prona private, vetura dhe liri të tjera, të cilat shqiptarët e Shqipërisë nuk i kishin nën Enver Hoxhën. Sa më i varfër që je, aq më modeste dhe jonacionale i ke kërkesat.
Që nga vizita e Enver Hoxhës në Beograd në vitin 1946 kanë kaluar 68 vjet. Kryeministri i tanishëm i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, e viziton Serbinë në rrethana krejtësisht të reja:

1. Edi Rama mund të ketë qenë naiv gjatë karrierës së tij politike sa i përket Serbisë (çelësi për këngëtarin Goran Bregoviq mund të quhet naivitet), por vasal i Beogradit si Enver Hoxha nuk ka qenë kurrë.

2. Ai po e viziton Serbinë si kryeministër i një vendi që është anëtar i NATO-s. Enver Hoxha e kishte bërë Shqipërinë pjesë të Paktit të Varshavës, i cili duhej të luftonte Perëndimin.

3. Nëse Beogradi nënvizon se me ndërtimin e gazsjellësit “South Stream” Serbia do të ketë rëndësi edhe më të madhe strategjike në rajon, Rama mund të përgjigjet me të njëjtën monedhë: nëpër Shqipëri do të kalojë gazsjellësi transadriatik, i cili është përgjigjja e Evropës për të ulur ndikimin nga gazi rus.

4. Për dallim nga Enver Hoxha, i cili për vizitat e tij merrte leje në Moskë, Rama shkon në Beograd me mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë dhe të kancelares Angela Merkel. Berlini mbetet aleati më i rëndësishëm dhe kyç për integrimin e vendeve të Ballkanit në BE.

5. Derisa Hoxha e kishte degraduar Shqipërinë së pari në republikë jugosllave, pastaj në koloni sovjetike dhe në fund në provincë kineze, Qeveria shqiptare e prirë nga Edi Rama ka një synim: evropianizimin e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Sa e vështirë është kjo rrugë nuk duhet të shpjegohet këtu më gjatë, por fajet nuk janë (vetëm) të Ramës, por kryesisht të paraardhësve të tij “demokratë” e “socialistë”. Për mbi dy dekada Shqipëria mbeti peng e polarizimit ekstrem politik mes blloqeve partiake, që vetëm sa për sy e faqe quhen “të majtë” apo “të djathtë”. Ky polarizim po vazhdon.

6. Në aspektin kulturor dhe intelektual Edi Rama luan në një ligë tjetër nga homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq, i cili karrierën publike e ka nisur si pjesë e fansave huliganë të një ekipi të futbollit në Beograd, pastaj e ka vazhduar si propagandist në një radio të shtabit të luftës të serbëve të Bosnjës afër Sarajevës së rrethuar dhe ka përfunduar në Partinë Radikale të Serbisë të Vojislav Sheshelit, i cili kishte propozuar që për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e Kosovës duhet infektuar me virusin e Aidsit të gjithë shqiptarët e Kosovës.

Vuçiqi tani është shef i një partie tjetër politike, por e ka të vështirë t’i fshijë njollat e së kaluarës. Shpesh përpjekjet e tij duken qesharake. Kur nuk ka përgjigje për sjelljet e tij në të kaluarën ai u lutet gazetarëve që t’i bëjnë pyetje të tjera.
7. Për dallim nga Serbia, e cila luhatet mes aspiratës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe synimit për të qenë hegjemon i Ballkanit në shërbim të Rusisë, Shqipëria është përcaktuar qartë për integrim në BE. Ky përcaktim në vitet në vijim duhet të mbushet me më shumë përmbajtje. Pozitive në politikën shqiptare është që partitë e nacionalizmit folklorik nuk marrin mbështetje nga elektorati.

8. Edi Rama viziton Serbinë si kryeministër i një vendi që nuk mban njolla si agresor ndaj fqinjëve. Kjo nuk mund të thuhet për Serbinë, kryetari i së cilës në vitet ‘90 ka qenë vojvodë i paramilitarëve serbë në Kroaci e Bosnjë. Derisa Vojislav Shesheli, mentori i dikurshëm politik i Aleksandar Vuçiqit, thoshte se do t’ua nxirrte sytë kroatëve me lugë të ndryshkura, Edi Rama lugën e ka shfrytëzuar vetëm për funksionin për të cilin është prodhuar.

9. Ndeshja e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë shpalosi edhe më shumë stereotipat që ende ekzistojnë në qarqet jo vetëm publike serbe kundër shqiptarëve. Është një antikulturë raciste që kultivohet prej dekadash. Shqiptari përshkruhet si i rrezikshëm, primitiv, si “llum social” dhe “fis tribal” (sipas shkrimtarit nacionalist Dobrica Qosiq). Nuk është rastësi që njëri prej krerëve të klanit kriminal të Zemunit, Dushan Spasojeviq, i cili është dënuar për atentatin kundër kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, në opinionin serb njihet me nofkën “Šiptar” (fjalë pezhorative për shqiptarët). Është mirë që Edi Rama nuk mban mbi supe një bagazh të tillë racist kundër serbëve, siç mbajnë jo pak politikanë serbë ndaj shqiptarëve.

Por, duhet thënë se viteve të fundit edhe ndër shqiptarë ka nacionalistë folklorikë që nga politikanët kërkojnë që “serbit, grekut e maqedonasit t’ia paguajmë racizmin me monedhën e njëjtë”. Kjo mund të ndikojë në zbrazje frustrimesh, por Shqipërisë nuk i ndihmon. Ky vend ka shumë halle të tjera, ku mes tyre hyn edhe rreziku i përhershëm nga krimi i organizuar dhe i paorganizuar, siç tregoi para disa ditësh vrasja makabre në Tiranë e 4 personave nga një vrasës që ishte trajtuar nga drejtësia shqiptare me dorëza mëndafshi.

Ende është herët të thuhet nëse Edi Rama do të arrijë ta vendosë Shqipërinë në binarë të sigurt drejt BE-së, por ai ka shumë më tepër shanse ta bëjë këtë se homologu i tij serb, i cili duhet të menaxhojë një shtet që ka kaluar nëpër katër luftëra pushtuese, të cilat kanë lënë prapa një shoqëri që do t’i duhen dekada për t’u konsoliduar dhe për të gjetur paqen së pari me vetveten.

10. Edi Rama viziton Serbinë në një moment kur jo pak shqiptarë në Ballkan ndiejnë njëfarë epërsie ndaj serbëve si rrjedhojë e pavarësisë së Kosovës. E vërtetë është se pozicionimi strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë në krahun e Perëndimit e bëri të mundshme heqjen qafe të zgjedhës serbe në Kosovë. Ky pozicionim properëndimor i Kosovës u bë publik edhe në arenën ndërkombëtare sidomos më 26 qershor 1989: atë ditë në revistën “Der Spiegel” u botua një intervistë me një kritik letrar të Kosovës, i cili në pyetjen e fundit të gazetarëve “A mund të zgjidhet në mënyrë paqësore mospajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve?” ishte përgjigjur: “Nëse Serbia përpiqet edhe më tutje ta shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë popull i vogël.

Në të kaluarën kur një popull i vogël është përpjekur të sillet si hegjemon në Ballkan, kjo përherë ka përfunduar me tragjedinë e këtij populli”. Edi Rama duhet ta ketë parasysh edhe këtë trashëgimi politike të Kosovës gjatë vizitës së tij në Beograd.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...