Kundërmimi

11 Nëntor 2014 - 08:35 - Flaka Surroi      

E fëlliqëm si kolektivitet, dhe tash i jetojmë pasojat. Sepse as nuk ditëm t’u themi jo të huajve kur u desh; as nuk ditëm t’i zgjedhim udhëheqësit; e as nuk ditëm t’ua tregojmë vendin hajnave. Dhe ende nuk dimë

Fundi i vitit me siguri e zbuloi personazhin e vitit sikurse që e evidencoi deklaratën e vitit. Personazhi do të jetë me gjasë prokurorja britanike e EULEX-it, Maria Bamieh – e cila pa dalë në gazetë, tashmë kishte nisur një proces kur kishte ngritur dyshime për keqpërdorime të detyrës zyrtare të stafit ndërkombëtar të EULEX-it.

Dhe i cili proces, nëse dëshmohet të jetë i vërtetë nga një trup i pavarur, do të mund ta niste ortekun e zbulimeve të reja që do të flisnin për krimin e organizuar brenda misionit evropian. Pos nëse, natyrisht, do të mbyllet edhe ky, si shumë raste të ftohta dhe të papërfunduara që ka njohur drejtësia kosovare.

Deklarata e vitit do t’i atribuohet ambasadores amerikane – sepse jo vetëm që u përfol më së shumti nja dy ditë me radhë; dhe jo vetëm pse u përpunua në versione të llojllojshme më vonë në FB, porse edhe për shkak se nxiti, si me telekomandë, lëvizjen e parë drejt zhbllokimit të bllokimit të shtetit të bllokuar.

Mjaftoi një “Mos e dhi punën”, që të kuptohej si qortim publik nga njëra palë e politikanëve. Mbase për ata të tjerët, që nuk kanë reaguar, do të duhej ta thoshte “E ke dhi punën”, për të nxitur lëvizje.

Është tejet dëshpëruese të kuptohet se politikanët tanë e pranojnë një nivel kaq jodiplomatik dhe të ulët të komunikimit. Porse pikërisht kjo e shpjegon atë mentalitetin që e përshkruaja javën e shkuar: atë të mungesës së unit dhe të kundërshtimit të një diçkaje me mend, argumente dhe me vetiniciativë.

Është edhe më dëshpëruese të konstatohet se, në fakt, termi që e ka përdorur ambasadorja është më i përshtatshmi për ta përshkruar kontekstin në të cilin jetojmë. Aty ku të huajt nuk dolën të na e bëjnë krejt mut, e bëmë ne vetë. E fëlliqëm si kolektivitet, dhe tash i jetojmë pasojat. Sepse as nuk ditëm t’u themi jo të huajve kur u desh; as nuk ditëm t’i zgjedhim udhëheqësit; e as nuk ditëm t’ua tregojmë vendin hajnave.

Dhe ende nuk dimë.
Turpi EULEX

Kur me të nisur misionin e shefit të komponentit të drejtësisë së EULEX-it kishte shkuar për t’u takuar me, atëherë ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendin, italiani Alberto Perduca i kishte thënë: “Zonja ministre, ne do të sjellim në Kosovë gjyqtarë dhe prokurorë me përvojë, do të sjellim edhe gjyqtarë dhe prokurorë antimafi nga Italia”. Me një dozë jo pak të theksuar të ironisë që e kishte karakterizuar, Kelmendi i ishte përgjigjur: “Faleminderit z. Perduca, ju më trimëruat me këto informacione sepse ata me ‘sukses’ e kanë luftuar Mafinë në Itali”.

(Sa për informimin e EULEX-it, burimi i këtij citati është nga brenda. Është emër i njohur për redaksinë, dhe as mendja nuk më shkon t’ia zbuloj emrin. Ia lë ekipit të hetimeve të EULEX-it të merret me konstruksione dhe që eventualisht ta gjejë ndonjë provë inkriminuese edhe kundër meje personalisht, ashtu siç përpiqet t’ia veshë gazetarit dhe redaksisë së gazetës prejse e zbuluam skandalin EULEX).

Se sa largpamëse kishte qenë Nekibja më së miri u vërtetua me rastin e korrupsionit të dyshuar të gjyqtarëve të EULEX-it, si dhe zyrtarëve të lartë, që rastësi apo jo, qëlluan të ishin italianë.

Dhe fundja, etnia e tyre është totalisht irrelevante në gjithë këtë muhabet. Ajo që është tronditëse është se përderisa fillimisht u barrikadua dhe nuk jepte kurrfarë deklaratash, tash EULEX-i ka kaluar në kundërofensivë jo vetëm duke u përpjekur ta shpëlajë veten, porse edhe duke u përpjekur ta njollosë gazetën që pati guximin që ta kryejë punën e vet profesionalisht.

E se punët nuk janë të pastra në mision, e vërtetuan së paku tri detaje që dolën në pah: e para, se në një konferencë shtypi ku nuk u lejuan pyetjet, shefi i EULEX-it kishte treguar se si për çdo vit ishin bërë nga 100 hetime të brendshme në bazë të akuzave për keqpërdorim të dyshuar; e dyta, se pas presionit nga Parlamenti Evropian, përfaqësuesja e lartë për Politikë e Siguri, Mogherini kishte vendosur ta caktonte një hetues special dhe të pavarur që do ta hetonte skandalin.

Edhe pse nuk e dimë se kush do të jetë dhe kur do të fillojë hetimin, fakti është, sipas njoftimeve që vijnë nga Brukseli, së paku 18 zyrtarë të EULEX-it janë nën hetime dhe nuk bëhet fjalë bash për zyrtarë kikirikë. E treta dhe e fundit, është deklarata me terminologjinë më bozë që e dëgjojmë jo rrallë nga ata që nuk e mbajnë fjalën: “Do të kem zero tolerancë ndaj krimit”. Këtë e ka thënë shefi i ri i EULEX-it, italiani Meucci.

Po mos të kishte pasur krim dhe korrupsion brenda EULEX-it, zor se kishte dalë me një këso deklarate, duke ditur që për pesë vjetët e ekzistimit të këtij Misioni, më shumë ka pasur fjalë sesa vepra. Dhe gati asnjë luftim krimi në Kosovë.

Atë që jemi duke e parë tash është një luftë që po zhvillohet brenda në EULEX. Thuajse përnjëmend po përpiqen t’i fshehin gjurmët e krimit. Gjë të cilën e bëjnë fillimisht duke e suspenduar prokuroren Bamieh, e tek e bëjnë këtë duke e përfshirë qëllimisht dhe duke e ndërtuar një rrenë kafkiane kundër gazetës. Tash, nëse një mision i sundimit të ligjit “bën drejtësi” duke rrejtur (se gënjyer po më duket fjalë shumë e kulturuar për ta përshkruar këtë neveri), atëherë nga duhet ta kërkojnë drejtësinë qytetarët kosovarë?

Fillimisht UNMIK-u ishte ai, i cili me ngulm insistonte se Kosova nuk kishte kapacitet për të ndërtuar sistem të drejtësisë. Në vend se ta forconin sistemin, na e krijuan një mishmash ku zbatoheshin katër lloj ligjesh; ku punohej me përkthyes të pakualifikuar dhe ku për rezultat mbetën të papërpunuara madje një çerek milioni lëndësh. Nga gjykatësit dhe prokurorët kosovarë krijuan kryesisht tutsana dhe oportunista që nuk i prishin punët me askënd. Për më tepër, që ndreqin punë aq sa për t’u pasuruar vetë, dhe për t’i pasuruar miqtë milionerë kolltukxhinj.

Mandej erdhi EULEX-i, i cili erdhi për të vazhduar të na tregojë se nuk kemi kapacitet për të ndërtuar sistem drejtësie. Se ata do të na mësonin se si duhet vepruar. Dhe na mësuan: peshqit e mëdhenj të paprekur, ose me dënime skandaloze dhe simbolike. Fiqfiriqat në burg. Misioni i kryer me kthimin prapa në shtëpi të zyrtarëve evropianë dhe ne ende me mungesë kapaciteti për të bërë drejtësi. Për shkak se nuk kemi interes për ta bërë. Sepse ende ka gjëra për të vjedhur. Dhe sepse ende ka ambicie në postet e larta për të vjedhur. Prandaj edhe nuk lëshohen postet me kaq lehtësi.

Na e fëlliqën krejt. Ne ua vazhduam traditën.

I dridhi

Ka më se dy vjet prejse ka ardhur dhe pardje ka qenë hera e parë që kishte vendosur ta fuste në përdorim publikisht fuqinë, të cilën ia jep vetëm fakti se është ambasadorja amerikane. Për dallim nga të gjithë paraardhësit e saj, Jacobson deri tash ka luajtur shumë mençur dhe me diskrecionin e diplomates që i kryen punët në prapavijë dhe pa zhurmë. Me diplomaci. Nejse, deri te pika kur i qaset të këshilluarit të liderëve politikë që ta parandalojnë nevojën fiziologjike derisa flasin e bëjnë politikë.

Dhe përderisa atë që e shqiptoi në gegënishte u bë kryetitulli, me gjasë, i vitit, megjithatë në paraqitjen e saj para publikut në debatin e organizuar nga “Fol”, emisarja amerikane i dha udhëzimet se si duhet vepruar për ta zgjidhur krizën politike. Pos që pak a shumë i barazoi që të gjithë politikanët (minus kryetaren, të cilën e veçoi si parimore), në fund iu qas pragmatizmit kur e elaboroi se kush do të duhej të bëhej me cilin post.

Në fund, parimisht e këshilloi të dalën nga zarfi i paraardhësit të saj, se zgjedhje të reja nuk mund të ketë, për shkak se po rrezikoheshin në rend të parë bisedimet me Beogradin dhe Gjykata Speciale, e më pas edhe problemet financiare të shtetit pothuajse të falimentuar.

Jacobson foli shumë gjëra përmbajtjesore të cilat tregojnë shumë. E para, qasja kolonialiste e të huajve ndaj politikanëve kosovarë. Kolonializmin e përmendi vetë ajo: tha Kosova nuk është koloni që të na sjellin zgjidhje në zarfe. Mbase paskemi qenë para tre vjetësh kur këtë e bëri Delli me Jahjagën, e Thaçi, Mustafa e Pacolli e pranuan marrëveshjen kundërkushtetuese si valide.

Tha se zgjidhjet nuk duhet sjellë, porse doli dhe i dha udhëzimet publikisht. Dhe kur i tha, foli sikur të ishte pjesë e jona. E përfshiu edhe veten kur foli për problemet me shumë procedura që kanë ngecur në Kuvend për mungesë konstituimi: nuk tha KENI mbetur pa buxhet. Tha KEMI mbetur pa buxhet.

Tha që korrupsioni në Kosovë i ka rrënjët e thella. Përmendi një sërë emrash e numrash. Pak a shumë na bëri me dije se hajnia jonë vjen me të lindur dhe se është punë mentaliteti e kulture. Por harroi të na e përmendë se ishte Delli ai që i kishte dhënë një përqafim emotiv Limajt, tashmë nën hetime, kur u lidh kontrata për Aeroportin; dhe mbase nuk e ka ditur të na tregojë se njëra nga paraardhëset e veta kishte deklaruar, po e parafrazoj, “Nuk ka lidhje pse vjedhin. Me rëndësi është se janë të dëgjueshëm”, kur i referohej strukturës qeveritare. Nuk dua të pranoj se hajnia është kulturore te shqiptarët dhe natyrisht se refuzoj ta identifikoj krejt popullin me kastën e hajnave, që mbijetojnë duke iu falënderuar të huajve që i ledhatojnë dhe popullit që ka humbur shtegun, sepse nuk ka kush ta udhëheqë.

Ashtu siç e lexova unë transkriptimin, më doli se PDK-ja do të bëhet me kryeparlamentar; se Qeverinë do ta kryesojë Mustafa dhe se në të nuk do të jetë “Vetëvendosja”, për shkak se kjo punë është e preferuar edhe për punë të dialogut (Lista Srpska, si kushtëzuese e komplet procesit) e edhe për punë të menaxhimit shumë më të lehtë të resurseve njerëzore në Qeveri.

Fatkeqësisht, sërish doli të jetë e vërtetë se u desh të përziheshin të huajt që ne të dalim nga rrethi vicioz, sado që PDK-ja ende insiston se duhet ta mbajë pushtetin dhe se mbase e kalkulon mundësinë e moszgjidhjes së Qeverisë as në rundin e dytë. Porse më duket se kësaj radhe edhe të huajt e kanë të qartë se kjo vonesë nuk do t’i konvenonte askujt dhe se do të ishin të gatshëm t’ia kthenin shpinën Thaçit, pavarësisht se sa i dëgjueshëm të jetë.

Mbase do të ketë nevojë që Jacobson ta riformulojë fjalinë e famshme dhe ta kthejë në kohë të kaluar kur të flasë herën tjetër me Thaçin. Kështu ky mbase do të kuptojë se kohën e ka të shkojë në opozitë. Edhe për shkak se ka bërë që politika kosovare e këtyre shtatë vjetëve të kundërmojë.

flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...