Një film i keq mafioz

6 Nëntor 2014 - 08:15 - Enver Robelli      

Mbi një miliard euro shpenzime dhe gati 7 vjet bashkëjetesë me politikanë të korruptuar deri në palcë: Misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, ka zhgënjyer sidomos ata kosovarë që besonin dhe luftonin për vlerat evropiane, për sundimin e ligjit dhe shoqërinë e shanseve të barabarta

Misioni më i madh dhe më i shtrenjtë i Bashkimit Evropian për shtetndërtim në Kosovë (EULEX) që nga viti i instalimit (2008) ka kushtuar mbi një miliard euro. Që në vitin 2012 Gjyqi Evropian i Auditorëve kishte kritikuar EULEX-in për mungesë të rezultateve. Deri atëherë misionin e kishin udhëhequr dy gjeneralë francezë, të cilët kishin përvojë në organizimin e puçeve në Afrikë dhe pothuaj aspak dije për udhëheqjen e misioneve civile të shtetndërtimit.

Këta gjeneralë francezë kishin një synim: të mbronin politikanët e korruptuar të Kosovës, të cilët i kishte rekrutuar shërbimi sekret francez si bashkëpunëtor gjatë konferencës në Rambouillet. Me ndihmën e këtyre politikanëve që sot me mish e me shpirt luftojnë për të mbetur në pushtet kontingjenti francez më 1999 e kishte ndarë Mitrovicën. Versionin e rekrutimit së paku e ka përmendur në një libër një autor francez dhe deri më sot askush nuk e ka demantuar.

Në raportin e tij Gjyqi Evropian i Auditorëve kishte konstatuar se niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë mbetet i lartë, drejtësia vazhdon të jetë joefikase dhe nën ndikimin e politikës. Për t’i dhënë fund kësaj katrahure gjermanët dërguan një shef të ri të EULEX-it. Nën drejtimin e tij u hapën shumë dosje që i kishte mbuluar pluhuri.

Por, as gjermani nuk mund të bënte mrekulli, duke pasur rreth vetes prokurorë italianë e çekë që supozohet të kenë marrë ryshfet për bllokim të proceseve gjyqësore kundër të dyshuarave për krime të mëdha jo vetëm financiare.

Tani gjermani u largua dhe patatja e nxehtë u mbeti në dorë dy italianëve dhe një italianeje: shefit të ri të EULEX-it, Gabriele Meucci, drejtorit për Ballkanin Perëndimor në BE, Fernando Gentilini, dhe kryediplomates së re të BE-së, Federica Mogherini. Tre diplomatë italianë tani duhet të veprojnë dhe të bashkëpunojnë në ndriçimin e një skandali, ku janë të përfshirë veçanërisht bashkëkombës të tyre.

Para se të merrte postin Mogherini ishte parë me sy kritik nga shumë politikanë të BE-së për shkak se nuk ka përvojë diplomatike dhe për shkak të politikës mirëkuptuese ndaj Rusisë. Megjithatë, ajo u zgjodh kryediplomate e BE-së si rezultat i kompromiseve tipike brenda BE-së, ku duhet të merren parasysh shumë interesa. (Në vitet 90-të ishte ministri i Jashtëm italian Lamberto Dini, i cili kishte raporte të ngushta me regjimin e Slobodan Milosheviqit. Dini e kishte ndërmjetësuar atëbotë blerjen e Telekomit të Serbisë nga Telekomi i Italisë. Drejtësia italiane ka supozuar se Dini i ka paguar Milosheviqit 30 milionë marka gjermane për pazarin e telekomit).

Fernando Gentilini, drejtor për Ballkanin Perëndimor në BE dhe disa herë i dërguar i BE-së në Kosovë, në një libër është shprehur i befasuar se në Prishtinë gratë e martuara dalin për t’u shëtitur me burrat e tyre (sic!). Në kryeqytetin serb ai kishte parë “rininë më të bukur të Evropës – e lirë, kreative, elegante, e orientuar nga bota, paqedashëse dhe vizionare”. Nëntoni i librit të Gentilinit është absurd: Kosova paraqitet si krahinë afgane, Beogradi si qendër e femrave më të bukura të Evropës! Shefi i ri i EULEX-it Gabriele Meucci ka një përvojë të gjatë në rajon (konsull në Split, diplomat në Tiranë, ambasador në Mal të Zi), por mbetet të shihet nëse ai është i përkushtuar në luftimin e krimit apo në bashkëjetesë me krimin.

Para dy vitesh, në nëntor 2012, një polic gjerman që atëbotë punonte për EULEX-in, kishte botuar anonim një artikull në revistën “Der Spiegel”, ku tregonte përvojat e tij në Kosovë. Mes tjerash ai shkruante: “Ndërtimin e sistemit policor në Kosovë unë e krahasoj me termocentralin e Obiliqit në afërsi të Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës. Që nga vitit 1999, kur NATO i përzuri serbët nga Kosova, në këtë termocentral duhet të montohet një filtër.

Deri më sot kjo nuk është bërë. Termocentrali vjell pa penguar helm në ajër. Kështu është puna edhe me përpjekjen e BE-së për të ndërtuar një administratë të pastër shtetërore dhe një sistem funksional të drejtësisë në Kosovë. E njoh Kosovën prej më shumë se dhjetë vitesh dhe sipas mendimit tim në këtë kohë ne pothuaj nuk kemi arritur asgjë. Më së shumti jam i zhgënjyer me policinë. Përkundër trajnimit intensiv shumëvjeçar dhe pajisjeve që janë të standardeve evropiane, policët më shumë janë të interesuar për kontrolle me radar sesa për të luftuar kriminalitetin.

Për të ndjekur shoferët që ngasin veturat përtej shpejtësisë së lejuar nuk duhet të lëvizësh. Duhet vetëm të rrish rehat në patrullën e ngrohtë. Sipas përshtypjes sime korrupsioni në mesin e policëve kosovarë është shumë i lartë. (...) Kriminelët e mëdhenj nuk arrijmë t’i kapim fare. Këtë e pengojnë strukturat tradicionale klanore dhe rrjetet e vjetra të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga e cila janë rekrutuar shumë policë. Këta natyrisht nuk duan të duken si tradhtarë dhe mbase nuk do të hetojnë kundër komandantëve të tyre, të cilët janë bërë të pasur nga tregtia me drogë.

Këto rrjete i mbron muri i heshtjes, të cilin ne policët nuk mund ta shpërthejmë. Në fakt ne as për së afërmi nuk e dimë se ç’bën vaki këtu. Nga njëra anë qyteti i Ferizajt konsiderohet si qendra më e madhe e trafikimit të drogës në Ballkan, nga ana tjetër ne këtu nuk konfiskojmë gati kurrë sasi të mëdha droge”. Polici gjerman në fund të dëshmisë së tij ankohej se EULEX-i nuk dërgon raporte të besueshme në Bruksel mbi gjendjen e tmerrshme në Kosovë: “Kam frikë se kosovarët do të presin derisa të largohemi ne.

Ashtu siç po e presin talibanët tërheqjen e trupave perëndimore nga Afganistani”.
Skandali me gjasë korruptiv në EULEX është një goditje e rëndë jo vetëm për Bashkimin Evropian, i cili predikon qeverisje me duar të pastra. Skandali mbi të gjitha është goditja më e poshtër që zyrtarët e EULEX-it u bëjnë sidomos atyre kosovarëve që sinqerisht besojnë në vlerat perëndimore, në sundimin e ligjit dhe në shoqërinë e shanseve të barabarta. Gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë të të drejtave të njeriut kanë rrezikuar shumë gjatë viteve të fundit për të mbështetur punën e EULEX-it.

Tani publiku kosovar përballet me intervista qesharake të ish-prokurorit Francesco Flori, i cili nga persona të botës së errët akuzohet se ka marrë para për të bllokuar e penguar procese gjyqësore dhe hetime. Flori i mohon akuzat, por ai ka pranuar se është takuar me një person, i cili përflitet të jetë njëri nga ndërmjetësit e shumtë financiarë. “Isha naiv”, thotë Flori. Tani publiku kosovar zbulon se BE nuk e ka sjellë në Kosovë një prokurore të pastër çeke, por një juriste që ligji i lustracionit në vendin e saj nuk e ka lejuar të bëjë karrierë në drejtësi. E pse të mos bënte karrierë në Kosovë Jaroslava Novotna?

Derisa në televizionet kosovare defilojnë zyrtarë të EULEX-it dhe BE-së duke u përpjekur të gjejnë arsyetime për skandalin, në mendje më vijnë vetëm citate nga trilogjia e famshme “Kumbara”: “Do t’ia bëj një ofertë, të cilën ai s’mund ta kundërshtojë”, “Mos më pyet kurrë për bizneset e mia”, “Për biznese nuk flasim në tavolinë”, “Njerëzit e sinqertë jetojnë rrezikshëm”, “Njeriu më i pasur është ai që i ka miqtë më të fuqishëm”.

Shumë zyrtarë të EULEX-it duket se miq të vërtetë i kanë mafiozët e Kosovës. Andaj ky film i keq mafioz duhet të marrë fund sa më shpejt me hetime serioze dhe të pamëshirshme. Një EULEX i reformuar dhe i pastruar duhet të kryejë punë vërtet të dobishme për këtë shoqëri të lodhur nga të gjitha format e krimit.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...