Dështimet e EULEX-it, një tragjedi për Kosovën

5 Nëntor 2014 - 08:15 - Augustin Palokaj      

Për të ardhmen e BE-së dhe pranisë së saj në operacione jashtë territorit, për të ardhmen e Kosovës dhe rajonin e Ballkanit, do të duhej që nga këto skandale BE-ja të nxjerrë mësime dhe vetë të bëjë atë që predikon. Duhet të dëshmojë vetë tolerancë zero ndaj korrupsionit, nëse ka nevojë edhe në radhët e veta, kur këtë e kërkon nga vendet e Ballkanit. Duhet të tregojë tolerancë zero ndaj atyre që kanë penguar zbulimin e krimit apo dënimin e tij në Kosovë, pa marrë parasysh pasojat politike të momentit. Sepse nëse nuk i bën këto prania e BE-së, krimin e organizuar në Kosovë vetëm do ta bëjë edhe më të organizuar e jo më të vogël

Bashkimi Evropian është tronditur me njërin prej skandaleve më të mëdha në historinë e angazhimit shumëvjeçar në Ballkan. Skandalet e dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar të nivelit më të lartë të komponentit gjyqësor të misionit të EULEX-it në Kosovë po shndërrohen në një skandal politik të klasës së parë, duke goditur rëndë reputacionin e BE-së. Deri sot BE-ja ka ditur të tejkalojë me mjeshtëri një varg kritikash ndaj misionit të EULEX-it në Kosovë për dështimet e shumta të këtij misioni.

Kur kosovarët shprehin pakënaqësinë me rezultatet e këtij misioni zyrtarët e BE-së arsyetohen se “EULEX-i është aty vetëm për të ndihmuar, kurse përgjegjësinë kryesore për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e kanë autoritetet e Kosovës dhe vetë kosovarët”. Dështimet në raste të krimeve të rënda shpesh i kanë arsyetuar me paragjykime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe shoqërisë kosovarë, duke potencuar se “këtu mbretëron kultura e heshtjes dhe dëshmitarët nuk vijnë të dëshmojnë”.

Kur kritikat kanë ardhur nga deputetët e Parlamentit Evropian apo edhe nga vetë Gjykata e Auditorëve të BE-së, të cilët kishin konstatuar se misioni nuk i ka përmbushur detyrat dhe nuk është sa duhet llogaridhënës, janë përgjigjur se “tashmë i kanë marrë parasysh këto kritika dhe kanë ndryshuar”.

Por, përmasat e skandaleve më të reja janë aq të mëdha, saqë tash BE-ja nuk ia ka arritur t’i mbajë nën rrogoz dhe t’i kufizojë vetëm në nivel lokal. Ndoshta duke pritur që shkrimet e “Kohës Ditore” të mos kenë ndonjë jehonë të madhe, sidomos jashtë Kosovës, nga kreu i EULEX-it në Bruksel kanë dërguar porosi se “krejt kjo është hakmarrje e një gruaje të frustruar, pse nuk ia kemi zgjatur mandatin gjatë ristrukturimit të misionit”, duke menduar në prokuroren Maria Bamieh.

Por akuza dhe skandale ka shumë dhe në vend që të merren me motivet e prokurores në fjalë, zyrtarët e BE-së duhet të merren me përmbajtjen e asaj që ajo thotë dhe asaj çfarë, siç na pranuan edhe vetë, BE-ja e di tash e një vit se ka ekzistuar si dyshim dhe qenkan duke u bërë hetimet. Nuk është “një rast”, siç flet BE-ja, por janë disa. Javën që shkoi secilën ditë “Koha Ditore” nxirrte nga një rast të ri dhe secili ishte skandal në vete. Dhe në fund edhe BE-ja u detyrua të kuptojë se skandali kurrsesi nuk u “lokalizua” si një zjarr i vogël, por doli përtej kufijve të Kosovës. Në përpjekje për të parandaluar daljen në shesh të këtyre skandaleve, EULEX-i bëri një skandal shtesë, duke tentuar të bëjë presion ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi, i cili thotë se kanë tentuar ta kërcënojnë me ndjekje penale nëse del me shkrime rreth skandaleve.

Kështu tash BE-ja duhet të përballet me pasojat të cilat do të jenë jashtëzakonisht vështirë të sanohen. Pasoja e parë është humbja e edhe atij pak besimi që kanë pasur qytetarët e Kosovës në këtë mision. Pasoja e dytë është humbja e besimit brenda vetë misionit dhe e treta humbja e besimit në Parlamentin Evropian dhe shtetet serioze anëtare të BE-së. Nuk është më fjala vetëm për kritika për mosefikasitet, por për korrupsion, i cili mund të quhet edhe krim i organizuar në nivelin më të lartë.

Për të ardhmen e Kosovës më e rëndësishme do të jetë sesi do të përmbyllen skandalet e EULEX-it sesa kush do ta krijojë Qeverinë e Kosovës. Për korrupsion gjithsesi fajtorë mund të jenë individët në këtë mision dhe jo i tërë misioni. Por për dështimet, humbjen e besimit jo vetëm në mesin e kosovarëve, por më gjerë, vënien e drejtësisë në shërbim të politikës, përgjegjësinë e ka i tërë zinxhiri komandues i BE-së që nga gjykatësi më i fundit në EULEX e deri te kreu në Bruksel, që deri dje ishte Catherine Ashton. Arsyet për dështime duhen kërkuar në nivel politik e jo vetëm në disa raste individuale të prokurorëve apo gjykatësve që dyshohen për korrupsion.

Me ironi një diplomat i një vendi të BE-së thotë këto ditë se “tash e kuptoj se pse politikanët e Kosovës shprehin mbështetje të plotë për punën e EULEX-it!”, duke menduar në dyshimet se disa politikanë janë mbrojtur nga persona brenda sistemit vetëm pse me ta janë bërë pazare politike. Ka diplomatë që thonë se disa ish-nëpunës të EULEX-it nga shtetet e tyre u kanë thënë shpesh se “ka ndërhyrje politike, madje edhe nga Brukseli, që të mos hetohen disa raste nëse niveli politik i përfshirë në to ka qenë i rëndësishëm për ndonjë proces të caktuar”.

Por ata nuk duan të flasin për raste konkrete.
Kemi frikë se skandalet në EULEX dhe dështimet tash më nuk janë “raste”, por po kërcënojnë të dalin të jenë dukuri normale.
Për të ardhmen e BE-së dhe pranisë së saj në operacione jashtë territorit, për të ardhmen e Kosovës dhe tërë rajonin e Ballkanit, do të duhej që nga këto skandale BE-ja të nxjerrë mësime dhe vetë të bëjë atë që predikon. Duhet vetë të dëshmojë tolerancë zero ndaj korrupsionit, nëse ka nevojë edhe në radhët e veta, kur këtë e kërkon nga vendet e Ballkanit.

Duhet t’u dalë vetë në mbrojtje gazetarëve hulumtues, të cilët, sipas vetë BE-së, në Kosovë e më gjerë në Ballkan kërcënohen nga politikanët dhe policia, e jo që edhe vetë t’i kërcënojë ata. Kur flet për mbrojtjen e “fishkëllyesve” (“whistelbllowers” – atyre që nxjerrin informata për skandale) duhet vetë ta marrë në mbrojtje, dhe pse jo edhe ta dekorojë, nëse del se ka thënë të vërtetën, prokuroren Bameih. Duhet të tregojë tolerancë zero ndaj atyre që kanë penguar zbulimin e krimit apo dënimin e tij në Kosovë, pa marrë parasysh pasojat politike të momentit. Sepse nëse nuk i bën këto, krimin e organizuar në Kosovë vetëm do ta bëjë më të organizuar e jo më të vogël.

Dhe BE-ja menjëherë duhet të heqë dorë nga tentimet për të gjetur armiq të misionit të EULEX-it. Të dëshpëruarit në Kosovë nuk janë ata të cilët kanë qenë kundër misionit të EULEX-it, por ata të cilët kanë pritur shumë nga ky mision. Të dëshpëruarit në BE nuk janë ata të cilët kanë qenë apriori kundër këtij misioni, sepse janë edhe kundër Kosovës, por janë ata të cilët e kanë mbrojtur këtë mision deri tash, madje duke rrezikuar dhe reputacionin personal. Të tillë janë raportuesja e mëparshme dhe e tashme për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, shefi i Komisionit për politikë të jashtme, Elmar Brok nga Gjermania, ish-deputetja gjermane tash në pension, Doris Pack, dhe shumë të tjerë.

Këta kurrsesi nuk janë persona të cilët nuk e duan EULEX-in. E këta tash kërkojnë llogari, kërkojnë hetime të pavarura, sepse nuk besojnë se EULEX-i vetë mund të zbulojë skandalet e veta dhe dyshojnë se mund të ketë pasur tentime për të mbuluar gjurmët e këtyre skandaleve.

Zbulimi i skandaleve në fjalë vjen në një kohë kur në BE janë ndërruar aktorët kryesorë nëpër institucione. Ndoshta edhe kjo mund të shërbejë si një rast për një fillim të ri, sepse për qytetarët e Kosovës dështimi i EULEX-it është jo vetëm skandaloz, por edhe një tragjedi. Është një tragjedi, sepse po e humbin besimin në drejtësi. Po e humbin besimin edhe ndaj atyre për të cilët kanë besuar se kanë ardhur në Kosovë që t’u ndihmojnë, duke u dhënë shembujt më të mirë nga bota e zhvilluar dhe demokratike se si duhet të funksionojë sundimi i ligjit. BE-ja e ka përmendur vetë EULEX-in me vite si misionin më të madh, më të rëndësishëm, më të shtrenjtë civil që ka pasur deri tash në histori.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...