Ose politikanët të humbin pak, ose populli të humbë shumë

1 Nëntor 2014 - 09:36 - Adriatik Kelmendi      

Presidentja Jahjaga e ka në dorë zhbllokimin e situatës, duke u bazuar në rezultatin zgjedhor, fuqinë e numrave në Parlament dhe dy aktgjykimet e Kushtetueses: t’i garantojë edhe publikisht LVAN-it se do t’ia japë mundësinë që në rast se PDK-ja dështon t’i mbledhë votat për Qeverinë, atëherë e drejta për ta propozuar mandatarin i takon LVAN-it, që ka dëshmuar tashmë edhe në Parlament se i ka votat; natyrisht me pajtimin që PDK-ja ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar

ASHTU SIÇ REZULTATI zgjedhor i 8 qershorit nuk e ka nxjerrë asnjë subjekt politik si fitues absolut, ashtu as situata paszgjedhore gati pesë muaj më vonë po tregon se nuk do ta nxjerrë asnjë bllok politik si fitues absolut.

Kthyer mbrapshtë kjo, i bie se zgjedhjet kanë prodhuar vetëm humbës, që në pamundësi për të krijuar institucionet, po rrezikojnë ta bëjnë humbës edhe gjithë popullin e Kosovës, pa hak e hile.
Tashmë është e qartë: në qoftë se nuk do të zhbllokohet situata edhe në dy-tri javët në vazhdim, e nëse detyrohemi kot të shkojmë në zgjedhje të reja, atëherë nga muaji shkurt nuk do të ketë as paga nga buxheti i Kosovës.

Kështu që, liderët politikë, në qoftë se iu ka mbetur ende ndonjë ndjenjë përgjegjësie për vendin dhe popullin, do të duhej të pranonin që secili të humbë diçka nga vetja, në mënyrë që populli të mos humbë shkaku i egove të tyre.

PDK-ja NË KËTË rast është e para që duhet ta pranojë humbjen e vet. Fakti që koalicioni parazgjedhor i mbledhur rreth kësaj partie ia ka dalë të renditet si i pari në zgjedhjet parlamentare, po i del i mjaftueshëm vetëm për Parlament - pra që në Parlament të gëzojë të drejtën që të propozojë kandidatin e vet ose të dikujt tjetër – dhe jo diku tjetër.

Duke qenë i pari me numër deputetësh në Parlament, nuk do të thotë edhe të kesh të drejtën e shumicës parlamentare, kështu që ideja e formimit të Qeverisë prej PDK-së duhet pranuar si një mision të pamundur.

Për më tepër që kjo parti ka aq shumë nevojë që të rishikojë kalbëzimin dhe kriminalizimin e disa strukturave të caktuara brenda saj, saqë kalimin në opozitë do të duhej parë si një mundësi rehabilitimi dhe profilizimi të brendshëm. Vetë fakti që ka katër parti të tjera shqiptare që me asnjë çmim nuk duan të lidhin koalicion me këtë parti, duhet të jetë shëmbëlltyra më e goditur që thërret për reflektim thelbësor.

Njëkohësisht, insistimi se duke qenë e para në zgjedhje nënkupton që PDK-ja të jetë gjithsesi edhe në Qeveri nuk është argument bindës fare, meqë vetë kjo PDK, si parti larg e dyta në zgjedhjet e para të pasluftës, mori postin e kryeministrit në koalicion qeveritar me LDK-në dhe AAK-në.

NË ANËN TJETËR, katër partitë e bllokut LVAN, duhet ta dinë po ashtu se duhet të humbasin diçka nga synimet e tyre, pavarësisht se i kanë numrat në Kuvend.

E para, askush nuk i ka faj as LDK-së, as VV-së, as AAK-së e as NISMA-s që nuk bënë ndonjëra prej tyre koalicion parazgjedhor, që të dilnin subjekti i parë dhe të mos kishim asnjë nga telashet që po i vuajmë sot. Kjo është huqja e tyre e madhe. E tash pikërisht për shkak të kësaj huqjeje, do të duhej të tregoheshin më të dinjitetshëm edhe përballë votuesve të tyre (të cilët i kanë votuar veç e veç dhe jo si koalicion, dhe njësoj mund të kenë dyshimet e tyre ndaj partive tjera, siç i kanë p.sh. ndaj PDK-së) e edhe përballë gjithë qytetarëve dhe ta shfrytëzojnë mundësinë e dhënë për ta sjellë një qeveri tjetër në krye të vendit.

E dyta, duken aq jobindëse dhe të pavizion taktizimet e bllokut të katër partive që herë ta quajnë të kapur Gjykatën Kushtetuese e herë të kërkojnë nga presidentja që të kërkojë sërish shpjegim nga ajo, herë t’i kërkojnë së njëjtës presidente zgjidhje të problemit e herë ta kritikojnë se edhe ajo është e kapur, e herë të kërkojnë mbajtjen e seancave parlamentare e këtë ta bëjnë vetëm sa për të na bindur edhe ne e edhe vetveten se sa, në fakt, janë të kapur vetë nga situata e krijuar. Kjo i bie blerje kohe dhe sillje në rreth. Aq më shumë që kjo situatë e pashpresë vetëm sa po punon kundër vetë kompaktësisë së LVAN-it, duke bërë që kohë pas kohe ata edhe të lëshojnë nga një batare të sharash ndaj njëri-tjetrit, gjë që mund të ndikojë edhe në përçarje ende pa u formuar Qeveria e synuar prej tyre.

E treta, blloku LVAN gjithnjë e më tepër ka filluar të lërë përshtypjen se as nuk janë krejt të sinqertë me njëri-tjetrin e as kundrejt angazhimit për dërgimin e PDK-së në opozitë. Në këtë frymë, në vend se të na tregonin se kush janë hajnat e kriminelët në Kosovë (do të duhej ta dinin se votuesit janë ata që i njohin secilin më së miri, dhe për këtë arsye ky votues ka bërë hesapet e veta dhe ka votuar ashtu siç kanë dalë edhe rezultatet) më e udhës do të ishte t’ua shpalosnin votuesve një program qeverisës, e pse jo edhe postet e ministrave dhe zëvendësministrave. Pesë muaj kohë do të mjaftonin që t’i bënin 5 plane të tilla, kurse LVAN nuk na dha asnjë.

Kurse, kur jemi te sinqeriteti i tyre ndërmjet vete, në vend se të flasin me të tjerët se cilët hapa do të duhej akëcili subjekt brenda bllokut t’i ndërmarrë në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe LVAN ta formojë Qeverinë e re, do të duhej ta gjenin guximin që këtë t’ia thonë ndërsy njëri-tjetrit. Kjo më së tepërmi u takon LDK-së dhe AAK-së, parti këto që ia kanë caktuar edhe pozitat vetvetes, e më pak LVV-së dhe NISMA-s, të cilat po vazhdojnë të insistojnë në dërgimin e PDK-së në opozitë, pa folur për postet të cilat do t’u takojnë atyre respektivisht.

Së këndejmi, Mustafa e Haradinaj do të ishte e udhës që të marrin pak mësim nga dy partnerët e tyre të koalicionit paszgjedhor, të kuptojnë se gjasat që ta kenë edhe kryeparlamentarin e edhe Qeverinë janë gati të barabarta me zero dhe të fokusohen në qëllimin e tyre madhor – ndërrimin e pushtetit. Tash le të vendosin ata ndërmjet vete se cili do të bëhet kryeministër e cili jo, por thjesht duhet ta dinë se atyre të dyve do t’u bie barra më e madhe e përgjegjësisë në qoftë se LVAN nuk do ta krijojë Qeverinë e ardhshme.

KËTU TASH DO të duhej të vinte në shprehje roli i kërkuar më aktiv i presidentes Atifete Jahjaga. Nëse e para e vendit dëshiron të ofrojë zgjidhje të situatës, t’i shmangë zgjedhjet dhe të shmangë bankrotimin e shtetit, duhet të reflektojë me precizitet. Zgjidhja më e kapshme ligjore dhe politike, me ato që kemi parë këta pesë muaj, është që PDK-ja në rastin më të mirë mund të marrë vetëm postin e kryeparlamentarit dhe LVAN të formojë Qeverinë.

Ky do të duhej të ishte edhe qëndrimi zhbllokues i presidentes, e cila, duke i thirrur në ndihmë dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, do të mund t’i garantonte edhe publikisht LVAN-it se do t’ia japë mundësinë që në rast se PDK-ja dështon t’i mbledhë votat për Qeverinë, atëherë e drejta për ta propozuar mandatarin i takon LVAN-it, të cilët kanë dëshmuar tashmë edhe në Parlament se votat i kanë.

Në këtë mënyrë, më së lehti do të zhbllokohej situata dhe Kosova do të merrej botërisht si një shembull pozitiv i tejkalimit të situata komplekse politike, pa tensione që do të mund ta lëndonin funksionimin demokratik të shtetit.

E subjektet politike duhet ta dinë se Kosova do të mbetet jona, do të ketë edhe zgjedhje të reja dhe ata do ta kenë mundësinë që t’i shfrytëzojnë leksionet e zgjedhjeve të 2014-s, në mënyrë që të krijojnë aleatë politikë, ose koalicione parazgjedhore mes vete, në mënyrë që të rritet konkurrenca cilësore në ofertë dhe të thjeshtësohet krijimi i institucioneve.
Kjo në fakt do të mund të ishte e vetmja fitore absolute në këtë konstelacion gjërash.

adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...