Hajt pak

12 Mars 2014 - 10:21 - Flaka Surroi      

Është neveritëse se sa është normal krimi në Kosovë. Se sa është “i pranueshëm” dhe se si është shndërruar në standard që duhet plotësuar po qe se do që të jetosh pa brenga në këtë vend. Krejt kjo duke iu falënderuar kësaj nomenklature politike dhe kësaj filozofie korruptive

Kosova e luajti ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare në futboll – fatkeqësisht me fusnotë, pa himn, pa flamur – por e luajti dhe nuk humbi. Ata që e përjetuan ndeshjen live në Mitrovicë treguan se kjo kishte qenë një ngjarje vërtet e veçantë, pavarësisht shiut (shyqyr filloi me ra nga pak), lloçit, prishjes së fushës në disa vende dhe drenazhimit të dobët të terrenit. Të tjerët që e shikuan në televizor për pak sa nuk i kishin prishur inventarët nëpër shtëpi, zyra e kafiteri – për shkak të rasteve të parealizuara të kosovarëve. E ne të tjerët që nuk mundëm ta shikonim, vendosëm që posa të merreshin vesh vëllai i madh që do ta ndalojë Facebookun dhe Youtuben me atë të voglin që gjithë ditën e lume ka kohë me ndenjur në FB, do të shkonim ta shikonim ndeshjen Kosovë-Turqi, edhe nëse do të luhej në Mamushë...

Ndeshja u mbajt pikërisht në përvjetorin e 16-të të vrasjes së familjes Jashari në Prekaz, datë të cilën për herë të parë, pas sa vjetësh e shënuan, ani që ndaras, krejt përfaqësuesit e institucioneve. Kësaj radhe kryetarja u sigurua të kthehej nga udhëtimi zyrtar me kohë, ashtu që ta shoqëronte kryeministrin, përkatësisht shefin e saj, në vendosjen e kurorave në varrezat e Jasharëve. Për dallim prej të tjerëve që e vizituan edhe familjen, këta të dy nuk e prishën traditën e deritashme dhe e vazhduan rrugën tutje.

Përderisa “Epopeja e UÇK-së” përfundoi me “Natën e zjarreve” (shyqyr pa incidente), Dita e Mësuesit (sa diskriminuese është kjo gjuha shqipe) u shënua me një lajm për t’u veçuar: Universiteti i Prishtinës u bë me rektor të përkohshëm. Anton Berishaj, i njohur si sociolog dhe një kohë të gjatë aktivist i shoqërisë civile në vitet nëntëdhjetë, u caktua për njeriun i cili duhet ta udhëheqë këtë institucion të kriminalizuar drejt procesit të pastrimit dhe rehabilitimit.

Pse askujt s’i lënë përshtypje këto punë?

Porse ajo që vazhdoi të ishte e njëjta në këtë javë, pavarësisht ditëve që kanë një peshë simbolike, ishin rastet e panumërta të korrupsionit dhe të skandaleve, të cilat e gjetën vendin në ballinën e gazetës dhe në krye të lajmeve në televizion.

Nisi me lajmin se pasiguria e dëshmitarëve ishte shkaku kryesor se përse ndërkombëtarët duan të themelojnë Tribunal për krimet e pretenduara të UÇK-së në Kosovë me seli jashtë Kosove. Tragjikja në gjithë këtë muhabet është se me faktin se Qeveria jonë insiston që një gjykatë e këtillë të çilet në Kosovë, është se po pranon se krime të tilla ka pasur, dhe se posaçërisht në gjashtë vjetët e fundit ka treguar paaftësi të qëllimshme, me gjasë, për t’u marrë me këtë punë. Kështu, tash Kosova si shtet do të kalojë nëpër turpin e të qenit shteti i vetëm në rajon për të cilin themelohet Tribunali i veçantë për t’ia ndjekur krimet e luftës, përderisa të gjithë të tjerët janë shkrirë në atë të Hagës ose i kanë kryer këto procedura nëpër gjykatat e veta nacionale. Se është faji i këtij establishmenti politik se pse Kosova nuk i ka pushtetet e pavarura, për shembull gjyqësinë – e kjo nënkupton problem shumë serioz për gjithë një popull.

Lajmet që vijuan flisnin për bashkëveprimin e Ligjit për amnistinë së bashku me krimet e pretenduara që do të mbesin përjetë të pazbuluara dhe të pambështetura për fakte, edhe me rastin e tjetërsimit të ish-pronës shoqërore në trajtën e objekteve industriale apo edhe të tokës, pjellore ose jo, tashmë është krejt parëndësi.

Flisnin edhe për tentativë infiltrimin e telefonave brenda në burg nga njerëzit që kanë besuar se janë të paprekshëm se kështu janë mësuar të jetojnë prej kohësh; apo edhe për një skandal të paparë në të cilin bëhet biznes me materiale toksike e madje edhe vdekjeprurëse po qe se nuk menaxhohen si duhet – për shkak se madje shitja e dheut të “pasuruar” me xehe nëntokësore në këtë shtet të mbrapshtë mund të të sjellë miliona. Pavarësisht dëmit, pavarësisht rrezikut, pavarësisht shpërfilljes së jetës së të tjerëve, që fajin e vetëm e kanë se i kanë shtëpitë “ në vend të gabueshëm”, aty afër tokës pjellore.

Është neveritëse se sa janë bërë normale të gjitha këto. Se sa janë bërë gjë “ e pranueshme” dhe sa nuk ngjallin asnjë shenjë proteste pos ankesave që i dëgjojmë për çdo ditë në “Hajt pak” dhe se janë shndërruar në standard që duhet plotësuar po qe se do që të jetosh pa brenga në këtë vend. Dhe krejt kjo duke iu falënderuar kësaj nomenklature politike dhe kësaj filozofie korruptive.

Fushatë turbo

Nëse dikush ka pasur dyshimin më të vogël se fushata kishte nisur ende pa përfunduar viti i shkuar, me siguri se këto ditë e ka eliminuar këtë hamendje.

Ajo që është duke na ndodhur në dy-tri javët e fundit, është përqendrimi i forcave mendore dhe organizative të të gjitha subjekteve politike drejt fushatës dhe zgjedhjeve të ardhshme, ku përparësinë e padiskutueshme e ka Thaçi me gjithë makinerinë që e përkrah. Dhe, i cili, nuk ka dyshim, po vepron me plan drejt arritjes së synimit – ruajtjes eventuale të votave dhe eliminimit politik të kundërshtarëve që do të mund t’ia rrezikonin postin që e mban tash.

Me një Kuvend, i cili është dëshmuar të jetë absolutisht joefikas dhe i painteresuar për ta shpënë përpara këtë shtet dhe i cili më së paku merret me kontrollin e ekzekutivit; me një opozitë të killavtë dhe neveritëse (me përjashtimin e “Vetëvendosjes”) që për më shumë se tre vjet ka treguar sjellje oportuniste, mungesë absolute parimi dhe veprim sipas interesit të ngushtë grupor; me kapacitetin mahnitës për të “pshtjellë” punë në secilin drejtim duke u mbështetur në demagogji dhe duke e shfrytëzuar sundimin e gjymtë të ligjit në Kosovë, dhe përfundimisht pa një alternativë të qartë që do të kishte përkrahje më të gjerë publike – ky kryeministër llogarit se edhe zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë. Dhe, natyrisht, nuk ngurron ta përdorë atë arrogancë që aq shumë e karakterizon për ta përsëritur këtë sa herë që mundet.

E se fushata në anën e kryeministrit ka nisur turbo e vërtetojnë të gjitha lëvizjet që po i bën. E para, dhe më tipikja për secilën Qeveri në ikje, është rritja e rrogave të administratës publike – në mesin e të cilëve ka shumë, shumë njerëz të cilët i ka pozicionuar vetë aty ku janë. Duke mos paragjykuar se të gjithë shërbyesit civilë janë të politizuar, megjithatë, Kosova ka administratë publike më të madhe seç i duhet edhe për shkak të faktit se duhet akomoduar militantët partiakë të cilët në çaste të caktuara shërbejnë qoftë për dhënie votash, qoftë për mbledhje fizike votash, sikurse e kishin dëshmuar tashmë në zgjedhjet e vitit 2010, posaçërisht.

E dyta, qe çështja e pagesës së 20% të parave të privatizimit punëtorëve, ndërmarrjet e të cilëve ishin privatizuar që dhjetëvjetëshin e fundit. Një çështje e cila kishte qenë e bllokuar prej vitesh për arsye të ndryshme juridike (kinse pretendimet e Serbisë ndaj pronës kosovare e të ngjashme), tash përnjëherë zhbllokohet nga gjykata, që supozohet se është trup i pavarur në vendimmarrje. Për më tepër, ky vendim merret në bazë të kërkesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, një trupi gjithashtu të pavarur të themeluar me ligj – porse ai, i cili e jep kumtin, është shefi i ekzekutivit. Me këtë veprim, pos që tregon haptazi që e bën për motive parazgjedhore, i tregon edhe dy gjëra: në çastin kur flet në emër të gjykatës, është se tregon se ka ndikim në të, e meqë paska ndikim aty, përse pra nuk e paska marrë këtë vendim më herët, por e bën tash, para zgjedhjeve parlamentare. E dyta të cilën e dëshmon është se është edhe shef i trupit tjetër të pavarur në letër, AKP-së, në të cilin i çon njerëzit e vet dhe mban kontrollin mbi krejt mallin që vihet në shitje.

E fundit, është urdhri të cilin ua jep organizatave buxhetore që të kursejnë para në linjën mallra e shërbime – për t’i kursyer nja 40 a sa milionë. Shtrohet pyetja se përse kërkohet ky kursim vetëm dy muaj pas miratimit të Ligjit të buxhetit, kur këtë kursim ka mundur ta parashihte vetë qysh atëherë, kur e ka paraqitur projektligjin para Kuvendit. Para trupit, punë e të cilit është të vendosë po qe se duhet dikush të kursejë buxhet apo jo. Por, natyrisht, ky trup është tepër “busy” tash duke u pozicionuar për zgjedhjet e ardhshme... po iu ikin mandatet, kush e di sa prej këtyre do t’ia dalin të jenë deputetë sërish...

Dhe në mesin e gjithë këtyre manovrave të kryeministrit, opozita merret me marrëveshje xhentëlmene për shpërbërjen e Kuvendit (LDK) dhe me peticionin absurd për rrëzimin e kësaj Qeverie (AAK) dhe “e cila do të duhej ta ndalte procesin e negociatave në Bruksel”, edhe pse nënkryetari i parë i kësaj partie është koordinator i këtyre bisedimeve. Minoritetet ndërkohë i kushtëzojnë që të gjithë me sigurimin e vendeve të rezervuara, po qe se duhet ndërruar Kushtetutën. E për ta mbajtur pushtetin, tashmë po bëhet evidente, duhet ndërruar akti më i lartë juridik.

Sa mirë do të ishte po qe se këto partitë që tashmë na i kanë harxhuar nervat të pësonin ndryshime radikale në njerëz, në qasje, në ndershmëri. Sa mirë do të ishte ta kishim mundësinë e të gëzuarit të një qeverisjeje që do të na kthente në rrugë të mbarë. Një qeverisje ku “Hajt pak” do të shërbente për zbulimin e talenteve muzikore, e nuk do të mbeste i vetmi ventil shfryrjeje të atyre që të vetmen pasuri që kanë janë rënkimi që rrjedh nga zemra e plasur.

flaka@koha.net

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...