9 puthje për 360 minuta

30 Tetor 2014 - 08:34 - Enver Robelli      

Pritja që pushteti serb ia bëri Vladimir Putinit tregon se Serbia nga Bashkimi Evropian dëshiron të marrë miliarda euro, ndërsa nga Rusia sa më shumë ide për qeverisje autoritare dhe krekosje militariste

Më 16 tetor Vladimir Putini erdhi në Beograd me tre aeroplanë dhe në krye të një delegacioni prej 150 zyrtarësh rusë. Ishte një ditë e zymtë dhe me shi. Reshjet prishën pa masë disponimin e palës serbe dhe sidomos të kryetarit Tomislav Nikoliq dhe kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Që të dy prisnin një ditë me diell, sepse për nder të presidentit rus Serbia kishte rënë në gjunjë, duke organizuar madje edhe një paradë ushtarake në kujtim të 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit nga nazistët.

Nga krekosja militariste mbetën të lagur pothuaj të gjithë të pranishmit. Putini, ndërkaq, u lag jo vetëm nga shiu, por sidomos nga puthjet e Tomislav Nikoliqit. Në aeroport Nikoliqi e puthi Putinin tri herë – sipas traditës së lashtë serbe. Një orë më vonë Nikoliqi e puthi autokratin rus sërish tri herë. Kur ia dha urdhrin më të lartë të shtetit serb Nikoliqi e shfrytëzoi rastin dhe e puthi - për herë të tretë! - edhe tri herë mikun nga Kremlini. Domethënë: për 6 orë të qëndrimit në Beograd kryetari serb e puthi liderin rus 9 herë. Kjo i bie: 9 puthje për 360 minuta. Ose: një puthje në çdo 40 minuta. Së paku këtë përllogaritje e bëri moderatori Zoran Kesiq në emisionin e tij humoristik “24 minuta”.

Kryeministri Aleksandar Vuçiq u përpoq t’i hyjë në hatër Putinit, duke belbëzuar disa fjalë në rusisht në fillim të takimit. Shumë shpejt Vuçiq u ngatërrua në rusishten e tij të dobët dhe si nxënës i dëgjueshëm e pyeti mësuesin (Putinin!) nëse ky mund ta lejonte të fliste tani në serbisht. Fatmirësisht Putini u tregua zemërgjerë, hapi krahët dhe me këtë gjest ia bëri me dije Vuçiqit se mund të fliste në gjuhën e mamasë.

Në rusisht provoi të fliste edhe Tomislav Nikoliqi, por edhe ky u kurthua në labirintet gjuhësore sllave dhe situata u bë e pakëndshme, por shpejt u dëgjua një zë gruaje që ia gjeti fjalën e duhur Nikoliqit që ai s’po e gjente dot ta thoshte në gjuhën e mysafirit. Kulmi i situatës qesharake u arrit kur Nikoliqi – duke iu drejtuar Putinit – nisi të gabojë edhe në serbisht, për shembull gjatë lakimit të rasave. Duket se Nikoliqi kompetencë të vetme e ka pjekjen e rakisë.

Kryetari rus u largua nga Beogradi me këto dhurata: 6 litra raki të pjekura nga vetë Nikoliqi (sipas gazetës proqeveritare “Politika” kjo raki është e “famshme”), një ikonë ortodokse dhe dy libra (një për serbët në luftëra dhe tjetra për marrëdhëniet serbo-ruse). Si asket që është Putini i la Nikoliqit dhuratë vetëm një tabak me filxhanë çaji me motive ruse.

Duket se gjunjëzimi kolektiv i pushtetarëve serbë përballë Vladimir Putinit nuk pati efekt të dëshiruar te mediet ruse. Derisa presidenti rus premtonte në Beograd se Moska nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, televizioni shtetëror rus tregoi hartën e Serbisë - pa Kosovën, pa “fjalën më të shtrenjtë serbe”, siç kanë qejf ta quajnë nacionalistët serbë territorin e vogël mes Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Gazeta e njohur ruse “Komersant” botoi një raport tallës mbi fuqinë ushtarake të Serbisë: “I kanë pastruar nga ndryshku dhe i kanë ngjyrosur disa anije lumore”, nënvizonte gazetari rus. Meqë nuk ka dalje në det Serbia krenohet me flotën lumore.

Në 100 vjetët e fundit Beogradi ka bërë shumë herë përpjekje për të dalë në detin Adriatik. Dikur ushtarët serbë dërgonin panorama nga “Durrësi ynë i bukur”, e shihnin Shkodrën si qytet në kuadër të Serbisë, pastaj Dubrovnikun, Splitin dhe Zarën gjithsesi, përfshirë, natyrisht, edhe mbarë bregdetin malazez. Këto ëndrra pushtimi nuk u plotësuan, por kanë mbetur shumë tregime nga luftërat e fundit, kur krahas gjakut rridhte edhe mendja dhe pastaj përzihej agresioni me humor.

Ndoshta ndokujt i kujtohet Bozhidar Vuçureviqi, shofer kamioni (në popull njihej si “Boža Volan”), lahutar dhe kryetar i qytetit të Trebinjes në Bosnjë gjatë luftës së fundit. Atëbotë ky qytet shërbente si bazë logjistike e Armatës (së serbizuar) Popullore të Jugosllavisë (APJ), e cila me vullnetarët serbë sulmonte Dubrovnikun. Vuçureviqi hyri në histori me deklaratën se do ta ndërtonte një Dubrovnik më të bukur dhe më të vjetër dhe do të kalëronte në Stradun mbi një kalë të bardhë. (Straduni është rruga kryesore në qytetin e vjetër të Dubrovnikut).

Të kthehemi te vizita e Putinit: pala serbe theksoi se kryetari rus po vinte për të shënuar përvjetorin e çlirimit të Beogradit. E vërteta është se Beogradi nuk është çliruar më 16 tetor 1944, por më 20 tetor 1944. Meqë Putini nuk mund të vinte më 20 tetor, Serbia e zhvendosi për katër ditë jubileun e çlirimit. Lidhur me këtë profesori dhe opozitari i njohur nga Beogradi, Zharko Koraç, tha: “Përpiquni ta merrni me mend këtë: Franca nuk feston më 14 korrik, por më 9 korrik për shkak se nuk ka mundur të vijë Obama”. Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e kanë parë me sy të mirë përqafimin serbo-rus më 16 tetor.

Ambasadori amerikan, Michael Kirby, shtroi publikisht pyetjen se përse Putini po e vizitonte Beogradin, kur këtë qytet e kishte çliruar Fronti i Tretë Ukrainas me gjeneralin Fjodor Ivanoviq Tolbuhin, i cili ishte pjesë e Armatës së Kuqe sovjetike. Por, në Beograd nuk ishte i ftuar presidenti ukrainas Petro Poroshenko.

Kriza në Ukrainë ka shkaktuar tensione edhe mes Bashkimit Evropian dhe Serbisë për shkak se ky vend ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të Brukselit kundër Rusisë. Pushtetarët serbë janë arsyetuar se askush nuk u ka kërkuar të vendosin sanksione kundër Moskës – dhe kjo mund të jetë e vërtetë, kur të merret parasysh qëndrimi në vazhdimësi mirëkuptues ndaj palës serbe nga ana e komisionerit të deritanishëm të BE-së për Zgjerim, Stefan Füle. Si Jugosllavia e Titos dikur, edhe Serbia e sotme po synon të mbajë raporte balancuese mes dy blloqeve politike (BE-së dhe Rusisë) dhe të përfitojë sa më shumë.

Tani që Putini ka ndaluar importimin e mollëve nga Polonia në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të BE-së, Beogradi synon të eksportojë mish e molla në Rusi, por edhe vetura të tipit “Fiat” që prodhohen në Kragujevc. Nikoliqi dhe Vuçiqi po i fërkojnë duart në pritje të ndërtimit të gazsjellësit “South Stream”, i cili nga Deti i Zi përmes Bullgarisë e Serbisë do të transportojë gaz në BE. Por, realizimi i projektit është ndërprerë për shkak se Brukseli ka kërkuar që pala ruse të respektojë rregullat e BE-së gjatë ndërtimit.

Rusia nuk është treguar aq zemërgjerë dhe vëllazërore ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për interesa ekonomike: derisa Gjermania për 1 000 kub metër gaz i paguan “Gazpromit” rus rreth 300 euro, Serbia duhet të paguajë gati 600 euro. Sipas analizave të ekonomistëve edhe shitja e Industrisë së Naftës e Serbisë (NIS) “Gazpromit” rus është bërë në dëm të qytetarëve të Serbisë.

Në euforinë e tyre proruse Nikoliqi dhe Vuçiqi nuk u morën me tema të rëndësishme, siç është falja e resurseve ekonomike Moskës. Për ish-radikalët ultranacionalistë me gëzof proevropian është me rëndësi ta mirëpresin Putinin e izoluar në Evropë dhe të krekosen me një paradë ushtarake duke himnizuar të kaluarën luftarake serbe. Pas ikjes së Putinit, Vuçiqi u ngut të tregojë se Serbia mbetet e përkushtuar në rrugën e integrimeve evropiane. Por vizita e Putinit tregoi se Serbia në fakt nga BE-ja dëshiron të marrë miliarda euro për të ngjallur ekonominë dhe për të rregulluar infrastrukturën.

Nga Rusia, ndërkaq, pushteti aktual serb inspirohet për qeverisje sa më autoritare. Shembull më agresiv për këtë se Putini nuk ka, i cili edhe organizatat joqeveritare që marrin mbështetje nga Perëndimi i detyron të regjistrohen si “degë agjenturash”. Si në Rusi edhe në Serbi shumica e medieve janë futur nën kontroll të rreptë qeveritar. Bulevardizimi kanibalesk i medieve u pa sidomos pas ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë. Pothuaj të gjitha gazetat serbe si me automatizëm kaluan në “gjendje lufte” si në vitet 90-të, kur racizmi, nxitja e urrejtjes, gënjeshtrat ishin bukë e përditshme e gazetarëve propagandistë.

Sivjet madje edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) protestoi kundër qeverisë serbe, e cila pengonte raportimet mediale mbi dështimin e institucioneve në sanimin e dëmeve nga vërshimet.

Parada ushtarake për Putinin tregoi se garnitura aktuale qeveritare në Serbi synon edhe manipulimin masiv të fakteve historike. Presidenti Nikoliq, një ish-varrmihës nga Kragujevci, deklaroi se ushtria serbe e ka çliruar Beogradin në tetor të vitit 1944 - bashkë me forcat ruse, duke heshtur të vërtetën se komandant i partizanëve jugosllavë në atë kohë ishte Josip Broz Tito, të cilit i doli në ndihmë Armata e Kuqe Sovjetike. Por, përmendja e Titos do t’ia hiqte lëvizjes partizane karakterin e shpikur serb.

Andaj nga komandantët partizanë u përmend vetëm Koça Popoviqi, sepse ai ishte serb, ndërsa u injoruan Tito dhe Peko Dapçeviqi, një komandant i partizanëve i lindur në Mal të Zi. Të gjitha këto u harruan, sepse liderët serbë ishin të përqendruar në puthjen e Vladimir Putinit.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...