Sporti dhe politika

29 Tetor 2014 - 09:13 - Augustin Palokaj      

UEFA dhe FIFA mbështeten në mosndërhyrjen e politikës në sport, por në të njëjtën kohë në vend që të merren me futboll, këto dy organizata bëjnë politikë. Rasti i anëtarësimit të Kosovës në këto federata është shembulli më i mirë. Nëse kusht është “anëtarësimi në OKB së pari”, ky kurrsesi nuk është një kusht sportiv por vetëm politik, sepse e drejta e vetos së Rusisë e pengon pra anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA

Opinioni shqiptar anekënd botës është tronditur me vendimin e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) që të regjistrojë ndeshjen e ndërprerë në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë me rezultat 3:0 për vendësit.

Në anën tjetër, serbët janë të kënaqur se “UEFA i ka shpallur fajtorë shqiptarët”, por nuk e kuptojnë pse Serbisë i janë hequr tri pikë.

Ndërsa vëzhguesit e pavarur janë shokuar me një vendim të tillë, sepse ai ka dëshmuar se UEFA nuk ka marrë parasysh faktet kryesore për rrethanat në të cilat është zhvilluar dhe ndërprerë ajo ndeshje dhe ka dërguar porosi se tash e tutje siguria e lojtarëve nuk është kriter në të cilin duhet insistuar dhe se nuk janë të gjitha kombet apo grupet etnike njëlloj të mbrojtura nga sulmet dhe fyerjet.

UEFA pa dyshim se ka punuar në gjetjen e një formule sipas së cilës do të dënoheshin edhe Serbia, edhe Shqipëria, por në mënyrë që asnjëra të mos fitojë. Se një gjë e tillë po përgatitej nga kjo shtëpi e futbollit evropian kuptohej që më herët nga deklaratat e kreut të UEFA-s, Michael Platini, të cilit iu bë truri “dron” dhe për asgjë tjetër nuk fliste pos për atë. Kjo i shkoi për shtati interpretimit serb të asaj se çfarë ndodhi sipas së cilit “gjithçka filloi me provokimin kriminal shqiptar”, pra me dronin.

Kjo na e kujton kohën e viteve tetëdhjetë, kur në Kosovë “krim” quhej ngritja e dy gishtave të fëmijëve shqiptarë në formën e shkronjës V, dhe ky ishte një “provokim terrorist” dhe shkelje e rendit që dënohej me shkuarje në burg. Kështu mllefi i Platinisë ndaj shqiptarëve u desh të reflektohej në vendimin e Komisionit hetimor, i cili i dha fitore Serbisë.

Pse Serbisë iu hoqën tri pikë, për Shqipërinë nuk do të thotë asgjë, sepse asaj i numërohet humbja dhe madje me rezultat 3:0. Edhe pse ka tri pikë më shumë se Serbia, gol- diferenca është 5 gola më shumë në favor të Serbisë. Dhe ta zëmë se në fund mund të dalin me numrin e njëjtë të pikëve, atëherë Shqipëria do të humbë. Dhe faktet me të cilat shqiptarët aktivë janë duke e bombarduar internetin nuk kanë rëndësi për UEFA-n.

Vendimi pra, edhe nëse nuk është me qëllime politike, është bërë me një metodologji politike. Duket madje sikur ta ketë bërë vetë baronesha Catherine Ashton, e cila në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë gjithmonë është kujdesur që asnjëra palë të mos konsiderohet si humbëse e as si fituese.

Dhe nëse të dyja palët thonë se janë të pakënaqura, atëherë kjo merret si “dëshmi se kemi bërë mirë, sepse asnjëra palë nuk është deri në fund e kënaqur dhe kjo dëshmon se ne jemi të paanshëm”. Edhe për UEFA-n fakti se shqiptarët janë shumë të pakënaqur dhe serbët nuk janë fare të kënaqur mund të merret si arsyetim banal se “kemi vepruar mirë!”.

Këtu harrohet një prej bazave të drejtësisë e ajo është se “Hyjnesha e drejtësia janë të verbra”, që do të thotë se drejtësia vendos në bazë të fakteve e jo të ndonjë balancimi të llogaritur paraprakisht në mënyrë që të dënohen të dyja palët.

Fakti që më së shumti ka shokuar vëzhguesit e pavarur është dënimi i botës apo mungesa fare e dënimit, për sulmet e huliganëve ndaj futbollistëve shqiptarë. Dhe këtu UEFA ka dëshmuar edhe një herë se nuk janë të gjithë të barabartë. Mund ta marrim me mend se çfarë do të thoshte Platini sikur në vend të Bekim Balajt huliganët serbë ta kishin goditur me karrige në kokë Karim Benzeman e Francës.

Mund të paramendojmë se çfarë do të kishte ndodhur sikur në vend të qendërsulmuesit shqiptar të ishte gjermani Thomas Muller. Do ta shihja se si do të mbetej kryetar i UEFA-s Michael Platini, sikur në vend të Shqipërisë të ishte Gjermania apo Anglia, dhe pas një skenari të njëjtë të regjistrohej ndeshja 3: 0 kundër tyre. Nuk është hera e parë që UEFA dhe FIFA dëshmojnë se nuk janë të gjithë të barabartë në sport, se ka disa të cilët janë “më të barabartë se të tjerët”.

Ta kujtojmë vetëm golin me dorë të Tierry Henri të Francës që çoi skuadrën kombëtare të Platinisë në Evropianin e vitit 2012 dhe eliminoi Irlandën e vogël. “Rruga e mbarë u qoftë - nuk e duam kampionatin tuaj!” porositën ata Platininë. Nuk ka drejtësi të njëjtë ndaj të gjithëve dhe ka shumë dëshmi për këtë në sportin më të popullarizuar në botë. E të tillë janë kryesisht ata që janë më të mëdhenj, apo në rastin e FIFA-s dhe UEFA-s ata të cilët sjellin vota kur ndahen postet.

Manipulimet, kurdisjet, korrupsioni e deri tek krimi i organizuar, shpëlarja e parave bëhen në organizatat sportive në mënyrë aq të përsosur, saqë do t’ua kishin lakmi edhe partitë politike të Kosovës dhe Shqipërisë.

UEFA dhe FIFA mbështeten në mosndërhyrjen e politikës në sport por në të njëjtën kohë në vend që të merren me futboll, këto dy organizata bëjnë politikë. Rasti i anëtarësimit të Kosovës në këto federata është shembulli më i mirë. Nëse kusht është “anëtarësimi në OKB së pari”, ky kurrsesi nuk është një kusht sportiv, por vetëm politik, sepse e drejta e vetos së Rusisë e pengon pra anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.

Kush mund të na bindë se ndryshimi i rregullores u bë pikërisht për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Dhe këtu duhet thënë se kundërshtimi është gjithmonë më i madh nga UEFA sesa FIFA; nga Platini më shumë sesa nga Sep Blatter. Si u bë që Gjibraltari të anëtarësohet e Kosova jo. Legjenda e gazetarisë sportive e Kroacisë, Tomislav Zhidak, ka një përgjigje për këtë.

Prapa Gjibraltarit ka qëndruar Anglia, e cila ka shumë ndikim. Prapa Kosovës askush. Kështu tash Gjibraltari, i cili ka më pak banorë sesa që i zë stadiumi i Prishtinës, luan në kualifikimet për kampionatin botëror, ndërsa Kosova jo. Kosova mund të luajë vetëm ndeshje që nuk regjistrohen askund dhe edhe ato me një emërtim politik, me një asteriks mbi fanellë, që politikisht e kishte pranuar në dialog me Serbinë e dërguara e kryeministrit të Kosovës, Edita Tahiri. Pos kësaj, me vendim po ashtu politik as ndeshje të tilla Kosova nuk mund të luajë me vendet e ish- Jugosllavisë. Të gjitha këto kanë qenë me kërkesë të Serbisë që UEFA dhe FIFA i kanë pranuar.

Arsyetimi zyrtar se Gjibraltari mund të jetë anëtar i UEFA-s dhe FIFA-s është se “kur federata e Gjibraltarit ka bërë kërkesën për anëtarësim nuk ka ekzistuar në rregullore kushti për të qenë anëtar i OKB-së” dhe se vendimi është dashur të merrej sipas kritereve ekzistuese në momentin e kërkesës. Pra del se Kosova po të kishte kërkuar anëtarësim në kohën e UNMIK-ut, para shpalljes së Pavarësisë, do të pranohej. Vështirë të besohet, sepse do të gjendej ndonjë mënyrë edhe atëherë për ta penguar.

Se sporti dhe politika nuk mund të ndahen na mësoi javën e shkuar edhe vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Plot vetëlavdërime politike u dëgjuan nga politikanë kosovarë. Kryeministri në detyrë Thaçi e përmendi këtë në paraqitjen me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, para dy gazetarëve (nuk është gabim – dy dhe që të dy nga Kosova) në Bruksel pas takimit të tyre lamtumirës.

Madje edhe ish-ambasadori i Gjermanisë në Kosovë u mundua ta paraqiste këtë sukses si sukses të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke ironizuar me kritikët e këtij dialogu se “ku janë ata analistë që thoshin se dialogu është i dëmshëm”. Me gjithë faktin se mundohem të lexoj sa më shumë media në gjuhën shqipe, dhe kam parë shumë analiza për dialogun, por nuk kam parë asnjëherë të ketë thënë dikush se për shkak të dialogut Kosova nuk do të anëtarësohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Por për një gjë jam më se i sigurt. Sikur të ketë qenë anëtarësimi në cilëndo organizatë ndërkombëtare të sportit rezultat i dialogut të Kosovës me Serbinë, atëherë kjo do të kuptohej se Serbia nuk kundërshton anëtarësimet e tilla. Dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse Serbia më shumë se në çfarëdo organizata të tjera ndërkombëtare do ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në federatat e sportit. Siç e kam cituar disa herë një koleg serb, politikanët në Serbi e dinë se populli do të besojë se Kosova është e pavarur vetëm kur ta shohin Kosovën duke luajtur futboll në ndonjë kualifikim zyrtar.

E sa për dialogun duhet rikujtuar se ka qenë në propozim të marrëveshjes një pikë, e cila thoshte se “palët obligohen se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtarë”. Por me kërkesën e Serbisë, me mirëkuptimin e “faktorit ndërkombëtar” dhe me pranimin e Kosovës kjo u ndryshua dhe mbeti vetëm që së paku të mos e pengojnë njëra-tjetrën në “rrugën e tyre evropiane”, fjali e cila mund të thotë shumë, por edhe asgjë. Në vend që të bëhen thirrje të kota që të “mos politizohet sporti”, do të ishte më mirë të sigurohet që të mos kriminalizohen as sporti e as politika.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...