Shqipëria e madhe - e interpretuar për axhami!

24 Tetor 2014 - 08:31 - Halil Matoshi      

Mos i besoni projektit të rremë për Shqipërinë e madhe, ngase është projekt i shekullit të kaluar, projekt fashist. Mos u bëni kalamaj që luani nën thundrat e kalit të Skënderbeut, sepse ashtu u duan pushtetarët, për t’ju sunduar më kollaj, ata nuk iu duan si persona që bëni pyetje: “Pse janë kaq të mjera vendet tona sot”? Ata nuk iu duan, sepse nesër ju mund të jeni konkurrentë të tyre për qeverisje !? Ata synojnë t’iu manipulojnë...

Këtë shkrim ia adresoj brezit të ri, “tinejxherëve” që po rriten në këtë atmosferë të helmuar nga gjuha e urrejtjes, por edhe axhamive pleq që me zjarr e plot pathos mbrojnë idenë e Shqipërisë së madhe (etnike) dhe banderolën provokueseve – që kolegu im Enver Robelli si me humor e quan “goblen” - të lëshuar me minifluturaken pa pilot, mbi stadiumin e Partizanit në Beograd.

Loja ishte me tensione, por fer, deri në përplasjen rreth banderolës.
Pra, së pari, droni nuk e solli mbi Beograd as flamurin zyrtar të Republikës së Shqipërisë dhe as atë të Republikës së Kosovës, sepse shqiptarët nuk kanë (vet)respekt për shtetet e tyre reale dhe nuk ishte as ndonjë simbol tjetër zyrtar shqiptar apo kosovar.
Dhe së dyti, harta e një Shqipërie etnike nuk është gjetje kreative - as për shtetet mike të shqiptarëve – sepse identifikimi me Shqipërinë e madhe ndërlidhet rëndom me fashizmin italian.

Prandaj, shfrimet e Spartak Ngjelës e të Sokol Ballës s’janë gjë fare, pos verbalizma fashistë!
Teoritë e tyre të komplotit do të pësojnë po ashtu debakël, para një Shqipërie normale dhe
para shqiptarëve normalë.

Dhe u drejtohem ju të dashur miq: Mendoni dhe ngrihuni për kauza të drejta e humane kurdo dhe kudo që shkelen të drejtat njerëzore;
Ngrihuni, punoni e luftoni për shtetet demokratike e të mirëqena, për Shqipërinë dhe për Kosovën normale.
Jo për Shqipëri etnike, jo për projekte të shekullit të kaluar, si komunizmi e fashizmi.
Mos lejoni t’ua korruptojnë mendjen dhe mendësinë prej liberatorësh, fashistë të të gjitha ngjyrave...

Qofshin ata të veshur me pushtet politik, qofshin ata mësues historie apo albanologë paranoikë, qofshin ata fashistë të ulur në zyrat e disa medieve, që për sa më shumë klikime në faqet e tyre të zeza, urrejnë gjithkënd, sepse janë të brumosur me mendje kriminale dhe mizoritë i shohin si mundësi përfitimesh...
Mos i pranoni të vërtetat e gatshme, duhet të vini vetë deri tek e vërteta.

ISIS dhe nacionalistët etnikë të Ballkanit nuk kanë asnjë dallim, vetëm se të parët presin koka për një Allah, një Zot në qiell, e këta, të dytët, si në Beograd, në Athinë, në Tiranë apo në Prishtinë, presin koka në emër të zotave tokësorë, që u vjedhin e zhvatin përditë, që ua kanë zaptuar shkollën dhe monopolizuar historinë, që ua kanë kapur shtetin, që ua kanë zbehur e bërë bajat të ardhmen dhe të drejtën për lumturi.

Thjesht, që ua servojnë një të vërtetë zyrtare, të pakorrigjueshme, e në thelb u ofrojnë mjerim, pak bukë e shumë histori kombëtariste;
Pak bukë e shumë armë ose narrative luftërash e mizorish.
Që nga antikiteti turmat thërrasin “Mbyte, mbyte, mbyte...” dhe “Duam gjak” ose “Vrite!”
Që nga arenat e gladiatorëve të Romës së lashtë turmat janë vëllezër në budallallëk.

Pra, turma s’ka origjina etnike as kombëtare, origjina e vërtetë e turmave (tubave) përdoret vetëm sa të rritet tuba!
Turma është si vërshimi apo si furia e zjarrit dhe përlan çdo gjë që i del përpara.
Turma nuk ka racionalitet, sepse truri i zbret në muskul, prandaj linçin publik e ka si ritual final.

Nacionalizmi egalitar serb fle që në ngjizjen e një kombi gjakatar, të gënjyer nga Sveti Sava e Vuku, nga krajlat dhe Pashiqi, nga “Crna ruka” e UDB-ja, nga Rankoviqi e Sloba.
I ashtuquajturi “Baba i kombit modern serb” Dobrica Qisiç thoshte: “Rrenën e kemi kthyer në doktrinë nacionale” dhe për një rrenë të madhe serbët vdesin kurdo dhe ngado...

Thuaj shpesh e përsërit rrena, dikur nisin të të besojnë!
Paramendoni sikur sipas modelit të performatizimit, një gjeni i ri ballkanik që ka zënë shumë nga “hajteçi” (teknologjia e lartë) ta lëshonte mbi kryet e atyre rreth 30 mijë serbëve një fluturake me fotografitë e Karaxhiqit dhe Mladiqit e me mbishkrimin: “A iu kujtohet Srebrenica?” – si do të reagonin pra ajo mizëri njerëzish!?
Do të brohorisnin me gjasë, sepse parashenja dalluese, kodi etik dhe fytyra e Serbisë politike janë bërë Ivani i tmerrshëm dhe Ivanët e tjerë të tmerrshëm, si kode dhe shenja emblematike të një Serbie të sëmurë.

Parashenja e shoqërisë serbe është bërë krimi. Dhe besoj shumë serbë janë në hall nga kriminelët e tyre.
Porse me nacionalizmin serb le të merren vetë serbët.
Prandaj, shqiptarët duhet pasur kujdes që të mos u bëhen shokë në budallallëk!?
Sepse derisa dikush po pret koka njerëzish në emër të ISIS-it për Allah e Kalifat e dikush po thërret për vrasje e prerje kokash në emër të Serbisë qiellore ose Shqipërisë autoktone, etnike apo të madhe, quajeni qysh t’ju teket, porse ju, posaçërisht brezi i ri, shfrytëzoni mundësitë që u japin liria dhe paqja për ta realizuar “ëndrrën tuaj amerikane”.

Bëhuni të mençur, ndërkohë!

Me “Shqipërinë etnike” mos u zemëroni, sepse është thjesht një projekt i paarrirë i nacionalizmit shqiptar të shekullit të kaluar.
Shqiptarët e shekullit 21 tashmë i kanë shtetet e tyre-kombe moderne!
Pra, ajo Shqipëri etnike është ëndërr e shqiptarëve të 1912-s, projekt fashist i 1941-shit dhe parullë e nacionalizmit fshatar (folklorik) shqiptar të shekullit 21!?

Qëllimet djallëzore të ideve shtetomëdha janë të njëjta në tërë Ballkanin, si Serbia e madhe apo Shqipëria e madhe, si Megali-ideja greke, ose Bullgaria e madhe, Kroacia e madhe, apo Mali i Zi i madh...
Tashti merreni me mend edhe Mali i Zi i madh!!!
Dhe për këtë hartë të defiguruar, të madhe, të një Shqipërie etnike që ekziston vetëm si hartë mentale, u dashka të luftohet edhe në fushë të gjelbër, në një event sportiv, në një ndeshje futbolli, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian dhe ata 11 lojtarë të Kombëtares shqiptare, që s’arritën të bënin gol, tashti na dalin heronj të shqiptarëve!?

Ç‘absurditet!?

Pra, serbët ushqejnë nacionalizëm egalitar dhe institucional, kishtar, ushtarak dhe qytetar. Fashizëm koncensual!
Kurse nacionalizmi shqiptar është defanziv, i përket konstitucionalizmit shpirtëror, prandaj është folklorik dhe fshatar.
Rapsodët po ia thonë me çifteli gjithandej nëpër odat e Kosovës (sipas modelit të nacionalizmit fshataresk): “Lorik Cana zemra e shqipes, fyt për fyti me bijtë e shkinës”!

Përderisa po ky Cana del dhe përqafohet publikisht me bashkëlojtarin e tij te “Lacio”, serbin Ivanoviq.
Zemrat u bëhen mal atyre që ua ka ëndja muzikën folklorike, sa e humbasin fare arsyen, - fshatarët e lodhur shqiptarë harrojnë nga kush u vjen vërtet mjerimi, që s’u vjen dhe që s’u vjen, tutje nga Serbia e Milosheviqit, dhe as nga kjo e Nikoliqit, por nga keqqeverisja e shqiptarëve batakçinj, nga klasa politike në Tiranë dhe në Prishtinë që i zhvat dhe i tallë...

Kreativiteti i një të riu në postmodern që në epokën e ‘tabletit’ është performatizim, për pak sa nuk u shndërrua në tragjedi në Beograd, sepse ndonëse provokacion, ishte një tendencë për t’i mësuar serbët ta durojnë dhe tolerojnë simbolikën kundërshtare, në këtë rast të Kombëtares shqiptare në fushë të sportit, përderisa flamujt serbë nuk ishin të ndaluar.

Përballje fer nuk mund të ketë me vetëm një flamur ose vetëm me simbolet e serbizmit.
Serbët ende janë në epokën e “serbovanjes” që ua la trashëgimi fashizmi milosheviqian.
Është dashur të liheshin edhe shqiptarët të “shqiptarisin” paksa, të shfryjnë energjitë negative dhe të kthehen në mbrëmje në vendet dhe punët e tyre, krejtësisht të qetë.
Porse nuk i la nacionalshovinizmi serb që mësyn të kujdestarojë mbi Ballkan!?

Porse jo, fashizmi serb për pak sa i shndërroi në heronj kombëtarë ata futbollistë të rangut mesatar, që janë të origjinës shqiptare, e që, në Beograd, kinse duke mbrojtur flamurin (që nuk ishte një flamur) dëshmuan papërgjegjësi.

Ndërsa pak ditë më pastaj, në Romë, “heroi kombëtar” i shqiptarëve, Cana dhe “heroi i serbëve” Ivanoviq u përqafuan para kamerave, sepse atje paguhen mirë dhe i nënshtrohen rregullit dhe etikës së klubit dhe jo “rregullave të xhunglës” si këtej në këto viset tona.

Pra, kontrata profesionale nuk i lejon as të “serbovatin” as të “shqiptarisin” e kakarisin si pulat mbi tubën e plehut!
Unë e kuptoj ngërçin e racisë tek turmat dhe qasjen e tyre emotive, porse nuk mund t’i kuptoj fashistët në zyrat e disa TV-ve e gazetave, e të mos flas për disa nga portalet kanibaliste që kafshojnë shpirtra dhe që pushkatojnë njerëz!

Nëse dikush thërret për një Shqipëri etnike, duhet ta dijë se ai po thërret në emër të një bashkësie tashmë të dalë nga historia – etnisë - sepse sot, në shekullin 21 kombi-shtet ia ka zënë vendin etnisë, jemi pra në epokën e lulëzimit të kombit modern kushtetues, si njësi e rritur, kurse etnia është strukturë shoqërore e shekullit 19.
Prandaj, shikuar nga prizmi i brezit të ri, Shqipëria etnike është parullë primitive.

Pse nuk e himnizoni Shqipërinë e gjallë e të mirëqenë, një shtet demokratik që respekton vlerat e përbashkëta, të drejtat e njeriut dhe ato civile, si shoqëri moderne e mbështetur në ligj dhe vlera etike?
Kauza e të rinjve duhej të ishte një Shqipëri estetike.
Jo t’i thërrasin në ndihmë të vdekurit e tyre, (masat e dyfishta; Elias Canetti), për t’u dukur tubë, më shumë e më të fortë, por duke u dhënë më shumë dashuri të gjallëve!?

Nga ai çast, disa fashistë të ulur nëpër zyra të kinseredaksive televizive ose të gazetave, si dhe ndotësve më të mëdhenj të ambientit – portaleve fashizoide, në Beograd e Podgoricë, në Athinë e Shkup, por edhe në Tiranë e Prishtinë, ftilluan shigjeta parake plot helm e urrejtje në drejtim të një armiku fiktiv, që s’do të vijë kurrë më, që s’do të na shfaqet kurrë më, bash si tek “Shkretëtira e tartarëve”, një armik që s’është.

Porse mësymja e nacionalizmit përjashta -një ditë - kur armik më s’ka, kthehet nga brenda – herëdokur - dhe shpërthen po aty ku ngjizet, siç ngjizen retë nga një stuhi dhe shfryjnë një uragan.
Ekziston droja se ky nacionalshovinizëm mund t’u shpërthejë brendapërbrenda popujve të mjerë ballkanikë!?

Serbë që nisët në drejtim të shqiptarëve brohoritma gladiatorësh: “Me i vra shqiptarët, me i pre...” dhe ju disa shqiptarë (shkollarë në Prishtinë ikën nga orët e mësimit për të sharë serbët) që me histeri dhe nacionalizëm folklorik po nxitni urrejtje antiserbe, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, Shkup, Preshevë... ju duket të jeni të uritur dhe pa dashuri.

E pra, Shqipëria etnike ose Shqipëria e madhe janë simbolika të zbrazëta, pa përmbajtje realpolitike.
Një kreaturë e tillë nuk ka ekzistuar kurrë në histori, si një entitet i pavarur shtetëror.
Një bashkim administrativ i Shqipërisë me Kosovën në rajon ka ndodhur vetëm gjatë fashizmit italian 1941-43, dhe atë jo në tërësinë e territoreve të tyre të sotshme.

Prandaj konstrukti Shqipëri e madhe pos që u konkurron ideve panserbe dhe megali idesë greke, pra ekspansionizmave ballkanikë, nuk u sjell asnjë hair shqiptarëve.
Fundja, pse për dreq po e përzieni sportin (futbollin) me politikën!?
Ta dini se ekipet kombëtare shqiptare e serbe do të pajtohen shpejt, do të luajnë sërish bashkë, siç luajnë së bashku shumica e futbollistëve serbë dhe shqiptarë në klubet evropiane, kurse gjuha juaj e urrejtjes do t’iu shkojë huq dhe nuk do t’ju shpaguhet kurrë...
E, pra ju kanë mësuar keq në shkollë që ta përzieni etninë me kombin (që është njësi e rritur) dhe ju nuk e dini se nëse riktheheni tek rrënjët, ju bëheni primitivë...

Prandaj, pse nuk i lini ata serbë huliganë të vetmuar të dergjën në sëmundinën-çmendinën e tyre, pse u bëheni shokë në budallallëk?
Në këtë maskaradë të nacionalimave ekstremë ballkanikë humbjen më drastike e pësoi loja e futbollit, kurse fituan epshet etnonacionaliste dhe racizmi...

Natyrisht se disa serbë u çmendën dhe i prishën punë kombëtares së tyre (mund të humbë lojën 0:3 në tavolinë, varësisht se si do të vendosë Komisioni i garave i UEFA-s). Por a do të thotë kjo se duhet të çmenden edhe shqiptarët?

Mendoj se jo!

U çmend edhe ish-kryeministri serb, tashti ministër i Jashtëm, Ivica Daçiq, i cili operon me një rrenë ordinere dhe i gënjen vetë serbët se këtë çështje futbolli do ta ngrejë në nivelin më të lartë, deri në Këshillin e Sigurimit, gjë unike kjo në historinë e diplomacisë botërore.
Konstrukti i tij thjesht dukej i mjerë.

Dhe u përpoq që ta revidojë paksa deklaratën e tij duke i akuzuar të nesërmen edhe bashkëpatriotët e tij, për dështim në organizimin e ndeshjes...
U çmend Ivan Bogdanov (“I tmerrshmi”) që për mua del të jetë vetëm një fragment i patologjisë shoqërore serbe dhe një karikaturë e një fashisti që merr rrogë nga shteti serb, për t’ia ngarkuar atij veprat e dënueshme ndërkombëtarisht, si vepra të një budallai!?
Por qe do, kur budallenj nga ana jonë iu vërsulën serbëve dhe Serbisë.

Porse nuk u çmend Serbia.

Ish-presidenti Boris Tadiq me më shumë zë demokrati thirri serbët t’i mbrojnë komshinjtë e tyre shqiptarë nga “pogromi”.
Megjithatë, Serbia është edhe atdheu i Dimitrije Tucoviqit, njeriut të drejtë në Ballkanin e egër apo e Kosta Novakoviqit, që publikoi mizoritë e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike.
Serbia është edhe vendi i Latinka Peroviqit, Bogdan Bogdanoviqit, Natasha Kandiqit dhe i avokatit Sergja Popoviq, që kërkonte bombardimin e Beogradit për t’ia ndalur hovin fashizmit të Milosheviqit.

Vetëm këta emra serbësh dëshmojnë se nacionalizmi serb do të pësojë humbje, herët a vonë.
Kurse nacionalizmi panshqiptar ka pësuar debakël në garën politike të dy shteteve (Shqipërisë dhe Kosovës, “Kuqezinjtë” e Spahiut dhe “Vetëvendosja” e Kurtit) dhe tashti po manifestohet ashpër për inat në futboll, përmes një nacionalizmi panshqiptar futbollistik, përderisa shqiptarët duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit në kufi, për “krundet e Batonit” dhe ndalesat e Panaritit.

Dhe në këtë shfaqje të frikshme po shquhen ultra-tifozëritë e të dyja vendeve si
“Kuqezinjtë” dhe “Plisat” duke manifestuar fashizëm verbal ndaj secilit që nuk mendon
si turmat primitive.
Në këtë vazhdë bie në sy madializimi i epsheve turbonacionaliste, madje edhe në disa media, që dikur kanë vlejtur si profesionale dhe më serioze.

Fotografia e turmave të tërbuara serbe nuk është risi, nuk u shfaq befasisht në stadiumin e Partizanit në përballje me Shqipërinë.
Ajo shfaqje manifeston një sëmundje të rëndë (patologji sociale) të shoqërisë serbe që ka kaluar nëpër katër luftëra agresore që nga Sllovenia e Kroacia, në Bosnjë dhe Kosovë, dhe në Beograd apo Nish nuk u organizua asnjë gjyq publik si në Nyrenberg, për defashistizimin e asaj shoqërie, prandaj shfaqja e Beogradit dëshmon paralizën dhe konfuzionin e elitave kulturore e politike serbe.
Aty, nëpër stadiumet gjithandej Serbisë janë tubë kasapë të luftërave ballkanike të viteve ’90, vrasës në masë, hajdutë thesaresh e grabitës femrash, urdhërdhënës e ekzekutorë, huliganë e skeanheadsa neonazistë, kurse strukturat e një pushteti të keq, nacionalist, ende identifikohen me ato turma, për të dëshmuar pikërisht pasojat dhe vërragët që ka lënë në shpirtin e serbëve agresioni ndaj fqinjëve.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Monica Mocavei, ka thënë dje që Shqipëria të gjejë vendin në shinat e duhur të integrimit, duhet pikësëpari të arrestojë ish-kryeministrat, kryeministra, ish-ministrat, prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Për t’u bërë anëtare e BE-së, Kroacisë iu desh që pos shumë banditëve ta arrestojë dhe dënojë me shtatë vjet burgim ish-kryeministrin Ivo Sanader, dhe së fundi, këto ditë vijnë lajme nga Zagrebi se është arrestuar për korrupsion edhe prefekti i Zagrebit, Ivan Bandiç, i cili jo shumë moti ishte në Prishtinë për të dhënë leksione se si të qeveriset kryeqyteti i Kosovës!?

Një Monica Mocavei i duhet edhe Kosovës, dhe jo më një dron, as një banderolë... as tradita të shpikura dhe as patriotë futbollistikë...
Dhe më së paku i duhen fashistët e rinj, që po u rriten kthetrat!
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...