E ardhmja pa thika të ndryshkura

23 Tetor 2014 - 08:38 - Enver Robelli      

Edhe një herë mbi ndeshjen e futbollit në Beograd, që nuk ishte ndeshje. Dhe për shqiptarët që duhet të mësohen të jetojnë të lirë dhe pa marrë yrnek ndonjë sjelle të fqinjëve të vështirë, të cilët ende s’i heqin shpatat e ndryshkura nga duart

Në vend të hyrjes!
Në një intervistë që Branka Petriqi, gruaja e aktorit Bekim Fehmiu, i pati dhënë revistës së Beogradit VREME para dy vjetësh, gjendet edhe kjo copëz tekst: “Bekimit i kujtohet se kur filluan t’i shkatërrojnë ëmbëltoret dhe lokalet shqiptare nëpër Beograd, (aktori) Zoran Radmiloviq çdo mbrëmje shkonte nga njëri dyqan te tjetri duke treguar në atë mënyrë solidaritet me ata që gjendeshin në shënjestër, që ishin të rrezikuar.

Pastaj patjetër kthehej në kafehanen e Ateliesë 212 dhe kërkonte t’i sillnin ujë”. - “Çfarë ke Zoran?”, e pyesnin. “Je ngopur bakllavë, e tash je i etur?” - “Po, he nënën nacionaliste...!”, përgjigjej Zoran Radmiloviqi. [Qe edhe përgjigjja origjinale në serbisht: “Jesam, majku li vam nacionalističku”].

Derisa patriotët e rrejshëm shqiptarë gajasen nga tribuna e marrëzisë për aksionin me flamur e me fluturake në Beograd, derisa kriminelë të regjur shfrytëzojnë mediet sociale dhe portalet dezinformative për të bërë thirrje për vrasje gazetarësh, derisa zhvillohen gara të panevojshme me muskuj të fryrë nga dozat me helm mesjetar, një lojtar i ekipit kombëtar shqiptar dhe një ndihmëstrajner folën si njerëz racionalë. Altin Lala tha: “U frikësova shumë për jetën time. (...) Nëse aty do të kishin hyrë 100 apo 200 huliganë në fushë, atëherë jam i bindur se do të na kishin vrarë”.

Pastaj ndonjë rrugë në viset ilirike do të merrte emrin e Altin Lalës. Është mrekulli që Lala, Kukeli e të tjerët shpëtuan. Patriotët e rrejshëm ndihen keq që nuk u vranë, sepse patriotët e rrejshëm duan gjak. Ama gjak të të tjerëve, sepse vetë zgërdhihen nga trapazani.

Pas kthimit në Zvicër shumica e lojtarëve shqiptarë, që luajnë në ligën e këtij vendi, prezantuan plagët – hundë e qafë të gërvishtura dhe lëndime të tjera. Burim Kukeli i dha një intervistë mbresëlënëse gazetës “Tages Anzeiger” ku shpjegoi situatën, por dha edhe mesazhe mjaft të mençura: “Nuk dua ta miratoj atë që ka ndodhur, sepse skena e sportit nuk është e duhur për të zgjidhur konflikte politike. Në Beograd kjo çoi deri aty, saqë njerëz të ndryshëm nuk ishin më zot të emocioneve të tyre. (...) Është një mrekulli që nuk ndodhi diçka më e keqe. (...) Të dyja vendet nuk është dashur të lejoheshin nga UEFA të luanin në grupin e njëjtë.

Ka qenë e ditur se do të ketë tensione. Në retrospektivë duhet thënë se ishte fat i madh që fansat tanë nuk e kishin të lejuar të udhëtonin me ne. As që mund të merret me mend se sa dramatike do të ishte zhvilluar krejt kjo. (...) Kapiteni Ivanoviq erdhi në kabinën tonë, kërkoi falje dhe u përpoq të na bindte të vazhdonim lojën. Por, kjo ishte e pamundshme. Kam edhe miq serbë, njoh shumë serbë në Zvicër, dhe kjo mbrëmje nuk do të ndryshojë asgjë në raportin tim me ta. Në Beograd një pakicë e njerëzve shkaktoi dëm të madh.

Kurrë nuk kam menduar se do ta përjetoja një horror të tillë në një ndeshje futbolli. (...) Nisa të frikësohesha kur pashë se personeli i sigurisë vetëm shikonte dhe nuk ndërmerrte asgjë kundër fansave serbë, të cilët të papenguar mund të futeshin në fushë, të na kërcënonin dhe godisnin. Kur vendosëm të tërhiqeshim në kabinë, mbrojtësit e rendit jo vetëm që shikonin, por edhe na sulmonin. Ishte diçka që s’mund të merret me mend”.

Para se ta shpallin edhe Burim Kukelin tradhtar, trutharët e mjerë të të gjitha viseve ilirike duhet ta vënë gishtin në kokë dhe të pyesin: a është mençuri e madhe të tregohet trimëri kinse patriotike pas një flamuri që as flamur nuk ishte, por një pëlhurë me simbole të ndryshme? Që nuk bëhej fjalë për flamur kombëtar shqiptar e thanë edhe intelektualë e publicistë nga Tirana.

Ajo pëlhurë ishte instrumenti për t’i ndërsyer kopetë e dy kombeve kundër njëra-tjetrës. Është e tepërt ndoshta të kërkohet maturi nga fansat e futbollit gjatë lojës, por pastaj kokat – edhe ato të mbushura me ujë të nxehtë - duhet të kthjellohen pak, ndryshe debati publik kalon në nivelin e atij komentuesit të gazetës “Politika” të Beogradit, i cili me gjithë mend shkroi se të valëvitësh flamurin e “Shqipërisë së madhe” mbi Beograd është njëjtë si të shpalosësh një flamur me fytyrën e Bin Ladenit mbi New York.

Është e pakuptueshme pastaj përse pala shqiptare entuziazmohet me idenë që në Beograd duhet të kërkohet bashkimi i krejt shqiptarëve në Ballkan. Adresat për të hapur këtë temë janë në Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Romë dhe sidomos në Washington. Me pavarësimin e Kosovës, Perëndimi e ka përmirësuar një padrejtësi të madhe kundër shqiptarëve që nisi në fillim të shekullit XX. Nëse shqiptarët kanë politikanë aq gjenialë, të cilët do të arrinin ta bindnin botën perëndimore për të prapësuar krejt gjeografinë dhe arkitekturën politike në Ballkan, krejt investimet në marrëveshjet për paqe, atëherë le të nisen në aksion, por jo në Beograd, sepse edhe për një shkëmbim territoresh që duket punë e lehtë (Presheva me Prishtinën, veriu i Kosovës me Serbinë) së pari duhet të ketë një marrëveshje me disa shtete që janë garantuese të paqes në rajon.

Meqë prej vitesh si shoqëri në Shqipëri e Kosovë vendnumërojmë nga paaftësia dhe pamundësia për ndryshime cilësore (në Tiranë vriten njerëz për vota e biznese të fëlliqura, në Kosovë pak a shumë e njëjta), meqë politikanët më gjenialë janë ata që mund të vjedhin pa u zbuluar kurrë, turma e huliganëve prej viseve ilirike dhe prej diaspore i ka gjetur fajtorët: ata qenkan gazetarët e pavarur, ata që na qenkan “kozmopolitë”, “pa identitet”.

Në fakt, huliganët “tanë” kërkojnë që edhe gazetarët të përvetësojnë identitetin e tyre fashist! Këta huliganë kërkojnë që zërat kritikë në shoqëri të hiqen qafe, kundër tyre ata mprehin thikat e ndryshkura, se po u hoqën këta nga faqja e dheut – Iliria nga Korfuzi në Nish do të lulëzojë.

Psikopatët e frustruar të etur për t’u dukur e për të dalë në sipërfaqe terrorizojnë opinionin publik me patriotometër të fabrikuar. Këtyre duhet thënë shumë qartë: shkoni shërohuni sa më parë në ndonjë spital, sepse patriotizmi që promovoni është gomarllëk huliganësh, që mund ta miratojë vetëm një plak i rrjedhur dhe urrejtjenxitës, që kërkon gjak para se dheu t’i bjerë për fytyre.

Shumë lehtë, tepër lehtë është të nxitësh urrejtje nga tavolina e të manipulosh me ndjenja kombëtare, që pastaj të tjerët, lojtarët, ta zëmë, të theren si në kasaphane. Pastaj jurishnikët iliro-pellazgë do të flisnin fjalë të mëdha e të zgjedhura për sakrificën e Beogradit dhe për heronjtë e gjakosur dhe bijtë e denjë të Adem Jasharit e Shote Galicës.

Të dalldisurit nga nacionalizmi folklorik thonë se aksioni i Beogradit ishte vetëm një hakmarrje simpatike për shkak se shikuesit shqiptarë nuk u lejuan të shkojnë në Serbi. Pse heshtet fakti se të dy federatat e futbollit, serbe e ajo shqiptare, janë pajtuar që të luhet pa fansa mysafirë? Nëse vërtet është synuar t’i jepet një flakaresh Serbisë dhe të diskreditohet në arenën ndërkombëtare, atëherë pse s’ia hodhët mençur: një dron me fotografi të Ratko Mladiqit dhe Radovan Karagjiqit?

Por, atëherë kush do të këndonte këngë nëpër media sociale për “shqipen që valoi mbi Beograd”, kush do të nxirrte shkumë nga goja për “trimërinë e çunave”, atëherë nuk do t’i vinte radha babait të një futbollisti të shiste vezë të prishura patriotike duke thënë se do të ishte krenar po t’i vdiste i biri në Beograd në mbrojtje të flamurit. Në vitin 2014, ky prind thotë: “Do të isha krenar po të më vritej djali”. Dhe psikopatët duartrokasin! Secili njeri normal krenarinë do të duhej ta shihte gjetiu: te vendimi i lojtarëve për t’u larguar nga fusha dhe për t’u futur sa më shpejt në katakombe, që të shpëtohet koka nga turma fashiste.

Racizmi ka qenë dhe po mbetet një bukë e përditshme e shoqërive të zhytura në mjerim, siç është shoqëria serbe. Shqiptarët ndonëse jetojnë në varfëri, si shoqëri nuk bartin njolla historike kur të dalin para popujve të tjerë. Kanë problemet e tyre të rënda, por s’kanë kryer gjenocid ndaj ndonjë populli, siç është rasti me Serbinë dhe serbët e Bosnjës. Rrjedhimisht, shoqëria shqiptare nuk ka nevojë që vetëbesimin e ri të krijuar pas pavarësisë së Kosovës ta shfrytëzojë për të imituar dobët turmat serbe me nacionalizëm folklorik dhe politikanët e tyre propagandistë.

Në këtë garë shqiptarët përherë do të dalin humbës. Kanë dalë humbës më 2004, kur strukturat kriminale të spiunazhit partiak në Kosovë, në bashkëpunim me agjenturat serbe, inskenuan trazirat e marsit. Kjo ia ka mundësuar Serbisë të diktojë agjendën në procesin e pavarësimit të Kosovës: më shumë në Vjenë është folur për 100 mijë serbë se për gati dy milionë shqiptarë të Kosovës.

Pala shqiptare rrezikon shumë nëse bëhet pjesë e valleve nacionaliste serbe. Dhe kjo shihet që tani pas valës së fundit të propagandës serbe. „Fluturaken e drejtonte vëllai i kryeministrit të Shqipërisë”, po thotë kori i udhëheqësve gënjeshtarë të Serbisë. Dëshmi? S’ka. Aleksandar Vuçiqi, që në moshën e tij të re ishte pjesë e huliganëve të Cërvena Zvezdës dhe pastaj shkoi në kabinetin e Radovan Karagjiqit në Bosnjë për të luftuar për Serbinë e madhe, pra Vuçiqi doli e gënjeu njëherë se mikro-helikopteri u drejtua me telekomandë.

Mandej tha jo, nuk ishte telekomandë, por telefon mobil. Për fat të keq propaganda serbe ia doli të plasonte një rrenë kriminale kundër Olsi Ramës. Rrena qe aq perfide, saqë gati krejt mediet perëndimore ranë në këtë grackë të Beogradit. Ata shqiptarë faqezinj që po qesin flakë për goje kundër çdo thirrjeje për maturi e mençuri të shqiptarëve përballë marrëzisë serbe e kanë lehtë, sepse shkruajnë e shkarravisin vetëm prej botës së tyre të izoluar, pa i parë efektet e dëmshme politike në arenën ndërkombëtare. Ëndrrat e tyre publicistike përmbushen kur ndonjë portal në Prishtinë ua boton shkrimet e shkruara me thikë të ndryshkur në dorë. Më larg s’mbërrijnë dot. Idhulli i tyre është Dobrica Qosiqi dhe legenët e publicistikës më të fëlliqur ballkanike.

“Rrena është interes shtetëror serb”, ka thënë babai shpirtëror i krejt fashistëve serbë, Dobrica Qosiqi. Pastaj: “Në këtë vend çdo rrenë në fund bëhet e vërtetë”. Më tutje: “Serbët shumë herë në histori i ka shpëtuar rrena”. A do t’i shpëtojë edhe kësaj radhe para UEFA-s? Ndoshta nuk do ta marrin dënimin e merituar për shkak se shqiptarët shkuan si qengji te kasapi, shkuan pak edhe naivë, shkuan pa qenë të vetëdijshëm se situata mund të eskalonte, shkuan pasi në biseda me UEFA-n nuk ishte shprehur ndonjë rezervë serioze për të qenë në grup me Serbinë.

Dhe për këtë duhet të kritikohet Federata Shqiptare e Futbollit, që është një çerdhe njerëzish të papërgjegjshëm. A dinin ata për Ivanin e tmerrshëm? A dinin për shikuesin e vrarë francez në Beograd? A dinin për ndeshjen Dinamo-Cërvena Zvezda në Zagreb më 1991? A dinin që Arkani paramilitarët kryesorë i kishte rekrutuar nga huliganët e Cërvena Zvezdës? A dinin se më 2004 u vra Branko Bulatoviqi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë? Të gjitha këto argumente kanë qenë të mjaftueshme që Federata Shqiptare e Futbollit të thoshte: jo në një grup me Serbinë. Jo, sepse Serbia nuk është shkëputur nga e kaluara e errët.

Jo, sepse Serbia nuk është pajtuar ende me pavarësinë e Kosovës, jo, sepse me gjithë përrallat e politikanëve në Prishtinë, Tiranë e Bruksel për “marrëveshjet historike” serbo-kosovare mjaftoi një ndeshje futbolli, mjaftuan 42 minuta për të rrëzuar si kullë prej letrës iluzionin e krijuar nga diplomatët e BE-së se sëpatat e luftës në Ballkan janë groposur. Ky iluzion ishte krijuar edhe nga muhabetet e Daçiqit me Thaçin në Bruksel nën buzëqeshjen cinike të baroneshës Ashton.

Futbollistët shqiptarë, disa të rinj që nuk janë rritur në ambientet e ngarkuara me nacionalizëm të Ballkanit, këtë mbase nuk e dinin, andaj reaguan si reaguan. Gufuan si tambli. Se flamuri që nuk ishte flamur duhej mbrojtur! Sipas tyre! Nuk ka asnjë dyshim që pala serbe edhe pa asnjë ngacmim shqiptar do ta bënte ndonjë marrëzi të madhe. Duke e parafrazuar Winston Churchillin mund të themi se një lojtar i mirë nuk i bën të gjitha gabimet vetë, disa ia lë edhe kundërshtarit. Shqiptarët e patën shansin t’i linin serbët t’i bënin të gjitha gabimet në një ambient armiqësor. Urrejtja serbe ndaj shqiptarëve, që lidhet më shumë me shqiptarët e Kosovës, është e pafrenueshme edhe për shkak të fitores së shqiptarëve në konfliktin e viteve 1997-1999.

Dhe krejt problemi qëndron këtu: nacionalistët serbë e kanë vështirë të kuptojnë se si arritën shqiptarët ta bëjnë aleat NATO-n? Dobrica Qosiqi e ka thënë hapur këtë, me gjuhën e tij të gjarprit: “Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Evropian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb”. Këto ditë disa - me nder me thënë! - shqiptarë, shyqyr që janë aq pak, kanë treguar se janë vërtet llum social dhe bastardë të Dobrica Qosiqit.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...