Rruga e drejtë

21 Tetor 2014 - 08:25 - Flaka Surroi      

E marta në Beograd do të duhej të ishte motiv shumë i fuqishëm, madje edhe për këtë kryeministër në ikje që kurrsesi s’e lëshon fronin, që ta rishikojë atë marrëveshje me Daçiqin – sepse të vetmen gjë që po e dëshmon ajo është se Thaçin, me gjithë ekipin e vet, i kanë bërë budallë. E për fat të keq, duke u tallur me ta, ia kanë dalë që ta sakatojnë Kosovën shtet ende pa u rritur mirë

Janë tri fjalë që janë bërë shumë “in” kohëve të fundit.

E para është “ngërçi” (1. tkurrje e menjëhershme e një muskuli ose e një grupi muskujsh që shoqërohet me dhembje, cermë; 2. ndërprerje e menjëhershme e një veprimtarie etj., që zgjat e që shoqërohet me pasoja negative), që na është bërë aq bajat sa për përsëritjen e pafund që i bëhet aq edhe për që përdoret si eufemizëm për mbytjen e shtetit të cilin po e përjetojmë.

E dyta, është më e reja në listën e “inave” – është “dron”. E dyshoj shumë që shumëkush ta ketë ditur se çfarë është apo se çfarë domethënie ka. Që nga e marta e shkuar, ka hyrë në përdorim edhe nga shqiptarët që e kanë përvetësuar në fjalor, si barbarizëm (nga anglishtja e vjetër “drone” apo kur shqipërohet “droun” sipas kuptimit origjinal është bletë mashkull. Sipas kuptimit modern do të thotë një fluturake apo predhë e kontrolluar nga distanca. Kjo për shkak se bën zhurmë të pandalshme, sikur bleta).

E fundit është “reflektoj” (1. pasqyroj; 2. mendohem për një veprim që kam bërë, e vlerësoj në mënyrë kritike e vihem në rrugë të drejtë) që në katër muajt e fundit është duke u përdorur në të gjitha opsionet që mundet: reflekto; reflekton; reflektojmë; reflektojnë; reflektuan, reflektuam; reflektova; do të reflektoj; reflektohet (garant është edhe ndonjë opsion, duhet pritur ekspertin tonë e gjuhësisë HTH të na e tregojë) – në formën më cinike të mundur, duke e hedhur fajësinë për bllokadën e Kosovës në anën e Bllokut, natyrisht.

E ajo që duket se zor do të dalë në “aut”, përderisa do të vazhdojmë ta reflektojmë ngërçin, është fjala “mjerim”. Në kuptimin e vet të plotë.

Jeta e lirë

Se sa e pavlerë është jeta e njeriut në Kosovën e sotme e dëshmoi vrasja e një të riu nga një i ri tjetër që ka ndier nevojë të qarkullojë nëpër kafehane me armë në brez. Filozofia e sundimit kriminal, na ka sjellë deri te pika e pasjes frikë madje edhe nga shijimi i një filxhani kafeje - sepse këtu sundon dhunuesi.

Ky ishte reagimi im ndaj vrasjes që ndodhi në qendër të Prishtinës, në pikë të ditës, në një kafene të frekuentuar dhe në rrugën që, pse është qorre, ka më së shumti qarkullim veturash që gjithsesi duan të parkohen në “centër”. Sepse pa e paragjykuar as situatën në të cilën ndodhi vrasja, e as rrethanat që çuan te ajo, gjëja që shokon në Kosovën e pavarur është bartja e armëve, kryesisht pa leje, dhe nevoja që ato të përdoren qoftë për kërcënim, qoftë për mbrojtje.

Është vetë sjellja e politikanëve kosovarë (shumicës së tyre për të qenë korrekte), të cilët nuk shkojnë as në tualet pa përcjellje, ajo që ka nxitur armatosjen edhe të civilëve. Sepse të bartësh armë, në fakt është çështje statusi shoqëror – edhe ajo është “in” – sepse nëse ke armë, je dikushi. E nëse e përdor e nuk të zënë, të frikohen sepse je kapadai; e nëse e përdor e të zënë pahiri, je kryesisht vrasës. E nëse je politikan, revolja mundet me të shkrepë pahiri.

Se përse frikësohen politikanët që enden gjithmonë me truproja vërtet nuk e kam të qartë – posaçërisht nuk e kam të qartë kur hyjnë në përcjellje të tyre në Kuvend, apo edhe në zyrën e kryetares. Hajde po i frikësoheshin popullit të cilin e kanë bërë llom me udhëheqjen e tyre; ama të frikësohen brenda institucioneve, s’ka ndryshe të shpjegohet pos si narcizëm ose si paranojë. Që të dyja janë patologjike, për aq sa marr vesh në mjekësi.

E për shkak të kësaj dhe tash e mbas, secilin filxhan kafeje që do ta shijojmë, do të mund të jetë i fundit, për shkak se Kosova e kriminalizuar e dëshmoi se kafeja vlen më shumë sesa një jetë.

Fashizmi serb

Të hënën ishte dita e kufomave. Familjarëve të 12 shqiptarëve të varrosur në varrezën masive të Rashkës iu kthyen eshtrat për varrim. Por jo pa ardhur zëvendëskryeministrja Tahiri, të cilën të gjithë u desh ta prisnin gjysmë ore. Cilado të ketë qenë arsyeja e vonesës, ky gjest nuk arsyetohet fare – sepse kjo datë ka qenë caktuar prej kohësh, dhe kjo nuk është punë as teatri e as fjalimesh politike.

Shqiptarët e Kosovës ende nuk e dinë se ku janë edhe 1.700 të zhdukurit nga lufta e para 15 vjetësh. Nuk kanë përjetuar ende që dikush së paku t’u kërkojë falje për krimin të cilin e mbijetuan e në të cilin i humbën të gjithë ata njerëz. Nuk e kanë përjetuar të trajtohen si njerëz. Përkundrazi. Vazhdojnë të konsiderohen si qenie që duhet fshirë nga toka. Që duhet vrarë, prerë e grirë – për t’ua përmbushur epshet shtazarake atyre që krejt luftërat në ish-Jugosllavi i shkaktuan për t ‘i zhdukur të gjithë të tjerët që s’janë sikur ata.

Atyre, me të cilët Qeveria që po ikën e kurrqysh të shkojë, u ul në tryezë të bisedimeve dhe u premtoi krejt çfarë deshën. Madje edhe një gjykatë themelore në Mitrovicë – në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjin, me arsyen – duke e legjitimuar ndarjen etnike të Kosovës. Me gjasë edhe shkëputjen e shpejtë të veriut nga Kosova.

Se nëse dikush ka menduar se Serbia ka ndërruar qasje ndaj Kosovës dhe se serbët e Mitrovicës do të integrohen me krijimin edhe të kësaj gjykate, e marta, në stadiumin e Partizanit të Beogradit, do t’ia ketë hequr dilemat. Thirrjet masive të 35 mijë vetave për masakrimin e shqiptarëve do të duhej të ishin porosi shumë e qartë për Brukselin. Madje, do të duhej të ishte provë mjaft e fortë që dëshmon se racizmi, shovinizmi dhe fashizmi serb nuk kanë gjasë të eliminohen, përderisa në krye të atij shteti janë eksponentët e atij pushteti masakrues që vrau gjithë ata njerëz në katër shtete të ish-Jugosllavisë.

Dhe do të duhej të ishte motiv shumë i fuqishëm madje edhe për këtë kryeministër në ikje që kurrsesi s’e lëshon fronin, që ta rishikojë atë marrëveshje me Daçiqin – sepse të vetmen gjë që po e dëshmon ajo është se Thaçin, me gjithë ekipin e vet, i kanë bërë budallë. E për fat të keq, duke u tallur me ta, ia kanë dalë që ta sakatojnë Kosovën shtet ende pa u rritur mirë.

Fluturakja si melhem

Mbase satisfaksionin e vetëm këtë javë na e dha ideatori i fluturakes që e bartte një flamur shumë specifik e që u mbrojt me gjithë shpirt, dhe jam e sigurt jo rastësisht, më së shumti nga kosovarët që luajnë në Kombëtaren shqiptare. Si i vetmi flamur kuq e zi në stadium, erdhi nga qielli, bash në kohën kur publiku bërtiste “grini shqiptarët” dhe kur hidheshin flakadanë nëpër fushë – shqiptarët po luanin më mirë dhe kishin madje gjasë të shënonin.

Pas ndërprerjes së ndeshjes, nisi ajo të cilën ne e kishim përjetuar me vite të tëra: aktivizimi i makinerisë propaganduese serbe që prej fajtorit shndërrohet në viktime dhe ku i gjithë faji, natyrisht, është i shqiptarëve. Shqiptarët kanë faj pse ekzistojnë, në rend të parë.

Në këtë garë, e para që ra në provim ishte BE-ja, e cila, ende pa u zhvilluar asnjë hetim dhe pa u paraqitur asnjë raport, u vu në mbrojtje të së ledhatuarës Serbi me një deklaratë skandaloze të zëdhënëses së Ketit, shoqes së ngushtë të HTH. Diplomacia serbe funksionoi si rrufeja, kurse ajo shqiptarja shkonte në xhirim të ngadalësuar. Ata të cilët u ngazëllyen me gjithë këtë situatë ishin shikuesit, shqiptarë natyrisht, që më në fund mund të krenoheshin me një potez jashtëzakonisht inventiv të dikujt që ia doli ta nxjerrë në pah gjithë të keqen që e mban dhe ndien Serbia ndaj shqiptarëve, e posaçërisht ndaj Kosovës.

Reflektimi

Dhe krejt çka u përshkrua më lart, në fakt është reflektim i sundimit të PDK-së dhe i Qeverisë në ikje në shtatë vjetët e shkuar. Rritja e niveleve të krimit; institucionalizimi i tij; mbytja e demokracisë; mbytja e vlerave; shkatërrimi i sistemeve arsimore, shëndetësore, kulturore; zënia pisk me negociata të cilat lideri edhe i shtetit e partisë dëshmoi se ishte i paaftë t’i menaxhonte si duhet – krejt këto do të duhej të ishin arsye që, në rend të parë, ai të reflektojë.

Ai ka bërë aq shumë veprime, kryesisht të këqija, sa do t’i duhej shumë kohë që t’i vlerësonte ato në mënyrë kritike e që të kthehej në rrugë të drejtë. Prandaj do të duhej t’i mjaftonin vetëm disa – ato që kanë të bëjnë me shpenzimin e pakontrolluar të buxhetit në budallallëqe dhe lukse; ato që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike që kurrë se mbërriti as 4 përqindëshin; ato që kanë të bëjnë me papunësinë prej 40 e kusur përqindëve, që u përpoq t’i fshijë me statistika; ato që i ka bërë kur e ka legjitimuar me nënshkrimin e tij, ndarjen etnike të Kosovës – e të kthehet në rrugën e drejtë.

E vetmja rrugë e drejtë është që të largohet për të vazhduar të reflektojë se përse është dashur t’i bënte aq shumë zarar Kosovës, kur të gjitha kanë mundur të ishin ndryshe, po qe se ai do të kishte qenë i pastër dhe i sinqertë. E vetmja rrugë është, në vend se të lazdrohet para të tjerëve me fjalën e re që ia kanë zbuluar për përdorim cinik, që të shkojë në opozitë. Që të rrijë aty për t’u treguar të tjerëve se nuk duhet bërë atë që ka bërë ai, po qe se duan që Kosova të ecë përpara. Që të rrijë aty e të reflektojë se sa dëm ka bërë, e të gjejë mënyrë për t’i kërkuar falje popullit, të cilin e mban peng, për hiret e veta personale. Dhe klanore besa.

E në vazhdoftë të kërkojë që njerëzit të reflektojnë, nuk i dihet kurrë: mbase i kthehet bumerang dhe njerëzit reflektojnë se kanë bërë gabim që e kanë votuar, apo se edhe kanë vjedhur vota për të. Dhe reflektojnë se duhet qenë kritik me veten e tyre për t’u kthyer në rrugën e drejtë, duke e ndëshkuar në zgjedhjet që po na i imponon.

Për shkak se kosovarët më nuk e duan Kosovën që e reflekton këtë pushtet.

flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...