Zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo ishte lufta e PDK-së!

17 Tetor 2014 - 08:53 - Halil Matoshi      

Hashim Thaçi i gjetur befasisht në pakicë parlamentare (pasi që benjamini i tij Behgjet Pacolli nuk e kaloi censusin prej 5 %), agresiv dhe si i pakrye, si kurrë më parë, e angazhoi sërish SHIK-un që përmes spiunëve të vet brenda bllokut dhe Atifete Jahjagës duket se po ia del mbanë ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kështu që, pas dështimit të Planit A, përçarjes së bllokut V-LAN, SHIK-u dhe zonja Jahjaga kaluan në Planin B – zgjedhjet!

E tërë beteja për bllokimin e institucioneve sefte ia nisi një ditë të bukur vere, kur Hashim Thaçi pa në anën tjetër, tek “armiqtë” e tij politikë, një shumicë parlamentare, që ai vetë e kishte nxitur dhe krijuar, me keqqeverisjen e vendit dhe duke i mashtruar dhe poshtëruar të gjithë.

Ndërkohë, për ta neglizhuar sa më gjatë ndërtimin e institucioneve, PDK-ja kërkoi interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, verdikti i së cilës, si i porositur, jo që sqaroi rrethanat, porse u bë bllokadë shtesë për të dalë nga kriza institucionale.
Sepse, sipas këtij verdikti, doli të përplasen dy të drejta të barabarta në Kuvend.

E drejta demokratike e shumicës parlamentare me të drejtën procedurale-kushtetuese, që po e bënte PDK-në të vetmin subjekt që e ka të drejtën ekskluzive ta nominojë kandidatin për kryetar Kuvendi.
Mirëpo zgjidhjen kushtetuese d.m.th. duhej ta votonin 61 deputetë, që koalicioni i PDK-së ashiqare nuk e kishte.

Bllokada u mendua mirë, së pari si sprovë (mos ndonjëri nga deputetët synon t’i ndreqë punët me H.TH. dhe e voton Agim Aliun, të cilin partia e tij e vuri në lojë, ose më mirë të themi, e kalli!?) pastaj bllokada u realizua përmes neglizhencës së thirrjes së seancës konstituive, që u arrit duke e përdorur Flora Brovinën, e cila u gjet në këtë storie për rrethana banale, të moshës.

PDK-së nuk i kishte mbetur meraku ta merrte postin e kryetarit të Kuvendit, por ta rivishte H.TH. me pushtet, për të tretën herë me radhë. Prandaj PDK-ja e luante lojën shtyj sa të mundesh, mos bëj asgjë, bëj nga pak provokacione të modelit “i kemi numrat” dhe nëse vërtet hetohet se blloku V-LAN mund ta votojë një kandidat të PDK-së, atëherë i thoni Flora Brovinës të mos e thërrasë fare seancën konstituive të Kuvendit, sepse veshja me pushtet në legjislativ, ta zëmë e Arsim Bajramit, e shpushtetizon me automatizëm H.TH.

Pra alfa dhe omega e këtij konspiracioni të përpunuar në SHIK ishte ideja e neglizhencës ose shtyrjes së seancës me pritjet solide mbase blloku do të thyhej!?
Çarja dhe përçarja e bllokut ishte Plani A i SHIK-ut, mirëpo me të kuptuar se bllokun vetëm po e forconin deklaratat agresive të njerëzve të SHIK-ut, PDK-ja kaloi në Planin B, që duket se po ndez me bekimin e presidentes – shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme...

Në anën tjetër, blloku pos që e përvetësoi cilësimin “kapja e shtetit” që disa opinionistë e kishin analizuar thënë e stërthënë qe pesë vjet, ose e bëri të vetin cilësorin “partia-shtet”, gjithnjë duke e pasur parasysh PDK-në, nuk bëri asgjë serioze që ta detyronte H.TH. të tërhiqej në opozitë, duke respektuar frymën e Kushtetutës (frymën e ligjit), pasi që ai s’qe i zoti t’i bënte numrat.

Llafologji. Llafologji. Llafologji...

Kjo është trilogjia e të bërit politikë në Kosovë.
Derisa kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, dhe PDK-ja e tij gati sa nuk thonë: “Ju na detyroheni që të na votoni”, siç po thotë H.TH. – për të mos e shkelur verdiktin e sovranit!?
Porse blloku opozitar i zënë n’faj nga Kushtetuesja, “në formë dhe përmbajtje” (sado që ishte një verdikt banal!?) as nuk po e voton kandidatin e koalicionit të PDK-së dhe as nuk po gjen zgjidhje ligjore për krizën institucionale në vend.

Thjesht ka hyrë në një luftë nervash.

Duke qenë se PDK-ja autoritare nuk po tërhiqet duke dhënë mesazhin se verdikti i popullit po shkelet dhe se pa të s’ka pushtet - por mund të kërcet kiameti - e në anën tjetër nuk kanë partnerë për qeverisje, sepse politikat e tyre qeverisëse perceptohen nga një masë kritike si ultrakriminale.

Zgjidhje kushtetuese më nuk ka (pos modelit që blloku ta votojë me kast një kandidat të PDK-së për kryetar të Kuvendit për ta shfrytëzuar diskrecionin e presidentes, që pas dështimit të PDK-së që ta votojë H.TH., pas dy javësh ta krijojë Qeverinë “Haradinaj 2”), prandaj kjo dorë liderësh politikë po sorollatet poshtë e lart, rrugëve e zyrave publike të Prishtinës, duke lëshuar deklarata të forta.
Si kjo e Ramush Haradinajt pas takimit të fundit të bllokut opozitar: “Vendi po qeveriset nga 36 deputetë. Ndërsa shumica parlamentare prej 64 deputetësh nuk po lejohet të veprojë”, ka thënë Haradinaj. Thaçi po mendon si diktatorët e vjetër, të cilët kanë menduar se janë të përjetshëm, por që kur janë larguar, janë larguar me turp”, ka thënë Haradinaj.

Mustafa, Haradinaj dhe njerëzit e tyre kanë përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme (pos lëvizjes VV, e cila përmes zëdhënies së Shpend Ahmetit nuk e përjashtoi opsionin e zgjedhjeve), duke pretenduar se shumica parlamentare ekziston.
Jo pa nervozë, Haradinaj “i ka bërë selam” presidentes se ajo mund të vendos veç për vetveten, por jo që t’i dërgojë në zgjedhje 64 deputetë, të cilët nuk duan të rizgjidhen edhe një herë.

Mirëpo, megjithëse vërehet një mbështetje e rritur qytetare për bllokun dhe këtë – dorën në zemër- jo gjithaq për vetë bllokun, sa për kauzën qytetare të çlirimit nga kleptokracia e Thaçit, madje edhe pas fjalëve të Haradinajt për Thaçin diktator, qytetarët kosovarë ende nuk e kanë bindur vetën se është koha dhe ia vlen kauza që ta përdorin presionin e rrugës!

Në tërë këtë rashomoniadë, vetëm loja e VV-së u bë për të fituar, ndonëse jo gjithnjë fer - afërmendsh - politika nuk është sport.
Lëvizja e Albin Kurtit e bëri atë që synoi: E bllokoi të hipë në skenë Thaçin për të tretën herë dhe madje, siç u shpreh Kurti në fjalimin e tij frymëzues, me Kadri Veselin e Latif Gashin për punët e brendshme, me Elmi Reçicën për mirëqenie (mëshirë) dhe Ganimete Musliun të infrastrukturës ose, pse jo, të diplomacisë etj.

Vërtet frymëzuese, përndryshe afria e VV-së me LAN-in ishte domosdoshmëri në këtë momentum, për ta parandaluar Adem Grabovcin që të ngjitet si “ministër i thesarit” në kleptokracinë e H.TH.!?

Kjo do të ishte maja e icebergut në autokracinë e H.TH., pra me grabitësit dhe çiftet e tyre në majë të piramidës së pushtetit në Kosovë, do të shuheshin shpresat e qytetarëve kosovarë se kanë me pa ndonjë ditë t’hairit!

“Loja” e Kurtit megjithatë e ka nervozuar dikë në taborin e Mustafës, përkatësisht Lutfi Hazirin, i cili po thotë se nuk e mbështet Albin Kurtin për kryeministër në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme...

A nis këtu që të prishet loja?

E po, kjo d.m.th. se LDK-ja e Hazirit me lehtësi të padurueshme do të hynte (dhe mund të hyjë ende?) në bashkëqeverisje me PDK-në, (gjë që e ka provuar një herë, porse papandehur një natë me hënë, nga “Zanzibari” u mësua se ministrat e LDK-së nuk janë më ministra dhe duhet ta braktisin Qeverinë!?) që është shndërruar në sinonim për krimin e organizuar, korrupsionin galopant dhe masiv, nepotizmin kronik, si dhe analfabetizmin funksional!?

Sapo shihej se blloku po merr mbështetje qytetare për ta nxjerrë PDK-në e Thaçit nga pushteti dhe për ta spostuar në opozitë, derisa të pastrohet nga kultura e krimit, zëra brenda bllokut po del se nuk e kanë gjithaq seriozisht rrëzimin e Thaçit sa postet e tyre.

Tërë bota demokratike përmes ‘kanxhallozave’ në Prishtinë po thotë se Kosova është në krizë institucionale, mirëpo blloku nuk e sheh vendin në krizë pasi që ekzistuaka shumica parlamentare, e cila, - në mungesë të zgjidhjeve legale - po sorollatet qe katër muaj rresht, pa asnjë ide kreative për të dalë nga kriza, pra, duke i bërë vetes ‘bllok’!?

Ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff, sapo i ka filluar presionet mbi liderët politikë. "Po vërehet se ka rritje të frustrimit me politikanët në Kosovë që nuk janë në gjendje të zgjidhin një problem mjaft të vogël që ka të bëjë me formimin dhe funksionalizimin e institucioneve. Frustrime me ta ka edhe në Bruksel, në Londër dhe gjithandej."

Presidentja e vendit këtë presion politik e përktheu në rrezik për humbjen e mbështetjes ndërkombëtare.
Anglezi ka thënë se shpallja e zgjedhjeve përpos që nuk është diçka që i konvenon Kosovës, ajo nuk do të ishte as kushtetuese.
“Para se të shpallen zgjedhjet duhet që fillimisht Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet e më pas presidentja t’i shpallë ato”, ka thënë Cliff, duke mbajtur një qëndrim të paqëndrueshëm si Driton Selmanaj i KDI-së!?

Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është në kompetencat e presidentes sipas nenit 3 dhe atij 84 dhe ka të ngjarë që ngutshëm pasi ta “autorizojë” H.TH. (siç tha vetë H.TH. se ka autorizuar arrestimet e hoxhallarëve!???) edhe do ta bëjë këtë, porse ajo nuk i ka shterur ende të gjitha rrugëzgjidhjet kushtetuese.

Dyshimi është i bazuar nëse themi se Jahjaga nuk e ka guximin politik dhe qytetar që të bëhet prijatare e ndonjë zgjidhjeje.
Ajo po do t’i dëgjojë liderët, të cilët qytetarët po i dëgjojnë përditë, qe katër muaj rresht duke folur marrëzira.

Vajtje - ardhjet e bllokut tek presidentja vetëm sa dëshmojnë pafuqinë e opozitës karshi pushtetit autoritar të Thaçit, në njërën anë, dhe pafuqinë, e cila më tepër është pasojë e frikës joracionale por edhe e padijes së presidentes, në anën tjetër, për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve?

Cilat institucione janë duke funksionuar në mënyrë demokratike në Kosovë, e që sipas Kushtetutës duhej t’i garantonte ajo?
Asnjë!

Presidentja e vendit gjatë kësaj jave do të duhej të synonte t’i bindte liderët e të gjitha subjekteve politike parlamentare që bashkërisht t'i drejtohen Komisionit të Venedikut për një këshillë, një interpretim, se si të dilet nga kriza institucionale që po e eklipson shoqërinë dhe po e vret demokracinë kosovare.

Por, ajo as këtë s’e bën dot.

Ka frikë se ia marrin “fronin”!?
Me akrobacionet e Enver Hasanit.
Presidentja së këndejmi duhet të marrë qëndrim të prerë dhe këtë t’ua thotë ndër sy liderëve politikë, e pastaj vendimin e saj ta bëjë publik.

E qëndrimi i vetëm që nuk bie ndesh me Kushtetuesen tashmë është që blloku ta votojë një kandidat të PDK-së (kushdo qoftë ai) për kryetar Kuvendi, të konstituohet Kuvendi së pari, e pastaj ajo, pasi të ketë dështuar votimi për mandatarin e koalicionit PDK - sipas diskrecionit të saj - ta nominojë përfaqësuesin e bllokut për kryeministër dhe të ndërtohet Qeveria e re në afat kushtetues.
Përndryshe, me ndihmën e Atifete Jahjagës autokracia e Thaçit po rrëshqet në shtetvrasje!

Vetëm kjo zgjidhje legale ka mbetur, prandaj në këtë duhet të insistojë presidentja.
Ashiqare, nga këto takime s'del gjë pozitive.
Këto shëtitje pa qëllim final janë bjerrje kohe kot e liderëve politikë të papunë, përderisa Hashim Thaçi dhe PDK-ja e tij po i bëjnë rrush e kumbulla milionat e taksapaguesve dhe po "i rehatojnë" militantët partiakë sipas modelit të vëllazërisë “Pronto”, nëpër ministri të ndryshme dhe në agjenci qeveritare.

Nëse politika është organizim i raporteve mes pushtetit dhe individëve në një shoqëri - pra është organizim i emocioneve, kërkesave, empative dhe kundërshtive, atëherë ajo do të duhej të prodhonte debat e jo sherre.

Mirëpo në Kosovë politika kuptohet si aureolë për t'i fshehur synimet e ulëta të analfabetëve funksionalë, për afirmim e protagonizëm, për famë e fanfare, për të zhvatur dhe për t'u shfaqur mujshar.
E politika është veprimtari fisnike në thelb, që nga "Sundimtari" i Machiavelit (që tek kosovarët citohet rëndom gabimisht.)
Tradhti 'idealesh' në PDK ka bërë jokompetenca dhe injoranca masive, qeverisja përmes qytetarëve më të ligj të mundshëm, shfaqja e dhunshme e shumë prej tyre...

Ndërsa Limaj & Krasniqi vetëm janë zgjuar para të tjerëve nga dremitja përballë krimit dhe dhunës...
Porse tradhti idealesh qytetare mund të bëjë po ashtu edhe LDK-ja, nëse nën presionet “e miqve të Kosovës” hyn në ujdi me PDK-në për bashkëqeverisje, ose qeverisje me bazë të gjerë politike, ose Qeveri teknike e kreatura të ngjashme monstruoze.
Në këtë rrafsh janë tri mundësi legale para vendimit për zgjedhje të jashtëzakonshme.

1. Që PDK-ja të tërhiqet, sepse nuk ka partnerë për të ndërtuar institucionet, gjë që nuk e ka ndërmend pikërisht duke e pasur parasysh kapjen e shtetit;
2. Që V-LAN-i ta votojë një kandidat të PDK-së (cilido qoftë ai) dhe vetë ta ndërtojë pastaj Qeverinë e re;
3. Që subjektet politike t'i drejtohen Komisionit të Venedikut me kërkesën për një këshillë se si të procedohet më tej në këtë çështje dhe të arrijnë një konsensus, për ta përfillur këshillën që do të vinte nga komisioni që kujdestaron mbi demokracitë e reja.

Mirëpo, duke qenë se të dyja palët e kanë bllokuar njëra-tjetrën, së pari PDK-ja duke mos u tërhequr, paçka se ka ngelur në pakicë parlamentare, dhe,së dyti, blloku LAN, duke qenë se nuk ka pasur fare strategji dalëse.

E pastaj të dyja palët e kanë bllokuar edhe vetveten, edhe shtetin.
Tani nuk është koha e dijetarëve dhe dinjitarëve.

Është koha e deklaratave dhe kundërdeklaratave acaruese të liderëve për hesape të vetat, sepse të dyja palët janë në një bllokadë gjetjesh kreative, pra në një gjendje jokreative.

Në anën tjetër, ndonëse secila Qeveri në detyrë ka të drejtë të marrë vendime për shtetin (Belgjika funksiononte në qeverisje pa asnjë problem, ndonëse pati vonesë pesëmujore në zgjedhjen e Qeverisë), porse nuk preferohet të marrë vendime që implikojnë buxhetin e vitit pasues dhe as vendime të rëndësisë vitale politike, që mund të kontestohen nga Qeveria pasuese, pra do të duhej të ketë kujdes që të mos bëjë as ndonjë marrëveshje kontroverse ndërkombëtare.

Kandidat konsensual për kryeministër të vendit nuk mund të ketë, sidomos jo pas krijimit të bllokut V-LAN, ngase një kandidat i tillë do ta zhvlerësonte marrëveshjen politike mes katër partive parlamentare dhe do t'i poshtëronte para publikut kosovar liderët e këtyre partive.

As Qeveri teknike.

Kandidat konsensual për kryetar Kuvendi mund të ketë, po pse nuk e propozon PDK-ja për kryetar Kuvendi një të tillë, derisa po betohet se është shtetkrijuese dhe konstitucionaliste!?.
Në këtë detaj fle djalli.

Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar do të ishte së pari shuplakë për fytyrën e vetë idesë së shtetit (vetëqeverisjes), në fakt do të ishte mbështetje për kauzën e PDK-së, për ta katapultuar në pushtet në ndonjë farë kreature si Qeveri gjithëpërfshirëse ose teknike H.TH.
Çdo ndërhyrje ndërkombëtare do të shihej si dështim i Kosovës, e cila nuk është e aftë për të qeverisur veten dhe për të zgjidhur problemet e veta demokratike.

Nga kampet e dy blloqeve ka rrjedhje informatash, kryesisht kontroverse.

Disa thonë se ka mospajtime në mes bllokut opozitar rreth shkuarjes në zgjedhje, e disa thonë se PDK po e fiton betejën që vendi të shkojë në zgjedhje!?

Disa madje e shohin domosdo bojkotin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga ana e bllokut opozitar për ta ruajtur unitetin!?
Mirëpo bojkoti i zgjedhjeve është gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë Kosovës.
Me këtë bojkot subjektet politike opozitare mund t'ia shtrojnë udhën një autokracie të tmerrshme të PDK-së dhe Thaçit.
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...