Vizita e Edi Ramës në Beograd dhe selamet e panevojshme nga Kosova

16 Tetor 2014 - 09:23 - Enver Robelli      

Politikanët Shpend Ahmeti e Lutfi Haziri po merren me popullizëm në vend se të përqendrohen në punët për të cilat i kanë marrë votat në komunat e tyre. Askush nga Kosova dhe, rrjedhimisht, as këta dy kryetarë komunash kosovare, nuk ka të drejtë që t’ia caktojë agjendën kryeministrit të Shqipërisë. Shqiptarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se pas themelimit të shtetit të tyre duhet të marrin vetë përgjegjësi për të tashmen dhe të ardhmen. Thirrjet për ndryshim kufijsh jo vetëm që janë qesharake, por edhe tregojnë një mungesë frikësuese të aftësisë për vlerësim real politik.

Në një intervistë për gazetën “Danas” të Beogradit para disa javësh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për vizitën e tij në kryeqytetin e Serbisë, pati deklaruar qartë: “Qeveria shqiptare nuk do të mbajë ndonjë qëndrim paternalist në raport me Kosovën.

Për neve Kosova është shtet i barabartë me shtetet e tjera të rajonit. (...) Gjithsesi, nuk ka arsye që Shqipëria të flasë në emër të Kosovës”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta vizitojë Serbinë javën e ardhshme në radhë të parë për të treguar karshi Brukselit, Berlinit dhe qendrave të tjera evropiano-perëndimore se Tirana zyrtare po kultivon fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit.

Për motive të njëjta edhe Serbia zyrtare po e pret Ramën: që të fitojë poenë politikë në Bruksel. Asgjë spektakolare nuk do të shohim në këtë vizitë, përveç faktit se është e para pas shumë dekadash e një kryeministri shqiptar. Por, para Ramës në Beograd ka qenë Ilir Meta, si ministër i Punëve të Jashtme.

Shqipëria e ka parë të udhës të mbajë marrëdhënie diplomatike me Jugosllavinë e Titos (në periudha të caktuara), por edhe me Serbinë e Slobodan Milosheviqit në vitet 90 – derisa Beogradi (jo Tirana!) i ndërpreu këto marrëdhënie në prill të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, për shkak të terrorit të forcave serbe në Kosovë.

Duke ruajtur marrëdhëniet diplomatike me Beogradin, Tirana në heshtje e kishte pranuar sovranitetin serb, përkatësisht jugosllav mbi Kosovën. Presidenti i Shqipërisë në vitet 90, Sali Berisha, hapur ishte angazhuar që Kosova të gëzonte autonomi brenda Jugosllavisë së atëhershme “në kuadër të hapësirave demokratike” dhe kishte kërkuar që shqiptarët e Kosovës të mbështesnin “lëvizjen demokratike në Serbi” me në krye Vuk Drashkoviqin dhe të tjerët.

Kjo qasje e Berishës ndikoi në acarimin e raporteve me Ibrahim Rugovën, liderin e atëhershëm kosovar, i cili nuk pranoi të takohej me Berishën derisa vdiq, në janar të vitit 2006. Në janar të vitit 2001, Jugosllavia e atëhershme (e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi) rivendosi marrëdhënie diplomatike me Tiranën. Sigurisht diplomacia shqiptare i ka bërë kalkulimet e veta për këto lëvizje ndaj Beogradit. Është herët të vlerësohet nëse kanë qenë hapa të duhur apo jo, por faktet janë këto.

Ndërkohë shumë gjëra kanë ndryshuar në rajon. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, presidenti francez, Nicolas Sarkozy, kishte vizituar një shkollë dhe u kishte treguar nxënëseve se tani ekziston një shtet i ri në Evropë – Kosova. Gjatë vizitës në Beograd në vitin 2010, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, kishte nënvizuar tri fakte: “pavarësia e Kosovës është realitet”; “kufijtë në Evropën Juglindore janë caktuar”; “pajtimi arrihet vetëm nëse ballafaqoheni me realitetin”.

Ka mbetur që këtë ta kuptojnë edhe disa politikanë në Kosovë, pa marrë parasysh se cilës parti i takojnë dhe pas cilave iluzione apo aventura politike vrapojnë. Të kërkosh ndryshim kufijsh në Evropë në vitin 2014, siç aludojnë e kërkojnë disa politikanë naivë në Kosovë, domethënë të bëhesh pavullnetshëm argat i Vladimir Putinit dhe i Milorad Dodikut në projektet e tyre për dobësimin e Bashkimit Evropian.

Edi Rama dëshiron të kundërtën: ta integrojë Shqipërinë në një BE të fuqishme. Ai është kryeministër i një vendi që kufizohet me Kosovën dhe si i tillë ai ua ka bërë me dije ngaherë politikanëve provincialë të Prishtinës se Kosova është shtet dhe duhet të flasë vetë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.

Tirana i ka pranuar kufijtë në Ballkan dhe është zotuar se do t’u përmbahet rregullave që vlejnë për shtetet anëtare të Aleancës Veriatlantike. Shqipëria ka dhënë dhe jep kontribut të madh për konsolidimin e shtetit të Kosovës, por është absurde që nga Prishtina të bëhen përpjekje t’i korrigjohet agjenda kryeministrit të Shqipërisë. Agjendën e cakton ai vetë. Edhe kur shkon në Beograd, edhe kur shkon në Kinë. Edhe kur e pret Papën. Edhe kur e propozon një argjentinas për guvernator.

Argumenti i kryetarit të Prishtinës se Rama nuk duhet të shkojë në Beograd, sepse Serbia nuk ka kërkuar falje për terrorin në Kosovë, është krejtësisht i paqëndrueshëm. Kosovës nuk i duhet fare kërkimfalja nga Serbia e tanishme. Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, dhe paraardhësi i tij, Boris Tadiq, kanë kërkuar falje për krimet serbe në Bosnjë-Hercegovinë, por këto fjalë i ka bartur era dhe Nikoliqi së fundi deklaroi se Bosnja zor se do të mbijetojë.

Është në interes të Kosovës (dhe Bosnjës) që Serbia të bëhet shtet ku sundon ligji, ku ekziston rendi demokratik dhe ku fqinjët trajtohen me respekt. Kjo është e mundshme, mes të tjerash, nëse të gjitha shtetet përreth Serbisë përparojnë në rrugën e integrimeve evropiane.

Ky proces është garanci e vetme për kthimin e normalitetit në Ballkan. As Turqia, as Rusia nuk janë alternativa që garantojnë demokraci, liri qytetare dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shpend Ahmeti ka të drejtë të prononcohet për çështje politike si çdo qytetar i Kosovës, por çka nuk i lejohet është të merret me popullizëm, të cilin provon të na e shesë si patriotizëm. Prononcimet vend e pavend e zbehin prestigjin e Ahmetit si kryetar i kryeqytetit të Kosovës. Fundja, jo pak qytetarë mund të pyesin: të zgjodhëm për t’i zgjidhur problemet e mëdha të qendrës së shpifur metropolitane të Kosovës apo votuam që të jesh përgjegjës për agjendën e Edi Ramës?

Ndërsa Lutfi Hazirit, kryetarit të sërishëm të Gjilanit, qytetarët mund t’i bëjnë edhe më shumë pyetje, kur të marrin parasysh se çfarë porosish të mëdha dhe qesharake po i jep ai Edi Ramës para se ky i fundit të shkojë në Beograd. Me esperanton e tij të përzier me një shqipe të “Rokeri s Moravu” dhe të stolisur keq me fjalën e gjermanishtes “bitte” (të lutem), Haziri përmes medieve sociale prej Ramës kërkon që në Beograd të bisedojë jo më pak se për ndryshimin e kufijve në Ballkan, për bashkimin e Preshevës me Kosovën, sepse “rolin primar” në Ballkan Berlini ia paskësh dhënë Edi Ramës.

Po përse nuk i ndryshoi kufijtë Haziri kur negocionte në Vjenë për decentralizmin e Kosovës? Përse nuk i ndryshoi kur ishte ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës? Përse nuk foli për rrotullime gjeostrategjike e gjeografike në Ballkan kur ishte ministër i Kulturës? Përse lejoi që partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, të votojë për marrëveshjen “historike” të nobelistëve të ardhshëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, e cila s’bën fjalë për shkëmbim territoresh? Edi Rama nuk ka marrë asnjë “rol primar” nga Berlini, por pas konferencës në Berlin në fund të gushtit e kanë ftuar të jetë pjesë e një konference për shtyp me kancelaren Angela Merkel, pasi kryeministri serb Aleksandar Vuçiq është pritur disa herë në kabinetin e Merkelit.

(Përndryshe, në kabinetin e Vuçiqit ka edhe këshilltarë gjermanë). Nuk është aspak serioze nga pala shqiptare në Kosovë që gjërat t’i zmadhojë duke sajuar situata të paqena dhe duke e bërë Edi Ramën njëfarë emisari special të Angela Merkelit për Ballkan.

Në Konferencën e kryeministrave të vendeve të Ballkanit në Berlin, pala gjermane e ftoi Edi Ramën në konferencën e përbashkët për shtyp me Angela Merkelin dhe me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, për arsye pragmatike: Vuçiqi kishte vizituar disa herë Berlinin dhe në sytë e pjesëmarrësve të tjerë favorizimi i tij i sërishëm do të shihej mbase me zemërim, liderët e Bosnjës janë të përçarë dhe nuk do të pajtoheshin që vetëm një përfaqësues i vendit të merrte pjesë në konferencën për shtyp, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, përfaqëson një vend me peshë jo aq të madhe në Ballkan, dhe drejtësia gjermane e ka përmendur atë si kreun e mafisë së duhanit në rajon, shefi i Qeverisë maqedonase, Nikola Gruevski, në mediet gjermanofolëse përshkruhet si “diktator i vogël” për shkak të shtypjes së lirisë mediale, kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, as që vinte në pyetje si pjesëmarrës në konferencën për shtyp me kancelaren Merkel, për shkak të akuzave për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj tij dhe klanit të tij. Kabinetit të kancelares Merkel i mbeti vetëm Edi Rama për ta ftuar në konferencën për shtyp. Rama nuk është aq gjatë në pushtet dhe në mesin e të njollosurve mbase ka më së paku njolla.

Edi Rama edhe sikur të ishte sekretar i përgjithshëm i NATO-s nuk do të mund të negocionte me Beogradin për ndryshim kufijsh në Ballkan në një kohë kur Kosova si shtet bazohet në planin e Ahtisaarit, kur me Kushtetutë garanton se nuk do të bashkohet me asnjë shtet tjetër të rajonit – as me Serbinë, as me Shqipërinë. Të gjitha këto i ka pranuar partia e Lutfi Hazirit dhe po i pranon gjithnjë e më shumë partia e Shpend Ahmetit.

Fundja, çdo sjellje tjetër do të ishte – po e përsëris – absurde. Në librin e tij të ri mbi zhvillimet e fundit politike në Evropë në dritën e krizës në Ukrainë, ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, shkruan se është çështje kohe kur Vladimir Putini do të tentojë të zgjerohet drejt Ballkanit me unionin e tij euroaziatik. Jo rastësisht para vizitës së Putinit në Beograd një diplomat i tij në Prishtinë propozoi ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Putini do ta vizitojë Beogradin para Edi Ramës, për të ringjallur shpresat pansllaviste, dhe kjo është punë e serbëve. Tashmë ambasadori i SHBA-së në Beograd publikisht ka pyetur: “Përse po vjen Putini? Për të marrë pjesë në festimet për çlirimin e Beogradit? Beogradi u çlirua edhe nga Ushtria e Tretë e Ukrainës, si pjesë e Ushtrisë së Kuqe”. Me këtë politikë liderët serbë zor se do të fitojnë poenë në Bruksel e Washington.

Edi Rama, ndërkaq, shkon në Beograd si kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s. Kush e ka parashikuar këtë në vitin 1999, kur NATO-ja e bombardonte Serbinë për shkak të krimeve në Kosovë dhe Edi Rama ishte vetëm një piktor që ishte në dilemë: të bëhej ministër kulture nën Fatos Nanon, apo të kthehej në Paris, ku kishte jetuar më parë? Ju kujtohet Fatos Nano? Është ai politikani i Tiranës që thoshte se pavarësia e Kosovës është diçka jashtë modës dhe premtonte se do të fliste me Ibrahim Rugovën për ta bindur të ndërronte mendje.

Edi Rama mund të bëjë gabime ndaj Kosovës, për shkak se nuk ka njohuri të hollësishme për Kosovën. Sali Berisha ka bërë dëme të qëllimshme, sepse e ka njohur Kosovën dhe dëshironte të luante rolin e paternalistit. Derisa Rama po shkon për vizitë në Beograd, Berisha kishte luftuar shumë që ta sillte në Tiranë për vizitë kryetarin e atëhershëm serb Boris Tadiq. Madje për të përgatitur terrenin klanet mediale të Berishës organizuan edhe intervistë me Tadiqin, e ndollën pandërprerë, por s’erdhi që s’erdhi.

Gjatë qeverisjes së Berishës kishte përpjekje që të rehabilitohej edhe Esad Pashë Toptani, një kriminel dhe bashkëpunëtor i regjimit serb deri në vitin 1920, kur u vra – po! – nga deputeti i mëvonshëm i Kosovës Avni Rrustemi.

Historia jonë, historia shqiptare, është plot gjak e vrasje ndërshqiptare. Në bisedë me Edi Ramën ndonjë zyrtar serb mund t’ia lavdërojë Esad Pashën. Ose edhe Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën. Të gjithë këta kanë vrarë ndoshta po aq udhëheqës shqiptarë të Kosovës sa edhe Serbia. Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe shumë shokë të tyre nuk i ka vrarë Serbia. As Ahmet Krasniqin, në vitin 1998! Në vitet në vijim do të mësojmë shumë të vërteta të tmerrshme për bandën kriminale të Fatos Klosit, i cili, siç shkruante revista “Der Spiegel”, duke iu referuar një zyrtari kosovar, pas luftës së vitit 1999 kishte futur në Kosovë “rreth 200 oficerë të lartë të SHIK-ut”:

“Qëllimi i tyre është destabilizimi i Kosovës dhe kontrollimi i saj nga Tirana dhe që tani po imponohet një ekonomi gangsterësh si në shtetin fqinj (Shqipëri, v.j.)”. Kosova nuk duhet të mësojë asgjë nga Shqipëria e dy dekadave të fundit. Dhe kjo vlen kryesisht edhe për Shqipërinë në raport me Kosovën. Duhet të mësojmë të gjithë nga Bashkimi Evropian. Nganjëherë kjo është e vështirë, por jo e pamundshme.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...