Kriza “Made in Kosovo” nuk ka zgjidhje evropiane

15 Tetor 2014 - 08:20 - Augustin Palokaj      

Në Bruksel të gjithë pajtohen me një gjë: në asnjë vend të Evropës nuk do të mund të kishte ndodhur një krizë politike çfarë është sot në Kosovë, ku, me gjithë faktin se ekziston shumica parlamentare, nuk mund të krijohen institucionet. Kjo tashmë quhet “Made in Kosovo”, krizë nga e cila BE-ja nuk sheh dalje të lehtë, por sheh shumë pasoja për Kosovën

Zgjedhjet në Belgjikë janë zhvilluar para atyre në Kosovë dhe në Belgjikë po ashtu ende nuk është formuar qeveria. Në shikim të parë analistët naivë dhe politikanët gjysmanalfabetë, e besa edhe disa diplomatë injorantë të huaj mund të përmendin rastin e Belgjikës për të relativizuar peshën e problemit në Kosovë, duke thënë se “ja gjëra të tilla ndodhin edhe në BE”.

T’i sqarojmë së pari disa dallime, të cilat i bëjnë këto dy raste të pakrahasueshme. Në Belgjikë mbreti radhazi ua ka dhënë mandatin, sipas numrit të fituar të votave, liderëve të partive politike që të tentojnë ta formojnë qeverinë. Këtu është respektuar radhitja sipas votave, por kushti themelor është që brenda një afati të caktuar të krijohet shumica parlamentare. Lideri i partisë që doli e para dështoi, e njoftoi Mbretin për dështim dhe ai mandatoi të dytin. Kur ai dështoi mandatoi të tretin e kështu me radhë. Kështu mund të shkojë edhe shumë, ndoshta edhe me vite, derisa të mos sigurohen votat shumicë në Parlamentin e Belgjikës, në mbështetje të ndonjë koalicioni. Pra, këtu nuk ka asnjë dyshim se kush ka e kush nuk ka të drejtë të formojë qeverinë. Vetëm parashtrohet pyetja kush mund ta sigurojë shumicën në Parlament.

Dallimi tjetër është se në Belgjikë funksionon sistemi i cili siguron që asgjë të mos ngecë si pasojë e moskrijimit të qeverisë. Qytetarët në kurrizin e tyre nuk e ndiejnë se nuk ka qeveri, ndërsa ekonomia vazhdon, rrymë ka, shteti kryen obligimet ndërkombëtare, madje edhe vendos të marrë pjesë në luftë kundër ISIS-it. Në Kosovë pothuajse gjithçka është ndalur, buxheti është në krizë, ndërsa Kosova nuk mund të miratojë as ligjin për dënimin e atyre që u bashkëngjiten terroristëve në Siri, të cilët presin kokat e gazetarëve dhe të punëtorëve humanitarë. Nuk mund të vendosin as rreth krijimit të një gjykate, për të cilën vetë e kanë dhënë pëlqimin ndaj “miqve ndërkombëtarë”, gjykatë që sigurisht se do t’i ketë si klientë edhe te disa nga faktorët politikë të Kosovës.

Opinioni në Belgjikë nuk ngarkohet shumë me lajme për përpjekjet politike që të krijohet qeveria. Ky lajm vetëm konstatohet përditë nga mediat me disa rreshta në gazeta apo pak sekonda në radiotelevizion. Vetëm nëse ndodh ndonjë kthesë, atëherë bëhet lajm i rëndësishëm. Sikur në Belgjikë të ishin arrestuar 9 mjekë me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhe sikur edhe ministri i Mjekësisë (partner i tashëm dhe i ardhshëm i koalicionit me PDK-në) të ishte i dyshuar për përfshirje në një krim tillë të tmerrshëm të organizuar, mediat nuk do të raportonin fare për politikë, por do ta ndiqnin drejtpërdrejt çdo minutë këtë ngjarje.

Belgjika ka konstelacionin më të çuditshëm politik për shkak të sistemit të komplikuar federal, prandaj edhe është më vështirë të krijohet qeveria. Por është sistemi i cili funksionon dhe ky shtet vazhdon të jetë ndër shtetet me kualitetin më të mirë të jetës në botë, me sistemin e shkollimit dhe të shëndetësisë ndër më të mirët në botë dhe me mbrojtjen sociale po ashtu ndër më të mirat në botë. Njerëzit vazhdojnë jetën e tyre dhe me politikë merren vetëm kur ajo ndikon në jetën e tyre të përditshme.

Në Belgjikë zgjedhjet janë të detyrueshme dhe mosdalja në votime mund të dënohet me gjobë. Kjo siguron pjesëmarrje mbi 90 % në votime dhe e bën secilën qeveri legjitime. Por edhe në Belgjikë, sado e pasur dhe e zhvilluar të jetë, zgjedhjet kushtojnë. Prandaj po mendohet që mandatet e Qeverisë dhe të Parlamentit të jenë 5 vjet dhe zgjedhje të ketë çdo pesë vjet. Këto zgjedhje do të ishin megazgjedhje, siç ishin ato të muajit maj kur në Belgjikë u votua edhe për Parlamentin Evropian dhe për atë Federal të Belgjikës, edhe për parlamentet e rajoneve federale. Krejt kjo për të kursyer dhe për t’i kursyer edhe qytetarët.

E në Kosovë, në shtetin bindshëm më të varfër të Evropës, por me politikanë më të pasur mesatarisht sesa kolegët e tyre në Evropën Perëndimore, shumë lehtë flitet për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Por Belgjika nuk është shteti i vetëm në Evropë ku nuk është lehtë të krijohet qeveria. Ka edhe shtete të tjera, si Holanda e Austria po ashtu. E përbashkët është një gjë e shenjtë në demokracitë parlamentare: askush nuk mund t’i pengojë ata që sigurojnë shumicën e votave në parlament që të krijojnë institucionet. Fare nuk është e rëndësishme se cila parti ka dalë e para në zgjedhje e cila jo. Fare e parëndësishme është se kush ka koalicion parazgjedhor e kush paszgjedhor.

Edhe në Bruksel, nëse e marrin si kryeqytet të Belgjikës apo seli të BE-së e NATO-s, të gjithë pajtohen me një gjë: në asnjë vend të Evropës nuk do të mund të kishte ndodhur një krizë politike çfarë është sot në Kosovë, ku, me gjithë faktin se ekziston shumica parlamentare, nuk mund të krijohen institucionet. Kjo tashmë quhet “Made in Kosovo”, krizë nga e cila BE-ja tashmë nuk sheh dalje, por sheh shumë pasoja për Kosovën.

Çfarë mund të bëjë BE-ja. Nëse flet për standardet evropiane për të cilat në Kosovë të gjithë bëjnë be dhe zotohen se do t’i ndërtojnë në Kosovë, BE-ja do të duhej të mbështeste krijimin e institucioneve nga VLAN-i. Nuk mund të bëjë ndryshe pasi që tashmë dihet se ata i kanë votat në Kuvend dhe dy herë u pa se PDK-ja nuk i ka. Por në anën tjetër, nëse mbështet haptazi VLAN-i i bie se nuk respekton Kushtetutën e Kosovës, së paku interpretimin që ka bërë Gjykata Kushtetuese në këtë rast.

Edhe pse privatisht pranojnë se nuk besojnë më në paanshmërinë dhe profesionalizmin e kësaj Gjykate, sikur edhe të asnjë gjykate tjetër në Kosovë, zyrtarët e BE-së nuk mund të dalin kundër saj, sepse ky do të ishte fundi i çdo shprese për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Nga aspekti politik ndërhyrja në favor të bllokut VLAN do të shihej si anim kundër bllokut tjetër PDK (me partnerët islamiko-demokristianë!). Presidentja dhe Gjykata Kushtetuese në një mënyrë shihen si bllok po ashtu. Pra, tash është Kosova ajo që pos vetes e ka vërë në siklet edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila, edhe po të dojë, nuk di se çfarë të bëjë.

Kjo krizë ka shërbyer megjithatë edhe si një arsyetim për ta lënë Kosovën edhe më shumë anash nga BE-ja. Në Bruksel vetëm konstatohet si fakt se “Kosova është e varfër, Kosova është e zhytur në korrupsion, Kosova nuk ka strategji të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik, Kosova paraqet rrezik për sigurinë e Evropës” dhe, në anën tjetër, për Kosovën flitet vetëm në prizmin e mospengimit të lëvizjes së Serbisë drejt BE-së. Madje edhe kur ftohet Kosova që sa më parë t’i krijojë institucionet, kjo bëhet me vërejtjen se “nga kjo ka pasoja edhe dialogu me Beogradin”. Fare pak qajnë kokën për zhvillimet e brendshme në Kosovë.

Madje edhe tallen me politikanët tanë. Një diplomat i lartë i BE-së këto ditë thoshte se për Ballkanin ekzistojnë dy definicione: “është një vend me bukuri të rrallë natyrore, me njerëz të mrekullueshëm dhe bujarë dhe me politikanë të tmerrshëm”. E ajo që vlen për Ballkanin në Evropë, vlen për Kosovën në Ballkan. Nëse Ballkani është vrimë e zezë në Evropë, atëherë Kosova është vrimë e zezë në Ballkan.

Na pëlqeu apo jo, këtë e mendojnë vërtet për Kosovën.
Një thënie tjetër për politikanët në Ballkan është edhe gatishmëria e tyre për të mbetur në opozitë: “Në Evropë politikanët nuk e kanë të lehtë të rrinë në opozitë, në Ballkan politikanët e kanë shumë të vështirë të rrinë në opozitë, e në Kosovë e Shqipëri ata e kanë të pamundur të rrinë në opozitë”. Të njëjtit zyrtarë evropianë që takojnë politikanë shqiptarë dhe me ta flasin për “progres”, privatisht shprehin dhimbje për popullin, i cili ka udhëheqës të tillë. “Ajo që është shqetësuese për shqiptarët është edhe fakti se të gjithë ata liderë të tyre politikë janë në moshë shumë të re. Ata sillen sikur nuk ekziston jetë jashtë politikës.

Nuk kanë ku të shkojnë nëse nuk janë në pushtet. Kjo është një situatë shumë e tmerrshme, sepse populli nuk di se si të lirohet nga njerëz të tillë”, thotë një diplomat evropian. E kjo e bën edhe më të rëndë kur politikanët e tillë mbështeten në emër të popullit apo të votës së popullit. Edhe kjo situatë quhet “Made in Kosovo”, por kurrsesi nuk është një prodhim i cili do të mund të eksportohej diku.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...