Rikthehet ideja e shkëmbimit të territoreve

10 Tetor 2014 - 08:37 - Halil Matoshi      

Shteti ka nevojë për lojalitetin e një kombi unik, si bashkësi ekskluzivisht politike e mbështetur në ligj. Mirëpo, në kontekstin ballkanik dhe posaçërisht në kontekstin e konfliktit shqiptaro-serb kjo rrugë është e vështirë, madje për shumëkënd e parealizueshme. Prandaj ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ende është në lojë, për çka u angazhua habitshëm së fundi diplomati rus Andrey Y. Shugurov, udhëheqës i Zyrës ruse në Prishtinë.

Shteti i Kosovës ose duhet të deetnizohet për t’u ngritur në shtet qytetar, kurse skena politike duhet të deheroizohet, në kuptimin e legjitimitetit vertikal dhe horizontal (Holsti), e jo të asimilimit ose heqjes dorë nga përkatësia etnike.

Aderimi në një komb politik që i jep dashuri shtetit modern nuk d.m.th. asimilim, ngase shqiptarët vazhdojnë të jenë shqiptarë etnikë, serbët mbesin etnikisht serbë etj.
I njëjti proces do të duhej të zhvillohej paralelisht edhe në fqinjësi, posaçërisht në Serbi dhe Maqedoni.

Tek atëherë mund të thuhet se këta tre popuj mund të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë. Porse kjo për shumëkënd duket utopike, atëherë del në skenë opsioni i ndarjeve etnike, përkatësisht shkëmbimit të territoreve dhe popullsive…
Edhe pas gjashtë vjetësh pavarësie, shteti kosovar ballafaqohet me një model etnonacionalist, kleptokratik dhe autokratik të qeverisjes, karshi qytetarëve të vet, kurse karshi faktorëve perëndimorë ky model i qeverisjes ka rrëshqitur në dëgjueshmëri të skajshme, të cilën ish-ambasadori slloven Volk e cilësoi si “servilizëm të frikshëm”.
Në Kosovë ka deficite të mëdha demokratike.

Së këndejmi ky model qeverisjeje - dhe në kontekstin e krizës më të thellë institucionale prejse ekziston Kosova si shtet - po e dështon shtetin e Kosovës.
Pa integritet territorial, pa lirinë e shprehjes për sa u përket qeverisjes dhe rrjedhave shoqërore, e me abuzimin e saj në kontekstin e fesë/feve, pa liri ekonomike (pa të drejtën e punës, kërkimit të lumturisë dhe mirëqenies) dhe pa liri nga frika, Kosova është në vitin zero.

Sot shtrohet sfida e thyerjes së sindromës së vitit zero dhe sfida e ruajtjes së Kosovës unike?
Shumë teoricienë të gardës së vjetër, por habitshëm edhe nga të rinjtë në Kosovë i mëshojnë fort tezës se Kosova shtet i pavarur dhe sovran nuk do ta mbijetojë historinë dhe se ajo është një projekt pragmatik si rezultat i kompromiseve të mëdha mes fuqive botërore, dhe se vetëm bashkimi i shqiptarëve në një shtet unik (Shqipëria etnike) do t’i përmbushë jo vetëm aspiratat politike, por edhe kërkesat për fuqi ekonomike dhe ushtarake.

Në këtë aspekt lidershipi kosovar, përkatësisht elitat politike ose duhet të investojnë në deterritorializimin e nacionalizmit, ose përfundimisht t’i qaset logjikës që anon nga ndarja etnike me serbët, përkatësisht shkëmbimi i territoreve mes të dyja vendeve.
Sipas Ernest Gelnerit, fuqia dhe prestigji i një kombi varen nga përqindjet e rritjes ekonomike, e jo nga madhësia e hartës që arrin ta lyejë me ngjyrën e vet.

E për ta ruajtur një Kosovë unike në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht (sipas Kushtetutës së vitit 1974 nën federalizmin jugosllav, pra sipas kufijve aktualë) duhet të realizohet një pluralizëm kulturor (dy ose më shumë kanale televizive kombëtare dygjuhësore të jenë njëlloj të kapshme në po të njëjtin “truall”), si dhe të ndodhë defetishizimi i truallit, përndryshe, alternativë e kësaj është ndarja, përkatësisht spastrimi etnik.

Natyrisht se shqiptarët, përkatësisht Shqipërinë dhe Kosovën (por as serbët në drejtimin e kundërt) nuk mund t’i ndalë askush që të integrohen në aspektin kulturor dhe ekonomik, komunikues dhe njerëzor, përbëjnë një treg unik vlerash.
Përfundimisht roli i kufijve po zbehet.

Natyrisht se për integrime euroatlantike shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të mos kenë barriera (asnjë telash me fqinjët), por të krijojnë Strasbourgët e tyre.

Dhe kjo do të ishte ideja më brilante në kushtet e reja.
P.sh. Strasbourgu mes Kosovës dhe Serbisë mund të ishin Presheva në lindje dhe Leposaviqi e Zubin-Potoku në veri.
Nëse e pranojmë që në fund të shekullit 19 dhe fillimin e shekullit 20 (kur u krijua kombi shqiptar i rrënjëve dhe kulturës) shumica e kombeve evropiane dhe posaçërisht atyre të Ballkanit Perëndimor ishin prodhime të nacionalizmit, kurse ky i fundit derivat i industrializimit dhe modernizimit, atëherë na dalin të gabuara llogaritë se çështja e kombkrijimit tek shqiptarët trajtohet si e mbyllur me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Me vetë faktin se të gjithë ithtarët e kësaj teze e pranojnë faktin se shqiptarët ishin pothuajse 90% analfabetë (e shqiptarët e Kosovës edhe më 1945 ishin gati 98% analfabetë), kurse për industrializim dhe modernizim as që mund të bëhet fjalë, si mund të flitet pra, në këso rrethanash, për një komb të kryer shqiptar në fund të shekullit 19 dhe fillimshekullin 20?

Prandaj kombi shqiptar as me krijimin e shtetit më 1912-13 nuk ishte punë e kryer, për këtë mund të flitet si inicial tek në vitet ’20 me ligjin e parë kushtetues dhe me Kushtetutën e parë moderne dhe më shprehimisht në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit 20, kur me diktatin e komunistëve u rikthyen në histori miti për ilirët, Skënderbeu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si dhe u vendos standardi gjuhësor (1972.)

Ndërkaq që në Kosovë etnia shqiptare, në inicial ishte një kombësi me Kushtetutën e Federatës jugosllave të vitit 1974, hyri në rrugën autoktone të rezistencës dhe kombformimit që nga vitet 1989 – 90 dhe u maturua, përkatësisht u ngre në njësi të rritur më 17 shkurt 2007 dhe gjatë procesit të shtetkrijimit po e ndërton identitetin e vet kombëtar (kombin e shtetit).

E hapat e parë janë aprovimi i Deklaratës së Pavarësisë kombëtare, simbolet kombëtare/shtetërore, Kushtetuta, si dhe institucionet kombëtare të kulturës, si Teatri Kombëtar, Biblioteka Kombëtare, Muzeu Kombëtar etj.

Dhe kësisoj, më 17 shkurt e drejta e vetëvendosjes së jashtme është konsumuar, ngase Kosova i ka plotësuar tri kushtet themelore për të qenë shtet sipas parimit të vetëvendosjes jashtë kontekstit kolonial:

1. Kosova u trajtua si territor i okupuar nga Serbia (më 1989);
2. Shumica e kosovarëve kishin një vullnet politik për pavarësi;
3. Trajtimi gjenocidal i tyre (përkatësisht shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga shteti që i përkisnin) nën shtetin serb;
Së këndejmi, klasa politike e Prishtinës duhet ta zgjedhë deterritorializimin e nacionalizmit, në një patriotizëm ligjor (Habermas), diversitetin kulturor dhe qeveri me autoritet mbikombëtar, e jo ta rikthejë nacionalizmin etnik të modelit të serbëve në Bosnjë dhe në vetë Serbinë.

Në kontekstin kosovar, shteti është krijuesja e kombit të shtetit, që “harron” prejardhjen, duke punuar shumë në ndërtimin e të sotmes demokratike dhe të nesërmes së përbashkët, sipas asaj që thoshte Ortega Y Gasset, se nuk na mban së bashku në shtet e kaluara e përbashkët, por ajo që synohet të arrihet në të ardhmen.

Përndryshe është lehtë e arritshme një ujdi për ndarje etnike mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst që më 1993 arkitekti i Kosovës së re, Ibrahim Rugova, e pati spikatur idenë e shkëmbimit të territoreve përkatësisht bartjes humane të popullsive, me ç‘rast tri komunat e veriut të Kosovës do t’i bashkëngjiteshin Serbisë, kurse tri komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës do t’i bashkëngjiteshin Kosovës.

Mirëpo ndërkohë shumëçka ka ndryshuar, sidomos përbërja etnike e popullsive të këtyre territoreve që do të mund të shkëmbeheshin.
Nga ky shkëmbim Kosova i ka gjasat më të mëdha të dalë e humbur, sepse objektivisht merr mbi supe probleme njerëzore dhe dorëzon pasuri natyrore.
Porse në secilin opsion emocional lufta për njerëzit është mbi të gjitha.

Në këtë kontekst vetëm Presheva ka mbetur me shumicë etnike shqiptare, ndërsa në anën tjetër tri komunat e veriut të Kosovës kanë përbërje pothuajse të pastër etnike serbe.
Idenë e shkëmbimit të territoreve e kanë dhënë edhe shumë diplomatë perëndimorë. Ndërsa së fundi befasoi më një deklaratë për Zërin e Prishtinës diplomati rus, Andrey Y. Shugurov, udhëheqës i Zyrës ruse në Prishtinë, e cila funksionon në kuadër të Ambasadës Ruse në Beograd.

Ai është i bindur se minoritetet nuk kanë të ardhme në Kosovë, prandaj, sipas tij, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte opsioni më i arsyeshëm për të dyja palët!?
Përfshirja e komunave veriore në kuadër të Kosovës në vitin 1959 ka qenë artificiale, kështu që situata duhet të kthehet në mesin e shekullit të kaluar, kur Lugina e Preshevës ishte Kosovë, e pjesa veriore Serbi.

“Mendoj se ky do të ishte opsioni më i arsyeshëm. Por, po e përsëris, ky është mendimi im personal që është krijuar pas pesë vjetëve që po qëndroj këtu në Kosovë.”
Në kushtet kur të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, nuk janë deetnizuar, në kushtet kur Kosovës shtet i është bërë barrë e madhe veriu i saj duke e sfiduar pavarësinë e saj dhe duke mos i dëshmuar lojalitet Prishtinës zyrtare dhe në kushtet kur formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në veri -sipas kushteve serbe - do ta detronizonte shtetësinë kosovare, atëherë modeli i shkëmbimit të territoreve mes të dyja vendeve del të jetë i drejtë.

Sado që model i mbështetur në emotivitet e jo në racionalitet – duket se do të kënaqte edhe serbët e veriut të Kosovës, edhe shqiptarët e jugut të Serbisë – së këndejmi ky model mund të ndikojë në paqësimin përfundimtar të dy kombeve.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...