Kosova - e mirë vetëm në dialog me Serbinë

8 Tetor 2014 - 09:00 - Augustin Palokaj      

Raporti i Progresit për këtë vit do të lavdërojë Kosovën vetëm për arritjet në dialog me Serbinë dhe për përmbylljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Gjithçka tjetër në Kosovë është zi e më zi. Tashmë është bërë traditë që lidershipi politik i Kosovës kokulur të përmbushë “obligimet ndërkombëtare”, përfshirë edhe lëshimet ndaj Serbisë, e në të njëjtën kohë të dështojë tragjikisht në përmirësimin e gjendjes për qytetarët e vet në Kosovë

Nuk ka pasur ndonjë vit deri tash të jenë pritur me më pak kureshtje sesa tani raportet e progresit dhe strategjia e zgjerimit e BE-së. Kjo paketë, e njohur tradicionalisht si “Paketa e zgjerimit” do të miratohet edhe këtë vit, më saktësisht më 8 tetor, dhe ajo përsëri do të shërbejë si një auditim i gjendjes në procesin e zgjerimit të BE-së dhe nivelit të progresit që kanë arritur vendet e përfshira në të. Pse këtë vit kureshtja nuk është sikur viteve të mëparshme? Janë disa arsye. E para është se kësaj radhe nuk ka asnjë të panjohur sa u përket rekomandimeve të mundshme që mund të dalin nga kjo paketë. Secilin vit pritej me kureshtje se a do të propozojë apo jo Komisioni dhënien e statusit të kandidatit për ndonjë shtet, a do të propozojë për ndonjë kandidat nisjen e negociatave apo jo dhe a do të vërë kushte bashkëngjitur me rekomandimet e tilla.

Tash kur Serbia ka nisur negociatat, kur Shqipëria ka marrë statusin e kandidatit, kur Kosova i ka përmbyllur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe nuk mund të bëjë më asnjë hap të mëtejmë në proces pa u njohur nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur, Komisioni më nuk ka çfarë të rekomandojë. I vetmi rekomandim do të jetë ai për Maqedoninë, por kjo tashmë nuk shënon ndonjë lajm. Komisioni Evropian për të gjashtën herë radhazi do të përsërisë, ndonëse me një gjuhë paksa të ndryshme, nisjen e negociatave të anëtarësimit me këtë shtet, por duke e ditur se as kësaj radhe ky rekomandim nuk do të përfillet nga Këshilli ku Greqia si shtet anëtar ka të drejtë vetoje.
Pra, pa marrë parasysh se sa do të ketë regjistruar Komisioni Evropian përparim në ndonjërin shtet nuk do të mund të bëjë asnjë rekomandim si përfundim. Kjo është arsyeja e parë e mungesës së interesit dhe kureshtjes kësaj radhe.

Arsyeja tjetër është se këtë vit nxjerrja e këtyre raporteve vjen në fund të mandatit pesëvjeçar të Komisionit Evropian të udhëhequr nga Jose Manuel Barroso. Ky Komision në largim, me gjithë shumë sfida përmes të cilave ka kaluar procesi i zgjerimit të BE-së, mund të shënojë disa suksese në këtë proces. Kroacia në këtë periudhë ka përmbyllur negociatat e anëtarësimit dhe është bërë anëtar i 28-të i BE-së. Mali i Zi dhe Serbia kanë marrë statusin e kandidatit dhe kanë nisur tashmë edhe procesin e negociatave të anëtarësimit. Edhe Shqipëria, me shumë mund, ka arritur të marrë statusin e kandidatit. Bosnja e Hercegovina ka ngelur duke vendnumëruar dhe duke u kënaqur vetëm me një MSA, ndërsa për këtë Marrëveshje edhe Kosova i ka përmbyllur negociatat. Kjo gjithsesi në rrethanat ekzistuese në BE mund të konsiderohet si sukses në procesin e zgjerimit.

Por, Komisioni i ri Evropian, i udhëhequr nga Jean Claude Juncker, do të nisë punën me porositë e qarta se gjatë pesë viteve të ardhshme nuk do të ketë zgjerim, sepse BE-ja ka nevojë për një konsolidim të saj të brendshëm para se të pranojë shtete të reja anëtare në gjirin e saj. E kjo po ashtu automatikisht zvogëlon edhe kureshtjen dhe interesin për zgjerimin dhe me këtë edhe për përmbajtjen e raporteve të progresit. Kujt do të mund t’i interesonte aq shumë se si e vlerëson BE-ja një shtet i cili, së paku në 5 vitet e ardhshme, nuk do të mund të hyjë në BE. Dhe interes të madh nuk ka as tek liderët e shteteve për të cilat bëhen këto raporte, sepse ata nuk do të kenë ndonjë sukses të madh për ta shitur në opinion për përfitime politike. Zakonisht liderët e rajonit më shumë sesa për progresin e vërtetë të vendit të tyre drejt integrimit në BE janë të interesuar që sukseset në këtë drejtim t’i shfrytëzojnë për propagandë politike. Kjo, në disa raste, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, ka pasur edhe përmasa komike.

Me të gjitha këto fakte edhe këto raporte të këtij viti do të jenë njësoj të rëndësishme sikur të gjitha të mëparshmet. Jo vetëm për të determinuar fazën në të cilën gjendet një shtet i rajonit të Ballkanit dhe Turqia në procesin e integrimeve, por ato do të shërbejnë edhe si një lloj pasqyre e shtetit, e administratës publike, e sistemit gjyqësor, arsimit, shkencës, mjedisit, bujqësisë dhe shumë fushave tjera. Për secilin shtet edhe kësaj radhe leximi i raportit do të duhej të ishte sikur shikim i vetes në pasqyrë. Edhe kësaj radhe nuk do të kenë shumë arsye për t’u pëlqyer ato që shohin dhe për këtë nuk mund ta fajësojnë “pasqyrën”, në këtë rast raportin e progresit. Natyrisht se do të përmendet suksesi i Serbisë, e cila i ka nisur negociatat e anëtarësimit falë dialogut me Kosovën. Do të përmendet edhe suksesi i Shqipërisë, e cila ka arritur të marrë statusin e kandidatit në verën e këtij viti. Do të numërohen edhe kapitujt të cilët i ka hapur për negociatat Mali i Zi si vendi më i avancuar në këtë proces nga të gjitha shtetet e rajonit. Por do të jetë e qartë pas leximit të raporteve sesa larg janë këto shtete nga anëtarësimi në BE dhe se as në ëndërr nuk mund t’i paramendojë dikush si anëtare të BE-së në 5 vitet e ardhshme.

E Kosova është jo vetëm shumë larg BE-së, por edhe shumë larg vendeve të rajonit, të cilat janë shumë larg BE-së. Raporti i Progresit për këtë vit do të lavdërojë Kosovën vetëm për arritjet në dialog me Serbinë dhe për përmbylljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Gjithçka tjetër në Kosovë është zi e më zi. Tashmë është bërë traditë që lidershipi politik i Kosovës kokulur të përmbushë “obligimet ndërkombëtare”, përfshirë edhe lëshimet ndaj Serbisë, e në të njëjtën kohë të dështojë tragjikisht në përmirësimin e gjendjes për qytetarët e vet në Kosovë.

Për fat të keq të qytetarëve të Kosovës edhe Brukselit gjithnjë e më pak po i intereson situata e brendshme në Kosovë dhe po përqendrohet vetëm në ato fusha në të cilat BE-ja është direkt e përfshirë. Dialogu me Serbinë do të vazhdojë të tërheqë vëmendjen më të madhe të Brukselit siç ka qenë edhe deri tash në disa vitet e fundit. Por për gjendjen e keqe në Kosovë, e të cilën do ta konstatojë ky raport, duhet fajësuar lidershipin politik të Kosovës e jo Bashkimin Evropian. Me e keqja për Kosovën është kur në Bruksel na thonë se nuk duhet të shqetësohemi për këto probleme të cilat përmenden në raport progresi, nga krimi i organizuar, politizimi i gjykatave, problemet me lirinë e mediave, trafikimet e deri tek kriza politike. Na thonë se “edhe ashtu nga Kosova nuk presim më shumë”.

Kësaj radhe së paku një gjë është e qartë. Asnjë lider politik më nuk do të mund t’u shesë iluzione qytetarëve për “integrim të shpejtë në BE” apo për “heqje të shpejtë të vizave”, sepse duke përmendur këto dhe duke “garantuar” secilin vit se kjo do të ndodhë, ata qytetarëve u kanë shtuar edhe më shumë irritime. Mjafton vetëm të shikosh prapa dhe të numërosh se sa e sa herë u është premtuar qytetarëve të Kosovës se “këtë vit” do të hiqen vizat. Ndoshta vetë deklarimi i BE-së se nuk do të ketë zgjerim të shpejtë do të krijojë një rast për vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën, e cila është e fundit në proces, por ku janë iluzionet më të mëdha, që të fokusohen më shumë në zhvillimin e tyre të brendshëm dhe në atë mënyrë t’i afrohen me standarde BE-së sesa të krijojnë përshtypje se me vizita të politikanëve në Bruksel janë duke e integruar vendin në BE.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...