Mjaft më improvizime

30 Shtator 2014 - 08:27 - Flaka Surroi      

Por kjo nuk do të jetë e mundur përderisa populli e ka Hajt Pakun vendin e vetëm ku e zhvillon aktivitetin e vet qytetar dhe mjaftohet të tregojë aty sesi të gjithë janë hajna dhe se krejt duhet të shkojnë në burg

Lajmi i javës, sërish u bë gjykatësi Carolan, i cili ndërroi mendjen dhe tash vendosi të kthehet në Kushtetuese për një periudhë më të shkurtër kohore. Sipas një interpretimi shumë të logjikshëm, e bën këtë për t’ia siguruar kuorumin Kushtetueses, që do ta shqyrtojë edhe ndonjë lëndë që do të paraqitet nga kryetarja. Kjo e fundit, me qëllim që të marrë instruksione se si duhet vepruar, për shkak se tashmë i kanë treguar se si duhet të veprojë për shefin e Qeverisë.

Porse nuk e ka idenë se çka të bëjë me Kuvendin, duke marrë parasysh se është obligimi i saj që “...të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. E momentalisht, lëre që nuk i funksionojnë Kuvendi e Qeveria, por janë duke u defunksionalizuar të gjitha institucionet e tjera kushtetuese që derivojnë posaçërisht nga Kuvendi.

Carolani, nga ana tjetër, është dëshpërimi radhës. Sepse nuk dëshmoi të kishte moralin të pranonte se ishte riemëruar në formë kundërkushtetuese. Dëshmoi që këtë punë këtu e kryente për para, për shkak se problem paskësh qenë kontrata dhe vlera monetare, e jo parimi. Dëshmoi se sa joseriozë jemi si popull, që duron udhëheqës joseriozë, që mund t’i ndërrojnë vendimet dhe mendimet, sikur bëjnë fëmijët e pavendosur nëse e duan bonbonen e kuqe apo të kaltër. Tash bën e kuqja, po bën edhe e kaltra, por bën edhe e kuqja nëse s’më pëlqen e kaltra.

Dëshmoi se e gjithë jeta na është bërë improvizim dhe se improvizuesja kryesore është bërë Gjykata Kushtetuese, e cila e fëlliqi komplet nocionin e institucionit të pavarur që nuk i ngatërron kompetencat. E fëlliqi gjithashtu me interpretime sui generis (si shteti, apo jo?). Tash kemi ardhur te pika ku interpretimi i ngurtë i një vendimi stupid (se më bindës po tingëllon kështu në anglishte) do të na e shtyjë seancën konstitutive bile edhe nja tre muaj.

Pos, nëse paraqitet dikush i fuqishëm (natyrisht i huaj), që do t’i japë instruksionet e sakta se si duhet vepruar për ta zhbllokuar një situatë pa lidhje, që jo vetëm po na mban peng që të gjithëve, por edhe është duke e paralizuar jetën e të gjithëve, pos të hajnave dhe të të korruptuarve. Sepse këta, nuk ka kush i zë.

Kënga e Haxhisë

Në kohën sa isha studente, në mesin e shumë këngëve që kishin arritur majat e toplistës ishte edhe një patriotike, të cilën e këndonte një këngëtar, deri atëherë i panjohur, nga Maqedonia. Aq ishte bërë hit, sa kishte shërbyer edhe për të bërë shaka gjatë afatit të provimeve. Kreativët me sens humori, nëpërmjet emisionit të urimeve dhe përshëndetjeve, ua uronin provimin kolegëve me këngën; “Eu asnjë fjalë s'i shpëtoi o prej goje”.

Do të kishte qenë kjo këngë e cila e para m’u kujtua tek e dëgjoja, e më vonë edhe e lexoja, për të vërtetuar se ashtu e kishte thënë, Flora Brovinën, uzurpuesen e postit të kryetares së Parlamentit, kur thoshte se vazhdimin e seancës po e thërriste për datën 2 tetor dhe se në të nuk do të lejonte kurrfarë debati.

Për personin që është zgjedhur pesë herë deputete, dhe e cila do të mbahet në mend për nga fakti se ka qenë njëra nga deputetet më pasive që ka pasur Kuvendi i Kosovës, pra përafërsisht diçka siç e përshkruan vargu i parë i këngës “Lulëkuqja e Gjakovës”, është krejt normale të ndalojë debatin. Sepse në debat duhet të shpëtojnë fjalët nga goja dhe duhet t’i gjendet zgjidhja një bllokade të cilën me kokëfortësi e imponon shefi i saj me gjithë suitën e tij. Sepse ne masa e përgjithshme mund të imagjinojmë, kurse ata vetë e dinë, se çfarë kanë krejt për të humbur nëse nuk mbesin në pushtet edhe një mandat.

Dhe përderisa vargjet për “Lulëkuqen....” përfundojnë me një “...Ganimet moj krenaria e jonë”, kjo paraqitje për Brovinën s’mund të përfundojë ndryshe pos me një “Florë, u bone hor”. Sepse të gjithë ato vjet shkolle të kryera nuk i paskan mjaftuar për të kuptuar se në matematikë, e besa edhe në logjikë, 37 bëjnë më pak se 63, e besa edhe se 83.

Argumenti i saj dhe i partisë së saj është se kjo është seancë konstitutive e jo plenare, prandaj edhe nuk mund të ketë debat. Rregullorja e Punës nuk e thotë në asnjë vend të vetëm se nuk mund të ketë debat në seancën konstitutive. Po të përdorej logjika e shëndoshë (e jo kjo e PDK-së), atëherë kjo as që do të duhej të paraqitej as si kuaziargument, nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të përkufizimit të fjalës Parlament (apo parlement nga frëngjishtja e vjetër që është kombinim i fjalëve parler = të flasësh dhe ment = mendje). Pra të flasësh, mundësisht me mend.


Zgate Zot këtë mot

Dhe sa më shumë të zvarritet procedura e konstituimit të trupave legjislative dhe ekzekutive, aq më shumë i shkon uji në mulli PDK-së. Edhe nëse nuk po ia arrin dot t’ua thyejë kohezionin partive politike që çuditërisht kanë gjetur fuqinë për t’u bashkuar kundër saj, atëherë me çdo kusht është duke e futur në përdorim makinerinë e vet propagandistike për të krijuar opinionin se as Blloku nuk i ka hesapet në vend.

Ndonjë zë që tingëllon më ndryshe aty-këtu, ndonjë propozim i kundërt me atë që po flitet nga Blloku, merr e hiperbolizohet, thuajse erdhi kiameti dhe se nuk do të funksionojë “obstruksioni” që i bëhet “procesit kushtetues që thotë se veç PDK-ja mund të zgjedhë kryetar kuvendi dhe kryeministër shteti”. Do të ishte shumë interesante po të kuptohej se kjo është taktikë e zgjedhur nga Blloku për ta rrëzuar PDK-në në seancën e ardhshme edhe më shumë... e që kjo e fundit të mbetej veç me 36 votat e veta, përderisa hyn në votim e bindur se i ka blerë “të pakënaqurit”.

E se PDK-ja është duke e përdorur këtë kohë për të treguar se ajo është faktori i vetëm i stabilitetit në Kosovë dhe se shkuarja e saj në opozitë do të mund ta destabilizonte Kosovën nga aspekti i sigurisë – kjo nuk ka dyshim. Me vite të tëra ka luajtur me atë kartë; dhe jo rrallë ka qenë në gjendje të animojë masa për të dalë e për ta “shprehur pakënaqësinë” me ndonjë proces gjyqësor, apo ndonjë situatë tjetër që nuk ka të bëjë me ekonominë. Për më tepër, gjatë gjithë kohës sa ka qenë në pushtet, ka toleruar kultivimin e bandave kriminale të të gjitha llojeve. Ka toleruar trafikimin e terroristëve dhe ka lejuar pastrimin e parave për nevoja të organizatave të dyshimta, që, pos të tjerësh, edhe janë marrë me indoktrinimin e të rinjve. Janë marrë me importimin e rrymave të rrezikshme fetare që synojnë shkatërrimin e laicizmit të Kosovës.

Prandaj, edhe arrestimi i hoxhallarëve; futja e tyre në burg dhe lirimi nga paraburgimi janë lojëra shumë të rrezikshme që i luan ky pushtet. Duke u përpjekur të tregojë se stabiliteti është vetëm në duart e partisë në pushtet, do të na sjellë te pika ku do të humbet kontrolli edhe mbi këtë segment, dhe atëherë do të jetë vonë për të bërë çfarëdo qoftë. Pra, përderisa terrorizmi islamik zë vendin e parë në agjendën ndërkombëtare, PDK-ja tenton të dëshmohet si luftuesja e vetme e saj në Kosovë, duke u përpjekur për ta fituar përkrahjen e atij të fuqishmi (të huaj natyrisht), që do t’i japë instruksionet sesi të dilet nga kriza të cilën e ka krijuar vetë PDK-ja.

Hajtpakistat

E stabilitetin në këtë shtet mund ta ruajnë organet e rendit, po qe se duan. Ashtu siç kanë vepruar homologët e tyre në Serbi menjëherë pas vrasjes së kryeministrit Gjingjiq. Atje, megjithatë u gjetën boll njerëz të vendosur që kanë qenë edhe boll të guximshëm t’i fshijnë hajnat, vrasësit dhe kriminelët e tjerë të mëdhenj përpara, e t’i fusin në burg e t’ua konfiskojnë pasurinë. Fakt që një pjesë e këtyre që e bënin “pastrimin” ishin po aq të përfshirë në punë të pista të këtij lloji, porse me këtë veprim, ia siguruan vetes statusin e favorizuar karshi Evropës.

Edhe Kosova e ka shansin për ta bërë këtë punë shpejt dhe pa rrezik nga destabilizimi politik dhe ekonomik, sado që na kërcënohen me këtë. Për shkak se ne që moti nuk kemi stabilitet politik e as ekonomik, saqë arrestimi i ndonjë hajni të madh dhe konfiskimi i pasurisë do të konsiderohen madje si çlirim nga e keqja, pavarësisht se këtë luftë mund të bëjë dikush që është po aq i përfshirë në punë të dyshimta.

Por kjo nuk do të jetë e mundur përderisa populli e ka Hajt Pakun vendin e vetëm ku e zhvillon aktivitetin e vet qytetar dhe mjaftohet të tregojë aty sesi të gjithë janë hajna dhe se krejt duhet të shkojnë në burg.

Mbase për këtë kemi kësi shteti e këso udhëheqësish – sepse nuk meritojmë më mirë. Sepse ende nuk kemi mësuar se pos fjalëve duhet edhe guxim për të vepruar. Guxim për t’i hequr uzurpuesit e pushtetit, qoftë edhe të përcjellë me këngë.

flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...