Biznese, dënimet po vijnë

29 Shtator 2014 - 09:11 - Lumir Abdixhiku      

Teknikën dhe mjeshtërinë e dënimeve – veçanërisht bizneset – i kanë të njohura shumë. Jo më larg se në vitin 2011, në një situatë pothuajse të njëjtë buxhetore, për arsye gjithsesi të tjera, autoritetet mbledhëse ishin detyruar të gjejnë forma për rritje të të hyrave që nuk mjaftonin kurrë. Dënonin në rrugë, në depo, në inspektime në parapagime; për sa mërziteshin mund të dënonin edhe në gjumë

-1-

Një kronikë e emetuar në KTV këtë të mërkurë, rrumbullakonte një trend shqetësues të shpenzimeve publike që duket të ketë ngjarë jo tash, por gjatë proceseve elektorale dhe tentim-blerjes së zakonshme të pajtueshmërisë qytetare. Natyrshëm se ciklet e zgjedhjeve gjithmonë prekin ciklet e shpërndarjeve buxhetore – në secilin vend madje – por tek ne shpërndarja bëhet e çuditshme kur efektet e saj shndërrohen në barrë të përhershme për ciklet jozgjedhore.

Dhe kështu duket të ketë ngjarë edhe këtë herë. Sipas kronikës në fjalë, gjatë gjashtëmujorit të parë buxhetor, Qeveria e Kosovës kishte rritur dukshëm shpenzimet në mallra, shërbime e paga, për t’i zvogëluar në këmbim investimet kapitale. Pra, në një proces të rritjes së luksit dhe komoditetit të makinerisë publike, vendi kishte hequr dorë – çuditërisht – nga burimi kryesor (potencial) i rritjes ekonomike; nga vetë investimet. Si rrjedhojë, rënia e investimeve domosdo do të ulë potencialin e rritjes ekonomike tonën, për të stimuluar rritjen e konsumit kosovar – që përfundimisht rezulton me më shumë import e më shumë deficit tregtar. Një matematikë e tmerrshme për secilin hesapues them unë.

Por problemi i ndryshimit të balancave buxhetore mund dhe të mos jetë prioritar; sa mund të jetë shëndeti financiar i vendit që këtë vit merr një udhë të çuditshme shumë. Pak për shkak të planifikimeve të zmadhuara e shumë për shkak të neglizhencës institucionale që buron herë nga zgjedhjet e herë nga ngërçi politik, Kosova mund të përfundojë vitin me më pak të hyra të realizuara se sa të planifikuara. Për shembull, sipas raportimeve të gjashtëmujorit të parë, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë dukshëm mbrapa qëllimeve vetjake. Përderisa Dogana për gjashtëmujorin e parë arrin të mbledhë 340 milionë euro nga 930 të planifikuara; ATK arrin mbledhjen e vetëm 130 milionëve nga 367 të planifikuara. Të dy institucionet mbledhëse pra, sipas raportimeve vetjake kanë arritur të realizojnë për 50% të kohës kalendarike vetëm 36% të planifikimeve.

Natyrshëm se pjesa e dytë e vitit, siç dhe ka ndodhur gjithherë, do të jetë më produktive, por ama një ecje në kufijtë e tolerancës bëhet bukur e rrezikshme, sidomos kur akomodimet zgjedhore dhe neglizhencat e ngërçeve politike zënë vend.

-2-

Sipas kronikës në fjalë, rritja e luksit të makinerisë publike është reflektuar edhe nga rritja e shpejtë e punëtorëve në administratën publike; e që duket se ka marrë hov shumë edhe pas zhvillimeve të fundit politike. Pra të shtyrë nga emergjenca e lëshimit të fuqisë qeverisëse, partia në ikje nga pushteti duket të ketë shfrytëzuar gjithë këta muaj për akomodime të mëtutjeshme të militantëve, përkrahësve e mercenarëve tjerë partiakë.

Një rritje e tillë, e paplanifikuar, politike dhe gjithsesi pa shumë kualitet, nuk do të ketë vetëm implikime buxhetore për Kosovën në të ardhmen. Zënia e vendeve publike nga individë jokompetentë shpërfaq kosto shtesë të jofunksionimit efikas të administratës publike. E largimi i punonjësve publikë nga vendet e tyre të punës është një proces që s’bëhet kurrë; edhe po të ketë gjasa të ndodhë do të jetë i kushtueshëm e i vështirë shumë. Pra transferimi potencial qeverisës, përveçse lë shumë kosto të pamenduara mirë, lë edhe barrë kualitative për qeverisjet e ardhshme shumë.

Përtej rritjes së luksit publik dhe administratës publike, dy të dhëna – për mendimin tim – mjaft alarmante u dhanë në po të njëjtën kronikë. E para kishte të bënte me rritjen drastike të të hyrave nga dënimet policore (ishin bërë për gjashtë muaj plot 5 milionë); ndërkaq e dyta fliste për dënimet doganore, që ishin rritur për plot 193%.

Teknikën dhe mjeshtërinë e dënimeve – veçanërisht bizneset – i kanë të njohura shumë. Jo më larg se në vitin 2011, në një situatë pothuajse të njëjtë buxhetore, për arsye gjithsesi të tjera, autoritetet mbledhëse ishin detyruar të gjejnë forma për rritje të të hyrave që nuk mjaftonin kurrë. Atraktiviteti i autoriteteve mbledhëse ishte rrumbullakuar asokohe, fatkeqësisht e mjerisht, në dënime – dënime gjithandej. Dënonin në rrugë, në depo, në inspektime në parapagime; për sa mërziteshin mund të dënonin edhe në gjumë. E dënimet me gjithë presionin e vazhduar selektiv ndaj bizneseve, kishin arritur të mbushnin disi arkën e shtetit. Efektet anësore? Inflacion 8%, rritje ekonomike 2.5%, mbyllje të bizneseve 8%, rënie të performancës 54%. Viti më i rëndë ekonomik për Kosovën ishte bërë atëherë.

-3-

Dënimet sigurisht se do të jenë sërish alternativa e vetme e mbulimit – për aq sa munden – të hendekut buxhetor që buron pra nga rritja e luksit dhe rritja e numrit të përfituesve të luksit publik. Një vend kaq i varfër që në vazhdimësi rrit luksin publik, nuk ka se si ndryshe, përveçse më shumë anomali të shërojë anomalitë e shkuara.

Sepse, për të mos harruar, në 7 vitet e fundit Kosova vazhdimisht jeton në deficit. Ky deficit – ani pse i zvogëluar me trajtim prej bariu të keq ndaj gjedhëve – pra mjelje pa ushqim – vazhdon megjithatë të krijojë hendek që duhet mbuluar prej diku; i thonë borxh pra. Deri më tani alternativat mbuluese kanë qenë borxhet e letrave me vlerë. Tash kur letrat me vlerë të brendshme nuk bëhen atraktive më, sepse nuk ka kush produktivitet të mjaftueshëm për t’i kthyer ato bashkë me interes, tash kur borxhi publik ka arritur në gati 1 miliard euro, dhe tash kur sjelljet politike kanë prodhuar anomali të ndryshme mbledhëse e harxhuese të parasë publike, tash do të kemi pra vetëm dy mundësi.

E para, që të rrisim të hyrat buxhetore shpejt e si mundemi – dhe kanë për të mundur shpejt e shpejt vetëm me dënime ndaj bizneseve; dhe e dyta, që të ulim investimet kapitale ngado që ka – por për ulje të luksit mendja nuk ka për t’i shkuar kurrë. Në të dy rrethanat, nëpërmjet rritjes së dënimeve e formave jonatyrale të mbledhjes së të hyrave, do të rrisim çmimin, ulim performancën e bizneseve (pra shitjet) e prekim kështu rritjen e vendeve të reja të punës. Nëpërmjet uljes së investimeve në anën tjetër, do të stagnojmë më shumë ekonomikisht, në rritje ekonomike, në zhvillim ekonomik e në mirëqenie ekonomike. Në fund të vitit do të përfundojmë sigurisht me numra jo prosperues ekonomik. Po ja që ka kohë që kush nuk mërzitet për ekonomi këndej. E kemi mjerisht të dorës së dytë standardin e jetës sonë.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...