EULEX-i nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për dështimet në Kosovë

28 Shtator 2014 - 10:51 - Augustin Palokaj      

Derisa situata aktuale në Kosovë është një dështim i strukturave vendore të sigurisë, EULEX-i nuk mund t’i ikë kurrsesi përgjegjësisë dhe duhet të përballet me pyetjet logjike pse Kosova sot është e tillë çfarë është, me gjithë ato qindra miliona euro, të cilat i ka shpenzuar Bashkimi Evropian në këtë mision, më të madhin dhe më të rëndësishmin në historinë e BE-së në këtë fushë

Vetë Bashkimi Evropian sot e sheh Kosovën si vend ku lulëzon krimi i organizuar, ku nuk ka vullnet të duhur për të luftuar korrupsionin, ku ka ndërhyrje politike në gjyqësor dhe vend ku kërcënohen dëshmitarët në proceset gjyqësore, vend transiti për kontrabandën me drogë, me fëmijë dhe tregti me qenie njerëzore.

Krejt këto epitete Kosovës i janë përshkruar në shumë raporte progresi radhazi, çdo vjeshtë, secilin vit, të cilat i ka përpiluar vetë Komisioni Evropian.

Dhe nuk ka arsye të mos jetë kështu edhe kësaj radhe, më 8 tetor, kur në Bruksel do të bëhet publik Raporti i progresit për këtë vit. Madje përshkrimeve mund t’i shtohet edhe rritja e ekstremizmit fetar, kërcënimi që i bëhet Evropës nga grupet dhe individët ekstremë, të cilët kanë gjetur për vite hapësirë veprimi në Kosovë.

Mund t’i shtohet këtij përshkrimi edhe vetë mendimi i BE-së se në Kosovë nuk ka kushte për të zhvilluar proceset gjyqësore për krime të rënda lufte dhe krime kundër njerëzimit; si do të arsyetohej ndryshe insistimi që për krime të tilla të zhvillohen proceset jashtë territorit të Kosovës.

Krejt kjo situatë në Kosovë është një dështim i strukturave vendore të sigurisë. Jemi të vetëdijshëm se ato janë përgjegjëset primare për situatën e krijuar, sepse Kosova tash, së paku në letër, është vend me pavarësi të plotë.

Por, Kosova, në fakt, nuk e ka pavarësinë e plotë, sepse krijimi i shtetit ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndërmarrje dhe një përgjegjësi e përbashkët. Në këtë rolin kryesor e ka Bashkimi Evropian dhe misioni i tij në fushën e rendit dhe ligjit - EULEX-i. Ai nuk mund t’i ikë kurrsesi përgjegjësisë për situatën e krijuar në Kosovë. Duhet të përballet me pyetjet logjike pse Kosova sot është e tillë çfarë është me gjithë ato qindra miliona euro, të cilat i ka shpenzuar Bashkimi Evropian në këtë mision, më të madhin dhe më të rëndësishmin në historinë e BE-së në këtë fushë.

Këtë pyetje para disa vitesh e kishin parashtruar edhe anëtarët e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, të cilët kishin konstatuar dështimin e EULEX-it. Në atë kohë përgjigjja ishte se “EULEX-i tashmë i ka marrë parasysh rekomandimet dhe ka marrë masa të cilat do të sjellin rezultate”. Por, qytetarët e Kosovës, e edhe një pjesë e vetë diplomatëve evropianë, nuk janë edhe aq të kënaqur me ato rezultate. Të gjithë ata kanë pritur më shumë nga ky mision.

Në Bruksel, sa herë që flitet për EULEX-in, ekzistojnë dy qëndrime.

Njëri qëndrim, zyrtar, sipas së cilit “EULEX-i ka bërë një punë të madhe në Kosovë në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ndihmën e organeve vendore për të forcuar kapacitetet e tyre”, dhe një tjetër mendim, privat, ku pranohet se suksesi ka qenë shumë i limituar dhe Kosova sot nuk është ashtu siç do të dëshironin.

Pjesëtarët e EULEX-it dhe vendet anëtare të BE-së mund të thonë vërtet se “situata e sotme në Kosovë është dështim i kosovarëve” dhe se “u takon atyre të luftojnë krimin dhe korrupsionin”. Por në mandatin e EULEX-it është që të ndërhyjë nëse autoritetet e Kosovës nuk e bëjnë këtë, sidomos në rastet e krimeve të rënda, duke përfshirë edhe shpërdorimin e fondeve të mëdha.

Në të kaluarën edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte shprehur pakënaqësinë me misionin e EULEX-it, duke thënë se ata nuk i kanë kapacitetet e duhura për të kryer detyrat e veta. Ai këtë e kishte thënë më shumë për shkak të irritimit që kishte NATO-ja me detyrat EULEX-it, sidomos në veri të Kosovës, e të cilat nuk i kryente dhe i mbeteshin si patate e nxehtë ushtarëve të NATO-s. E ushtarët nuk mund të bëjnë detyra të misionit civil. Prandaj edhe kritikohej EULEX-i dhe nga NATO-ja, edhe pse, në fund, për shkak të mirësjelljes, thuhej se “në terren ekziston një bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes KFOR-i dhe EULEX-it”.

Por, nëse shikohet mirë e tërë puna e EULEX-it, arsyetimin për mosrealizimin e pritjeve duhet kërkuar më shumë në pengesat politike sesa në mungesë të kapaciteteve. Edhe pse thuhet se ky mision nuk është i ndikuar politikisht, fakt është se ai është vendosur atje me vendim politik.

Në anën tjetër, BE-ja gjithmonë i ka dhënë prioritet stabilitetit politik më shumë sesa zhvillimit të demokracisë. E aty ku nuk ka zhvillim të demokracisë nuk ka as llogaridhënie, as përgjegjësi politike e si pasojë nuk mund të ketë as sundim të duhur të ligjit.

Për të mos e prishur atë stabilitet politik, BE-ja nuk i ka dhënë sa duhet mbështetje politike EULEX-it që të godasë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel të lartë. Pasojat e një politike të tillë do të ndihen me vite. Po ashtu, vendet anëtare duhet të pranojnë se nuk e kanë ndihmuar sa duhet EULEX-in as me dërgimin e ekspertëve dhe kuadrove më të mira profesionale.

Tash kur ky mision do të ketë mandat edhe së paku dy vjet, koha është që të dëshmojë rezultate edhe para qytetarëve të Kosovës, por edhe para vetë qytetarëve evropianë. Për këtë duhet një transparencë më e madhe nga e tërë BE-ja në qasjen e saj ndaj Kosovës dhe në raportet me politikanët kosovarë. Nuk mund të thuhen lëvdata për Kosovën në deklaratat para kamerave pas takimeve me ta, dhe në të njëjtën kohë në raporte të shkruara Kosova të përshkruhet zi e më zi. Në fakt, duket se problemi është i njëjtë si me EULEX-in, si me autoritetet e Kosovës. E ai është mungesa e vullnetit politik. Ndoshta edhe vetë pjesëtarët e EULEX-it në terren janë viktimë e kësaj.

Por duhet tërhequr vërejtjen të gjithë atyre të cilët nuk i durojnë kritikat: nëse kritikohet EULEX-i, kjo nuk do të thotë se kritikuesit mendojnë se do të ishte më mirë pa të. Pasi është në Kosovë, dhe atë me një prani mjaft të madhe dhe me kompetenca të larta ekzekutive, duhet të dëshmohet me rezultate.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...