Shpërdoruesit e lirisë

25 Shtator 2014 - 09:10 - Enver Robelli      

Si po keqpërdoret gazetaria nga kriminelët në Kosovë? Dhe si bëhet propagandë me deklarata herë të rrejshme, herë të fryra të diplomatëve perëndimorë?

1.
Si rrallëherë më parë në Kosovë po përjetojmë një valë lajmesh të rrejshme, të porositura, të shkruara me energji kriminale nga lloj-lloj vrasësi virtual, që merret me biçim-gazetari dhe kështu fëlliq një profesion aq të rëndësishëm për shoqërinë, siç është profesioni i gazetarit. Portale e gazeta të verdha në pronësi të politikanëve të korruptuar, të spiunëve të regjur dhe të oligarkëve belbëzues prej vitesh po përpiqen të varrosin të vërtetën, të mashtrojnë publikun dhe të nxjerrin sa më shumë përfitime nga biznesi me informata të manipuluara. Përgjegjësi për informatat e rrejshme nuk jep askush. Sistemi gjyqësor është aq i ngathët, saqë nuk mund të gjykojë vrasës – e lëre më shpifës e terrorizues të opinionit publik.

2.
“Rreziku që vjen nga gazetaria e sahanlëpirëseve” – këtë titull ia pata vënë një komenti në vitin 2008, kur kishte nisur të përhapej gjerësisht fenomeni i “gazetarëve” që shkruajnë me porosi dhe për rrenat e tyre paguhen nga ata që kanë interesa politike apo tregtare. Sot ky model - i importuar edhe nga Tirana - është etabluar në Kosovë. Çdo gazetar serioz duhet të luftojë shumë që të mbrohet nga stërpikat e këtij moçali. Motoja e punës e shumicës së portaleve (me përjashtime, natyrisht) është të shkaktojnë huti e konfuzion në betejën politike mes partive të ndryshme. Plasohet lajmi i rrejshëm, pastaj kopeja e “lexuesve”, kryesisht militantë e gomarë partiakë pa tru, ia fusin një mori komentesh fyese – online. Kështu synohet të manipulohet opinioni. Dhe kështu si po ecën puna jemi në rrugë të keqe, e cila po e çon shoqërinë e Kosovës drejt kanibalizmit.

3.
Para dy dekadave shkencëtari amerikan i medieve, Neil Postman, e kishte vërejtur rrezikun që i kanosej demokracisë nga kanibalët. Ai shkruante: “Orteku i informatave, të cilat i kanë sjellë mbi ne teknologjitë e reja, është një tirani, sepse na pengon në konstruksionin e tregimeve që pasurojnë jetën, duke na e zhvendosur vëmendjen dhe duke na tkurrur forcën. (...) Informata është bërë bërllok. Neve na vërshon informata, nuk jemi në gjendje ta zotërojmë atë, nuk e dimë se ç’të bëjmë me të. Mekanizmat tanë mbrojtës kundër ortekut të informatave janë rrëzuar; sistemi ynë imun kundër informatave nuk funksionon më”.

4.
Përfundimi i vetëm që mund të nxjerrin lexuesit në Kosovë nga komenti i shkencëtarit amerikan është ky: mos lexoni bërllok, lexoni gazeta serioze! Kosova nuk ka shumë të tilla, por një a dy i ka! Bërlloku informativ në Kosovë është falas, mund të konsumohet 24 orë, mjafton të keni lidhje interneti. Por, pas konsumimit të këtij bërlloku, askush, asnjë qytetar, asnjë qytetare, nuk do të ndihet rehat, sepse nuk do të jenë të informuar për politikën, shoqërinë dhe kulturën. Në rastin më të mirë do të jenë të keqinformuar, në rastin e rëndomtë do të jenë të manipuluar, të gënjyer dhe të instrumentalizuar. Ekziston një koalicion kriminal mes një turme gazetarësh dhe politikanësh, që ushqehen mes vete dhe helmojnë opinionin. Agjenda e gazetarëve që i shërbejnë krimit nuk ka qenë kurrë në shërbim të përparimit të shoqërisë. Ky soj gazetarësh i ndërrojnë padronët sipas parimit: “Kush paguan më shumë?” Kur ua ndalin ujemin politikanët e financuesit, atëherë gazetarët e tillë ndërrojnë padronin – për t’u dëshmuar sërish si kameleonë të devotshëm, përherë të gatshëm të bien në gjunjë për favore të vogla e të mëdha. Një model që është parë nën regjimin e Fatos Nanos, Sali Berishës dhe, së fundi, edhe nën qeverisjen në dukje demokratike të Edi Ramës. Ky yrnek, siç u përmend, ka shtrirë rrënjë edhe në Kosovë.

5.
Shpërdorimi i lirisë mediale shihet më së shumti në propagandën e madhe që mediet e regjimit të Hashim Thaçit bëjnë kundër oponentëve politikë të shefit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Nuk kalon ditë pa u prodhuar një rrenë portalesh se kjo apo ajo ambasadë, ky apo ai diplomat qenka shprehur për apo kundër këtij politikani, për apo kundër këtij vendimi, në favor apo kundër këtij privatizimi. Pas shpërndarjes së rrenave angazhohen analistët e regjimit: ata që për çdo problem kërkojnë “ndërhyrjen e miqve ndërkombëtarë”, sepse klasa politike e Kosovës nuk qenka në gjendje të zgjidhë ngërçin politik. Në fakt zgjidhja ekziston nga ai moment kur secila parti pranon se ekziston një shumicë parlamentare – pa marrë parasysh a i pëlqen dikujt apo jo kjo shumicë. Në Kosovë nuk ka ngërç politik, por ka zaptim të shtetit nga pushteti i deritanishëm.
6.
Prej se ka ardhur në pushtet regjimi i Thaçit vartësit e tij pjesën më të madhe të energjisë e kanë harxhuar duke blerë e shitur medie e gazetarë-prostituta, duke futur nën kontroll absolut medie të ashtuquajtura publike dhe duke angazhuar brigada për njollosje, të cilat në portalet e regjimit në mënyrë të sinkronizuar atakojnë pa asnjë argument çdokënd që me fakte godet krimin e korrupsionin, keqqeverisjen dhe keqmenaxhimin. Shërbëtorë të Thaçit kanë harxhuar shumë kohë për të njollosur oponentët politikë në ato që quhen “dreka” apo “darka” me diplomatë. Disa diplomatë e kanë një tabiat të mirë: shpesh tregojnë se ç’flitet në këto pritje. Për shembull: shumica e zyrtarëve të PDK-së që punojnë në institucionet qendrore në këto “takime me diplomatë” flasin dy minuta për izolimin e Kosovës dhe kërkojnë heqjen e vizave për hapësirën e Schengenit, pastaj 20 minuta zbrazin batare rrenash kundër çdo kritiku nga kampi politik. Derisa në Gjermani vlen rregulli që para të huajve qeveria nuk e kritikon asnjë oponent politik vendas, në Kosovë vlen e kundërta: para të huajve pushteti shfrytëzon krejt arsenalin për ta goditur e shkatërruar çdo rival.

7.
Në Kosovë zagarë të ndërsyer nga pushteti, portale dezinformative dhe bjerrakohës të Facebookut vrapojnë të plasojnë lajme të rrejshme dhe të mjegullta se, për shembull, Albin Kurti, kryetar i “Vetëvendosjes”, partisë së tretë parlamentare në Kosovë, nuk qenka i pranueshëm për Evropën e Amerikën. Madje nuk fshihet edhe njëfarë gëzimi cinik që Kurti qenka “i padëshirueshëm”. Shefi i VV-së mund të ketë bërë disa gabime politike, por a ka bërë ndonjë krim? A ka marrë pjesë në agresion aktiv kundër popujve të tjerë? Jo. Kurrë. Pjesë e propagandës së pushtetit aktual kosovar dhe e leckave të tij janë bërë edhe disa diplomatë perëndimorë në Kosovë, sepse janë mësuar me politikanë servilë, të cilët nuk kanë asnjë qëndrim, por vetëm presin urdhrat nga jashtë. Por, a di ndonjëri nga këta diplomatë t’i përgjigjet pyetjes: përse qenkan të pranueshëm Tomislav Nikoliqi e Aleksandar Vuçiqi me historinë dhe biografitë e tyre të dyshimta dhe përse stigmatizohet Kurti që s’ka asnjë njollë kriminale? Sepse çdokush, edhe diplomatët, kanë aq respekt për ty sa ke ti për vete! Për fat të keq, jo pak shqiptarë janë oportunistë dhe servilë të papërmirësueshëm. Rrjedhimisht, edhe diplomatët mund të luajnë në Prishtinë me fatin e një populli, sepse nuk i korrigjon askush, as nuk i kundërshton.

8.
Tomislav Nikoliqi gjatë luftës së Bosnjës e ka marrë titullin “vojvodë” nga prijësi i çetnikëve Vojislav Sheshel. Si “vojvodë” Nikoliqi ka nxitur urrejtje dhe - me gjasë - edhe ka marrë pjesë direkt në agresionin kundër Kroacisë dhe Bosnjës. Vetë Vojislav Shesheli së fundi para Tribunalit të Hagës ka deklaruar se në luftërat e Kroacisë dhe Bosnjës ka qenë bashkë me Nikoliqin. “Nëse unë jam i përzier në krime lufte, atëherë Nikoliqi është bashkëpjesëmarrës i drejtpërdrejtë me mua”. Drejtësia aq e drejtë ndërkombëtare nuk e ka akuzuar kurrë Nikoliqin. Sot ai është president i Serbisë dhe diplomatët perëndimorë presin në rend për ta takuar. Aleksandar Vuçiqi në fillim të viteve ‘90 ka qenë vullnetar në luftën e Bosnjës, konkretisht në rrethimin e Sarajevës. Pastaj ka punuar në “shërbimin informativ” të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mladiqit në Pale, një qytezë afër Sarajevës. Sot Vuçiqi është kryeministër i Serbisë dhe pritet e mirëpritet në çdo kryeqytet të Evropës. Diplomatët vrapojnë për ta takuar dhe për të diskutuar me të për integrimet evropiane. Për të kaluarën e Vuçiqit nuk flet asnjë diplomat evropian.

9.
Për të qenë situata edhe më bizare për përbërjen e qeverisë se re të Kosovës ka filluar të deklarohet edhe Marko Gjuriqi, drejtor i kancelarisë për “Kosovë e Metohi” të Republikës së Serbisë. Ai nuk ka asgjë kundër që Kosova të qeveriset edhe më tutje nga Thaçi dhe kamarila e tij, por kurrsesi nuk dëshiron që pushtetin ta marrin katër parti shqiptare që përfaqësojnë shumicën e popullit të Kosovës. Më i papranueshmi për Gjuriqin është Albin Kurti. A thua përse? Sepse Gjuriqi e di që Kurtin nuk di si ta shantazhojë. Nëse tri partitë e tjera shqiptare (LDK, AAK dhe Nisma) nuk hyjnë në lojëra të fëlliqura dhe nëse nuk bien pre e joshjeve nga PDK-ja, atëherë ky koalicion i shumicës shqiptare mund ta determinojë politikën e Kosovës përtej një mandati - natyrisht po qe se LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma bëhen vetëvendosëse, ndërsa “Vetëvendosja” më racionale. Pikërisht kjo perspektivë e tmerron Gjuriqin dhe mediet e gazetarët e zgjebosur të Hashim Thaçit në Prishtinë, të cilët, nesër, nëse vjen në pushtet një qeveri e re, do të jenë të parët që do të përpiqen të shiten në zyra e qymeze qeveritare. Kosova duhet të çlirohet nga këta gazetarë dhe nga regjimi i Thaçit. Tek atëherë mund të shpresojmë se Kosova do ta shohë agun e lirisë së vet aq të nëpërkëmbur që nga viti 1999.

robelli@bluewin.ch
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...