Bashkësia ndërkombëtare nuk sheh zgjidhje në Kosovë, e cila do t’ua shpëtonte fytyrën të gjithëve

24 Shtator 2014 - 08:43 - Augustin Palokaj      

Shumë diplomatë perëndimorë tash pranojnë se nuk shohin më dalje nga lëmshi i krijuar në Kosovë në procesin e krijimit të institucioneve të vendit përmes një zgjidhjeje, e cila do t’ua ruante fytyrën të gjithë politikanëve. Edhe pse shumë prej tyre pajtohen se tashmë kanë dyshime në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, zyrtarisht pohojnë: “Duhet të bëjmë thirrje që të respektohet Kushtetuesja, përndryshe do të pranonim dështimin e plotë edhe të Kosovës, edhe të bashkësisë ndërkombëtarë në tërë këtë që kemi investuar në Kosovë”

Nëse përpjekjet e përbashkëta të PDK-së, presidentes së vendit dhe të Gjykatës Kushtetuese vërtet arrijnë të pengojnë ndërtimin e institucioneve të Kosovës nga ana e koalicionit paszgjedhor, VLAN, kjo do të jetë një precedencë në Evropë.

Do të jetë ndoshta rasti i rrallë në një vend me sistem shumëpartiak me demokraci parlamentare, kur ata të cilët i kanë votat e duhura në Parlament nuk lejohen të ndërtojnë strukturat e pushtetit. Kjo është arsye pse shumë zyrtarë evropianë mendojnë se kriza në Kosovë ka shkuar tepër larg dhe është bërë shumë vështirë që të gjithë të dalin me fytyrë të pastër nga kjo krizë. Prandaj edhe nuk dëshirojnë të përzihen në këtë proces, duke pritur që vetë aktorët politikë në Kosovë të jenë zgjidhje dhe në një mënyrë edhe të dëshmohen se janë në gjendje ta qeverisin vendin e tyre, i cili, së paku në letër, do të duhej të ishte i pavarur.

Edhe pse askush nuk e vë në dyshim se fitues relativ i zgjedhjeve të qershorit ishte koalicioni parazgjedhor i udhëhequr nga PDK-ja, diplomatët evropianë habiten se si në Kosovë pothuajse i mohohet e drejta për krijimin e strukturave të pushtetit atyre të cilët ndërtojnë koalicione paszgjedhore, sado parimore apo jo të jenë ato koalicione. Kjo gjë është e papranueshme për Evropën dhe diplomatët thonë se do të ishin të tmerruar sikur në shtetet e tyre të jetë ashtu.

“Paramendoni sikur logjika e Kosovës të përdorej në Francë. Në zgjedhjet e fundit atje, në ato për Parlamentin Evropian, fitues relativ ka dalë Fronti Nacional. Paramendojeni që rezultati i tillë të jetë edhe në zgjedhjet nacionale. A do të thoshte kjo se në Francë mund të qeverisë atëherë vetëm kjo forcë e ekstremit të djathtë. Apo në Britani të Madhe Partia e ngjashme UKIP. Natyrisht se të gjithë, madje edhe kundërshtarët më të zjarrtë, do të bëheshin bashkë për ta ndaluar këtë gjë”, thotë një diplomat evropian.

Në anën tjetër tashmë janë të njohur shumë raste në vendet e Bashkimit Evropian në të cilat partia e cila ka dalë e para në zgjedhje, pra fituese relative e shumicës nën 50 për qind të votave, si pasojë e pamundësisë që të gjejë aleatë të mjaftueshëm për të siguruar votat në Kuvend, ka mbetur në opozitë. Nuk ka as edhe një rast të vetëm që dikush ta ketë formuar qeverinë duke e pasur shumicën e Kuvendit kundër. Edhe pse pajtohen se nuk janë ekspertë juridikë, diplomatët evropianë pranojnë se janë të habitur me interpretimet të cilat i ka bërë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Shumë diplomatë perëndimorë tash pranojnë se nuk shohin më dalje nga lëmshi i krijuar në Kosovë në procesin e krijimit të institucioneve të vendit përmes një zgjidhjeje e cila do t’ua ruante fytyrën të gjithë politikanëve. Edhe pse shumë prej tyre pajtohen se tashmë kanë dyshime në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese zyrtarisht pohojnë: “Duhet të bëjmë thirrje që të respektohet Kushtetuesja, përndryshe do të pranonim dështimin e plotë edhe të Kosovës, edhe të bashkësisë ndërkombëtare në tërë këtë që kemi investuar në Kosovë”.

“Natyrisht se ne duhet të bëjmë thirrje që të respektohen gjykatat. Ne, pa marrë parasysh se çfarë mendojmë për to, duhet të themi ashtu. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi rezervat tona për punën e atyre gjykatave dhe kemi tërhequr vërejtjen disa herë kundër politizimit të tyre”, thotë një diplomat i BE-së.

Pos që thonë se janë vetë kosovarët ata të cilët duhet të gjejnë rrugëdalje nga kjo krizë institucionale, dhe mundësisht pa zgjedhje të reja, në Bruksel po ashtu pohojnë se “vetë kosovarët bartin përgjegjësinë për pasojat që do t’i ketë Kosova”. Madje disa, në mënyrë ironike, thonë se ka qarqe në BE, të cilat në një mënyrë do ta shfrytëzojnë këtë anarki që po krijohet në Kosovë, krahas rritjes së ekstremizmit fetar, si arsyetim për të ngadalësuar dhe penguar liberalizimin e vizave.

Sjellja e liderëve kosovarë në stilin se “i mirë është vetëm ai shtet ku unë jam në pushtet” dhe se “nuk ka jetë nëse nuk jemi në pushtet” pos që i ka lodhur qytetarët e Kosovës ka filluar t’i irritojë tej mase edhe diplomatët perëndimorë.

Disa prej tyre thonë se, në rast se do të mund të ndihmonin, ndoshta edhe do të hiqnin dorë “jozyrtarisht!” nga disa parime dhe të ndërhynin, por nuk duan të mbajnë përgjegjësi. “Çfarëdo zgjidhjeje të ketë do të mbetet dikush i pakënaqur. Kjo është një situatë kur askush nuk pranon të jetë në opozitë. PDK-ja thotë se e ka Gjykatën Kushtetuese, bazohet në votat e popullit dhe nuk lëshon pe. Të gjithë të tjerët thonë se i kanë votat në Kuvend dhe duan të krijojnë institucionet, sepse kanë arritur një koalicion paszgjedhor. Në këtë rast nuk mund të gjejmë zgjidhje e cila do t’i kënaqte të gjithë e kam frikë se as zgjedhjet e reja nuk do të sqaronin deri në fund këtë gjë”, thotë një diplomat.

Në Bruksel, dhe në disa kryeqytete evropiane, edhe pse publikisht nuk janë përzier, kanë ndjekur zhvillimet në Kosovë dhe kanë bërë kalkulimet e tyre. Disa kanë menduar se do të gjendet një zgjidhje sipas së cilës deputetët e bllokut VLAN do të votojnë për kandidatin e PDK-së për kryetar Kuvendi për të marrë nga presidentja mandatin për të formuar Qeverinë. Por, dyshojnë se mos PDK-ja prapë do të gjente një mekanizëm për ta penguar këtë. Në anën tjetër janë të vetëdijshëm se kjo do ta sfidonte marrëveshjen e bllokut, sepse nuk do të kishte ndonjë pozicion për liderin e LDK-së, Isa Mustafën. E mandati i presidentes ruhet po ashtu nga Gjykata Kushtetuese deri në fund të mandatit të saj.

Tash bllokut i është bashkuar edhe “Vetëvendosje”. Kjo fillimisht ka shkaktuar një frikë në Beograd, në mesin e deputetëve të Listës Serbe, por edhe në Bruksel. Por, së paku sa i përket bashkësisë ndërkombëtare, shqetësimet janë hequr pas informatave “jozyrtare” se nga ana e “Vetëvendosjes” delegacionin e Kosovës në dialog me Beogradin do ta udhëhiqte Ilir Deda (do të kryente punën që sot bën EditaTahiri), ndërsa në takimet e nivelit të lartë do të takoheshin kryeministrat. Prandaj edhe nuk e shohin më si problem.

Kundërshtimin eventual të deputetëve serbë e shohin si diçka që nuk do të ishte e mirë, por pranojnë se atyre, edhe pse duhet t’u jepen vendet që u takojnë me Kushtetutë, nuk duhet t’u jepet e drejta të bllokojnë. “Në Kosovë po shohim shumë elemente që bllokojnë procese e na duhen elemente që mundësojnë proceset të shkojnë përpara”, shprehen me fjalonin e tyre diplomatik zyrtarët e BE-së në Bruksel.

Tash edhe këtë javë do të presin të shohin se çfarë do të sjellin zhvillimet në Kosovë. Edhe po të duan të përzihen “ndërkombëtarët” nuk e dinë se çfarë të bëjnë. E ata diplomatë të cilët mendojnë se puna është “e thjeshtë”, dhe duhet të bindin PDK-në që të pranojë se të tjerët i kanë votat në Kuvend dhe duhet të dalë në opozitë, edhe pse si blloku më i fortë parazgjedhor, nuk duan ta bëjnë këtë, sepse kanë frikë se mos Gjykata Kushtetuese po i shpall shkelës të Kushtetutës.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...