Jena bo me na kajt’ Rahoveci

23 Shtator 2014 - 08:41 - Flaka Surroi      

Me emrin Rahovec u ndesha për herë të parë si fëmijë – sa herë që përpiqesha ta shuaja kureshtjen fëmijërore për ta ditur se ku po dilte nëna, atëherë kur nuk më merrte me vete, më përgjigjej: “Po shkoj në Rahovec”.

Truri i fëmijës në atë moshë të njomë, kur i përmendet një nocion i panjohur, nis parafytyrimin e atij vendi – dhe imagjinata ime ma kishte qëndisur Rahovecin si një vend të bukur, të parëndomtë, ndryshe nga lagjja ime ku po rritesha e rrethuar me shumë shoqëri dhe dashuri. Duhet ta pranoj se realiteti ishte shumë më ndryshe sesa parafytyrimi im.

Qytezën e Rahovecit, posaçërisht fshatrat e kësaj komune, do t’i njihja shumë mirë nga fundi i viteve ’90, fillimisht gjatë fushatës së vaksinimit kundër paralizës së fëmijëve, e më pas gjatë luftës. Pamja që më kishte mbetur thellë në kujtime ishte ajo e kulmeve me rrasa të shtëpive të ulëta, të cilat për fat të keq nuk janë më dhe vështirë gjenden jashtë disa fshatrave të Malishevës. Gjithashtu mbresëlënëse ishte kinemaja e qytetit buzë teqesë, të cilën barbarisht e shkatërruan serbët gjatë luftës, si dhe ndërtesa e Kuvendi Komunal, si objekt administrativ, që nuk u ngjasonte shtëpive të tjera.

Ky do të jetë vendi ku për herë të parë do të takohesha me mbiemrin Bugari, për të kuptuar për ndikimin që kishin lënë bullgarët, që nga koha e luftërave ballkanike, posaçërisht te gjuha, e cila është shumë, shumë karakteristike për vetëm atë trevë. Por edhe do të jetë vendi ku do t’i zbuloja njerëzit që më së shumti e duan tokën, të cilën e punojnë. Aq sa madje gjatë luftës qarkullonte shakaja për rahovecianin dhe luftën. Se si ky nuk bëzajti kur serbi e rrahu dhe e keqtrajtoi; as nuk u kundërvu kur ia plaçkitën shtëpinë. Ama kur serbët i futën tanket nëpër fushat e mbjella me speca, atëherë kapi pushkën në dorë.

Nuk e di se si do të jetë dukur Rahoveci në kohën kur është krijuar thënia e cila sot përbën titullin e kësaj kolumneje, simbolikën e situatës në të cilën gjendemi. Mbase do të ketë qenë vend i vogël dhe i mjerë për t’u krahasuar me Prizrenin e moçëm. Sido që të jetë, për të shmangur çfarëdo keqkuptimi me miqtë e mi rahovecianë, për të cilët mendoj se janë më punëtorët ndër kosovarë dhe për të cilët kam respekt të madh, është se e bëra këtë sqarim hyrës.

Lajmi i mirë, lajmi i keq

Për mua pa dyshim, lajmi i javës ishte vendimi i gjykatësit të Kushtetueses, amerikanit Carolan, që të mos e vazhdonte kontratën më. Reagimi im i parë ishte ai i besimit se në Kosovë do të mund të gjendeshin njerëz të moralshëm, që do të duhej të shërbenin si shembull. Edhe pse e vetëdijshme se po paragjykoj në këtë rast, dua të vazhdoj të besoj se gjyqtari Carolan është turpëruar nga forma në të cilën, në shkelje flagrante të Kushtetutës, ia kishin zgjatur mandatin edhe për afro dy vjet.

Madje do të dëshiroja të besoja se nesër do të dalë me një letër, në të cilën do të shpjegojë edhe vetë, se gjykatësit e huaj të Kushtetueses me mandate të skaduara nuk mund të trajtohen gjykatës të EULEX-it, dhe se emërimin e tyre nuk mund ta bëjë kryetarja në bazë të konkursit që e shpall as EULEX-i e as Misioni i BE-së në Kosovë. Nuk bën, se është në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk bën, se këmbimi i letrave është jo mjaftueshëm i qartë. Nuk bën, se është përzierje e kompetencave.

Mbase po dua të besoj shumë. Mbase e kam prej zemrës së plasur, sepse nuk po mund të besoj se si institucionet tona luajnë shtet me aq amatorizëm, saqë të mos e kuptojnë se vendimet të cilat merren po kanë pasoja shumë më të thella, të cilat askush nuk i analizon.

Lajmi i keq është se në zyrën e kryetares assesi nuk e pranojnë se kanë gabuar me emërimin e tre gjykatësve ndërkombëtarë. E lajm dhe më i keq është, nëse tashmë nuk e kemi ditur se nuk e kemi pasur të qartë, është se Kosova e ka Jahjagën kryetare të shtetit. Një person me asnjë përvojë politike, e dalë nga zarfi i një ambasadori, e përkrahur nga tre liderë partiakë (nuk po i pyes a i bren ndërgjegjja...); e votuar nga 81 deputetë në bazë të një marrëveshjeje jokushtetuese, është ajo që e nisi procesin e zvarritjes së themelimit të institucioneve që duhej krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Iu drejtua Kushtetueses me një listë pyetjesh kot, atëherë kur ka mundur ta jepte interpretimin vetë.

Kushtetueses ia dha hapësirën për të bërë eksperimente sqaruese e interpretuese thuajse jemi përfshirë në një festival këngësh, e jo në çështje shteti. Dhe në mes të problemit më të madh politik me të cilin është ballafaquar Kosova e pavarur, në vend se të rrijë në Prishtinë për të ndërmjetësuar dhe përpjekur për ta gjetur një zgjidhje të përbashkët – meqë është faktor i unitetit, apo jo – ajo, me gjithë suitën e saj, çohet e shkon në New York. Duke ia lënë ende fuqinë në dorë Flora Brovinës (lexo PDK-së), e cila kur do që i teket e thërret mbledhjen konstitutive dhe kurdo që i thonë e ndërpret atë.

Një tjetër lajm i mirë, një lajm më i keq

Dhe mu në ditën kur duhej mbledhur Kuvendi, disi u thellua aktiviteti gjyqësor. Nga njëra anë, para gjykatës paraqitej njëri nga udhëheqësit e bllokut anti-PDK, Fatmir Limaj, për rastin tashmë historik “Kleçka”. Nga ana tjetër, 15 të arrestuarit, e afërt me Bashkësinë Islame të Kosovës, merreshin në pyetje sërish për të kuptuar nëse do të paraburgoseshin apo jo.

Nuk ishin të paktë ata që komentonin sesi partia, ende, në pushtet po mundohej me këtë gjest të tregonte se ishte e gatshme për ta luftuar terrorizmin ndërkombëtar, duke i kapur cytësit e brendshëm në vend. Mbase në përpjekje për ta rifituar një lloj simpatie të të huajve që prej kohësh duket se e ka humbur. Dhe nuk ishin të paktë ata që konstatonin se këto masa ishte dashur të ishin ndërmarrë shumë më herët, posaçërisht ndaj atyre që tash dyshohen edhe për krim të organizuar, që nënkupton edhe shpëlarjen e parasë. Nuk ishin të paktë ata që e thoshin se po të mos kishte qenë partia në pushtet, as këta imamët nuk do të ishin inkriminuar, sepse nuk do të kishin pasur fare hapësirë veprimi...

Nëse ka diçka që na mëson episodi me imamët e xhamive të BIK-ut, atëherë kjo është se të gjitha organizatat, bashkësitë dhe institucionet fetare do të duhej t’iu nënshtroheshin rregullave të qarta të raportimit për financimin dhe burimin e financimit. Për më tepër, do të duhej të auditoheshin dhe të tregoheshin plotësisht transparentë për paratë të cilat i qarkullojnë. Dhe kjo do të duhej të vlente për të gjitha konfesionet, pa dallim. Për shkak se burimi i parasë e tregon edhe burimin e ideologjisë, dogmës a interesit për kontroll e pushtet. E nëse nuk besoni, pyetini partitë politike kush po ua jep paratë, dhe krejt do të jetë e qartë.

Mirëpo, shmangia e përkohshme e vëmendjes u avullua në çastin kur u kalua në sallën e Kuvendit të Kosovës. Në seancën, së cilës i dihej si fillimi ashtu edhe mbarimi pa nisur ende, Kuvendi nuk e kaloi kandidatin e PDK-së. Arsim Bajrami, ani që deputet i “grupit më të madh parlamentar” sipas definicionit të Kushtetueses, pati më shumë vota kundër sesa për. Dhe natyrisht, Brovina e mbylli seancën, pa caktuar datë për rinisje, duke ia bërë me sy Jahjagës që t’i thërrasë shefat e partive në konsultime. Apo “konsultime”.

Deklaratat e mëvonshme të Hajredin Kuçit dhe të Memli Krasniqit për atë sesi PDK-së i vjen keq për atë që ndodhi të enjten, porse ftohen partitë e tjera “të reflektojnë”, janë cinizëm i pashoq. Është pafytyrësi dhe është mashtrim i qëllimshëm i opinionit duke drejtuar gishtin nga ana e kundërt. Është vazhdim i përpjekjeve për të fituar sa më shumë kohë, qoftë për ta siguruar kuorumin në Gjykatën Kushtetuese, qoftë për t’i blerë me para në dorë deputetët që do të mund të bëheshin dymilionerë brenda natës. Të thuash se “nuk kemi të drejtë morale të heqim dorë nga besimi i votuesit”, përderisa tregohet mospërfillje për atë pjesën tjetër të votuesve që e bën “shumicën humbëse” të zgjedhjeve, është tepër arrogante.

Për më tepër, është përvetësim i qëllimshëm i parave të buxhetit të Kosovës – nga njëra anë të gjithë ministrat në detyrë i marrin rrogat në Qeveri; ata ministra në detyrë plus deputetë, e besoj se i marrin edhe në Kuvend; e deputetët e tjerë marrin rroga pa punuar fare. Çfarë shteti është more ky?

Shembulli

Ndoshta votuesit në Skoci do ta kenë pasur Kosovën parasysh kur votuan, po të enjten, në referendumin e tyre për pavarësi. Mbase do të kenë menduar “...më mirë dreqi i vjetër sesa dikush si Thaçi në krye”, dhe prandaj shumica prej 55% votoi kundër pavarësimit nga Britania e Madhe. Për pasojë, kryeministri skocez ofroi dorëheqjen, në një veprim të pastër demokracie. Moskalimin e propozimit në referendum e pranoi si humbje dhe vendosi të tërhiqej për të mirën e popullit të vet.

Por natyrisht, Skocia është larg Kosovës, dhe meqenëse nuk jemi fort të interesuar për të ditur më shumë për shtetin e uiskit, ne sillemi në rreth. Këtu në Kosovë nuk ka jehonë kjo dorëheqje. Përkundrazi. Në Kosovë, meqë po e sheh se nuk po mund t’i sigurojë numrat, në vend se të tërhiqet, Thaçi së pari kërkon që me çdo kusht t’ia zgjedhin kandidatin për kryetar Parlamenti; më pas insiston në krijimin e një Qeverie gjithëpërfshirëse, që jo vetëm do ta linte Kosovën pa opozitë, porse do ta linte Qeverinë pa kurrfarë mekanizmi kontrolli; dhe në fund insiston që të zgjidhet kryeministër përsëri. Dhe krejt këtë “për të mirën e popullit”.

I kemi pasur të gjitha predispozitat për t’u bërë shtet i mbarë. Por patëm fatin shumë të keq që gjatë gjithë kohës kemi pasur udhëheqës që më shumë u kanë besuar diplomatëve të huaj sesa kapacitetit vetjak për të vendosur. Në vend se të ishim shtet me institucione stabile dhe me bazë për një zhvillim të shëndoshë ekonomik, ne jemi vendi ku krejt kryetarët i kemi shkelës të Kushtetutës; ku kryeministrat i kanë kryeministritë vendet e para të punës; ku gjykatësit i vjedhin pronat e huaja dhe i shesin; ku krejt institucionet mund të kolapsojnë dhe të mos funksionojnë – për shkak se një njeri e imponon moton e vet: “Ja une, ja hiç”..., e një grumbull servilësh që ia kanë parë hairin udhëheqjes së tij sigurohen që nëse s’bën “une”, atëherë gjithsesi të jetë “hiç”.

E si mandej mos të thuash se jemi ba me na kajt’ Rahoveci?
flaka@koha.net
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...