Mbi krizat tona

22 Shtator 2014 - 08:59 - Lumir Abdixhiku      

Nga pretenduesit intelektualë e deri tek predikuesit shpëlarës, nga zaptuesit institucionalë e deri tek libradjegësit e mjerë – të gjithë së bashku si promovues krizash – janë në shtytje për heronj të rinj të Kosovës; që do të vijnë herë dokurdo gjithsesi

-1-

Krizat prodhojnë ekstreme; ekstremet prodhojnë kriza; e krizat dhe ekstremet së bashku prodhojnë heronj – herë dokurdo do të prodhojnë heronj. Ky vend ka kohë që rron në krizë; dhe atë në katër lloj sosh: në krizën politike, ekonomike, morale dhe intelektuale. Si rrjedhojë prodhon vazhdimisht ekstremizëm politik, ekonomik, intelektual e moral. Prodhon manipulues politikë që shesin mirë e lehtë secilën mbrapshtësi; prodhon identitete fragjile ekonomike që s’kanë për të ngjizur mirëqenie kurrë; prodhon frikacakë e shërbëtorë pa integritet, sikurse intelektualët kosovarë që struken kur duhet të jenë në zë më së shumti; dhe prodhon moralistë të dorës së dytë – në një anë gardianë libradjegës që pretendojnë vërtetësinë e vetme, e në anën tjetër keqinterpretues që tru shpërlajnë e përçajnë.

Dhe në këtë rend të ri krizash gjithçka bëhet e mundshme. Në këtë rend të ri krizash tjetërsimi i identitetit, percepsioneve (mbi të ardhmen), mundësive e përpjekjes së përbashkët bëhet e mundshme. Nga një lëvizje gjithënacionale për shtet të mirë, ky rend i krizave na sjell në një identitet mbijetese, kush e për sa mundet; nga një pritje për normalen, ky rend krizash na sjell nevojën për përshtatje me të jashtëzakonshmen – më mirë diç se hiç; nga një hapje për interesa madhore ekonomike-politike në mundësi tyxharllëku e allishverishi; dhe në fund, nga një ecje e përbashkët në një përvetësim të përpjekjes – ne para jush, për ju, prandaj ne e jo ju.

E java që shkoi, në dukje e qetë, mund të ketë përmbajtur lehtësisht katër elementet identifikuese më të mira të mundshme të krizave tona; nga pretenduesit intelektualë e deri tek predikuesit shpëlarës, nga zaptuesit institucionalë e deri tek libradjegësit e mjerë – të gjithë së bashku në shtytje për heronj të rinj; që do të vijnë herë dokurdo gjithsesi.

-2-

Kriza e parë e javës së shkuar ndërlidhet me sistemin politik në vend, që nuk arrin të kapërcejë përplasjet e vetëshkaktuara, as edhe për gjërat më bazike për vendin madje; siç mund të jetë pra formimi i institucioneve qeverisëse. Në shikim të parë, të tre muajt e shkuar mund dhe të ofrojnë një bindje se anarkokapitalistët megjithatë paskan të drejtë – shteti mund të ekzistojë edhe pa qeveri. Sepse pa qeveri e pa institucione ky vend megjithatë – në dukje – po funksionon. Gjithsesi, një pretendim i tillë do të ishte euforik po u prit edhe pak, kur të flasim për buxhetin e vendit për shembull, apo investimet kapitale e prokurimin publik, tri shtylla kryesore këto që kanë për të rrënuar potencën tonë ekonomike për vitin në vijim.

E nga kriza e parë politike buron dhe kjo e dyta, ekonomike pra. Jo se ka qenë më ndryshe vitet e fundit; në krizë dhe jo ndryshe ky vend ka provuar mbijetesën. Por nëse ndërtimi i institucioneve merr kohë, dhe nëse kjo kohë e harxhuar prek zhvillimet normale të shtyllave më larta, atëherë ndikimin ekonomik të mosfunksionimit shtetëror kemi për ta vërejtur gjatë gjithë 2015-s; 2016-n do ta kalojmë në rikuperim për t’u kthyer në trend normal tek në 2017-n. Pra, tri vite të humbura ekonomike nga një neglizhencë politike.

E them neglizhencë, sepse sado që duket e vështirë, formimi i institucioneve kosovare mund të ndodhte qysh sot; sikur blloku i katërshes deri dje opozitare të bënte një sakrificë minore për një fotografi përfituese të madhe – qeverinë pra. Por nuk e bënë; rrjedhimisht futën veten në telashe e procese që për ta dhe për gjithë të tjerët do të mbesin të paqarta. Kriza politike – dhe ekonomike pas saj – duket se do të kenë një rrugë të gjatë së bashku për të bërë.

-3-

Libradjegës në njërën anë, predikues përçarës në tjetrën, studentë të përjetshëm e patetikë në mes – nuk bëj dot dallim – të gjithë pjesë e një krize morale, të tretës pra, që ky vend e merr në vazhdimësi. Libradjegësit nuk tolerojnë mendim ndryshe nga perspektiva e ngushtë që mendja e tyre mund të krijojë, prandaj dhe djegin. Predikuesit nuk tolerojnë mendim ndryshe, prandaj përhapin urrejtje. E studentët e përjetshëm që dy-tri fjalë nuk i lidhin dot, nuk durojnë trajtim ndryshe nga patronët që kanë, prandaj dhe kërcënojnë.

Kriza morale nuk buron nga ekzistenca e tyre, por nga fakti se të tillët sot bëjnë rendin dhe rregullin në Kosovë. Të tillët janë në pushtet, akademi, e institucione grumbulluese të masave. Këtu pra fillon kriza.

Libradjegësit e “Këmbët e Gjarprit” të Surroit, po të mundnin, do të digjnin secilin tjetër që ju del përpara veseve të tyre zaptuese. Të tillë janë pra. Në këtë frymë libradjegësit kanë “djegur” gjithçka çfarë nuk ka qenë e tyre në kohën që kishin një grimë pushtet. Nga pasuria publike e deri tek paraja e shtetit, nga kundërshtarët politikë e deri tek ardhmëria e tjetrit, gjithçka ishte kurban i djegies së zaptuesve libradjegës.

Ekstremistët religjiozë, që nuk kanë të bëjnë asgjë me religjion përndryshe, po të mundnin njëtrajtësisht do të tjetërsonin secilin që nuk mendon si ta; ani pse thirren në tolerancë gjithnjë. Tolerancën, pra, të njëjtët e mbajnë një mburojë të akteve të tyre jotolerante ndaj mendimit ndryshe. Siç edhe e përdorin religjionin si mburojë të të bëmave të tyre kryesisht manipuluese e me benefite financiare (prandaj paratë, pallatet, luksi e veturat). Të njëjtët dhe ndjekësit e tyre në vazhdimësi na thonë se trajtimi i tyre na qenka një luftë kundër besimit; duke provuar kështu të identifikojnë e fusin në një thes të gjithë besimtarët e drejtë e të mbarë. Lufta ndaj ekstremizmit nuk është luftë ndaj besimit; është thjesht luftë ndaj ekstremizmit. Sepse ekstremistët nuk kanë të drejtë përvetësimi të besimit, kanë të drejtë interpretimi individual të besimit, rrjedhimisht marrjes individuale të përgjegjësisë. Besimtarët e tjerë si puna ime dhe pak a shumë 99% të besimtarëve kosovarë nuk kanë asnjë lidhshmëri më të vogël me promovimet antihumane të tyre.

Njëjtë edhe studentët e përjetshëm që nuk i lidhin dot dy a tri fjalë para universitetit publik – në kërkesë të shkarkimit të rektorit të vetëm të zgjedhur së fundi pa interference politike – kërkojnë vazhdim të gjendjes çrregulluese që iu mundëson atyre të kryejnë universitet pa ditur t’i lidhin dy a tri fjalë. Sepse duke mbajtur gjendjen çrregulluese në vijimësi, të njëjtët mund të shpresojnë ngjitjen e shkallëve drejt një pushteti zaptues që servilizmin e jo meritën e ka për valutë. Dhe këta vetëm servilizmin e dinë, prandaj dhe shiten shtrenjtë sot.

-4-

Kriza morale e jona, që tjetërson vlerën e promovon bërjen e entropive, mund të zgjasë shumë; siç dhe mund të zgjasin dhe krizat paraprake pra, ajo politike dhe ekonomike. Por një krizë tjetër është më pak jetëgjatë – fatmirësisht – kriza intelektuale e Kosovës pra. E vënë në përgjumje shumë ma ndryshe sesa zgjimi intelektual i fillmviteve ‘90, dhe më pas çlirimit të fundviteve ‘90, klasa intelektuale e Kosovës do të ripërtërihet. Jo sepse krizëbërësit do të ndryshojnë mendje, apo sepse intelektualët e strukur tash e sa vjet do të marrin guxim për të thënë çfarë mendojnë, e bërë çfarë është e drejtë, por se procesi natyror i rinimit të shtresës intelektuale do të prodhojë masën kritike të domosdoshme shpejt shumë. Të rinj plot që shkollohen jashtë, të rinj të tjerë që shohin ndryshe (falë komunikimit në kohë me jashtë), të rinj të tjerë që mendojnë ndryshe – eventualisht do të pyeten dikur për të na nxjerrë nga ky ngërç i brendshëm.

Dhe kur kjo të ndodhë, kur kriza intelektuale të marrë fund, do të marrë fund dhe cikli i krizave të tjera, sepse atëherë heronjtë e rinj të Kosovës do të bëhen. Jo heronj të pushkëve, demonstratave apo lëvizjeve paqësore, por heronj të punës e ideve; nga mendimtarë tek zjarrfikësit, nga policët tek mësuesit, nga pasivët tek votuesit – do të mendohet ndryshe. Ata nuk do të djegin libra, nuk do të shpërfaqin urrejtje primitive, dhe nuk do të pretendojnë zaptim. Do të ngjizin të njëjtët pra vlera të reja, valuta të reja të ecjes sonë shoqërore.

abdixhiku@facebook.com
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...