“Hoxha” Irfan Salihu llomotit e gënjen për historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës

20 Shtator 2014 - 23:36 - Enver Robelli      

Ka diçka pozitive në ligjëratat e “hoxhallarëve” injorantë të Bashkësisë Islame të Kosovës të prirë nga Naim Tërnava: po zbulohen vetë se janë në shërbim të politikave serbe kundër Republikës së Kosovës. 10 mijë vjet burg janë mbajtur për këtë shtet, mbi 10 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit vetëm pse e kanë dëshiruar këtë shtet.

Tash dalin pseudoteologë dhe duan ta varrosin këtë shtet. Çdokush i interesuar mund të gjejë në youtube dhe ta torturojë veten duke e dëgjuar një pjesë të një biçim-ligjërate që “hoxha” i cirkut Irfan Salihu ka mbajtur para xhematit (me gjasë në Prizren). Në biçim-ligjëratën e tij Salihu sulmon, siç thotë, ateistët në Kosovë që, sipas tij, fajin për prapambetjen shoqërore ia ngarkojnë osmanlinjve. Në fjalimin e tij propagandistik Irfan Salihu bën këto deklarata skandaloze:

  1.  Osmanët u kanë dhënë shqiptarëve me hektarë tokë dhe i kanë sjellë të jetojnë në Kosovë.
  2.  Osmanët i bënë shqiptarët sundimtarë të Ballkanit.
  3.  Gjatë kohës së Rankoviqit shqiptarët “vetë kanë shku” në Turqi.
  4.  Statistikat e vitit 1455 tregojnë se këtu, në Kosovë, vetëm 1 për qind e banorëve kanë qenë shqiptarë.
  5.  Më 1389, kur erdhi osmanliu, ai këtu luftoi kundër hungarezëve dhe Car Llazarit. Osmanliu ia mori serbit Kosovën dhe ua la në dorë shqiptarëve.

Për fat të keq askush nga xhemati nuk reagon kundër manipulimeve ekstreme të “hoxhë” Irfan Salihut. Kundër deklaratave skandaloze të tij nuk ka reaguar deri më sot as Bashkësia Islame e Kosovës – dhe derisa nuk reagon me gjasë pajtohet me fjalët që Irfan Salihu i lëshon me pehar dhe pa karar. Deri më sot nuk ka reaguar kundër këtyre budallallëqeve askush as në medie, as nga rrethet intelektuale, universitare etj. Liria për të llomotitur duket e pakufishme në Kosovë. Dhe këtë liri soji i Irfan Salihut po e keqpërdorë egërsisht.
Ka disa gënjeshtra në llomotitjen e Irfan Salihut, që duhet korrigjuar.

1. Osmanët qenë pushtues të Ballkanit. Këtë pushtim ata nuk e bënë me llokume e bakllava, por me shpatë. Si çdo perandori. Faza e parë e pushtimit u shoqërua me dhunë e terror. (Një burim i dorës së parë janë “Kronikat e Tursun Beut”, por edhe vepra të tjera të historisë).

2. Osmanët nuk i kanë bërë shqiptarët sundimtarë të Ballkanit. Është e saktë se një pjesë e elitës myslimane shqiptare ka bërë karrierë në Perandorinë Osmane, siç kanë bërë edhe serbët, grekët, arumunët. Por, Irfan Salihu me sa duket nuk i ka lexuar kujtimet e Edith Durhamit. Pasi mbërrin në Prizren ajo merr një ftesë të shkojë në pritjen e guvernatorit osman për diplomatët e shteteve të ndryshme që kishin përfaqësi në këtë qytet. Edith Durhami tregon se ishte bërë merak se si do të merrej vesh me guvernatorin, pasi udhëtarja e famshme nuk e dinte osmanishten. Por, vazhdon ajo, doli që guvernatori ishte një njeri nga Trebinja e Bosnjës, që kishte bërë karrierë në Perandorinë Osmane. Me të Durham foli serbisht. Pra, edhe në prag të shkatërrimit të Perandorisë Osmane Prizreni nuk kishte guvernator shqiptar, por sllav, me vulë të Sulltanit.

3. Deklarata më perfide, më fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës është të thuash, siç thotë “hoxhë” Irfan S., se në kohën e Rankoviqit shqiptarët kanë shkuar vetvetiu në Turqi. Faktet flasin të kundërtën dhe e nxjerrin “hoxhën” si rrenacak: para Luftës së Dytë Botërore Serbia u përgatit gjithanshëm për të dëbuar sa më shumë shqiptarë nga Kosova. Kjo trevë u kolonizua brutalisht dhe për këtë çështje ka shkruar një punim shkencor prej mbi 350 faqesh dr. Milovan Obradoviqi. (Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu. 1918-1941). Mbretëria e Jugosllavisë, e dominuar nga Serbia, lidhi marrëveshje me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve. Akademiku nacionalist serb Vasa Çubriloviqi shkroi Memorandumin e tij që për nga përmbajtja i përngjan ideologjisë naziste të Hitlerit. Çubriloviqi e thotë hapur se meqë bota nuk po bëhet merak për hebrenjtë e terrorizuar nga Hitleri, atëherë kush do të shqetësohet për shqiptarët. Si atëherë, si sot në elitën serbe dominon racizmi i egër kundër shqiptarëve. Vetëm shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore pamundësoi realizimin e marrëveshjes serbo-turke për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. Pas Luftës së Dytë Botërore Beogradi dhe Ankaraja filluan realizimin e marrëveshjes për shpopullimin e Kosovës. Në realizimin e saj ka qenë i kyçur edhe ministri i jashtëm i Turqisë i asaj kohe (1950-1956), Mehmet Fuat Köprülü, i cili ishte historian dhe, çka është më e rëndësishme, ishte me origjinë shqiptare, pinjoll i familjes së Qypërlinjve. Si ministër i jashtëm i Turqisë ai vizitoi edhe Jugosllavinë e Titos. “Hoxhë” Irfan Salihu ose nuk i njeh këto fakte për shkak se vuan nga injoranca ose i fsheh ato, sepse nuk i bien tamam takëmit të tij për deformimin e historisë së shqiptarëve, e cila si histori e çdo populli ka anë të ndritshme dhe të errëta.

4. Nuk dihet se cilës statistikë i referohet Irfan Salihu kur thotë se në vitin 1455 në Kosovë vetëm 1 për qind e banorëve kanë qenë shqiptarë. Historianë perëndimorë si Noel Malcolm, Oliver Jens-Schmitt, Peter Bartl flasin për një prani të vazhdueshme të shqiptarëve në Kosovë. Varësisht nga rrethanat historike përqindja herë ka qenë më e madhe, herë më e vogël. 1 për qind mund të jetë vetëm në fantazinë e Irfan Salihut.

5. Nuk është e vërtetë se në Betejën e Kosovës më 1389 osmanët luftuan vetëm kundër serbëve dhe hungarezëve, siç shpif “hoxha” nga Prizreni. Historianët perëndimorë i përmendin edhe shqiptarët si pjesëmarrës në këtë betejë antiosmane. Pas Betejës së Gazimestanit (1389) paria serbe u bë vasale e Perandorisë Osmane dhe nuk i mbështeti më shqiptarët e krishterë (katolikë e ortodoksë) për të nisur një luftë të re kundër osmanëve. Në vitin 1448 hungarezët dhe shqiptarët luftuan edhe njëherë në Gazimestan kundër osmanëve dhe pësuan disfatë. Jo beteja e parë (1389), por “tek beteja e dytë në Fushë-Kosovë vulosi fatin e Kosovës”, shkruan Oliver Jens-Schmitt. Perandoria Osmane e trajtoi Kosovën me mospërfillje, si një nga provincat e shumta të humbura, prej së cilës korrte tatimet dhe ndërtonte ndonjë urë, hamam a xhami. Rrjedhimisht, në fillim të shekullit 20-të popullsia e Kosovës ishte aq analfabete, saqë kundërshtonte çdo reformë moderne në Perandorinë Osmane. Në atë periudhë Kosova e kishte vetëm një politikan që merrte vesh një grimë nga politika gjeostrategjike. Ai ishte Hasan Prishtina. Vetë themeluesi i Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturk i godet juristët e Perandorisë Osmane për shkak se me shekuj refuzuan shtypjen e librave. Perandoria lejoi shtypjen e librave tek në vitin 1728: “Paramendojeni veten në vitin 1453 (...) Pushteti, që Stambolli e kishte marrë përgjithmonë për komunitetin turk kundër botës armiqësore, nuk qe në gjendje që kundër rezistencës së poshtër të juristëve të sjellë në Turqi shtypshkronjën që ishte zbuluar afërisht në të njëjtën kohë” (nga fjalimi i Ataturkut i cituar nga libri i historianit gjerman Klaus Kreiser: Ataturku. Biografia).

“Hoxhë” Irfan Salihu në të ardhmen mund të prezantohet edhe si myderriz, myezin, myftar e çka jo tjetër, por këta tituj të shpifur nuk do t’i bëjnë të besueshme dhe shkencore përrallat e tij. Megjithatë, është e tmerrshme që imamë të tillë kaq të poshtër lejohen të flasin publikisht nga Bashkësia Islame e Kosovës, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në çerdhe gjarpinjsh antishqiptarë. Me fenë islame kjo propagandë nuk ka të bëjë asgjë. Paraqitjet si kjo e Irfan Salihut janë pjesë e një agjende antishqiptare dhe tregojnë se në çfarë mjerimi gjendemi si shoqëri.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...