Ekstremistë islamikë me “lična karta” të Serbisë

19 Shtator 2014 - 15:28 - Enver Robelli      

Manipulues si Shefqet Krasniqi, Naim Tërnava, Mazllam Mazllami duhet ta kenë të ndaluar të predikojnë për fenë islame. Këta e keqpërdorin fenë për qëllime të errëta, financiare, mashtruese, terroriste dhe antikombëtare. Betejën kundër tyre shoqëria e Kosovës nuk mund ta fitojë pa e rrëzuar regjimin e Hashim Thaçit, i cili për 15 vjet i ka vaditur dhe rritur këta ekstremistë, që t’i arrestojë tani për t’u pispillosur para bashkësisë ndërkombëtare si partner në luftë kundër terrorizmit fetar

Në kopjen e letërnjoftimit serb të Shefqet Krasniqit, të lëshuar më 12 janar 2004, shkruan se dokumenti vlen 10 vjet. Kjo i bie se letërnjoftimi i tij ka skaduar më 12 janar 2014. Por kjo nuk është e saktë. Sipas një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës së Serbisë, letërnjoftimet e vjetra serbe vlejnë deri më 31 dhjetor 2016. Këtë vendim MPB-ja e Serbisë e ka marrë në korrik të vitit 2011. Me letërnjoftimin serb Krasniqi mund të udhëtojë edhe dy vjet e tre muaj. Ai me gjasë me këtë letërnjoftim është lejuar nga autoritetet serbe të shkojë në Preshevë për t’ua larë trurin besimtarëve të atjeshëm. Nuk është sqaruar deri më sot rasti i ndalimit të Krasniqit afër pikës kufitare të Mutivodës, me ç’rast në veturën e tij qenë gjetur armë. Dy shoqërues të tij u arrestuan. Krasniqit, ndërkaq, policia dhe gjyqësia kosovare ia fshehën lëndën dhe kështu ai shpëtoi nga ndjekja penale.

Shefqet Krasniqi, Mazllam Mazllami e të tjerë kanë nxitur urrejtje, kanë gënjyer, kanë manipuluar, janë jargëzuar e përlotur 15 vjet me radhë, duke keqinterpretuar fenë islame. Shumica e partive politike në Kosovë kanë heshtur, kanë koketuar me fanatikë fetarë, kanë premtuar se do të lejojnë shaminë në institucione shtetërore (siç janë shkollat). Partia e emisarit të Rusisë, Salep Sulltanit, i futi së pari në Kuvendin e Kosovës fashistët me ngjyrë jeshile. Pastaj partia e Hashim Thaçit bëri koalicion me këtë bandë dhe kështu u bë e mundshme që në Parlament të hyjë një deputete me shami dhe pa tru, e cila aksionet terroriste të shqiptarëve në Siri e Irak i arsyeton, duke thënë se më shumë ka vetëvrasje në Kosovë se në Siri e Irak. Kush flet kështu me siguri nuk i punon asnjë qelizë e trurit. Vetëvrasjet në Kosovë ndodhin për shkak të varfërisë apo krizave personale. Vetëvrasjet në konfliktet e Sirisë dhe Irakut kryhen nga militantët fetarë me qëllim të vrasjes së “jobesimtarëve” (për shembull shiitëve, të krishterëve, ushtarakëve, diplomatëve dhe gazetarëve perëndimorë). Vetëm një qyqe e pafytyrë dhe pa fije dije si deputetja që na shitet si besimtare mund të lëshojë në opinion definicione të tilla skandaloze për vetëvrasje në emër të fesë islame. Rrjedhimisht, deputetja me shami e me plot njolla është në koalicionin e duhur: në PDK.

Fashistët fetarë të cilëve prej vitesh po u prijnë Shefqet Krasniqi, Mazllam Mazllami, Fuad Ramiqi e të tjerë është dashur të luftohen ashpër me të gjitha mjetet e shtetit juridik e demokratik, të demaskohet ideologjia e tyre antinjerëzore, t’u ndërpriten kanalet e financimit nga Arabia dhe Serbia, nga dreqi e i biri. Fakti që disa ekstremistë fetarë u arrestuan një ditë para mbledhjes së Kuvendit të Kosovës tregon se PDK-ja, pasi i ka rritur e vaditur për 15 vjet, tash i rras në qeli për t’u pispillosur para bashkësisë ndërkombëtare si partnere në luftën kundër terrorizmit islamik. Të korruptuarit dhe ata që karrierat politike i kanë ndërtuar me krime nuk mund të luftojnë asnjë ekstremizëm, sepse mes ekstremizmit të Shefqet Krasniqit dhe ekstremizmit antidemokratik të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Adem Grabovcit, Latif Gashit dhe sojit të tyre ka pak dallime. Mashtruesit fetarë vjedhin në emër të zotit e Kuranit, mashtruesit politikë vjedhin, plaçkitin e shkatërrojnë shoqërinë në emër të “vlerave të luftës”. Edhe për këtë arsye, për shembull, aeroporti i Sllatinës e mban emrin “Adem Jashari”.

Letërnjoftimi serb i Shefqet Krasniqit ka një simbolikë historike, që tregon se pushtetet serbe përherë janë përpjekur që përmes imamëve injorantë apo me prirje kriminale ta dëmtojnë çdo përparim të shoqërisë shqiptare në Kosovë. Pas miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit më 1908, që është një prej kryeveprave të intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, fushatën kundër shkronjave latine ndër shqiptarë e mbështeti edhe organizata e serbëve osmanë me seli në Shkup.

Nën drejtimin e prijësit çetnik Radenkoviq dhe me miratimin e xhonturqve atëbotë në Kosovë dhe Maqedoni u themeluan degë për të luftuar alfabetin latin dhe për ruajtjen e alfabetit arab. Po të kishte jetuar në vitin 1908, Shefqet Krasniqi do të kishte qenë një aktivist i devotshëm i çetnikut Radenkoviq kundër alfabetit të gjuhës shqipe.

Për të parë se çfarë imamësh kanë arritur të futen në xhamitë e Kosovës duhet shikuar pak predikimet e tyre, që shpërndahen në internet (youtube, facebook, twitter, radio online, blogje). Në këtë shoqëri paralele virtuale vlon racizmi, urrejtja, shpifjet, thirrjet për krime e për xhihad, përdhosja e çdo vlere të kombit shqiptar, fyerje e personaliteteve historike, kërcënime me vrasje. Kjo strukturë nuk po e sheh veten më si pjesë të kombit shqiptar, por si pjesë të ymetit mysliman, pra shoqërisë mbarëbotërore myslimane. Shikuar në kontekstin shqiptar, kjo i bie se një qytetar i Prishtinës dhe adhurues i Shefqet Krasniqit duhet ta konsiderojë më të afërt një aziatik apo arab (vetëm pse ky është mysliman) dhe ta shohë si të largët, qafir, një bashkëkombës që beson në fe tjetër apo nuk beson fare.

Prej prijësve fetarë aq popullorë dhe aq të urtë si Rexhep Boja, Kosova ka rënë në duart e një tyxhari fetar si Naim Tërnava, i cili s’arrin t’i edukojë as fëmijët e vet në frymë paqësore, andaj i biri i tij publikisht u bën thirrje qytetarëve të shkojnë të luftojnë në Siri dhe tregohet i gatshëm të vdesë “për Allahun” derisa e bija e Tërnavës e quan një aktor amerikan “armik të Allahut”. Vetëm këto paraqitje skandaloze të këtyre fëmijëve të përgaztë kanë qenë arsye të mjaftueshme që Naim Tërnava të jepte dorëheqje. Dje policia ia arrestoi bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe Tërnava fshihet ende pas mureve të Bashkësisë Islame, duke u përpjekur me mish e me shpirt që të mbajë postin e kryemyftiut, një post që e mori me manipulime e shkelje që të kujtojnë diktaturën në Korenë e Veriut.

Se çfarë imamësh ka lejuar të punojnë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) Naim Tërnava, tregon shembulli i Mazllam Mazllamit. Pas arrestimit të tij dje për kureshtje profesionale dëgjova (në youtube) një ligjëratë të neveritshme që ai e ka mbajtur vitin e kaluar në Liestal, një qytet në Zvicër. Për t’u hequr si i dijshëm ai gjatë kësaj ligjërate shpesh flet arabisht, pastaj bën një përkthim përmbledhës në shqip. Fjalitë e tij pothuaj nuk kanë asnjë kuptim, janë vetëm banalitete dhe keqinterpretime të Kuranit dhe kërcënime me gisht tregues. Gjatë një pauze të predikimit Mazllami i thotë xhematit se ka qejf të bëhet dhëndër në Zvicër.

Këtu nuk merret vesh nëse ky ka ardhur në Zvicër “me lyp nuse me vizë” apo të mbajë një ligjëratë fetare. Pastaj gallata vazhdon: Mazllam Mazllami kërkon nga të pranishmit t’i çojnë duart në shenjë pajtimi se do t’i japin nga 100 franga “për fukara”, siç thotë ai duke u zgërdhirë. “Çoni duart edhe ju femrat...”, bërtet Mazllami me sy të çakërdisur. “Atëherë ka me ju ardhë paketa me i qitë nga 100 franga...”. Dhe një njeri ecën me pako nëpër sallë derisa “imami” Mazllami në mënyrë teatrale nxjerr 100 franga dhe i dhuron. Mbledhja e parave vazhdon. Mazllami çirret: “Për 5 minuta aksioni të kryhet. Ju femrat: kush nuk i keni 100 euro – unazën ose vathët. Pse thashë 100 franga, nuk domethënë 1000 jo”.

Me këtë shqipe të çalë ky person me kokë të mbushur me tutkall bën thirrje për të mbledhur para ilegalisht, kinse për fukara. Dhe ligjërata e këtij hajduti vazhdon me thirrje që të mos dëgjohet muzika, që femrat shqiptare të mos martohen “me qafira”, me portugezë, me argjentinas, me zviceranë... Duhet thënë se Mazllam Mazllami ka qenë i larguar nga Bashkësia Islame kur në krye të saj ishte Rexhep Boja. Me ardhjen e Naim Tërnavës në pozitën e shefit të BIK-ut, Mazllamit iu hapën dyert për të vazhduar misionin e tij kriminal. Në fund të “ligjëratës” aq bajate, aq fyese për mendjen e shëndoshë dhe aq agresive, Mazllam Mazllami tregon “rezultatin” e mbrëmjes: “10’768 franga, 1033 euro, një orë dhe një unazë prej një motre”. Feja si biznes! Feja në duar të tyxharëve dhe mashtruesve! Këtë gjendje e ka krijuar Bashkësia Islame me Naim Tërnavën dhe bandën e tij! Prangat duhet t’u vendosen edhe këtyre faqezinjve!

“Nuk na duhen shakaxhi të rrezikshëm në fe”. Kështu i komenton një imam shqiptar në Zvicër ligjëratat e Mazllam Mazllamit, Shefqet Krasniqit e të tjerëve të kësaj kategorie. Besimtarëve myslimanë të Kosovës dhe në diasporë u duhen më shumë teologë që i kushtojnë rëndësi mendjes dhe jo mjekrës, që përqafojnë dijen dhe jo djallëzitë, që fenë e predikojnë me logjikë dhe jo me shpatë. Që kjo të ndodhë Kosova duhet të ndërtojë një model modern kulturor, arsimor dhe fetar. Ky model i bazuar sidomos në logjikën e shëndoshë nuk iu shkon për shtati as Naim Tërnavës, as Hashim Thaçit, sepse ua merr dheun nën këmbë dhe ata mbesin në hava. Atje ku, sipas imamëve injorantë, myslimanin e vërtetë e presin 72 virgjëresha.

robelli@bluewin.ch

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...