Quhet

16 Shtator 2014 - 08:51 - Flaka Surroi      

...apo rrëfimi për peshkun pastrues dhe nevojën për ta spastruar Kosovën prej gllabëruesve që gati sa nuk e kanë kalbur plotësisht

Quhet Garra rufa. Lind kryesisht te burimet e ujit të ftohtë dhe të nxehtë, pa dallim. Nuk ka dhëmbë. Me “profesion” është “mjek”. Pastron tepricat lëkurore. Befason me punën e vet. Për këtë edhe kritikohet, sepse u bën konkurrencë establishmenteve monopolizuese, ngase është alternativ. Është peshk. Doktor peshk.

Në botë është bërë sensacion, aq sa janë shoqata të ndryshme mjekësh profesionistë, si dhe të tillë që janë të lidhur me kompanitë kozmetike që e kritikojnë pastrimin e këmbëve dhe duarve me metodën e peshkut që jeton shtatë vjet, e që mund t’i adaptohet jetës në akuarium, me kusht që uji të pastrohet dhe të mbahet me temperaturë konstante. Trurin mund ta ketë të peshkut dhe veprimet mund t’i ketë instinktive, ama pastrimin e lëkurës së tepërt e bën pabesueshëm mirë.

Imagjinojeni sikur në vend të lëkurës do t’i gllabëronte ata që janë duke e katandisur Kosovën. Sa mirë do të ishte. Pa dhunë. Vetëm me xigëlimë.

Leje për hajni

Quhej Fitim. Është një burrë i ri nga Obiliqi, i ardhur nga Prekazi, që në mungesë të kushteve ekonomike dhe sociale për të mbijetuar, madje i ishte kthyer vjedhjes. I kishte përvetësuar nja 2 kile a ashtu diçka tela bakri nga KEK-u. E kishin zënë. E kishin futur në burg për dy vjet. Për ta larë gjynahun. Pasi që kishte dalë prej burgut, me ngulm kishin refuzuar t’ia lëshonin një vërtetim që më nuk ishte nën hetime. Nuk kishte gjetur punë, dhe i joshur nga dikush që mund t’i ofronte “perspektivë”, së bashku me bashkëshorten, kishte shkuar në Siri. Për ta luftuar luftën e shenjtë. Për kë? E besoj se nuk e di as vetë Deule Islamie, qysh quhet tash.

Quheshin gjyqtarë. Në kohën kur i kanë mbajtur postet kanë qenë njerëzit më të gjithëpushtetshëm – sepse gjyqësia është e pavarur, dhe askush nuk mund të ndikojë në vendimet e tyre. Pos atyre me të cilët mund të ndajnë pasuri marramendëse, në mënyrën më të lehtë të mundshme: me zbatimin e gabuar të ligjit. Ose me zbatimin e ligjit të gabuar.

Përvetësuan dhe transferuan pronën e pabartshme në vlerë prej madje 60 milionë eurosh. Gjykata i gjeti fajtorë dhe i dënoi me burgim. Veç me kusht. Prej gashtë muaj deri në dy vjet me kusht, për shpërdorimin e detyrës zyrtare, për përvetësimin e pronës publike, për manipulimin me letra. Shyqyr që vendimet e kontratat nuk përbëhen prej bakri, se me siguri e kishin hëngër burgun përnjëmend, pa kusht. Dhe me siguri se këtyre tash nuk do t’iu nevojitet vërtetimi se nuk janë nën hetime..., sepse punë për ta do të ketë përherë, si mjeshtër të transferimit të pronave që janë...

Quhet EULEX. Është misioni më i shtrenjtë që ka pasur BE-ja ndonjëherë. Ai ka ardhur për të na treguar se si duhet ndarë drejtësinë. Se si duhet vendosur sundimin e ligjit. Vendimin e burgimit me kusht e shqiptoi një gjykatës i EULEX-it. Pas aktgjykimit të këtij lloji, s’duhet përjashtuar asnjë gjë. Posaçërisht pasi edhe dëshmitarët e mbrojtur të rastit Sekiraça po e zbulojnë sesi janë korruptuar gjykatësit. Të huajt. Se për këta tanët nuk është se ka pasur ndonjë dyshim të madh se janë të korruptuar prej kohësh. Bindje, e cila për fat të keq i përfshin edhe gjyqtarët e prokurorët e pastër, por të pafuqishëm që ta ndryshojnë atë të vetmuar dhe të izoluar. Për shkak se të fuqishmit kanë zgjedhur të kenë gjyqësi që do t’i mbrojë ata dhe interesat e tyre. Përderisa tallen me të.

Militantja sërish në aksion

Quhet Flora Brovina. Që prej 17 korrikut është bërë militantja më e flaktë e partisë së vet. Përcjellësja e verbër e instruksioneve që ia japin. Kur do, e merr rolin e kryetares së Parlamentit për t’i ftuar partitë në konsultime. U jep ultimatume kërcënuese. Kur e urdhërojnë, e shtyn seancën konstitutive. Dhe tallet, si me Parlamentin ashtu edhe me ne.

Të enjten i mblodhi minoritetet dhe Shefin e Shefave sërish, për ta shtyrë seancën konstitutive. Zyrtarisht u tha se kërkesa erdhi nga Lista Srpska, “për shkak se ka nevojë për konsultime me Beogradin”, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet LAN-it dhe VV-së. Mund të ketë ardhur nga ajo, porse fakti është se PDK-ja, në refuzimin absolut të realitetit të krijuar, nëse beson se është duke e instrumentalizuar Srpskan, në fakt është duke e faktorizuar, gjë të cilën marrëveshja e bllokut të partive “që nuk i kanë fituar zgjedhjet” e ka parandaluar.

Brovina me nënshtrimin absolut të “disiplinës partiake” (lexo udhëzimeve të shefit) po i jep kohë partisë së saj që, në mungesë të shumicës së nevojshme për ta zgjedhur kryeparlamentarin, ta prishë shumicën prej 80 deputetëve që janë të nevojshëm për ta ndryshuar Rregulloren e punës së Kuvendit. Në emër të “mbrojtjes së marrëveshjes me Serbinë”, që është dokumentuar prej kohësh se nuk zbatohet nga kjo e fundit, kush e di se me çfarë premtimesh ka dalë shefi i saj para serbëve, vetëm që mos ta përkrahin bllokun kundër PDK-së. Ani që Srpska në Kuvendin e Kosovës është ekspoziturë e Serbisë.

Për t’ia shpëtuar fytyrën vetes, punën më të mirë që do ta bënte Brovina do të ishte të mos e udhëhiqte seancën të enjten e ardhshme. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për hir të nderimit të gruas kosovare që aq shumë e mbron, në teori, prej vitesh.

Mos e vet se të tregon vetë

Quhet Adem Grabovci. Vetëquhet Shef i Shefave. Në teori punon për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Është i vetmi eksponent i partisë që flet para kamerave që nga 17 korriku. Të gjithë të tjerët ose shkruajnë në Facebook (HTH) ose dalin me do deklarata të serta në formë komunikate të vaktit të Komitetit Qendror (zëvendëskryetari i parë, SHIK-u), për t’i treguar popullit se sa e rrezikshme dhe e mjerë do të jetë Kosova nëse nuk vazhdon të qeveriset nga PDK-ja.

Me siguri se Freudi do ta shpjegonte nga aspekti shkencor. Unë vetëm do ta citoj deklaratën e Grabovcit, me të dalë nga mbledhja ku u vendos për shtyrjen e seancës konstitutive – situatë e cila do të mund të zgjasë edhe katër vjet, po deshi PDK-ja. Kjo, për shkak se Gjykata Kushtetuese, kur është përzier në çështjet procedurale të Kuvendit, nuk e ka caktuar edhe një afat që parasheh deri kur duhet të përfundojë procedura.

“Nuk kemi të bëjmë me bllokadë. Nuk po e bllokojnë deputetët, por janë interesat e individëve të caktuar që po e bllokojnë jetën institucionale dhe e kanë marrë këtë përgjegjësi historike mbi supet e tyre, që jam shumë i sigurt, që qytetari i Kosovës, sot apo nesër,do të kërkojë llogari prej atyre që i kanë shkaktuar këto dëme kaq të mëdha procesit, vendit dhe jetës së qytetarëve të Kosovës”.

Kësaj i thonë mos e vet se të tregon vetë. Është më se evidente se në interesin e cilit apo cilëve individë të caktuar është shtyrja e pafund e procesit të themelimit të institucioneve. E posaçërisht të funksionalizimit të Kuvendit, i cili nuk mund të merret me asnjë çështje të vetme pa e zgjedhur kryeparlamentarin, sepse kështu e preu Kushtetuesja.

Mishmashi

Quhet: Ende nuk ka emër. Nuk ka shumë pretendentë për postin, ama krejt lufta është përqendruar rreth stolit, i cili, megjithatë, nuk është as simbolik, as ceremonial e as formal. Për fillim, është i dyti në listën e pagave të krejt Republikës. Ky për dikë mund të mos jetë argument fare. Mirëpo, pos që është përfaqësues i institucionit që flet në emër të sovranit, është potencialisht edhe zëvendës i kryetarit të shtetit kur ky shkarkohet, jep dorëheqjen, sëmuret apo vdes.

Thuajse po e shoh një film, skenari i të cilit po përgatitet për ditët në vijim. Kryeparlamentari zgjidhet diqysh. Mundësisht Bajrami i PDK-së. Një grumbull deputetësh do të ngrenë çështjen e shkeljes që ka bërë kryetarja kur i ka emëruar gjykatësit ndërkombëtarë të Kushtetueses. Merret masa e përkohshme dhe suspendohet kryetarja. Mbas disa ditësh (mundësisht nja shtatë), GJK-ja me gjithë gjykatësit që kanë konflikt interesi, vendos se përnjëmend ka pasur shkelje të Kushtetutës, prandaj ajo duhet të japë dorëheqjen. Ose të shkarkohet nga Kuvendi. Bajrami me automatizëm bëhet u.d. Kryetar Republike dhe mandaton Thaçin për kryeministër. Një herë, e edhe sa herë të duhet deri në shterjen e afateve, ashtu që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Kjo për shkak se Bajrami, si bashkautor i Kushtetutës, i jep tekstit të saj interpretimet që ia merr mendja, dhe kështu parandalon çfarëdo aktiviteti të opozitës së bashkuar.

Ndërkohë, meqë ka pasur shkelje të Kushtetutës, anulohet vendimi për emërimin e tre të huajve, porse vendimi për Jahjagën konsiderohet valid. Kjo në bazë të precedencës te rasti Pacolli, kur vendimet e tij kanë mbetur në fuqi, për shkak se vendimi i Kushtetueses nuk ka pasur fuqi retroaktive.

Do të mund të gjenden zbrazëti në këtë skenar, porse pas të gjithë asaj që e kemi përjetuar e mbijetuar në këtë shtetin tonë të shkretë, nuk përjashtohet mundësia që kjo të realizohet. Për shkak se pavarësisht pamjes nga jashtë – të një shteti demokratik ku ka institucione që funksionojnë në bazë të Kushtetutës, shtetin na e kanë kalbur përbrenda me ambicien e vet për t’u bërë të pasur, të fuqishëm, të famshëm, ata që janë bërë të fuqishëm me kërcënimin e armëve; të pasur me përvetësimin e të huajës dhe të famshëm jo për të mirë dhe me paratë e popullit që shërben për të botuar shkrime të porositura.

Nuk e di në mos e kanë zbuluar ndonjë peshk a qenie që mund t’i pastrojë rrënjët. E besoj se secili qytetar i Kosovës i ngopur me strukturat e krimit të organizuar në të gjitha nivelet, do të paraqitej vullnetar për të kontribuuar në blerjen e një megakontingjenti që do t’i shëronte rrënjët në kalbje e sipër të shoqërisë kosovare. Në mungesë të peshkut është megjithatë dikush që e ka zgjidhjen në duart e veta.

Quhet: popull.

flaka@koha.net

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...