Besa-Besë, Besën ta kam dhanë...

8 Mars 2014 - 08:09 - Halil Matoshi      

Sot nis kujtesa për Epopenë e UÇK-së. Më 5 mars 1988 nga forcat serbe u sulmuan simboli i rezistencës Adem Jashari dhe familja e tij. U vranë 47 veta. Sot, pikërisht në stadiumin e Mitrovicës, që mban emrin e tij, nis të shkruhet historia e Kombëtares së Kosovës në futboll

Një eveniment i përmasave ndërkombëtare, si loja e Kosovës me Haitin, do të duhej t'i mobilizonte shtetasit për t'i dhënë më shumë dashuri e lojalitet shtetit. Por për habi, disa grupe tifozësh, të lajthitur nga manipulues me historinë, e refuzojnë shtetin e tyre, simbolet e tij dhe mbi të gjitha ngrihen kundër një ëndrre të kosovarëve që po bëhet realitet: Të jesh i lirë mes kombesh të lira!

Porse qytetaria nuk i përfilli parullat e marra refuzuese të këtyre grupeve dhe individëve qoftë nga padija e manipulimet, qoftë nga zilia apo dashakeqësia bënin thirrje publike për ta bojkotuar një lojë ndërkombëtare, ngjyrat e një kombi të ri si pronar të shtetit të ri - Kosovës. Pra, kosovarët "zhbinë" për një ditë rreth 16 mijë biletat për evenimentin në "Adem Jashari" të Mitrovicës.

Marrëveshja e 19 prillit 2012 mes Prishtinës dhe Beogradit nxiti FIFA-n që t'ia mundësonte Kombëtares kosovare në futboll fillimin e lojërave ndërkombëtare, (tash për tash vetëm në kompeticionet miqësore.) Pra, dialogu shtetëror me Serbinë dhe ndeshja e futbollit me Haitin shfaq hyrjen e një kombi të ri (një komb i lindur nga konflikti) në hartën gjeopolitike të botës!? Po në këtë ditë ka lindur përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Janë këto fije të padukshme shprese e bese, që na lidhin me Europën dhe me kulturën oksidentale. Forewer!

Shumë lot e gjak, shumë vuajtje e shkundullima gjatë një shekulli e kanë llahtarisur Kosovën, e cila më 17 Shkurt 2008 shpalli Pavarësinë e saj kombëtare dhe sot (5 mars) prek ëndrrën e saj, mes kombeve të botës. Këso ngjarjesh ndodhin rrallë dhe kanë ndikim në historitë e kombeve dhe shteteve. Prandaj, u themi “ngjarje historike”. Disa sociologë sugjerojnë se emocionet kolektive, në veçanti shfaqjet emocionale si ndjenja e harmonisë afektive me të tjerët, gjatë ritualeve sportive, mund të rrisin identifikimin me një grup shoqëror.

Për më tepër, këto shfaqje emocionale që kanë të përbashkët simbolet e grupit - si pjesë e praktikave rituale - ndikojnë në gërshetimin e qëndrimeve dhe solidaritetit mes grupit (solidarësinë qytetare). Futbolli si ritual i përqendruar ndikon tek anëtarët e grupit (jo vetëm te tifozët) në identifikimin me grupin dhe perceptimin e simboleve kombëtare me fuqi ikone të shtuar. Porse, ngjarjet aq popullore si futbolli, janë thelbësore në lehtësimin e tensioneve ndërkombëtare, sepse ato transmetojnë emocione patriotike në mënyrë të sigurt. Ndonëse e preferoj lojën e "Real Madridit", duke qenë tifoz i këtij ekipi në 30 vjetët e fundit, kjo ndjesi më afron jo vetëm me tifozët e kësaj skuadre, por edhe me popullin spanjoll, me simbolet e tij, me Madridin, me ëndrrat, këngët dhe dëshpërimet e tyre.

Sot, natyrisht, do të jem një tifoz i Kombëtares kosovare dhe nga ky këndvështrim, ngjarjet sportive mund të jenë të nevojshme për marrëdhëniet ndërkombëtare, mirëpo futbolli ndikon fuqishëm edhe në bashkimin e kombit. Gjithnjë flas për një unitet brenda shtetit-komb. Atij të Kosovës.

Po çka e lidh marsin me misteret e luftës dhe paqes, lirisë kombëtare dhe shtetit? Idetë e marsit (latinisht: Idus Martii ose Idus Martiae) janë një ditë në kalendarin romak që u shënua nga disa rite fetare, duke u bërë e njohur si datë e vrasjes së Jul Cezarit në vitin 44 para Krishtit. Vdekja e Cezarit e ka bërë idenë e marsit një pikë kthese në historinë romake, si një nga ngjarjet që shënuan kalimin nga periudha historike e njohur si Republika Romake në Perandorinë Romake. Ndërsa loja mes Kombëtares kosovare dhe asaj haitiane shënon kthesën në historinë e shtetit të Kosovës: Nga një kolektivitet historik dhe protektorat në një komb modern!?

Emërtimin “Mars” e hasim në dy kuptime: te grekët, që e identifikuan me perëndinë e tyre të luftës - Ares, dhe tek romakët, të cilët në fillim e njihnin si perëndi të vegjetimit të tokës e të maleve, e më vonë si perëndi lufte. Kurse tek dardanët (ndoshta edhe nën ndikimin e latinicitetit të hershëm - arealit vlleh) perëndia e luftës njihet si Armat, që buron nga emnesa “armë”. Emërtimi i Marsit me emra zotash lufte (Ares, Mars, Armat), ka të bëjë me ngjyrën e kuqe të këtij planeti.

E kuqja e tij lidhej me forca të panjohura e misterioze që zakonisht kanë fuqi të mëdha mbinatyrore. Pasi ngjyrë të kuqe ka edhe zjarri dhe gjaku, ky planet merrej si simbol i luftërave, i shkatërrimeve, i djegieve etj. Marsin e bën edhe më misterioz fakti se në kronologjitë botërore të krizave të luftës, pra edhe në Kosovë, dallohet qartë se shumë kryengritje e akte të dhunshme kanë ndodhur pikërisht në muajin mars! Me të aguar dita e 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua familja Jashari nga forcat serbe të sigurisë. Granatimet kanë vazhduar për rreth tridhjetë e gjashtë orë.

Organizata "Amnesty International", në raportin e vet tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Adem Jashari u bë një simbol i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës, të cilët sot, shumë nga ta, veshin bluza me fotografinë e tij, me mbishkrimin "Bac, u kry!" 5, 6 dhe 7 marsi në Kosovë njihen si ditët e manifestimit tradicional "Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës" dhe Prekazi vizitohet si një "Mur lotësh" nga mijëra kosovarë. Sulmi i përbashkët i SHBA-së dhe i britanikëve kundër Sadam Hyseinit në Irak ka filluar më 20 mars të vitit 2003. Po ashtu sulmi terrorist në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, ku vdiqën e u plagosën qindra mijëra veta ndodhi më 11 mars 2004. Por, vërtet cilat janë ngjarjet më të mëdha që kanë ndodhur ndër shqiptarët më 5 mars gjatë historisë.

* 2 mars 1444: Nis mbledhja e Kuvendit të Princave të Arbrit në Lezhë. Kuvendi i drejtuar nga Venediku u mblodh në këtë qytet të vogël, në mënyrë që të shmangeshin konfliktet mes princave dhe të arrihej bashkimi i arbërve kundër otomanëve. Lidhja zgjodhi prijës Gjergj Kastriotin, i cili qysh atë ditë mori komandën e plotë të luftës kundër osmanëve.

* 20 mars 1554: Prifti shqiptar Dom Gjon Buzuku nisi veprën e vet "Meshari" që vazhdon të jetë vepra e parë e shkruar shqip.

* Më 18 mars 1908 forcat turke, pas vrasjes së komandantit turk të xhandarmerisë në Gjirokastër, nisën ekspeditën ushtarake kundër luftëtarit të lirisë, Çerçiz Topulli, që njihet si Lufta e Mashkullores.

* Më 24 mars 1911 filloi kryengritja e madhe e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli që shumë shpejt u shtri në gjithë Malësinë e Shkodrës. Pas dy javë luftimesh të suksesshme, ata arritën që më 6 prill ta ngrenë flamurin shqiptar në majën e Bratilës së Hotit.

* Më 22 mars 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi të copëtojë rëndë trojet shqiptare, duke shkëputur nga Shqipëria gjithë Kosovën dhe Çamërinë si dhe viset tjera shqiptare, si: Tetovën, Dibrën, Gostivarin etj., që pati si pasojë kryengritje të shumta të armatosura.

* Më 7 mars 1914 arriti në Durrës, si princ i Shqipërisë, gjermani Vilhelm Vid, i zgjedhur nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

* Më 7 mars 1919 delegacioni i Qeverisë shqiptare që shkoi në Konferencën e Paqes, që u mbajt në Paris (1919-1920), ia paraqiti kësaj konference propozimin që në krahinat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të vitit 1913, të vendoseshin forcat e SHBA-së për t'i administruar ato (90 vjet më vonë forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja u vendosën në Kosovë).

* Në mars 1920 u krijuan disa komitete të "Mbrojtjes kombëtare" për çlirimin e krahinave të pushtuara nga Italia dhe Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Disa muaj më vonë filloi sulmi i kryengritësve shqiptarë në krahinën e Vlorës që së shpejti u shndërrua në një kryengritje të të gjithë popullit shqiptar.

* Më 25 mars 1939 Qeveria italiane ia paraqiti Ahmet Zogut një traktat për nënshtrimin e Shqipërisë. Dy javë më vonë trupat fashiste italiane sulmuan Shqipërinë.

* Më 11 mars 1981, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, filluan demonstratat e studentëve për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Jugosllavi e që u përhapën në shumë qendra të tjera të Kosovës, si më 26 mars në Prizren etj.

* Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës, me direktiva nga Serbia, miratoi amendamentet kushtetuese nëpërmjet të cilave u hoq plotësisht subjektiviteti politik dhe ekonomik i Kosovës. Popullata shqiptare e revoltuar (nga 136 delegatë shqiptarë në këtë Kuvend vetëm dhjetë prej tyre refuzuan këtë miratim) vërshoi rrugët me demonstrata masive që u shuan me gjak nga forcat serbe të sigurisë.

* Më 26 mars 1990, populli i Kavajës, për herë të parë, guxoi të ngrihej në një demonstratë të fuqishme antikomuniste, që u shtyp me dhunë, por që ndikoi në ndryshimet pluraliste në Shqipëri.

* 18 mars 1999: Vazhdoi Konferenca e Rambouillet në Paris që solli "Po"-në e delegacionit të Kosovës për planin e paqes të bashkësisë ndërkombëtare dhe "Jo"-ja e palës serbe.

* 22 mars 1999: I dërguari i posaçëm amerikan, Riçard Hollbruk, nuk arriti ta bindte Milosheviqin për ta pranuar një marrëveshje për Kosovën dhe vendosjen e trupave ushtarake ndërkombëtare dhe kjo i hapi rrugë fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë, të cilat pas 78 bombardimesh rezultuan me tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova dhe vendosjen e administratës së përkohshme të OKB-së (UNMIK) dhe të trupave ushtarake të NATO-s (KFOR).

* Më 17 mars 2004 shpërthyen trazirat në Kosovë, ku humbën jetën me dhjetëra dhe u plagosën me mijëra protestues. Shkaktar i këtyre trazirave ishte mbytja e tre fëmijëve shqiptarë nga fshati Çabër në lumin Ibër, si pasojë e kërcënimit dhe ndjekjes nga ekstremistët serbë, si dhe bllokimi i aksit rrugor Prishtinë - Shkup në Çagllavicë, po ashtu nga ekstremistët serbë.

* Më 8 mars 2005 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me dy bashkëluftëtarë të tij, akuzohet nga Tribunali i Hagës për krime lufte, dhe me 9 mars 2005 ai shkon vullnetarisht në Hagë.

* 5 mars 2008 - Sllovenia njohu Republikën e Kosovës.

* 5 mars 2008 - Islanda njohu Republikën e Kosovës.

Kurse nga ngjarjet botërore të 5 marsit gjatë një shekulli veçojmë:
* 1913: Woodrow Wilson pason William Howard Taft-in si president i Shteteve të Bashkuara.

* Mes 4-6 marsit 1913 zhvillohet beteja për Bizanin. Lufta e Parë Ballkanike ka marrë hov: Forcat e Mbretërisë së Greqisë pushtojnë kalatë e Bizanit (që mbulonin qasjet në Janinë) nga Perandoria Osmane.

* 5-7 mars 1914: Princi William Von Vid udhëton në Shqipëri të fillojë sundimin e tij.
* 1918: Moska u bë kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik.

* 1931: Nënmbreti britanik i Indisë dhe Mohandas Gandhi nënshkruajnë Paktin e Gandhi-Irwin.

* 1933: Depresioni i Madh: Presidenti Franklin D. Roosevelt deklaron një "pushim bankash", duke mbyllur të gjitha bankat e Shteteve të Bashkuara dhe duke ngrirë të gjitha transaksionet financiare ( “pushimi” përfundon më 13 mars).

* 1940: Masakra Katyn: Anëtarët e Byrosë Politike Sovjetike (Joseph Stalin, Molotov, Lazar Kaganovich, Mikhail Kalinin, Kliment Voroshillov dhe Lavrenty Beria) nënshkruan një urdhër, të përgatitur nga Beria, për ekzekutimin e 25.700 intelektualëve polakë, duke përfshirë 14.700 oficerë.

* 1946: Në fjalimin e tij në Westminster College, në Fulton, Missouri, Winston Churchill përmend "Perden e hekurt".

* 1953: Vdes diktatori sovjetik, Joseph Stalin, pasi i ishte paralizuar ana e djathtë të trupit të tij dhe e bën atë pa ndjenja.

* 1960: Elvis Presley merr lirimin nga ushtria e SHBA-së, kurse Alberto Korda merr fotografinë e tij të famshme me portretin e Che Guevaras, "Guerrillero Heroico", në Havanë.

* 1961: Në një konferencë për shtyp në Andrews Air Force Base, zëdhënësit e Forcave Ajrore njoftuan se ata kishin zhvilluar një orë atomike që gabimi i saj më i madh nuk do të kalojë një të dytën e sekondës në 1.271 vjet.

* 1966: Aeroplani i fluturimit 911 rrëzohet mbi malin Fuji menjëherë pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Tokios në Japoni, duke u vrarë të gjithë, 124 veta në bord.

* 1970: Hyn në fuqi Traktati për mospërhapjen e armëve bërthamore pas ratifikimit nga 56 kombe.

* 1971: Ushtria pakistaneze pushton Pakistanin lindor.

* 1977: Piloti i Formulës 1. Tom Pryce vdes pasi u përplasur në një barrierë, tek garonte për Çmimin e Madh të Afrikës së Jugut në Kyalami.

* 1979: Voyager e bën qasjen e saj më të afërt me Jupiterin, 172.000 kilometra.

* 1993: Një aeroplan "Fokker 100" i kompanisë maqedonase "Palair" u rrëzua menjëherë pas fluturimit. 83 nga 97 personat që gjendeshin në bord, ndër ta shumë shqiptarë vdiqën.

* 1994: Nga policia zvicerane gjenden kufomat e 48 anëtarëve të një kulti religjioz, pas një vetëvrasjeje të pretenduar masive.

* 2000: Mbështetës të opozitës serbe "pushtojnë" ndërtesën e Parlamentit jugosllav në një kryengritje masive kundër Slobodan Milosheviqit dhe e shpallin Vojislav Koshtunicën si president të ri të vendit.

* 2001: Në Mekë, 35 pelegrinë myslimanë shkelen për vdekje (stampedo) gjatë haxhillëkut.

* 2003: Në Haifa 17 civilë izraelitë janë vrarë në një sulm vetëvrasës të kryer nga "Hamasi", në incidentin e njohur si "masakra e autobusit".

* 1922 : Është lindur Pier Paolo Pasolini në Bologna të Italisë; ka vdekur (1953) Josef Stalin, udhëheqës i Bashkimit Sovjetik dhe John Belushi (1982), aktor amerikan me prejardhje shqiptare.

* 5 mars 2014: Me vendim të FIFA-s i lejohen Kosovës ndeshjet miqësore në futboll, në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë, Kombëtarja e Kosovës luan ndeshjen e saj të parë ndërkombëtare kundër Kombëtares së Haitit për të nisur kështu shkrimi i historisë ndërkombëtare të futbollit kosovar. Kjo ndeshje hyri në kalendarin e http://www.livescore.com/soccer/intl/.

Vë bast në fitoren e Kombëtares kosovare! Me uzdajë e besim.
Për hair!

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...