Arbitër për dalje nga kriza institucionale

14 Shtator 2014 - 08:49 - Elmaz Isufi      

Kosova ka hyrë në muajin e katërt të krizës institucionale. Nuk bëhet fjalë për krizë të lokalizuar, por për krizë të përgjithshme. Vendi e ka pa legjitimitet Qeverinë, e Kuvendin të pakonstituuar. Për pasojë edhe një zinxhir institucionesh jashtë funksionit. E kriza në kuptimin e gjerë ka ndikim në zhvillimin, stabilitetin dhe sigurinë, ndërsa konfirmon aftësinë apo paaftësinë e institucioneve në menaxhimin e shtetit. Por, njëkohësisht krizat janë edhe laborator i jetës shoqërore - mundësojnë përcaktimin e shkaktarit dhe pasojat.

Bllokimi i institucioneve, si në rastin e Kosovës, mund të sjellë të tjera nënkriza, si: prishja e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndëretnike, keqmenaxhimi financiar, rritja e fenomenit të korrupsionit, degradimi i institucioneve të sigurisë, rënia e nivelit të përgjegjësisë në menaxhimin e pushtetit lokal dhe qendror, e sidomos të institucioneve të pavarura.

Disa akuzojnë liderët e partive politike me të drejtë përfaqësimi në Kuvend, që e kanë futur Kosovën në krizë, e disa këtë ia faturojnë Kushtetutës, përkatësisht interpretimit të saj. Partia fituese e zgjedhjeve, PDK-ja, nuk ka mundur të gjejë asnjë partner për bashkëqeverisje. Ajo as matematikisht nuk mund të vihet në krye të institucioneve. Ndërsa partitë tjera parlamentare, katër sosh, ia kanë dalë ta përkthejnë dështimin në zgjedhje në sukses paszgjedhor.

Ndryshe nga PDK-ja, ato i kanë numrat për t’i vënë në funksion të dy nivelet institucionale (ekzekutive dhe legjislative), porse kanë të drejtën ligjore të shtyjnë procesin përpara, meqë këtë ua ka mohuar “pjesërisht” Gjykata Kushtetuese. Ajo, në gjykimin e saj, edhe për mandatarin e edhe për kryetarin e Kuvendit, ka marrë për bazë faktet që i referohen procesit zgjedhor, deri në publikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ka njohur subjektet me emër dhe mbiemër ashtu siç ishin regjistruar në KQZ dhe plasmanin e tyre në fund të garës. Të gjitha efektet tjera që ka prodhuar rezultati zgjedhor ndërkohë ajo nuk i ka konsideruar relevante.

Për njërin krah, atë të PDK-së, opinioni i Kushtetueses i ka dhënë drejtim zgjidhjes së problemit. Ata kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe vetëm ata, e kanë të drejtën edhe të formojnë Qeverinë. Edhe këtu, sipas versionit të tyre, vetëm ata. Çdo opsion tjetër kanë vlerësuar në PDK e çon vendin në zgjedhje të reja.

Krahu tjetër, i njohur si blloku opozitar, të dy opinionet e Kushtetueses i ka kundërshtuar hapur, duke mos kursyer edhe akuza ndaj kreut dhe shumicës së anëtarëve të saj, me dyshimin se janë rreshtuar në krah të PDK-së. Me gjithë kualifikimet për gjykatën si partiake, ky bllok pretendon t’i realizojë qëllimet po nëpërmjet vendimeve të kontestuara të Kushtetueses, në pjesët që konsiderohen “të nënkuptueshme”. Pra, nëse PDK-ja dështon ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, atëherë rrjedhimisht atyre u takon përpjekja e dytë. Me të njëjtin skenar edhe krijimin e Qeverisë, për të cilin proces, interpretim kishte kërkuar presidentja e vendit.

Blloku opozitar, për dallim nga PDK-ja, nuk i dëshiron zgjedhjet. Një nga arsyet përmendet dëshira për ta konsumuar marrëveshjen e madhe të arritur mes katër partive, ndërsa arsyeja tjetër është parashikimi se liderët e partive në bllok për shkak të lëshimeve që kanë bërë në marrëveshje dhe mosreflektimin e tyre për rezultatin e zgjedhjeve, mund të kenë humbur shumë nga elektorati.

Në këtë spirale dështimesh, si në hapat e ndërmarrë ashtu edhe në gjykimin e rrethanave të krijuara nga zgjedhjet e fundit, as PDK-së e as bllokut opozitar nuk u zihet për të madhe që lakmojnë pushtetin, e as nuk duhet fajësuar që e kanë futur vendin në krizë. Shumica e këtyre partive kanë dhënë shumë prova që nuk janë të prira për t’u shërbyer qytetarëve. E qytetarëve që i kanë mësuar hiletë e partive dhe liderëve të tyre, hatri u ka mbetur më shumë te Kushtetuesja, si një arbitër i menduar si i paanshëm dhe profesional. Ata janë të pakënaqur për arsyen e thjeshtë, jo se ajo ka mbajtur anën në gjykimin e saj, porse nuk i ka vënë pikën procesit.

Qytetarët, duke vlerësuar se vendi përveç krizës politike ka edhe krizë kushtetuese, duke marrë parasysh përvojat e mëhershme, si dhe duke parë se pozicionimi i kundërshtarëve politikë më shumë se kurrë është i skajshëm, mbajnë shpresën se në këtë proces do të ndërhyjë një arbitër tjetër para të cilit gjunjëzohen edhe “humbësit”, edhe “fituesit”. Dy autoritetet e mbetura që mund të ndërhyjnë konsiderohen faktori ndërkombëtar dhe presidentja e shtetit, pavarësisht se edhe njëra, edhe tjetra në rrethana normale nuk do të duhej ta bënin këtë.

Përfaqësuesit e zyrave të huaja në Prishtinë këmbëngulin se nuk do të përzihen në përplasjen mes partive, duke dashur jo vetëm që të lejojnë vetë të zgjedhurit të vendosin për prijësit e ardhshëm të tyre, por më shumë për të mos përsëritur aferën e zgjedhjes së presidentes me zarf. Ata insistojnë që të respektohen procedurat ligjore dhe opinioni i Kushtetueses.

Mbase edhe ata janë bindur se shoqëria kosovare është shoqëri e lazdruar e joserioze, dhe se është shansi i mirë kur mund të nxjerrin në pah (pa)pjekurinë menaxhuese të elitës politike.
Por, sa i ndihmon ky qëndrim i tyre një shoqërie me demokraci të brishtë, me lider të kontestuar dhe politikisht të dështuar. Sa u shërben qytetarëve, të cilët që nga koha kur kishin projektuar në mendjen e tyre shtetin e ri të Kosovës, të gjitha llogaritë i kishin bërë në përkrahjen ndërkombëtare. Edhe proceset nëpër të cilat kaloi vendi nga lufta e këndej, në vazhdimësi janë përkrahur nga miqtë. Dhe jo vetëm në rrafshin e krijimit dhe legjitimimit ndërkombëtar të shtetit, por edhe në ndërtimin e institucioneve, deri në nivelet e bashkësive lokale.

Nëse Brukseli dhe Uashingtoni kanë për qëllim që elitën politike ta sfidojnë deri në “turpërim”, atëherë sipas analistëve i bie hise institucionit më të lartë – Presidencës, që duke u bazuar në atë se përfaqëson “unitetin e popullit”, të shmangë marren publike dhe të ndihmojë në daljen nga kriza.

Por, kjo do tingëllonte bukur sikur të kishim presidencën institucion jo vetëm me kompetenca më të gjera, por edhe politikisht kreative. Askush tash nuk beson se Kosova ka president të besueshëm që arrin të imponojë në tryezën e bisedimeve formulën e daljes nga kriza. Për më tepër që presidentja e tashme, Atifete Jahjaga, ka dhënë mjaft shenja se nuk mund ta bartë këtë barrë, edhe sikur të mos ketë pengesa ligjore. Jo pse ajo nuk do, porse nuk ka kapacitete për ta bërë këtë.

Jahjaga për më shumë se tre vjet mandat ka dështuar të shtrijë autoritetin e saj në publik dhe ka mbetur në hijen e liderëve partiakë. Ajo ka dështuar të bëhet një personalitet popullor me përkrahje të gjerë në masë, përkrahje kjo që do të ishte shfrytëzuar si kartë e fuqishme përballë vështirësive që mund të paraqiten në funksionimin e vendit. Përveç vetëpërmbajtjes gjatë ushtrimit të funksionit të saj, duket se ka marrë tremë edhe nga paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, që janë shkarkuar nga kjo detyrë nga Kushtetuesja. Ajo dhe stafi i saj janë të angazhuar maksimalisht që të veprojnë me kujdes dhe të mos bien ndesh me ligjin – gjë që ka kuptim.

Por nuk ka kuptim që ajo të deklarohet ndaj sfidave të tashme, me të njëjtën gjuhë me atë të ndërkombëtarëve, dhe nuk ka kuptim që ajo të mos i ulë në një tryezë kundërshtarët politikë dhe të ofrojë alternativat e daljes nga ngërçi institucional. Ky angazhim as nuk kërkon sakrificë e as nuk përbën shkelje kushtetuese. Përkundrazi, pavarësisht epilogut, do të vlerësohej si kontribut konkret i saj, më në fund.

 

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...