I tërbuari fyen të gjithë partnerët

11 Shtator 2014 - 08:28 - Enver Robelli      

Hashim Thaçi ka qejf ta sundojë Kosovën edhe më tutje. Por për këtë qëllim ai nuk po gjen partnerë, andaj kryeministri në ikje e ka humbur orientimin dhe po i fyen pikërisht ata të cilët dëshiron t’i ketë aleatë për bashkëqeverisje. Sharjet dhe mallkimet e Thaçit tregojnë – sërish - fytyrën e vërtetë të regjimit të tij

“Humbës”, “kërcënues”, “të frustruar”, “bllokues”, “grumbull muskujsh politikë të humbur” – këto janë vetëm disa nga fyerjet që Hashim Thaçi javëve të fundit i ka drejtuar kundër krerëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën. Kundër “Vetëvendosjes”, partisë së tretë politike në vend, propaganda e regjimit të Thaçit zhvillon prej vitesh një fushatë të ndyrë. Nga foltorja e Parlamentit, Thaçi i kishte bërë thirrje Albin Kurtit, shefit të VV-së, që të kthehej në Vladimir të Malit të Zi, prej nga vjen i ati i tij.

Thaçi e kishte përdorur qëllimisht toponimin sllav Vladimir në përpjekjen e tij të dëshpëruar që Kurtin ta afrojë sa më shumë me botën sllave. Shqiptarët Vladimirin e njohin si Katërkollë të Anamalit. Thaçi nuk e kishte lënë me këtë thirrje raciste kundër Kurtit. Kishte vazhduar me mbllaçitjen perverse se Kurti i paskësh “dalë dore” të atit. Më parë punët e ndyra i kishte kryer shërbimi sekret për vrasje e plaçkitje i PDK-së, i njohur me akronimin gjakpirës SHIK, duke plasuar gënjeshtra në Kuvend përmes deputetit me nofkën Kamishi, ai me guxim të budallait e kishte shpallur Kurtin spiun të Serbisë.

Furia e re e sharjeve të Hashim Thaçit kundër partive politike shqiptare që s’duan të bëjnë koalicion me të tregon se shefi i PDK-së i sheh Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Albin Kurtin vetëm si masha, si instrumente për të ardhur në pushtet me votat e tyre. Më së voni këtu përfundon trajtimi i partnerëve si partnerë. Ata janë vetëm e keqe e domosdoshme, një grumbull kafshësh që japin votat dhe thonë “po, po, po” sa herë që Thaçi do! Kështu, pa pikë respekti, është trajtuar LDK-ja në vaktin e Fatmir Sejdiut, i cili lejonte çdo poshtërim të partisë vetëm e vetëm për të mbetur president i vendit. Në fund edhe nga ky post e hoqën, me ndihmën e Gjykatës Kushtetuese. Thaçi u tall edhe me Haradinajn, i cili është pafundësisht i etur për pushtet dhe, kur u kthye nga Haga, sapo shkeli qilimin e kuq në Sllatinë iu hodh në përqafim kryeministrit.

Disa javë Thaçi e barti Haradinajn në krah, duke ia ushqyer shpresat se do të bëhej “më i madhi”, pastaj e hodhi në kontejner. Haradinaj nuk ishte më shumë se bërllok politik. Këtë trajtim ai edhe e kishte merituar, për shkak të jargëzimit të tij pas PDK-së.

Koalicioni mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës mund të jetë i panatyrshëm, por arsyet për këtë bashkim PDK-ja duhet t’i kërkojë brenda vetes. Përse po bojkotohet Thaçi nga të gjithë? Kësaj pyetjeje ai më së miri do t’i përgjigjej vetë nëse do të ishte pak i sinqertë. Meqë nuk është i sinqertë, meqë mendon se ata që nuk mund t’i përfitojë si partnerë, mund t’i mashtrojë, ata që nuk mund t’i mashtrojë, mund t’i blejë, ata që s’i blen dot, mund t’i kërcënojë, ata që s’mund t’i frikësojë, mund t’i shantazhojë me shërbimin e tij kriminal, Thaçi tash ka filluar t’i shajë pikërisht ata me të cilët dëshiron të bëjë qeverinë e ardhshme.

Duket se këtë joseriozitet të Thaçit, më në fund, e kanë kuptuar shumica e protagonistëve të spektrit politik të Kosovës. Të gjithë ndihen të mashtruar – me të drejtë. LDK-ja dhe AAK-ja dhanë votat për t’u zgjedhur presidente Atifete Jahjaga, dhe ish-policja e dëgjueshme u shndërrua në asistente të PDK-së. LDK-ja dhe AAK-ja i kanë dhënë votat edhe për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Rezultati: kjo Gjykatë është shndërruar në pisarnicë (shkronjëtore) të PDK-së.

LDK-ja dhe AAK-ja kanë mbështetur dialogun jotransparent me Serbinë, të cilin e ka zhvilluar Thaçi. Cili është shpërblimi për këtë bashkëpunim? Thaçi këto ditë i rifilloi bisedimet me Serbinë, ndonëse nuk ka një mandat të pastër për këtë, pasi që është kryeministër në largim. LDK, AAK dhe as populli i Kosovës nuk u pyetën për këtë aventurë të re politike të Thaçit.

Rrjedhimisht, jo vetëm krerët e LDK-së, VV-së, AAK-së dhe të Nismës, por edhe shumë qytetarë pyesin nëse për Kosovën do të ishte e dobishme të ketë edhe në 4 vjetët e ardhshëm një kryeministër që “karrierën e ka ndërtuar me mashtrime të mëdha”. Kjo fjalia në thonjëza është e një anëtari të Kryesisë së PDK-së. Qytetarët e Kosovës që ia duan të mirën Republikës sot duhet të ballafaqohen me këto pyetje:

1. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që lidhi një biçim marrëveshje me Serbinë, e cila ishte e dështuar menjëherë pas nënshkrimit? Beogradi as që po lodhet ta zbatojë atë plotësisht. Mjafton të jesh qytetar i Republikës së Kosovës dhe milici serb do të të kthejë në kufi, arbitrarisht.

2. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që me këtë marrëveshje skandaloze vetëm i hapi rrugë Serbisë drejt integrimit në BE, ndërkohë që Kosova numëron në vend?

3. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që premton rrejshëm se do të zbulohen vrasësit apo arsyet e vetëvrasjes së figurave publike si shefi i Agjencisë së Privatizimeve (D. Asanaj), apo një deputet i partisë së tij (E. Pista)?

4. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që kontrollon kompanitë e mëdha, të cilat dyshohet se janë të detyruara t’ia japin ujemin partisë së tij nëse duan të vazhdojnë veprimtaritë afariste?

5. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që në mënyrë plotësisht jotransparente privatizon (fal) distribucionin e KEK-ut dhe ia jep me koncesion (fal) Aeroportin e Prishtinës një kompanie të dyshimtë turke?

6. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që premton heqjen e vizave për 15 muaj dhe këtë e bën të pamundshme, sepse komplet sistemin e sigurisë e ka mbushur me analfabetë, militantë partiakë dhe vrasës potencialë, të cilët janë vetë arsyeja përse nuk hiqen vizat?

7. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që mban në postin e ministrit të Brendshëm një vartës që nuk arriti të zbulonte se kush i vodhi 50 kilogramë drogë nga dhoma e dëshmive në të ashtuquajturën Polici e Kosovës?

8. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që për çdo ditë zbraz xhepin e qytetarit, duke favorizuar importin e prodhimeve të kalbura nga vendet fqinje dhe duke pamundësuar çdo zhvillim thelbësor ekonomik?

9. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që nepotizmin e ka shndërruar në stil dhe tabiat të qeverisjes?

10. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që vendimet e rëndësishme për punët e shtetit i merr në kafehane të tipit “Zanzibar”?

11. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që jep kontrata publike pa i lejuar publikut të shohë se si po harxhohen paratë e qytetarëve?

12. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që ka thelluar injorimin e rajoneve të caktuara të Kosovës, duke mos investuar asgjë në infrastrukturë?

13. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që si investim më të madh në arsim e sheh shtruarjen e darkave me suxhuk e sytliaç për mësues të varfër?

14. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që bashkë me shokët e tij akuzohet nga NATO-ja si prijës i krimit të organizuar dhe korrupsionit?

15. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që për zëvendës partiak ka një person që nga NATO-ja quhet njeri me “reputacion të dilerit të drogës”?

16. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që përmes televizionit pseudopublik, portaleve kriminale, gazetave të verdha manipulon të vërtetën dhe përpiqet të njollosë këdo që s’arrin ta blejë në pazarin e madh të mishit politik?

17. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që shkatërron ndërmarrjet publike për t’i favorizuar ndërmarrjet ku mbajnë aksione shokët e tij? (Shembull: telefonia mobile).

18. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që “të vërtetat” i ndërron si çorapet: opinionit vendas i thotë “kam luftuar”, opinionit ndërkombëtar i thotë: “kam qenë larg fronteve të luftës”? Cilit kloun t’i besohet këtu?

19. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që e ka shndërruar Gjykatën Kushtetuese në zyrë personale juridike?

20. E doni sërish për kryeministër një mashtrues, që plaçkit mërgimtarët në kufi përmes haraçit zyrtar (i ashtuquajturi sigurim për automjete)?

Kosovës i duhet një kryengritje civile dhe paqësore kundër këtij regjimi. Po qe e domosdoshme edhe me zgjedhje të reja parlamentare, me ç’rast Kosova do të duhej të mobilizohej kundër këtij pushteti që ka grabitur shtetin!

robelli@bluewin.ch
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...