Doktrina e re e sigurisë së Perëndimit duke e parë Rusinë si kërcënim

10 Shtator 2014 - 08:37 - Augustin Palokaj      

Perëndimi ka reaguar ndaj Rusisë me masa politike, ekonomike dhe ushtarake. Por asnjëra nuk ka arritur ta ndalë agresionin dhe invazionin rus në Ukrainë. Sot në Perëndim e pranojnë se kanë jetuar 20 vjet në iluzion të ndërtimit të partneritetit strategjik me Rusinë dhe përsëri flitet për kthimin e filozofisë së luftës së ftohtë. Por gjërat janë më të komplikuara tash, sepse edhe Perëndimi varet shumë nga Rusia, ndërsa BE-ja e NATO-ja janë zgjeruar aq shumë, saqë e kanë vështirë të bien dakord edhe rreth asaj se çfarë duan

Nuk ishte zgjedhje e rastësishme që presidenti amerikan, Barack Obama, zgjodhi pikërisht Talinin, kryeqytetin e Estonisë, që të përsëritë zotimin se, nëse dikush sulmon atë vend anëtar të NATO-s, e tërë Aleanca, përfshirë edhe forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të vijnë në mbrojtje. Përsëritja e mbajtjes së premtimit kryesor për mbrojtje kolektive, mbi të cilin parim edhe ishte ndërtuar NATO-ja para 65 vjetësh, është më se e nevojshme për qytetarët e tri shteteve baltike, por edhe për Poloninë.

Duke parë agresionin rus në Ukrainë dhe agresivitetin e presidentit të Rusisë, Putin, në zbatimin e politikës së tij ekspansioniste, shtetet e sotme të pavarura dhe anëtare të NATO-s, të cilat dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, ndihen të kërcënuara.

Argumentet të cilat Rusia i përdori në rastin e Ukrainës, e që janë parë nga Milosheviqi në ish-Jugosllavi si model, pra thirrja në ”mbrojtjen e rusëve etnikë“, ”lufta kundër fashizmit“ etj., mund të vlejnë edhe në rastin e tyre. Në shtetet baltike jeton një bashkësi e madhe etnike ruse dhe me logjikën e përdorur në Ukrainë edhe atje do të mund të ndodhte njësoj.

Por Estonia, Letonia dhe Lituania janë anëtare të NATO-s. E sipas artikullit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut “sulmi ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve“. Pra me ndonjë veprim ndaj ndonjë shteti fqinj që është anëtar i NATO-s, Rusia do të hynte në luftë me të 28 shtetet anëtare, pra me të gjitha.

Kjo ka bërë që edhe në vendet tradicionalisht neutrale si Finlanda dhe Suedia tash të rriten zërat për hyrje të tyre në NATO, ndërsa diplomatët nga tri shtetet baltike thonë se ”nuk guxojnë as të ëndërrojnë se çfarë do të mund të ndodhte sikur të mos ishin në NATO“.

Sjellja e Rusisë në Ukrainë ka sjellë Perëndimin në një pozitë të cilën nuk e kishte pritur kush e për të cilën nuk ishte përgatitur asnjëherë. Luftën në Ukrainë edhe BE-ja, edhe NATO-ja e kanë quajtur “agresion dhe invazion ndaj territorit të një shteti sovran dhe të pavarur“. NATO-ja që moti ka thënë se “nuk e sheh më Rusinë si partnere, por si kundërshtare“, ndërsa edhe shefja e ardhshme e diplomacisë së BE-së thotë se “Rusia nuk është më partner strategjik, ndërsa reagimi ndaj sjelljeve të Rusisë nuk mund të jetë vetëm në letër“.

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili ka zhvilluar disa biseda telefonike me presidentin e Rusisë, Putin, ka thënë se ”po i afrohemi pikës nga e cila nuk ka kthim“. Ai është cituar të ketë përcjellë në takimin e shefave të shteteve të BE-së thënien e Putinit: “Mund ta marr kryeqytetin e Ukrainës, Kijevin, për dy javë po të dua“. Vetë Putin ka kërcënuar Perëndimin që të “mos luajë me Rusinë, sepse ajo është një ndër superfuqitë më të mëdha bërthamore“.

Edhe Rusia tash ka paralajmëruar se doktrinën e saj ushtarake do ta ndërtojë duke e konsideruar NATO-s si kërcënim. Perëndimi ka reaguar ndaj Rusisë me masa politike, ekonomike dhe ushtarake. Por asnjëra nuk ka arritur ta ndalë agresionin dhe invazionin rus në Ukrainë. Sot në Perëndim pranojnë se kanë jetuar 20 vjet në iluzion të ndërtimit të partneritetit strategjik me Rusinë dhe përsëri flitet për kthimin e filozofisë së luftës së ftohtë. Por gjërat janë më të komplikuara tash, sepse edhe Perëndimi varet shumë nga Rusia, ndërsa BE-ja e NATO-ja janë zgjeruar aq shumë, saqë e kanë vështirë të bien dakord edhe rreth asaj se çfarë duan.

Nga aspekti politik liderët perëndimorë kanë izoluar presidentin rus Putin dhe e kanë shpërbërë praktikisht G8-shin. Nga aspekti ekonomik BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përcjella me shtetet tjera që hyjnë në boshtin e civilizimeve perëndimore, gradualisht janë duke shtrënguar sanksionet ndaj Rusisë. Në aspektin ushtarak NATO-ja ka vendosur të krijojë forcat e saj luftarake për veprim të shpejtë, të cilat do të jenë në gjendje të veprojnë për të mbrojtur shtetet e Evropës Lindore.

Rusia e sheh këtë si shkelje të Traktatit të nënshkruar në vitin 1997, sipas të cilit edhe NATO-ja ishte zotuar se nuk do të staciononte forca të përhershme të panevojshme në territorin e ish-vendeve të bllokut të Lindjes. Por në NATO pohojnë se Rusia tashmë i ka shkelur të gjitha parimet dhe marrëveshjet e mundshme duke ndërhyrë në Ukrainë.

E gjithë sjellja e Rusisë vërtet kujton kohërat e luftërave në ish-Jugosllavi. Edhe Beogradi atëherë thoshte se “forcat serbe nuk janë në territorin e Kroacisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës“, se “atje bëhet luftë qytetare, sepse regjimi fashist po kërcënon serbët etnikë” etj. Edhe sot, kur NATO-ja pohon se ka dëshmi për prani të forcave të armatosura të Rusisë në territorin e Ukrainës, Rusia mohon këtë, ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se “ato janë pamje nga videolojërat!“

Besimi në presidentin rus dhe në regjimin e tij në Rusi është zhdukur. Partneriteti me NATO-n ishte ndërtuar për një kohë të gjatë. Kosova ishte një test i cili në fund doli të jetë i suksesshëm. Por edhe në rastin e Kosovës u testua partneriteti i Rusisë me NATO-n. Për pak u shmang konfrontimi direkt kur forcat ruse, duke befasuar NATO-n, hynë në Kosovë më 11 qershor të vitit 1999.

Por më vonë, përmes diplomacisë, u arrit që Rusia të jetë pjesë e një misioni ushtarak të udhëhequr nga NATO-ja. Rusia sot shihet si kërcënim dhe sfiduese e kredibilitetit dhe vlerave perëndimore. Por Perëndimi nuk mund të ketë përgjigje për të ndihmuar më shumë Ukrainën dhe për ta ndalur Rusinë. Analistët pohojnë se “Putin është i gatshëm të paguajë çmimin e sanksioneve për të realizuar idetë e tij, e ato nuk do të ndalen në Ukrainë”.

Duke e përjashtuar çfarëdo mundësie të angazhimit ushtarak në mbrojtje të Ukrainës e vetmja ndihmë konkrete mund të jetë ndihma në armatim, por këtë NATO-ja dhe BE-ja nuk mund ta bëjnë edhe pse mund ta bëjë ndonjë shtet veç e veç. Por rastin e Ukrainës NATO-ja e ka shfrytëzuar për të ndryshuar konceptin e vet dhe për të kaluar në një fazë të re të transicionit.
Sot zona euroatlantike po kërcënohet në kufijtë e saj në lindje dhe në ato në jug. Në njërën anë agresiviteti rus dhe lufta në Ukrainë e në tjetrën terrorizmi dhe ekstremizmi në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme.

Duke qenë organizatë e cila që nga përfundimi i luftës së ftohtë ka kërkuar arsyen e ekzistimit, dhe duke u transformuar për t’u përballur me sfidat e reja të sigurisë, NATO-ja edhe tash është duke e bërë këtë. Nuk është problem fuqia ushtarake e NATO-s, as në përballje me ekstremistët e “Shtetit Islamik” e as me kërcënimin nga Rusia. Problemi është politik dhe ai shfaqet përmes proceseve të gjata dhe të komplikuara të marrjes së vendimeve ku secili nga 28 shtetet anëtare ka të drejtë vetoje. Kështu është edhe në BE sa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë. E NATO-ja dhe BE-ja veprojnë si dy anët e së njëjtës monedhë.

Tash në BE dhe NATO druajnë se, me afrimin e dimrit, Putin dhe Rusia do të kenë një përparësi edhe më të madhe duke pasur parasysh se shumë shtete të BE-së dhe të NATO-s janë tepër të varura nga Rusia për furnizimin me energji dhe gaz. Sllovakia për shembull mbi 90 për qind, ndërsa edhe vendet si Gjermania, Belgjika dhe Holanda nevojat e tyre i plotësojnë 30 për qind me importe gazi nga Rusia. “Qytetarët evropianë nuk do të kenë shumë kuptim nëse duhet të ketë mungesë gazi gjatë dimrit, apo ta paguajnë më shtrenjtë, vetëm pse shteti i tyre i ka mbrojtur parimet në rastin e Ukrainës”, citohen disa diplomatë të BE-së të kenë thënë privatisht.

Por, në anën tjetër edhe Rusia e ka të qartë se, nëse vazhdon kështu, do të mund të humbë shumë, sepse edhe BE-ja tashmë është duke e zvogëluar varësinë nga nafta dhe gazi rus dhe duke ndërtuar kanale alternative të furnizimit. Sanksionet ndaj Rusisë do të mund të dëmtojnë ekonominë ruse, por kjo në një afat shumë të gjatë. Efekti i tyre nuk do ta ndalë Rusinë në Ukrainë dhe për këtë shtet të gjitha sanksionet janë të vonuara.
E gjithë kjo krizë shërbeu si zgjim nga gjumi për disa shtete anëtare të NATO-s, të cilat janë mësuar se lirinë mund ta kuptojnë si të garantuar.

U krijua përsëri një unitet, së paku në parime, i NATO-s dhe ky u pa në Samitin e fundit në New Port.
Në Kosovë duhet t’i kenë parasysh edhe këto shqetësime të cilat i ka Perëndimi në pjesë tjera të botës, sepse kjo do t’u ndihmojë të kuptojnë pse BE-ja dhe NATO-ja kanë gjithnjë e më pak interes, kohë dhe energji që të merren me probleme të cilat tash vetë i krijojnë strukturat politike në Kosovë.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...