A u bë boll më?

9 Shtator 2014 - 09:22 - Flaka Surroi      

Kësaj pyetjeje këta të PDK-së do të duhej t’i përgjigjeshin me një “po”. Sepse boll e shkatërruan shtetin pa i cytur askush. Por meqë ata nuk do ta bëjnë këtë, dikush tjetër duhet t’ua thotë para se të fundosemi plotësisht. Fillimisht në Kuvend. Dhe duke shpresuar se Kushtetuesja nuk e shkreton sërish

Nuk e di nëse ma kishin thënë në shaka, apo se dikush vërtet e kishte thënë atë, porse është një diçka që më sillet nëpër mendje prej atëherë kur i kishim punët shumë ngushtë -- të paliri, të papunë, të pashpresë -- e kur vepronim secili në mënyrën tonë kundër okupimit serb. “Budallë është Millosheviqi që nuk e kupton se shqiptarëve duhet dhënë shtetin.

Në vend se ta humbë gjithë atë energji e t’i shpenzojë gjithë ato para, më së miri është t’jua japë pushtetin shqiptarëve. Mundësisht të të pangopurve. Vetë shqiptarët do ta shkatërrojnë atë, pa i cytur askush”.

Nuk kanë kaluar as shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, e tash thuajse po dëshmohet në praktikë një konstatim kaq i shëmtuar. Se shqiptarët, duke i pasur të gjitha në favor (përkrahjen politike e financiare ndërkombëtare, realizimin e aspiratës shumëvjeçare; vullnetin për të frymuar lirshëm dhe në mënyrë të pavarur; popullsinë më të re; një brez të tërë të arsimuar mirë dhe predispozitat për t’ia nisur mbarë një shtegtimi jo të lehtë), e kanë sjellë Kosovën në zgrip të dështimit si shtet, edhe politikisht e edhe ekonomikisht.

Sepse, për fat të keq, kasta e cila e ka udhëhequr atë drejt dështimit nuk i është shmangur kurrë mentalitetit të varësisë nga “dikush që di më mirë”, ngase në këmbim ka fituar të drejtën për ta rrjepur shtetin deri në palcë, me garancinë se askush nuk do t’i ndjekë. Apo se edhe nëse do t’i ndjekë, gjithmonë do të gjendet dikush që ose do ta ndalojë procesin, ose do t’i zhdukë provat.

Mjafton të shikohen titujt kryesorë që u shënuan gjatë javës në gazetë për të kuptuar se shtetndërtimi për këta njerëz në fakt nënkupton grykësi deri në ngufatje me pasuri të huaj.

Shkelësja e re e Kushtetutës

Kuvendi e ka miratuar një ligj, me të cilin e ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare, aspak të qartë juridikisht te pika e gjykatësve ndërkombëtarë të Kushtetueses. “Duke vepruar në interes të vendit” e mori vendimin dhe ua zgjati mandatin tre gjykatësve ndërkombëtarë të Kushtetueses, edhe pse ajo kompetencë i takon ekskluzivisht Kuvendit.

Në fakultetin që e ka kryer do ta ketë mësuar se Kushtetuta nuk mund të ndërrohet me ligj. E nuk mund të ndërrohet as me një letërkëmbim që madje nuk e ka paraparë ndryshimin përmbajtjesor të sistemit juridik të shtetit me asnjë detaj të vetëm. Letërkëmbimi e përmban një fjali të dykuptimtë, që ashtu siç është interpretuar, e bën kryetaren shkelëse të Kushtetutës.

E nëse nuk e ka mësuar në fakultet, dikush është dashur t’i tregonte prej atyre shumë këshilltarëve që i ka.

E nëse i kanë treguar, është dashur të mendonte vetë se a është më shumë në interes të Kosovës t’i konstituojë trupat e rinj të pushtetit, apo të ketë Gjykatë Kushtetuese që vepron politikisht, thuajse e udhëzuar nga partia që thotë se do t’i formojë institucionet, sepse “është fituese e zgjedhjeve”. Dhe madje me një vendim që dikur në perspektivë do të mund ta rrëzonte, për shkak se fatit nuk i dihet kurrë, e mund të ndodhë që madje edhe Kushtetuesja të vetëdijesohet, posaçërisht nëse duhet shpëtuar nga ndjekja eventuale penale që do të mund të pasojë në bazë të kallëzimeve penale të renditura, por të heshtura prej kohësh.

Zgjate zot kësi moti

Noshalanca me të cilën u veprua në këtë rast me një komunikatë të heshtur, thuajse të kontrabanduar, është ajo që e karakterizon “fituesin e të drejtës për të krijuar institucionet, për shkak se i ka fituar zgjedhjet”. Pas zvarritjes së kotë të caktimit të datës së seancës konstituive (apo mbase jo e kotë, por e planifikuar) dhe pas ftesës absurde që ua bëri partive politike uzurpuesja e rendit të ditës, Flora Brovina, më në fund u mbajt një mbledhje sa për sy e faqe (PDK plus minoritetet) dhe u caktua data e mbajtjes së vazhdimit të saj.

Po them mbase nuk do të ketë qenë e kotë për PDK-në, e cila me çdo kusht po përpiqet t’i gjejë deputetët tradhtarë që do t’ia japin votën për ta zgjedhur “një kandidat serioz, të besueshëm, kredibil...” e nuk e di çfarë epitetesh të tjera ia bëri kandidatit që do ta propozojë partia e Enver Hoxhajt, duke e qitur në lloç kandidatin e propozuar nga seanca e 17 korrikut (po qe se del të jetë tjetër...).

Dhe përfundimisht, nuk ka qenë kohë e kotë për PDK-në, për shkak se sa më shumë që shtyhet konstituimi i Kuvendit, aq më shumë do të ketë mundësi që Qeveria të cilën ajo e udhëheq të marrë vendime strategjike, siç është ajo për ruajtjen e majmërisë së viçave. Sa më shumë mungesë Kuvendi, aq më pak përgjegjësi për mungesë fondesh të dedikuara për riparimin e shkollave, për shkak se paratë kanë shkuar në rrogat zgjedhore të arsimtarëve, përderisa rishikimi i buxhetit ka mbetur peng i konstituimit të Kuvendit. Dhe sa më shumë të zgjasë moskonstituimi i Kuvendit, aq më të mëdha mundësitë për vazhdimin e hajnisë së orkestruar në të gjitha sferat – nga rryma, nëpër polici, shëndetësi e çka mos – e që mbesin pa mbikëqyrje, për shkak se trupat rregullues dhe mbikëqyrës kanë mbetur pa njerëz.

Edhe më shumë shkelje në emër të ligjit

Të tilla kanë mbetur dy trupa të një rëndësie jo bash të vogël (Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit). ZAP-i ka mbetur pa kryesues, i cili së bashku me zëvendësin e vet e kanë shkelur Kushtetutën dhe e kanë emëruar të dytin ushtrues detyre Auditori të Përgjithshëm. Ky i dyti mund të jetë shumë djalë i mirë dhe mbase argumentet që i jep edhe kanë logjikë, porse e ka shkelur Kushtetutën e për më tepër ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare, meqë ka marrë kompetenca që nuk i takojnë.

Shikuar nga aspekti i të vepruarit të PDK-së, ky do të duhej të ishte një veprim krejt legjitim – se të shkelësh Kushtetutë e ligje në Kosovë është punë normale dhe jo gjithmonë ndëshkohesh..., ose edhe ndëshkohesh e nuk e di pse ndëshkohesh, po nejse... Shikuar nga aspekti i të vepruarit të PDK-së, është mirë që edhe në ZAP ka zbrazësi, se bile s’ka kush i nënshkruan raportet përfundimtare të auditimit të ministrive dhe institucioneve, që veçohen me parregullsi.

Një ministri do të mund të jetë ajo e Shëndetësisë, e cila di të shpërndajë gjilpëra për insulinë me afat të skaduar apo që nuk sjell vaksina kundër kollës së keqe, difterisë e tetanosit madje për nëntë muaj – duke i lënë fëmijët të pambrojtur dhe duke ua humbur rendin e rregullt të vaksinimit. Të mos flasim për barnat esenciale dhe për plot probleme të tjera që paraqiten për çdo vit.

Një institucion i varur nga Ministria e Brendshme do të mund të ishte Policia e Kosovës që nuk ka ditë që nuk na befason. Ndonjëherë për të mirë - si te rasti i arrestimit dhe hetimeve që i zhvillon (të shpresojmë me efekt) kundër nxitësve të urrejtjes fetare e kombëtare. Por kryesisht me ndonjë skandal, si ato vjedhjet e provave dhe të arit; të blerjes së veturave e tash edhe të blerjes së uniformave, ku fituesi i shpallur ka ofertuar për rrafsh 2.3 milionë euro më shumë sesa çmimi më i ulët. Se sa është e vërtetë që pronari i firmës është ngushtë i lidhur me shefin e partisë politike që aspiron pushtetin e përjetshëm, është punë që mbase nuk do të merret vesh kurrë. Ama t’ia këpusësh 2.3 milionë buxhetit të Kosovës veç pse mundesh, do të duhej të ishte punë alarmante që do të duhej ndalur prej atyre që merren me punën e kontrollit të tenderëve.

Apo për shembull Doganat, që qysh tash janë duke shqyrtuar dhënien apo edhe zgjatjen e lejeve për terminale doganore firmave të afërta me PDK-në. Nuk ka dyshim se ato janë dëshmuar si punë shumë e leverdishme, ngase si punove, si s’punove, vetë parkimi i mallit të huaj në terminal tëndin sjell para. Sa thjesht. Sa “paqtë”. Sa mirë për buxhetin partiak.

I fundit në këtë listë të vockël të atyre që harxhojnë para të buxhetit në vend se t’ia sjellin është KEK-u, i cili përherë thotë se është në krizë. E pse është në krizë, ne blejmë rrymë prej eksportit dhe pse është në krizë, ne e paguajmë rrymën më të shtrenjtë, për shkak se atyre u ka pëlcitur hidrogjeni nga pakujdesia. Plus pse ia kemi falur një pjesë të KEK-ut turqve, të cilët vetëm prej njehsorëve i inkasojnë minimum 1.2 milionë në muaj, pa e matur asnjë kilovat të shpenzuar...

Ka hala...

Kësaj kronike, kësaj radhe, i mungoi përshkrimi i krimit të organizuar për vrasje, të cilin e ka përshkruar një dëshmitar në rastin Sekiraça. Dëshmitari është apo ka qenë polic – dhe me fjalë të thjeshta e vërteton sërish se sa pak vlerë ka jeta në Kosovë. Nuk e di nga ka me të ardhur plumbi i porositur nga grupi i lidhur për një zyrtar të lartë të PDK-së, që i ka ikur drejtësisë dhe është në arrati... A u bë boll më?

Pra, kur kalon nëpër të gjitha këto e kupton se pse PDK-së nuk i intereson ta ketë Kuvendin funksional – për shkak se mund të vazhdojë deri në pafund me shterjen e asaj që Kosova prodhon mezi, dhe të asaj që na ka mbetur. Për shkak se në mungesë të Kuvendit ama bash asnjë send nuk mund të kontrollohet ashtu siç e parasheh ligji. As vendimet e Qeverisë në detyrë, as të agjencive që i raportojnë Kuvendit, as të trupave që varen nga zgjedhja që e bën Kuvendi. Nuk i intereson ta ketë Kuvendin funksional shpejt, për shkak se e di që nuk i ka numrat dhe se nuk mund ta sigurojë shumicën për çfarëdo që të ketë ndërmend të bëjë për ta ruajtur pushtetin.

Pyetjes “A u bë boll më” këta të PDK-së do të duhej t’i përgjigjeshin me një “po”. Sepse boll e shkatërruan shtetin pa i cytur askush. Por meqë ata nuk do ta bëjnë këtë, dikush tjetër duhet t’ua thotë para se të fundosemi plotësisht. Fillimisht në Kuvend. Dhe duke shpresuar se Kushtetuesja nuk e shkreton sërish.

flaka@koha.net
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...