Shefqet Krasniqin e bëri të famshëm politika kriminale – tash politika e arrestoi për nevoja të veta

4 Shtator 2014 - 14:05 - Enver Robelli      

Shefqet Krasniqi u arrestua të enjten në orët e hershme të mëngjesit nga policia e Kosovës. Pa marrë parasysh se cili do të jetë fati i tij i mëtutjeshëm, duhet konstatuar se:

1. Figurë publike Shefqet Krasniqin (Sh.K.) e ka bërë politika dhe të ashtuquajturit intelektualë kosovarë. Këtë mashtrues pseudofetar e kanë pritur në audiencë kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari, akademiku zjarrvënës Rexhep Qosja, e kanë lavdëruar politikanë të tjerë, ndërsa akademiku injorant Nexhat Daci ka marrë pjesë në promovimin e veprave të tij pa asnjë vlerë dhe madje ka mbajtur fjalë rasti.

2. Sh.K. u bë i madh e i fortë, sepse këtë e lejoi Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), duke toleruar predikimet e tij skandaloze, urrejtjenxitëse, të rrejshme, shpifëse. Po të ishte BIK-u institucion serioz që ia do të mirën shoqërisë së Kosovës, nuk do të lejonte kurrë që në radhët e tij të gjenin vend këso figurash si Sh.K. E kemi parë para disa javësh edhe me rastin e arrestimit të një imami në Gjilan: dega e atjeshme e Bashkësisë Islame, e cila po ashtu drejtohet nga një mashtrues, u shfajësua se imami i burgosur nuk ishte punëtor i BIK-ut, por pastaj u detyrua të pranojë se po ky imam ishte pajisur me leje të përkohshme për të predikuar. E çka predikonte ai? Me gjasë asgjë që kishte të bënte me islamin dhe paqen, por me luftën me shpata kundër Perëndimit! Sh.K. është, po ashtu, prodhim i BIK-ut dhe kreut të saj Naim Tërnavës. Andaj arrestimi i Sh.K. është vetëm luftim i një simptome, jo i problemit. Kosovës i duhet ballafaqimi me BIK-un e Naim Tërnavës. Ky dhe shpura e tij janë armiq të fesë islame dhe armiq të Kosovës. Në krye të BIK-ut duhet të vijnë miq të popullit shqiptar dhe miq të anëve pozitive të islamit.

3. Sh.K. dhe ideologjinë e tij ekstreme fetare e kanë mbështetur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, të cilët vizituan Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku është imam pikërisht i arrestuari Sh.K. Vizita e Thaçit dhe Erdoganit ishte në shërbim të islamit politik dhe jo në shërbim të harmonisë fetare mes shqiptarëve apo të miqësisë mes popujve, në këtë rast shqiptarëve dhe turqve. Jo vetëm opinionit kosovar i kujtohet fotografia qesharake e Thaçit dhe Erdoganit, që të dy të dyshuar për korrupsion gjigant, duke bërë dua në oborrin e Xhamisë së Madhe. Islamin politik kjo qeveri e Kosovës e ka mbështetur edhe duke i lejuar Erdoganit të mbajë fjalime politiko-fetare në Prizren, në qytetin e Lidhjes së Prizrenit.

4. Ashtu siç fshihen shumica e politikanëve të Kosovës pas patriotizmit për të vjedhur pasurinë shtetërore, ashtu edhe Sh.K. e përdorte Allahun si mbulesë për allishverishe të tij politike dhe financiare. Ai qante para xhematit kur shpjegonte – thua se ka qenë aty – vdekjen e profetit Muhamed. Ai mallkonte ata që martojnë dikë të fesë tjetër. Ai bëhej arbitër se kush ka vend në parajsë e kush jo (Nënë Tereza, për shembull, s’kishte vend në parajsën e Sh.K.).

5. Sh.K. u bë i famshëm në opinionin shqiptar për shkak se mediet e papërgjegjshme, kriminale i dhanë hapësirë të pakufishme. Shumica e këtyre medieve kontrollohen direkt nga qeveria e Hashim Thaçit. Gazetarë me agjenda kriminale zhvillonin intervista propagandistike me Sh.K. Asnjë pyetje kritike nuk i parashtrohej atij në këto intervista, por vetëm i ofrohej mundësia të llomotisë parullat e tij, që i vishte me amalgamë pseudofetare. Kishte madje medie që e shpallnin “person të vitit” Sh.K.

6. Sh.K. u bë personalitet publik, sepse shoqëria kosovare ka rënë në letargji nga varfëria, shtypja, mungesa e çdo perspektive. Kjo shoqëri, për fatin e saj të keq, nuk ka forcë të mjaftueshme të kundërshtojë ekstremistët fetarë, politikanët që ia pinë gjakun për çdo ditë, biznesmenët që e helmojnë me prodhime të shtrenjta, të kalbura dhe të importuara, portalet kriminale dezinformative që i financon pushteti dhe parapolitika për ta bërë budalla një popull të tërë. Sa më i varfër të jetë një popull, aq më lehtë mund t’ia blesh mendjen.

7. Të gjithë imamët e Kosovës, të gjithë ata që në një mënyrë a tjetër merrem me predikimin e fesë islame duhet ta kenë të qartë se shumica e shoqërisë kosovare, përfshirë edhe zërat më kritikë në opinion, nuk kanë asnjë agjendë kundër islamit si fe. Gjatë historisë në emër të feve të tjera janë bërë kërdi edhe më të mëdha se ç’po bëhet sot në emër të islamit. Por, është më se e domosdoshme që krerët fetarë të kuptojnë se një shoqëri moderne që beson në vlera civile dhe demokratike nuk mund të pajtohet me rregulla që janë kundër logjikës së shëndoshë.

8. Islami dhe demokracia mund të bashkëjetojnë. „Pyetja nuk është nëse islami përputhet me demokracinë, por a e lejojnëmyslimanët sot këtë përputhje”, shkruan filozofi dhe teologu Mohamad M. Shabestari. Fundja, a nuk i udhëzon Kurani myslimanët që “pasi i dëgjojnë fjalët (e Kuranit, v.j.), ndjekin atë që është më e mira prej tyre”. Sh.K. nuk e predikonte të mirën, por qorrsokakun. Predikimet e tij për femrën dhe rolin e saj në shoqëri janë jo vetëm kundër çdo logjike, por tregojnë edhe një paternalizëm primitiv.

9. Për fat të keq politika kosovare ka heshtur dhe e ka toleruar veprimtarinë e Sh.K. edhe atëherë kur kishte mjaft dëshmi për ndjekje penale. Pse nuk u gjend në shënjestër të autoriteteve Sh.K. pasi u zbulua me një arsenal armësh afër kufirit me Serbinë? Përse nuk u ndoq kur, mes rreshtave, bënte thirrje për pjesëmarrje të kosovarëve në xhihad? Përse nuk u zhvillua asnjë debat kritik në shoqërinë e Kosovës mbi vizitën apo vizitat e Sh.K. në Preshevë në një kohë kur asnjë politikan i Prishtinës nuk lejohej nga policia serbe të shkonte në Preshevë? Përse Republika e Shqipërisë ka lejuar hyrjen e Sh.K. në territorin shqiptar derisa Republika e Maqedonisë ia ka ndalur hyrjen këtij mashtruesi?

10. Duke i pasur parasysh të gjitha këto Shefqet Krasniqi u arrestua të enjten jo vetëm nga policia, por edhe nga politika, kuptohet për interesa politike. Kjo nuk domethënë se ai nuk e ka provokuar ndjekjen penale shumë vite më herët. Në arrestimin e tij mund të kenë gisht edhe shërbime perëndimore, sidomos kur të merret parasysh raporti i fundit i Departamentit të Shtetit në Washington, ku përmendeshin disa imamë ekstremistë kosovarë. Një zhvillim i tillë s’është për t’u befasuar: nëse nuk i kryen detyrat e shtëpisë me kohë, atëherë duhet t’i nënshtrohesh agjendës së të tjerëve. Rrjedhimisht, neglizhenca kundër çdo ekstremizmi fetar mund të prodhojë këso situatash të pakëndshme. Fundja, shoqëria kosovare dhe politika ia kanë hapur rrugën ekstremizmit me heshtjen e patolerueshme ndaj rrahjeve gjithnjë e më të shpeshta të teologëve tolerantë kosovarë. Si gjithnjë edhe në këto raste hetimet vazhdojnë dhe kriminelët nuk zbulohen kurrë. Nëse autoritetet kosovare nuk kanë dëshmi të pamohueshme për veprimtarinë kriminale të Sh.K., atëherë aksioni i së enjtes mund të ketë efekt të kundërt me atë që synohet: arrestimi mund ta shndërrojë Sh.K. në martir të përndjekjes, hero të besimtarëve injorantë dhe lider edhe formal të islamit politik në Kosovë. Fundja, ai tashmë ka shfaqur ambicie politike, duke u kërcënuar se do ta thërras ezanin nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Rrugën në këtë drejtim ia ka shtruar vetë kryeministri Hashim Thaçi, duke bërë koalicion me islamistët ekstremë. Tani, kur Thaçit po i rrezikohet pushteti, ai më së shumti ka nevojë për pompozitet, për kufizim të të drejtave civile, për kaos, sepse vetëm nga anarkia dhe kaosi ai llogarit të dalë fitues.
robelli@bluewin.ch
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...