7 orë! (I)

4 Shtator 2014 - 09:48 - Enver Robelli      

Nga Gryka e Valbonës në Theth: një udhëtim nëpër malet dhe kodrat e mahnitshme shqiptare

Nganjëherë mund të mos kesh fat. Nisesh në një ditë gushti në orën 06:30 nga Prizreni, kalon nëpër Landovicë e Gjakovë, mbërrin në Bajram Curr të Shqipërisë, pastaj udhëton edhe 25 kilometra deri në Grykë të Valbonës – i shoqëruar nga një shi i imët derisa në horizont duket qielli i murrmë. Caku i udhëtimit është Thethi, ky fshat që tashmë është shndërruar në mit për turistë shqiptarë dhe të huaj, që vijnë jo vetëm nga mbarë Evropa. Si të shkosh në Theth kur sapo të mbërrish në Valbonë tashmë bie shi sixhim?

Nganjëherë, brenda një dite, mund të kesh shumë fat. Mbërrin në Grykë të Valbonës, futesh në lokalin “Fusha e Gjes”, porosit një kafe dhe pret e pret, shpreson se shiu do të ndalet. Dhe shiu ndalet. Befas kreshtat e maleve i përqafon dielli mëngjesor, qielli hapet, kaltërsia mbizotëron natyrën.
Nisemi!
Kalojmë nëpër një fushë me gurë lumi, shohim turistë gjermanë që i kanë parkuar automjetet e tyre në një livadh afër fshatit Rragam. Duhet thënë diçka për automjetet: janë kamionë të modifikuar, të shndërruar në banesa mobile, me shtretër e me kuzhinë. Gjatë natës gjermanët kanë ndezur zjarr në livadh. Gjurmët e zjarrit shihen, hiri ende është i ngrohtë. Ndoshta kanë pjekur mish. Ndoshta ndonjë shtalb.

Spekulime buzë malit para se të fillojë pjesa më e vështirë e shtegut drejt Thethit, rreth një orë e gjysmë mundim e djersitje: nga Rragami deri te kafehania “Simoni”, një kolibe në mal. Ashtu si para një viti aty gjejmë Petritin, i cili bashkë me të vëllanë edhe këtë verë “prej Shkodret” kanë dalë në mal me dhjetëra dhi e edha. Nga këtu Gryka e Valbonës shihet gati si në pëllëmbë të dorës, me pothuaj krejt madhështinë e saj: kodra impozante e vegjetacion që të kujton alpet austriake apo zvicerane.

Dhitë e Petritit

Petriti dimrin e kalon në Shkodër. Verës kujdeset për tufën e dhive dhe për tufën e turistëve që rrugës për apo nga Thethi kalojnë nga kafehania e tij. Në bar-restorantin e tij që gjendet midis malit mund të gjeni pije të forta e të lehta, pije për freskim dhe dalldi, por më së miri është të shijoni bukën e bardhë si bora, djathin e dhive, qumështin e ngrohtë me ajkën e shijshme. Petriti sot ka një hall: mbrëmë dhitë nuk i janë kthyer në torishtë, me gjasë kanë mbetur diku në male, diku pas shtatë bjeshkëve. Megjithatë, ai nuk e humb humorin. Thotë: “Edhe dhitë janë si shqiptarët: asht zor me i mbajtë për peni, o vlla”. Petriti e ka parë botën. Nga Greqia në Amerikë. Është kthyer në Shqipëri, në malet e saj, sepse “me Shipni e me malet e saj nuk ka, o vlla”. Turistët para se të zënë vend në bar-restorantin e Petritit vrasin mendjen se si do të merren vesh me bariun shqiptar që zien kafe e shtron bukë në mal. Me gjeste? Me ndonjë fjalë italisht? Ah, jo, jo: Petriti u përgjigjet turistëve bjeshkatarë me anglishte të New York-ut.

Vazhdojmë!
Rruga nga Valbona për në Theth, e cila zgjat rreth 7 orë, është e sinjalizuar mirë. Në gurë e lisa shquhen shenjat bardhë-kuq-bardhë. Shihet – edhe këtu – dora e organizatave për ndihmë zhvillimore të shteteve si Zvicra e Gjermania, të cilat kanë bërë shumë që Gryka e Valbonës, Thethi me rrethinë dhe mbarë rajoni i Shalës si dhe Kelmendi të hapen për turistë, duke krijuar infrastrukturën bazë të bjeshkatarisë. Sinjalizimi i shtigjeve për ecje ka qenë vetëm një pjesë e punës. Njëkohësisht ekspertë të Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) që nga viti 2006 këshillojnë banorët e Thethit dhe të rrethinës se si të krijojnë kushte më të mira për pritjen e turistëve. Ndërkohë në Theth janë meremetuar shtëpi prej guri që kërcënoheshin nga rrënimi, janë vendosur pullaze të reja, janë sjellë shtretër e mobilie, madje në disa shtëpi energjia për ujë të ngrohtë dhe drita vjen nga kolektorët e diellit. Të ardhurat e banorëve janë përmirësuar dukshëm dhe ka ndryshuar edhe imazhi i rajonit. Para një dekade turistët i shmangeshin Shqipërisë veriore për arsye sigurie – me të drejtë. Ndërkohë situata është përmirësuar. Në rrugën nga Valbona në Theth jo rrallë mund të shihni turiste që ecin qyqe vetëm. Vendësit gjithnjë e më shumë po i kthehen traditës së mikpritjes dhe mirësjelljes.

Mina në hidrocentral

Ndonëse në rrethana të tjera themelet e turizmit malor dhe alpin në Shqipërinë veriore i kanë vënë para më shumë se një shekulli gratë, si britanikja Edith Durham dhe amerikania Rose Wilder Lane. Pak para se të nisej për të takuar fiset e fshehura të Dukagjinit, Rose Wilder Lane e dëgjonte në Shkodër një shoqëruese të saj, e cila i thoshte: „Konstantinopoja s’është gjë prej gjëje. Çdokush vete në Konstantinopojë. Por, nëse nuk sheh Shqipërinë, ke lëshuar rastin jetësor. Atje lart në ato male. Një ditë udhë prej këtu – njerëzit jetojnë siç kanë jetuar para njëzet shekujsh, para se të dinte kush për grekët, romakët apo sllavët. Atje lart ka qytete parahistorike, gjallojnë legjenda, këngë e zakone që kurrë s’i ka dëgjuar kush. As që i ka parë ndonjëherë syri i ndonjë të huaji”.

Sot nuk është e vërtetë që njerëzit në Theth, për shembull, jetojnë si para njëzet shekujsh. Shumica e banorëve dimrin e kalojnë në Shkodër, në ambient pak a shumë urban. Verës dalin në Theth, hapin shtëpitë, presin turistë, përgatisin ushqime të shijshme dhe të bëjnë muhabet të paharrueshëm. Meqë jetojnë në një zonë të varfër pushteti nuk i detyron të paguajnë energjinë elektrike. Një vendim i mençur i autoriteteve shqiptare, sepse edhe në Zvicrën e pasur zonat malore përkrahen e subvencionohen me programe të veçanta. Thethi ka një hidrocentral që ende është pronë e shtetit. Një punëtor, të cilin e takojmë derisa ditën e dytë të udhëtimit po shkonim te Syri i Kaltër i Thethit, na tregon se si para disa vjetësh ishte minuar hidrocentrali dhe zhurma nga shpërthimi i gypave të ujit në orët e natës i kishte zgjuar nga gjumi banorët e disa fshatrave të trevës së Shalës. Punëtori thotë se ideja për të hedhur në ajër gypat e hidrocentralit kishte ardhur nga “deputeti i zonës”. “Pastaj, thoshte deputeti, paratë do të vijnë me thasë”.

Paratë s’erdhën kurrë, as me thes, as me qese. Ndërkohë gypat e ujit janë rivendosur disi dhe hidrocentrali i ndërtuar më 1966 me ndihmën e kinezëve prodhon 30 deri 40 kilovatë energji elektrike. Kapaciteti i tij është 100 kw. Para së të vazhdojmë rrugën punëtori i hidrocentralit ka edhe një rrëfim: “Kam qenë ushtar kufitar nga viti 1987 deri 1989. Kam shërbyer në kufi me Jugosllavinë, afër Komunës së Dragashit. Qe ku e kam tatuazhin në krah. Njëherë i ndalëm disa kosovarë që po arratiseshin në Shqipëri. Na lutën t’i lëshojmë të vazhdojnë rrugën, por këtë s’mund ta bëja pa e njoftuar postën kufitare. Ata të gjorët nuk e dinin se në ç’gjendje ishte Shqipëria”.

Kohërat kanë ndryshuar, për të mirë. Zefi nga Lezha, veteriner që e ka jetuar e përjetuar kohën e “shokut Enver”, tregon se mbesa e tij është martuar në Istog. Edhe një lidhje tjetër me Kosovën po forcohet: për shkak se nga Aeroporti i Prishtinës ka mjaft fluturime për në disa qytete gjermane, gjithnjë e më shumë emigrantë shqiptarë kthehen në atdhe përmes kryeqytetit të Kosovës. Edhe Zefi shpesh e ka pritur në Aeroportin e Prishtinës të birin e tij, i cili jeton në Gjermani. Kështu duken integrimet shqiptare dhe ballkanike larg zhurmës politike dhe populiste.

Ngjyra thonjsh në Theth

Para më shumë se një shekulli albanologu Franz Baron Nopcsa shkruante se më shumë i pëlqente Shqipëria malore me ngjyrat e saj madhështore dhe me njerëzit e saj gazmorë sesa Zvicra alpine dhe tepër e komercializuar me hotele e turistë. Për fat të mirë në Theth ende ruhet kryesisht jeta tradicionale. Por, rreziku i betonizimit, i durrësizimit të këtij fshati shihet në horizont. Rruga për në Shkodër është duke u shtruar me asfalt, tani këtu mund të dilet edhe me automjete të ulëta, andaj në Theth vjet dhe sivjet mund të shihje gra shqiptare të ngarkuara me shumë kozmetikë dhe të mbathura me sandale plazhi – njëjtë si burrat e tyre barkmëdhenj, që në Theth në radhë të parë vijnë për t’u ballafaquar me copa mishi. Reklamimi i ngjyrës së thonjve të këmbëve duket të jetë njëra prej arsyeve të daljes në mal të disa grave shqiptare. Kjo lëre që duket qesharake, por edhe mund të ketë pasoja jo vetëm për këmbët në këtë terren malor. Bashkë me këtë kategori turistësh në Theth tani më shpejt mund të vijë me tepri edhe betoni. Degradimi duhet të pengohet nga pushteti, ndryshe turistët e huaj nuk do të vijnë.

Dora e shtetit nuk shihet edhe aq në këtë pjesë të Shqipërisë. Një mulli është meremetuar me ndihmën e UNDP-së, për popullarizimin e bukurive të rajonit më shumë punë ka bërë propaganda gojë-më-gojë e turistëve të huaj sesa promovimi nga ana e autoriteteve, shërbimi shëndetësor praktikisht nuk ekziston, pamja e një parku për nder të Kryqit të Kuq Amerikan është pak përtej shëmtisë, kisha e bukur e Thethit nuk është e hapur për turistë dhe, sipas banorëve, një prift italian vjen vetëm të dielave nga Shkodra për të mbajtur meshën. Krahas turizmit thethjanëve të ardhura modeste u sjell bletaria. Por mjaltin nga Thethi në dyqanet e Kosovës dhe Shqipërisë kot do e kërkoni, sepse oligarkët e të dy vendeve e kanë vërshuar tregun jo vetëm me mjaltë të përzier pamëshirshëm me sheqer dhe të importuar.

“Sa ban miza në krah”

Në vitet e ardhshme do të jetë me rëndësi jetike për rajonin e Shalës dhe më gjerë që të ruhet ky lloj i turizmit malor – i pangarkuar me bërllokun, betonin dhe kanaçet e transicionit shqiptar. Po u bë Thethi si Durrësi, atëherë bota shqiptare e ka humbur edhe një idil. Ndërtimet po vazhdojnë ndërkohë edhe në luginën e Valbonës dhe po nuk ndërhyri shteti edhe ky gjerdan me margaritarë natyrorë do të prishet.

Nuk është vetëm natyra që e bën të mahnitshëm këtë rajon. Është edhe gjuha – një shqipe e pastër si gurët që pandërprerë ledhatohen nga lumenjtë, përrenjtë e ujëvarat e shumta. Fjalët e urta, anekdotat, legjendat, këngët dhe humori origjinal janë burim i pashtershëm inspirimi për çdo vizitor. “Sa me i qitë sheqer kafes”, e pyeti vajza e Arben Marashit, mikpritësit tonë, një grua të Thethit. “Sa ban miza në krah”, shpjegoi ajo. Kur flitet për politikën shqiptare në Theth dhe për ndonjë politikan të dëmshëm, atëherë përshkrimi është i shkurtër: “Edhe budalla e ka kryet si njeri”. Në këtë frymë edhe Petriti, të cilin e takuam edhe gjatë kthimit nga Thethi në Valbonë, komentoi pamjen e dy bjeshkatareve nga Holanda, të cilat po pinin kafe në lokalin e tij: “Sa të holla, o burrë, një lahutë s’mundesh me e nxjerrë prej tyne”. Kushedi, ndoshta njërën holandeze Petriti e takon edhe vitin e ardhshëm. Kur ajo u nis me shoqen e vet për në Theth i tha: “Shpresoj t’ju takoj edhe vitin e ardhshëm”.

Ndërkohë Petritit i kishin humbur dhitë sërish dhe vëllai i tij ishte nisur në bjeshkë në kërkim të tyre. Ngremë dolli me qumësht të ngrohtë dhe vazhduam etapën e fundit drejt fushës së Valbonës, aty ku e kishim lënë veturën. Na priste Prizreni, “Dokufesti”, tingujt e “Fanfara Tirana”. Në këtë atmosferë palosnim kujtimet për Thethin, për bukuritë e tij, për bukën që shkrihej në gojë, për djathin dhe reçelin, për troftën e egër dhe mishin e kecit, për domatet e vjela në bahçe dhe shtalbin e këputur në arë, për gjizën, kosin, turshitë dhe të gjitha mrekullitë.
(Vazhdon në numrin e nesërm)

robelli@bluewin.ch
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...