Kosova ta formojë Qeverinë për vete e jo për BE-në

3 Shtator 2014 - 08:55 - Augustin Palokaj      

Krijimi i institucioneve të Kosovës nuk është më çështje e procedurave apo ideologjive politike. Është thjesht testim i integritetit dhe kredibilitetit të asaj që quhet tash blloku LDK-AAK-Nisma. PDK-së Gjykata Kushtetuese, presidentja apo ndonjë diplomat i huaj mund t’i sigurojë më shumë kohë për manovrim, në pritje që “të thuhen“ partitë opozitare. Por nëse ato qëndrojnë dhe insistojnë në “kordonin sanitar ndaj PDK-së“, puna është shumë e thjeshtë; PDK-ja nuk mund ta bëjë Qeverinë me “shumicën që ia njeh Gjykata Kushtetuese“.

Për të pasur shtet funksional demokratik ndarja e pushteteve dhe respektimi i kësaj ndarjeje është kriter i shenjtë që duhet siguruar. Kur respektohet kjo ndarje dhe kur nuk ka ndërhyrje mes këtyre pushteteve, atëherë mund të quhet se ai shtet ka të siguruar funksionimin e institucioneve demokratike të shtetit. Këto tri pushtete janë Legjislativi (Parlamenti), Ekzekutivi (Qeveria) dhe gjyqësori. Duke qenë organi i cili direkt përfaqëson qytetarët, miraton ligjet dhe mbikëqyr funksionimin e qeverisë në demokracitë parlamentare, Kuvendi ka rolin kryesor.

Në Kosovë janë përzier pushtetet. Parlamenti, siç ka vërejtur disa herë edhe Komisioni Evropian në raportet e shumta të progresit, nuk e ka luajtur në tërësi rolin e mbikëqyrësit të Qeverisë. Në anën tjetër, ka qenë Qeveria ajo që e ka kontrolluar dhe dirigjuar punën e Kuvendit me gjithë përpjekjet e kryetarit të Kuvendit që ta ruajë rolin e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës e ka arritur kontrollin e plotë ndaj Kuvendit në disa mënyrë. Së pari përmes shumicës së votave, të cilat i ka siguruar me aleatët e saj dhe, së dyti, kur është dashur të bekoheshin kompromiset me Serbinë të arritura në dialog në Bruksel përmes trysnisë ndërkombëtare ndaj partive opozitare, si LDK dhe AAK.

Por ajo fjala e shefit të Grupit parlamentar të PDK-së “shefit të shefave”Adem Grabovci nga afera “pronto“, kur i përgjigjet kryeministrit se mbledhja mund të bëhet “kur të duash ti”, ilustron më së miri kontrollin e plotë që ka pasur Qeveria ndaj Kuvendit.
Përderisa ndërhyrja e Qeverisë në Kuvend ka qenë evidente, ndikimi politik dhe partiak në pushtetin tjetër, atë gjyqësor, nuk është edhe aq i lehtë të dëshmohet edhe pse për shumë qytetarë të Kosovës edhe kjo ndërhyrje duket evidente. E nuk janë vetëm qytetarët e Kosovës ata të cilët thonë se ka ndërhyrje politike në gjyqësor. Këtë e thonë dhe e kanë thënë disa herë edhe BE-ja, edhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë.

Dhe kështu në Kosovë pa pasur një sundim absolut të Ekzekutivit, me kontroll të punës së Kuvendit dhe me ndikim në gjyqësor. Pos që e ka kritikuar këtë dukuri bashkësia ndërkombëtare për vite nuk ka bërë asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje. Ka bërë të kundërtën duke u fokusuar në ruajtjen e stabilitetit politik dhe duke u bërë pjesë e pazareve të brendshme politike. Kështu për vite mendimi i bashkësisë ndërkombëtare ka qenë kriter kryesor për të ardhur apo për t’u mbajtur në pushtet, edhe atëherë kur vetë kjo bashkësi ndërkombëtare ka thënë se zgjedhjet nuk ishin sipas standardeve më të mira demokratike.

Për ta prioritet ka qenë dialogu me Serbinë dhe për hir të këtij prioriteti pa problem është sakrifikuar edhe ndërtimi i demokracisë dhe dhënia e përgjegjësisë nga politikanët.
Tash pas zgjedhjeve të qershorit, të parat prejse Kosova është bërë me “pavarësi të plotë“, është evidente një përpjekje e bashkësisë ndërkombëtare për të mos u përzier në krijimin e institucioneve të reja dhe për të parë se si aktorët politikë të Kosovës veprojnë kur kanë “pavarësi të plotë”. Tash kosovarët janë befasuar disi me mungesën e ndërhyrjes ndërkombëtare. Apo ndoshta kjo ndërhyrje është në format më pak të dukshme. Dhe, pas dështimeve të shumta që të bëhet edhe hapi i parë i krijimit të institucioneve, kosovarët presin ndërhyrje ndërkombëtare.

Nga BE-ja kjo ndërhyrje nuk pritet të vijë. Jo aq shumë për shkak të parimeve të saja të shenjta për mospërzierje, por më shumë për shkak të transicionit institucional përmes së cilit po kalojnë vetë institucionet e BE-së. Disa shtete anëtare, përmes prononcimeve të diplomatëve të tyre, po mundohen të ndikojnë, por rezultate nuk ka. Kështu Kosova është gjetur në një ngërç institucional, me një qeveri në largim, me një presidente e cila pret urdhra apo këshilla se si të veprojë dhe me një Gjykatë Kushtetuese e cila po akuzohet se është bërë vegël partiake e PDK-së. Si dalje nga kriza po përmenden zgjedhjet e reja, të cilat në të njëjtën kohë po thuhet se “nuk i konvenojnë askujt”. Por problemi nuk është edhe aq i madh sa duket në shikim të parë. Kjo çështje është problematizuar duke e bartur një proces politik në sistemin gjyqësor.

Lidhja e Aleancave, bashkërendimi i politikave, mbledhja e numrave në Kuvend dhe në fund krijimi i Qeverisë janë procese politike. Ato duhet të jenë të bazuara në ligje dhe, nëse nuk janë, atëherë mund të bëhen lëndë para gjykatave. Por nuk mund të bëhen gjykata, as ajo Kushtetuese, aktorë vendimtarë në krijimin e institucioneve dhe ato ta diktojnë këtë proces. Kjo dëshmon se sistemi politik nuk është duke funksionuar sipas parimeve demokratike.

Krijimi i institucioneve të Kosovës nuk është më çështje e procedurave apo ideologjive politike. Është thjesht testim i integritetit dhe kredibilitetit të asaj që quhet tash blloku LDK-AAK-Nisma. PDK-së Gjykata Kushtetuese, presidentja apo ndonjë diplomat i huaj mund t’i sigurojë më shumë kohë për manovrim, në pritje që “të thyhen“ partitë opozitare apo disa anëtarë të tyre. Por nëse ato qëndrojnë dhe insistojnë në “kordonin sanitar ndaj PDK-së” puna është shumë e thjeshtë; PDK-ja nuk mund ta bëjë Qeverinë me “shumicën që ia njeh Gjykata Kushtetuese”. Se presidentja dhe Gjykata Kushtetuese “po blejnë kohë për Thaçin“ dëgjohet edhe nga diplomatët perëndimorë. Edhe ata pajtohen se ata që duan t’i krijojnë institucionet duhet t’i kenë numrat. Dhe numrat në Kuvend mund t’i ketë vetëm një anë e jo dy. Nuk mund të ekzistojnë dy shumica mbi 50 %, por vetëm një.

Prandaj do të duhej sa më shpejt të testohet se kush e ka e kush jo shumicën. Presidentja porosit së “Partitë duhet të merren vesh“ dhe harron se partitë e bllokut tashmë janë marrë vesh dhe thonë se i kanë numrat. Sikur ta dinte punën e saj ajo qëmoti, do t’ia kishte dhënë mandatin kujtdo që thotë se i ka numrat në Kuvend që ta krijojë Qeverinë. E në Kuvend do të shihej a i ka apo jo.

Pra i tërë problemi qëndron në numra e jo në diçka tjetër. Nëse hymë në analiza se sa është parimor dhe i besueshëm koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma atëherë mund të sfidohet edhe parimi mbi të cilin është krijuar koalicioni parazgjedhor rreth PDK-së, me Partinë e Drejtësisë me agjendë islamike, me Lëvizjen për Bashkim dhe me Demokristianët sa për dekor. Kosova është ende larg nga ndërtimi i një sistemi shumëpartiak ku mund t’i ndash partitë në bazë të programeve dhe është hera e parë që tri parti janë mbledhur për të pamundësuar fituesin relativ, koalicionin rreth PDK-së, që të jetë në pushtet.

Një qëndrim i tillë është legjitim sa është legjitimedhe përpjekja e PDK-së që me çdo kusht të jetë në pushtet. Koha është që të testohet kush i ka numrat në Kuvend e kush jo dhe të kursehen edhe qytetarët nga ky ngërç politik në kohën kur Kosova ka shumë sfida, nga varfëria, mungesa e rrymës, e cila është por shtrenjtohet, e deri tek kërcënimi i sigurisë së saj. Perspektiva Evropiane është në këto momente aq larg prioriteteve saqë atë nuk duhet përmendur shumë.

Prandaj Kosova së pari duhet të mendojë për vete e jo për BE-në në këtë proces të krijimit të institucioneve. Këtë porosi po e jep edhe BE-ja duke e bërë të qartë se e vetmja arsye pse BE-ja do të donte që Kosova të krijojë sa më shpejt Qeverinë është vazhdimi i dialogut me Serinë në mënyrë që Serbia të mos ngec për shkak të Kosovës.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...