Rusia në Ukrainë me skenarin e Serbisë në Kosovë, në Kroaci e Bosnjë

6 Mars 2014 - 11:02 - Augustin Palokaj      

Në momentin kur Moska filloi të fliste për „rrezikun për rusët etnikë në Ukrainë“ ishte e qartë se po paralajmëronte ndërhyrje ushtarake në këtë shtet. Edhe Milosheviqi para dhe gjatë luftërave në territorin e ish- Jugosllavisë dërgoi ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë në Kosovë, në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë me pretekstin „për të mbrojtur popullin duarthatë serb“

Kur para tre vjetësh në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë shtete të ndryshme paraqisnin argumentet e tyre ligjore rreth përputhjes së Deklaratës së Pavarësisë të Kosovës me të drejtën ndërkombëtare, përfaqësuesi i Rusisë kishte këtë argument: „Deklarata e Pavarësisë e Kosovës është ilegale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, sepse në momentin kur Kosova deklaroi pavarësinë asaj nuk i kanosej asnjë rrezik nga Serbia!“ Përfaqësuesi rus me këtë dëshironte të çonte porosinë se, për dallim nga Kosova, e cila sipas tij „nuk paska pasur arsye të deklarojë pavarësinë, sepse, duke pasur trupat e NATO-s aty, nuk ishin të rrezikuar apo të kërcënuar nga Serbia“, dy rajonet separatiste në Gjeorgji, Osetia Jugore dhe Abhazia, kanë pasur të drejtë të shkëputen nga Gjeorgjia, sepse Tbilisi kishte dërguar forcat ushtarake kundër tyre.

Prandaj, gjithnjë sipas logjikës së Rusisë, Moska edhe kishte të drejtë të ndërhynte ushtarakisht në Gruzi dhe tash e sa vite në fakt i mban të ndara këto dy zona që janë edhe pse, pos Rusisë dhe aty-këtu ndonjë vendi mik, nuk i ka njohur askush. Rusia ndërkohë nuk e njeh ende Kosovën, edhe pse Kosova është njohur nga shumica e shteteve të botës.

Sjellja e tashme e Rusisë në rastin e Ukrainës dëshmon se ajo flet me argumentin e forcës dhe interpreton, apo më mirë të them e injoron tërësisht të drejtën ndërkombëtare sipas dëshirës së vet. Por veprimet e Rusisë, sikur në rastet e mëhershme në Abhazi dhe në Osetinë Jugore, ashtu edhe tash në Krime të Ukrainës, gjithmonë si pretekst kanë kinse mbrojtjen e një popullate së cilës i kanoset rreziku. Kjo na kujton një periudhë të hidhur në Ballkan, kur Serbia, e cila dëshironte të zgjeronte jo vetëm zonën e saj të interesit, por edhe të shtetit për të krijuar Serbinë e madhe, si pretekst për politikat e saj agresive i përdorte serbët që jetonin në vendet tjera dhe „rrezikun që u kanoset atyre“.

Në momentin kur Moska filloi të fliste për „rrezikun për rusët etnikë në Ukrainë“ ishte e qartë se po paralajmëronte ndërhyrje ushtarake në këtë shtet. Edhe Milosheviqi para dhe gjatë luftërave në territorin e ish- Jugosllavisë dërgoi ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë në Kosovë, në Kroaci dhe Bosnjë- Hercegovinë me pretekstin „për të mbrojtur popullin duarthatë serb“.
Së pari në rastin e Jugosllavisë filloi me Kroacinë. Sllovenia, e cila nuk kishte ndonjë pakicë serbe të konsiderueshme, u la të shkëputej, ndërkohë që serbët lokalë në Kroaci, në Krainën rreth qytetit të Kninit dhe në Sllavoninë lindore, u manipuluan për t’u ngritur kundër shtetit të Kroacisë që po krijohej.

Milosheviqi angazhoi Ushtrinë jugosllave në anën e tij, dërgoi „vullnetarë“, paramilitarë dhe policë për t’u „dalë në ndihmë serbëve të pambrojtur të cilëve po u kanosej gjenocidi në Kroaci“. Me të njëjtin pretekst u angazhuan pastaj edhe në Bosnjë.
Në Kosovë qysh nga heqja e autonomisë në vitin 1989 u tha se forcat speciale dërgohen për të mbrojtur „serbët duarthatë dhe të pambrojtur sikurse edhe joshqiptarët tjerë dhe shqiptarët e ndershëm luajalë ndaj Serbisë!“. Si përfundoi e tëra dihet. Luftërat që u shkaktuan si pasojë e agresionit serb lanë me qindra e mijëra njerëz të vrarë, ndodhi gjenocidi në territorin e Evropës edhe pse ishin dhënë zotime se pas Luftës së Dytë Botërore një gjë e tillë „kurrë më nuk do të përsëritej“.

Me miliona njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u zhvendosën. Dëmet materiale ishin me dhjetëra miliarda euro. Edhe sot e kësaj dite këto vende të Ballkanit e kanë vështirë të rimëkëmben. Në kohën kur ish-Jugosllavia e shpërbë me gjakderdhje, shpërbërja e ish- Bashkimit Sovjetik ndodhi në mënyrë tejet paqësore. Liderët e Rusisë, Ukrainës dhe republikave tjera, në mënyrë festive, duke ngrënë e pirë, u morën vesh të ndahen. Ukraina i dha Rusisë vullnetarisht arsenalin e armëve bërthamore me një garanci se do të respektohej integriteti territorial i Ukrainës së pavarur. Këtë si dëshmitarë e nënshkruan edhe Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Madje Ukraina ishte zemërgjerë dhe i lejoi një flote ruse që të mbante bazën në një port në Krime në bregdetin e Detit të Zi edhe pse ishte territor që i takonte Ukrainës. Ukraina po ashtu garantoi të drejtat e pakicës etnike ruse si dhe të „ukrainasve rusofolës“ në këtë shtet.
Ishte pikërisht mësimi që kishin nxjerrë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë që thuhet të ketë pasur ndikim tek politikanët e asaj kohe ne Moskë, Kiev, Minsk dhe në kryeqytetet tjera, vërejtje e cila ndihmoi që të shpërbëhen në mënyrë paqësore.

Sikur të kishte ndodhur ndonjë konflikt më i gjerë gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik krimet që u bënë në ish-Jugosllavi do të dukeshin si lojë fëmijësh në krahasim me çka do të mund të kishte ndodhur atje. Fjala ishte për një territor të madh të botës, që shtrihet në dy apo tri kontinente, me armët bërthamore. Vetëm në territorin e Ukrainës kishte më shumë armë atomike sesa në Francë, Britani dhe Kinë së bashku. Prandaj edhe është thënë shpesh se „për dallim nga popujt e egër të Ballkanit, rusët ishin më të zgjuar dhe iu shmangën gjakderdhjes!“

Por tash situata në Ukrainë ka shqetësuar Perëndimin. Janë të befasuar me shpejtësinë me të cilën Vladimir Putin ka aktivizuar ushtrinë ruse në Ukrainë. Perëndimi, as SHBA, as NATO e as BE-ja, nuk kanë ide se si të përgjigjen. Për momentin janë duke u kufizuar në kritikat verbale ndaj Rusisë duke e qortuar për „shkelje të Kartës së OKB-së, shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës“ dhe janë duke i bërë thirrje që „të ndërpresë menjëherë aktivitetet ushtarake dhe të tërheqë ushtrinë në kazerma“. Problemi është se Perëndimi nuk ka shumë opsione në dispozicion kundër Rusisë.

Konfrontimi ushtarak nga ana e NATO-s është përjashtuar si mundësi. Fundi i fundit Rusia nuk është Serbi e as Ukraina Kosovë. Në anën tjetër me Rusinë shumë vende të BE-së kanë pasur marrëdhënie jashtëzakonisht të mira deri më tash dhe nuk e kanë të lehtë të pajtohen as për ndonjë sanksion konkret, i cili do të mund ta godiste liderin rus.

Duket se gjithçka do të shkojë drejt skenarit të Abhazisë dhe Osetisë Jugore më shumë sesa atij të ish-Jugosllavisë. Rusët mund të shtojnë praninë e tyre ushtarake në Ukrainë e pastaj të ulen e të bisedojnë për ndonjë zgjidhje politike, duke pasur praninë ushtarake në terren si një përparësi të madhe në këtë proces. Ukraina si shtet do të dëmtohej duke u fragmentuar dhe në këtë mënyrë do ta kishte përsëri të vështirë të ecte drejt integrimeve në BE apo NATO.

Kroatët ishin të gjendje vetë të çlirohen nga agresioni serb. Bosnja doli e përgjysmuar nga kjo luftë, ndërsa në rastin e Kosovës Milosheviqi u ndal falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s patra 15 vjetësh. Por Perëndimi vështirë se do të gjejë ndonjë zgjidhje për të ndalur Rusinë nëse ajo vendos të vazhdojë agresionin ndaj Ukrainës.

Prandaj edhe BE-ja dhe NATO-ja duan që të gjitha energjitë t’i drejtojnë kah një zgjidhje politike. Në këtë kohë asnjë lider i përgjegjshëm politik nuk dëshiron eskalimin e konfliktit dhe shpërthimin e një lute të madhe në Evropë. Por pikëpyetja gjithmonë mbetet se çfarë ka në mendjen e Putinit.
 

 


© KOHA.net
 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...