Injoranca e një Jadeci dhe transparenca e mbrapshtë

2 Shtator 2014 - 08:53 - Flaka Surroi      

Se në çfarë shteti të brishtë jetojmë, më së miri e ilustron situata ku kryetarja e Kosovës merr e jep kompetenca që nuk i takojnë, kurse fshehësit e së vërtetës fshihen pas kumtesave të cilave ua bashkëngjisin komunikimet elektronike me gazetarët

“Dokufesti” përfundoi me një ceremoni që nuk ishte për t’u lavdëruar dhe që nuk i pati hije një ngjarjeje kaq madhështore që na bëri të ndihemi qytetarë të rendit të parë, nikoqirë të dashamirëve dhe filmdashësve nga e gjithë bota.

Mbase edhe vetë organizatorët mbesin përherë e më tepër të habitur me efektin super pozitiv që e krijon ky festival – e që e shndërron Prizrenin në një vend ideal dhe pa brenga, ku thjesht shkon për t’u ndier mirë. Ku shkon për të kuptuar se ka lumturi edhe nëse jeton në Kosovë. Mbase edhe kjo do të jetë arsyeja se përse nuk i është kushtuar rëndësia e duhur një ceremonie përmbyllëse ku të gjithë festojnë, e ku dikush gëzohet më shumë, e dikush pikëllohet pse nuk fiton.

Sido që të jetë, “Dokufesti” tashmë është bërë ikonë me të cilën identifikohet Kosova – shyqyr për të mirë. Uroj që kështu të vazhdojë me vjet të tërë, e që përherë ta kemi, e që të takohemi në Prizren për çdo verë. Për t’u kënaqur dhe krenuar.

Ashtu siç po krenohemi me vite tashmë me ikonën tjetër, Majlinda Kelmendi, të cilën nuk bën pa e përmend bile një herë në vit në kolumnet e mia. E si mos ta përmend, kur sivjet, bash në mes të Rusisë, ia doli ta ripërtërinte titullin e kampiones së botës në xhudo në kategorinë prej 52 kilogramësh. Duke na këndellur nga lëmshi të cilin na e shkaktoi Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim jashtëzakonisht të çuditshëm dhe të politizuar, të cilin për ta fat të keq duhet zbatuar, sepse është vendim i Gjykatës. E pse GJK-ja futet në punë të tjera ku nuk e ftojnë dhe nuk ka kompetenca, aty për fat të keq s’kemi ç’t’i bëjmë, pos të presim që gjykatësve t’u skadojë mandati.

Shverci i shtrenjtë i injorancës

Dhe pikërisht skadimi i mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë të Kushtetueses, e cila në kushte normale do ta linte atë pa kuorum (ashtu siç e paralajmërova plot gëzim qe tri ditë), do të jetë objekt i shumë polemikave që do të na ngufasin javën që vjen.

Tashmë e paralajmëruar si mundësi nga diplomatët ndërkombëtarë, duket se këshilltarët e Jahjagës tashmë e kanë gjetur çelësin për ta “shvercovat” zgjatjen kundërkushtetuese të mandatit të gjyqtarëve të huaj. Dhe po qe se kjo ndodh, do ta kemi situatën ku shkelja eventuale e Kushtetutës nga ana e Jahjagës do t’i nënshtrohej gjykimit edhe të tre gjyqtarëve të huaj, që këtu kanë konflikt të pastër interesi. Nga ana tjetër, tërheqja e tyre nga lënda do ta linte GJK-në pa kuorum, pra pa zgjidhje, e për pasojë Kosova do të udhëhiqej nga një shkelëse potenciale e Kushtetutës (siç kishin qenë paraardhësit e saj). Nëse kjo ju duket e komplikuar, ju lus për durim në përpjekje për ta shpjeguar pjesën tjetër të komplikuar.

Në prill 2014, Jahjaga i është drejtuar Ashtonit me një letër ku kërkon vazhdimin e qëndrimit të misionit të EULEX-it. Aty në atë letër Jahjaga thotë se e konfirmon zgjedhjen e gjykatëseve dhe prokurorëve të EULEX-it, sikurse edhe emërimin e gjykatësve të huaj të GJK-së, të cilën e ka bërë Përfaqësuesi civil ndërkombëtar. Që në paragrafin e ardhshëm, Jahjaga e thotë edhe këtë gjë: “Për më tepër, EULEX Kosova mund të kërkojë emërime për të zëvendësuar të gjithë gjyqtarët e prokurorët e lartpërmendur, mandatet e të cilëve skadojnë. Emërimet e tilla do të bëhen në mënyrën e lartpërmendur”.

Pra, me një fjali, duket qëllimisht të dykuptimtë, Jahjaga ia ka deleguar Zhbogarit një të drejtë që pas heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë më 2012 dhe në bazë të nenit 114 i takon ekskluzivisht Kuvendit të Kosovës që të vendosë – nëse do apo jo që të ketë ende gjykatës të huaj në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në shkelje eklatante të Kushtetutës, ajo i thotë Zhbogarit: “Hajt çoma ti mua një letër duke e propozuar vazhdimin e mandatit të këtyre treve e mandej unë i dekretoj”, për shkak se ndërkohë Kuvendi e ka miratuar ligjin me të cilin është ratifikuar këmbimi i letrave ndërmjet Jahjagës dhe Ashtones.

Për ta thjeshtësuar: ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare e bën atë më të fuqishme sesa Kushtetutën, pra edhe të zbatueshme pavarësisht të gjithave. Mirëpo, ky ligj për marrëveshjen e ndërron Kushtetutën, kurse Kushtetuta nuk mund të ndërrohet me ligj. Ajo mund të ndërrohet vetëm me amendamente të Kushtetutës. Nga ana tjetër, Kuvendi nuk merret me zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave të rregullta; porse është kyç për zgjedhjen e gjyqtarëve të Kushtetueses, që, sipas nenit 4 të Ligjit për GJK-në, duhet të jenë shtetas të Kosovës (pas skadimit të mandatit të gjykatësve të huaj).

Plus, edhe një gjë: Marrëveshja Ashton-Jahjaga është mbështetur në nenin 20 të Kushtetutës që thotë: “Republika e Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, për çështje të caktuara mund të kalojë kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare”. Sipas kësaj që e ka shkruar Jahjaga, del thuajse Kuvendi ia ka deleguar autorizimet e veta asaj, gjë që nuk lejohet, për shkak ndarjes së qartë të pushteteve. Me fjalë të tjera, edhe kjo është shkelje e Kushtetutës.

Pra, nëse të hënën e ardhshme do të gdhijmë me një komunikatë shtypi nga zyra e Jahjagës në të cilën e kuptojmë se ajo ua ka zgjatur mandatin gjyqtarëve të huaj edhe për një vit a dy (a sa t’i kenë thënë se duhet) – do të na thellohet hendeku edhe më shumë. Do të futemi në një gjendje kaotike juridike e politike, me një Gjykatë Kushtetuese tashmë të dëshmuar si e politizuar në favor të një tabori. Do ta kemi një kryetare shkelëse të Kushtetutës për shkak të injorancës dhe nënshtrimit të presioneve. Dhe, do ta kemi një Kuvend që luftën do ta kufizojë te pika 127 e Aktgjykimit të GJK-së, që me gjasë do të mbarojë sërish në GJK, për t’i humbur minimum edhe nja 45 ditë të tjera për kot.

Driblim amatoresk

Për kot do ta çmoj veprimin e paprecedentë të zyrës së kryetarit të Prishtinës, kur vendosi ta shpërndante një reagim ndaj një teksti ende të pabotuar, përcjellë nga korrespondenca ndërmjet gazetarit të gazetës “KOHA Ditore” dhe shefes së kabinetit të kryetarit të Komunës. Për kot dhe shumë absurd madje, ngase kjo u ngjasonte veprimeve që i ndërmarrin “portalet e sarita tu Kosovës” që rrinë gjithë ditën e lume duke i lexuar statuset e njerëzve të caktuar në faqet e tyre të FB-së, dhe bëjnë lajme nga kjo punë. Po të atyre portaleve të sarita me të cilat zyrtarët e VV-së janë në luftë elektronike ka disa vjet tashmë.

Duket se me këtë rast zyrtarët komunalë të “Vetëvendosjes” e kanë huqur plotësisht kuptimin e transparencës. Shumë më thjesht ka qenë të hapeshin letrat, të vërehej se kishte diçka të parëndomtë në punën e tenderit që i jepej një firme që madje kishte pasur gjashtë dokumente të papërputhshme me evidencën dhe të anulohej shpallja e fituesit për shkak të parregullsive eventuale, sesa të botohej komplet korrespondenca me gazetarin. Kësaj vetëm i mungonte edhe etiketa “EKSKLUZIVE”.

Sepse, edhe pse ai nuk kishte qenë qëllimi i zyrtarëve të VV-së, publikimi i korrespondencës në fakt doli të ishte një autogol për shefen e kabinetit dhe zëdhënësen, për shkak se dëshmoi përmbajtje kontradiktore me atë që kishte shkruar në kumtesë. Se në vend që të thirrej në Ligjin për qasje në dokumente zyrtare, që mund të t’i hajë një a dy javë, ka mundur të japë tri përgjigje të thjeshta, në po aq pyetje të thjeshta. Sepse edhe ashtu, dokumentet u bënë publike, sado që zyrtarët u përpoqën t’i fshihnin.

Dalja e mëvonshme e nënkryetarit të Komunës në konferencë shtypi, me fytyrë serioze dhe me qëndrimin “tash kam me ju rreh të gjithëve”, përderisa pjesërisht dekonspironte teori “për ‘gazetarët e korruptuar’ që bëjnë marketing për një firmë të caktuar që qëndron pas kësaj fushate” (po e parafrazoj), nuk i ndihmoi çështjes fare. Shumë më e udhës do të kishte qenë me dalë e me thënë se paska ndodhur një gabim në vlerësim, dhe se kjo punë do të korrigjohet me përsëritjen e procedurës, sesa të krijohet një skandal me tipare paranoike.

Lufta me mediume është puna më e keqe që mund t’i ndodhë cilësdo parti politike. Dhe ky nuk është kërcënim, është thjesht konstatim, për shkak se mediumet e pavarura (ato pak që i kemi) janë opozita e vërtetë dhe e vetme qytetare që ka ky vend. Mediumet e pavarura janë dritarja e vetme që i ka mbetur e hapur opinionit për të kuptuar se çfarë në të vërtetë ndodh, për aq sa maksimalisht mund të sigurojmë informacione të mbështetura në fakte.

Prandaj, në vend se si Komuna e Prishtinës ashtu edhe Presidenca të dalin me kumtesa për shtyp dhe me korrespondenca gazetarësh, sa herë gazetarët tanë u bëjnë pyetje “të pakëndshme”, do të ishte mirë po qe se do të përgjigjeshin pa fizkultura.

Fundja këtë e kanë detyrë, për shkak se këto institucione marrin vendime në emrin tonë. Dhe krejt puna është si t’ia bëjmë që të parandalohen vendime sikur ai i përshkruar në pjesën e parë të kësaj kolumne – pasojat e të cilit do t’i vuajmë për punë të injorancës së një Jadeci.

flaka@koha.net
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...