Kompromis për institucione ose kompromis për zgjedhje

30 Gusht 2014 - 12:00 - Adriatik Kelmendi      

Zgjidhja e mundshme që do t’i shmangë zgjedhjet e reja është që ta kuptojnë të gjitha subjektet se sa humbës janë në situatën e tashme bllokuese dhe ta dinë se askush nuk do të mund t’i fitojë të gjitha, ashtu siç ka dëshiruar e synuar. Përndryshe, edhe për të shkuar në zgjedhje duhet medoemos të ketë marrëveshje PDK-LAN, në mënyrë që fillimisht të konstituohet Kuvendi, pra të zgjidhen kryetari dhe Kryesia, dhe pastaj të votohet për shpërbërjen e tij

MOMENTALISHT E GJITHË klasa politike është e barabartë në një pikë – të gjithë janë humbës.

PDK-ja i fitoi zgjedhjet, por nuk po mund të fitojë përkrahjen e domosdoshme nga subjektet e tjera për t’i krijuar institucionet.
LDK, AAK e NISMA (LAN) janë humbës për shkak se, ndonëse të bashkuar, arritën të krijojnë shumicën, kjo po del që nuk po mund të vihet në jetë për shkak të normave kushtetuese.

LVV-ja ka humbur mjaft nga zbutja e parimeve të mëhershme dhe vullneti për të bashkëqeverisur me ata të cilët i ka quajtur deri vonë “e keqe e njëjtë”.

Ndërsa Kosova po humb meqë, në mes tjerash, Lista Srpska po e sheh veten në rolin e king-makerit dhe po e rrit pazarin në dëm të stabilitetit dhe integritetit të vendit.

Ka edhe shumëçka për t’u humbur në këtë mes, në qoftë se edhe në vazhdim do të shohim subjektet politike të mbesin të palëkundura në qëndrimet e tyre deri tash të çimentuara – moralisht, ekonomikisht, funksionalisht, politikisht.
Besoj, është koha për t’u bërë realistë.

SUBJEKTEVE POLITIKE sot do t’ua propozoja që t’i shkruajnë opsionet e tyre politike në një tabelë dhe të fillojnë gjakftohtësisht t’u mëshojnë vijëopsioneve që nuk janë të mundura, ndonëse të dëshiruara, ose të parë si të arsyeshme prej tyre.

E para, PDK-ja. Gjykata Kushtetuese ua njohu të drejtën për të propozuar ata kryetarin e Kuvendit, ose ta propozojnë mandatarin për kryeministër herën e parë, por kjo nuk do t’ua sigurojë edhe votat e duhura për t’i vendosur anëtarët e vet në këto poste. Ata mund ta kenë të drejtën që edhe 111 herë të propozojnë kandidatin e tyre për kryekuvendar dhe ai të mos i marrë votat. A janë të gatshëm ata që ta mbajnë një shtet peng, vetëm duke u mbështetur në faktin që kanë dalë të parët në zgjedhje? Tashmë janë prezantuar shumë shembuj nga shumë shtete kur partia e parë në zgjedhje nuk ia ka dalë t’i sigurojë votat për formim institucionesh dhe kanë zgjedhur të lëshojnë udhë në të mirë të vendit.

Pastaj, LAN-i duhet ta kuptojë se në qoftë se nuk duam që të kalojmë në anarki, rrugë tjetër përveç respektimit të vendimeve të institucioneve të pavarura (pavarësisht dyshimeve të tyre në rregullsi) nuk mund të ketë në një demokraci. Tash ata në vend të fajësimit të Gjykatës Kushtetuese, me ose pa të drejtë, do të duhej të shikonin se cilat janë opsionet që do t’i bëjnë sërish fitues dhe jo vetëm bllokues. Nëse mendojnë se do të mund të shkojnë sërish në Kuvend, edhe pas dështimit të PDK-së, ata do ta kenë radhën për ta votuar kryekuvendarin, ky tashmë është një film i parë. Pavarësisht interpretimeve emocionale e me tifozllëk të aktgjykimit kushtetues, aty qartë tregohet se nuk u jepet e drejta grupeve të tjera parlamentare që ta propozojnë kandidatin e tyre dhe se pa zgjedhje të kryetarit dhe të Kryesisë nuk mund të ketë formim të grupeve parlamentare të pabazuara në rezultat zgjedhor. Në të kundërtën, në qoftë se kjo përnjëherë është e mundur legalisht, atëherë përse nuk u lejua që të mbetet Isa Mustafa kryetar Kuvendi edhe herën e parë, pasi që u ndoq një procedurë e njëjtë?!
Atëherë, opsioni të cilin LAN-i duhet ta shlyejë në tabelën e tyre është ai që flet për mbajtjen e postit të kryekuvendarit dhe të kryeministrit pa ia mbushur mendjen për këtë edhe PDK-së. E rëndë, por kristalisht e qartë.

E TASH GABIMI që e kishte bërë LAN-i që në fillim (dhe për të cilin kam shkruar, shih http://koha.net/?id=31&o=220) është fakti se ata i kanë caktuar emrat në postet që synonin/synojnë t’i marrin. Mustafa – kryetar Kuvendi, Haradinaj – kryeministër, në vend se vetëm të pajtoheshin që pozitat i takojnë LDK-së, respektivisht AAK-së dhe NISMA-s. Në qoftë se nuk do ta caktonin vetveten në postet udhëheqëse, sot, në rrethanat e reja të krijuara, LDK-ja e AAK-ja do ta kishin shumë më të lehtë të uleshin për të modifikuar marrëveshjen, pa pasur frikë se do të lëndonin sedrat respektive dhe kështu ta rrezikonin edhe marrëveshjen në tërësi.

Ta marrim shembullin e LDK-së: Mustafa vendosi me lehtësi ta lëshojë postin e kryeministrit, ndonëse partia e tij doli e dyta, dhe të pranojë atë të kryetarit të Kuvendit. Mirëpo çka tash kur doli se pa marrëveshje të gjerë nuk do të mund të bëhet as kryekuvendar? A do të heqë ai krejtësisht dorë? Sigurisht e panevojshme, meqë do të ishte një nënvlerësim i skajshëm i vetvetes dhe partisë. Paramendojeni, LDK-ja gjithnjë është kritikuar për shkak se kurrë nuk e ka marrë postin e kryeministrit, pavarësisht se a ka dalë e para ose e dyta në zgjedhje, e tash është situata kur e ka ulur edhe më tutje ambicien, duke pranuar postin e të parit të Kuvendit e në fund rrezikon të mbetet edhe pa këtë post!

Së këndejmi, liderët e LAN-it dhe ata të PDK-së, përtej mallkimeve e deklaratave vetëtrimëruese, do të duhej të gjenin më shumë kurajë për t’u mbledhur bashkë e për t’i kuvenduar me sinqeritet opsionet e mbetura. E ato, në qoftë se nuk do të ketë lëvizje deputetësh, janë reduktuar tashmë në vetëm dy: marrëveshje LAN-PDK (ndoshta edhe LVV) për formim institucionesh ose marrëveshje LAN-PDK për zgjedhje të reja.

Mund të vazhdohet të luhen lojëra sa të duash, të akuzojmë e të akuzohemi, të mallkojmë e të mallkohemi, por në fund sërish do të vijë momenti kur duhet ulur për të vendosur – zgjedhje ose kompromis. Për më tepër, siç thashë, edhe për të shkuar në zgjedhje duhet medoemos të ketë marrëveshje PDK-LAN, në mënyrë që fillimisht të konstituohet Kuvendi, pra të zgjidhen kryetari dhe Kryesia, dhe pastaj të votohet për shpërbërjen e tij. Shqip: pa kompromis s’ka konstituim Kuvendi, pa konstituim Kuvendi nuk do të mund të ketë asnjë votim, rrjedhimisht as votim për shpërbërjen e vet e zgjedhje të reja, ashtu siç e ka qartësuar edhe Gjykata Kushtetuese.

NËSE DO TË SHKOJMË në zgjedhje, atëherë edhe gjasat që LDK-ja, AAK-ja e NISMA të shkojnë me një listë të përbashkët janë zbehur dukshëm për këta dy muaj, si duket, për shkak të feedback-ut të elektoratit të këtyre partive. Ndërsa PDK-ja sigurisht se me vete do ta ketë edhe AKR-në, e cila është në pritje të zhvillimeve. Kështu që, LAN-it më pak se PDK-së i shkojnë në favor zgjedhjet e reja.

Zgjidhja e mundshme që do t’i shmangë zgjedhjet është që ta kuptojnë të gjitha subjektet se sa humbës janë në situatën e tashme bllokuese dhe ta dinë se askush nuk do të mund t’i fitojë të gjitha, ashtu siç ka dëshiruar e synuar. Nëse LAN-i do të pranojë që një mandatar i propozuar nga PDK-ja ta ketë të parin e legjislativit, atëherë as PDK-ja nuk do të mund që ta bllokojë LAN-in që ta formojë ekzekutivin, meqë edhe Gjykata Kushtetuese me aktgjykim e ka lënë të hapur mundësinë që edhe grupet e tjera parlamentare të mund të formojnë qeverinë.

Kjo natyrisht se do të mund të ishte e mundshme vetëm nëse Mustafa, Haradinaj dhe Limaj do të jenë të gatshëm që edhe një herë të negociojnë marrëveshjen e tyre të brendshme, kur do të duhej rishqyrtuar edhe ndarja e posteve qeveritare, për shkak se ky është kulaçi i vetëm që po mbetet për t’u ndarë, në qoftë se nuk duam që të shkojmë në zgjedhje.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...