“Ndrysho, mos u fsheh!”

26 Gusht 2014 - 08:30 - Flaka Surroi      

Kontrasti, të cilin na e pasqyroi java e shkuar, ndërmjet zymtësisë së përditshme dhe kozmopolitizmit dokufestian, mbase duhet të na shërbejë si porosi se ka ardhur koha që ta rizbulojmë veten në trajtën tonë më të mirë

S’ka pasur si të ishte ndryshe, pos një javë kontrasti të theksuar ndërmjet realitetit që e jetojmë për çdo ditë dhe atij që e krijon një ngjarje kulturore që përherë bëhet më e mirë. Realitetit të zymtë, të një shteti të varfër, me perspektivë të kufizuar, me paraqitje të rrymimeve të rrezikshme fetare, me kastë politike të papërgjegjshme, me sistem të degraduar arsimimi -- i cili duket thuajse zhduket në ato dhjetë ditë sa zgjat festivali më me nam që kemi. Këto dhjetë ditë na krijojnë një realitet, i cili na bën të dëshirojmë që jeta të na bëhet si në film, edhe atëherë kur e dimë se filmat nuk janë përherë të mirë, porse e dimë se kryesisht përfundojnë mirë.

Fundamentalizmi dhe AKI-ja

Ishte java në të cilën përderisa ende diskutohej çështja e arrestimit të 40 të dyshuarve për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe të Irakut, u zbulua se Bashkësia Islame e Kosovës nuk kishte kontroll mbi katër xhami që dyshohet të jenë vende ku bëhet rekrutimi i xhihadistëve. Reagime nuk pati. Masa nuk u ndërmorën. Të gjithë i lajnë duart – askush nuk është përgjegjës, përderisa numri i atyre që po nisen nga Lindja po rritet dita- ditës.

Java përfundoi me një zbulim të jashtëzakonshëm nga gazetari i KD-së, Vehbi Kajtazi, për dekonspirimin dhe më pas edhe ekzekutimin e një të infiltruari të AKI-së në Siri. Ky lajm u pasua nga një reagim akuzues dhe qortues i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës ndaj guximit që pati “KOHA Ditore” që ta zbulonte një veprim të kundërligjshëm të vetë “shoqatës së spiunëve profesionistë të Kosovës”.

Tentimi që të manipulohej opinioni nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga Zyra e kryeministrit, e më pas edhe vlerësimi që “spiunët” ia bënë kredibilitetit të gazetës, e mbi të gjitha profesionalizmit të gazetarëve tanë, ishte më së paku thënë neveritës. Për më tepër, kërcënimi vijues me kallëzimin penal kundër gazetarit, nuk mund të shihet ndryshe pos si përpjekje që nëpërmjet këtyre veprimeve të instalohet censura. E që nëpërmjet kësaj censure të kontrollohet botimi i cilitdo shkrim, në emër të “mbrojtjes së sigurisë kombëtare”. Veprimi është aq evident, saqë nuk të le dyshimin për atë se çfarë do të donin njerëzit e ulur në kolltukët e pushtetit për Kosovën: një diktaturë të dorës së fortë ku s’ka ajër të mjaftueshëm për t’i ngirë frymë të gjithë.

Gjykata pezulluese

Për të qenë kontrasti edhe më i thellë u përkujdes Gjykata Kushtetuese kur doli në publik për të na treguar se kishte vendosur vetëm ta qortonte anëtarin e vet, Kadri Kryeziu, për që kishte marrë pjesë në fushatën e PDK-së në Prizren, ani që këtë e ka të ndaluar me ligj. Hiç nuk është me rëndësi që me shkarkimin e tij eventual Gjykata do të mbetej me dy gjyqtarë më pak, me rëndësi është se shkelja e Kushtetutës u shndërrua në kundërvajtje, ku dënimi me burgim zëvendësohet me para. Edhe këtu, në vend të shkarkimit erdhi qortimi dhe tërheqja nga lëndët e caktuara – pa e humbur asnjë privilegj që sjell me vete posti i anëtarit të GJK-së.

Në mungesë të këtij gjyqtari dhe para anëtarëve të mbetur të GJK-së ndodhi edhe ballafaqimi i argumenteve para saj – nëse zgjedhja e kryekuvendarit kishte qenë apo jo kushtetuese. Me një paraqitje brilante të Vjosa Osmanit dhe hiç më pak të keqe të Albulena Haxhiut, argumentet e profesorit të së drejtës kushtetuese dhe njërit nga autorët e kësaj Kushtetute plot vrima (siç e kemi konstatuar tashmë në të shkuarën) Arsim Bajrami, dukej se shkriheshin si flluska sapuni. Paraqitja e Ardian Gjinit ishte më shumë për të plotësuar formë sesa përmbajtje, marrë parasysh diskursin e tij kryekëput politik.

Por, megjithatë, tjetër ishte mendimi i GJK-së. Me një vendim unanim, qysh të enjten vendosën që zgjedhja e Mustafës është jokushtetuese. Për më tepër, kanë përcaktuar se propozimi nuk është bërë nga grupi më i madh parlamentar, dhe se betimi i deputetëve është i ligjshëm.

Pa e paragjykuar përmbajtjen e aktgjykimit, këtij vendimi po i vjen era zgjedhje të parakohshme, ngase nëse PDK-ja do ta ketë të drejtën të propozojë kryetarin e Kuvendit, e ky mos t’i marrë votat e mjaftueshme, atëherë Kuvendi bllokohet, ngase Rregullorja nuk parasheh se çfarë ndodh nëse zgjedhja dështon në rrethin e parë. Sidoqoftë, nëse GJK-ja do të dalë me zgjidhje alternative dhe të përcaktojë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të jetë sipas procedurës që e ka përcaktuar për kryeministrin, pra që “mandati” t’i ofrohet të dytit me radhë, atëherë do të konstatojmë se për kot i kemi humbur një muaj e gjysmë kohë, ngase rezultati do të jetë po ai i datës 17 korrik: pra do ta kemi Mustafën kryeparlamentar të zgjedhur.

Po qe se Gjykata nuk ofron zgjidhje, atëherë me bllokim të Kuvendit do të ndodhin tejkalimet e afateve, dhe do të detyrohemi të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të cilat me shumë ngulm i kundërshtoi Ardian Gjini me të dalë nga Gjykata të enjten. Nuk jam shumë e sigurt se shumëkush i besoi, porse do të ketë pasur shumë që do të jenë hamendur nëse kjo është e vërtetë kur pasdite e dëgjuan përfaqësuesin e “Srpskas” tek thoshte se serbët nuk ishin të interesuar për zgjedhje të reja. Dhe mbetet dilema nëse ky do të jetë çelësi që do ta nxjerrë Kosovën nga kriza e mëtejme politike – sepse kjo nuk ishte vetëm porosi për PDK-në, por edhe për Bllokun besa, që duket se është më afër të bëjë koalicion me minoritetet sesa me VV-në.

E, se sa të këqija do të ishin zgjedhjet tash për të gjithë, pos për PDK-në, tashmë e kemi elaboruar. Përshkrimit të mëparshëm se paratë janë me PDK-në dhe për këtë arsye mundet edhe të bëjë si fushatë më të mirë, ashtu edhe mund të blejë më shumë vota (që e ka zanat, edhe ashtu), duhet shtuar edhe ngathtësinë e Bllokut për t’i prerë gjërat dhe për t’i bindur votuesit se mandatin që do ta merrnin do ta përdornin për të mirën e qytetarëve.

Po të ishte gara elektorale ajo që do të përcaktonte nëse duam parti politike apo ngjarje kulturore, jam shumë e sigurt se fituesi absolut do të ishte “Dokufesti”. Si në filma. Për shkak se bile për këto dhjetë ditë Festivali na bën që gjërat si këto të përshkruara më lart t’i përballojmë më lehtë.

DokuKultura

Kur para 13 vjetësh një grup të rinjsh entuziastë kishte dalë me idenë e organizimit të festivalit të filmit dokumentar në Prizren, mbesa ime e madhe kishte po aq vjet. Atëbotë, kishte pasur fatin të ishte dëshmitare e fillimit të gjësë më të bukur që i ka ndodhur Kosovës që nga paslufta, hiç çlirimin dhe pavarësinë. Si fëmijë kureshtar u njoftua me botën e filmit dokumentar..., pjesë e së cilës u bë mbrëmë, kur u shfaq premiera e dokumentarit të cilin e bashkëprodhoi me gjithë kolegët e saj nga Kohavisioni.

Për mua ishte gëzim i madh dhe krenari të shihja kurorëzimin e një pune kreative dhe të papërtueshme të Reas, Dardanit, Arbenit dhe Atdheut për ta pasqyruar një rrëfim të një njeriu të parëndomtë të dalë nga mjerimi i provincës kosovare, për të bërë emër në artin evropian. Një rrëfimi i të rinjve për një të ri – që kishte fituar frymëzimin 13 vjet më parë, me të nisur “Dokufesti".

Dhe, edhe pse Prizreni nuk është kryeqyteti i Kosovës (e po them shyqyr që nuk është, se ia kishim dalë me ia ngjit nja dy katërdhjetëkatëshe te Kalaja), gjatë Festivalit shndërrohet në kryeqytetin botëror të dokumentarëve, duke ia përçuar botës imazhin më të bukur për Kosovën si vendin kozmopolit, me kulturë, me shmek, me bukuri, me nikoqirllëk, me shurupin e trëndafilave e bozën të papërsëritshme..., si vendin ku nuk e ndien veten të rrezikuar, pavarësisht komploteve e fjalëve..., si vendin që frymon qytetërim, ani që ballafaqohet me ngufatësit dhe grabitqarët që i duan të gjitha për vete, pavarësisht dëmit që e shkaktojnë.

Si kurrë më parë, sivjet nisi me një porosi shumë të fuqishme: me një porosi rebelimi dhe ftese për ndryshim dhe heqje të frikës. Me moton “Ndrysho, mos u fsheh”, organizatorët përçuan porosinë se asnjë gjë nuk mund të ecë përpara po qe se njerëzit nuk e ndryshojnë qasjen që e kanë ndaj jetës; nëse nuk rebelohen ndaj padrejtësisë; nëse nuk vendosin të mos durojnë më mizorinë e të padijshmëve. Dhe, nis me një porosi shumë të thjeshtë për shkak të një vendimi absurd: në vend se të mendojë se si ta rregullojë kinemanë që prej kohës së socializmit që e ka ndërtuar është në gjendje të mjerueshme, Komuna ka vendosur që atë ta rrëzojë e ta koncensionojë për parking... apo kështu diçka.

Nuk kishte shembull më të fuqishëm se ky i kontrastit midis asaj që pushteti mendon se është mirë për popullin dhe asaj që populli e mendon se është mirë për të. Ovacioni i publikut për protestën dhe premtimin e organizatorëve se nuk do të hiqnin dorë dhe se nuk do ta dorëzonin kinemanë ishte porosi shumë e qartë për kryetarin e Komunës së Prizrenit, i cili edhe ashtu ka humbur kredibilitetin plotësisht.

Ishte shembulli më i thjeshtë i absurdes kosovare; se si jemi në gjendje që suksesin botëror ta shkatërrojmë veç pse nuk jemi protagonistët e tij kryesorë; veç pse nuk kemi asnjë fitim personal nga i gjithë ky muhabet – politik a financiar. Veç pse kështu na ka mësuar mendësia e instaluar pas luftës – ajo e grabitjes.

Po t’i grabisnim të gjitha të mirat që na i sjell kultura, të cilën e kultivojmë me këtë kaçik që kemi, sa larg do të ishim provincializmave dhe realiteteve të zymta. Do ta mundnim frikën dhe do të ndryshonim aq sa për të nisur e për të ecur përpara. Do të niseshim shtegut të çlirimit nga zaptuesit dhe zaptimi.

S’ka dyshim: do ta rizbulonim veten në trajtën tonë më të mirë. Ndrysho, mos u fsheh!

flaka@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...