Si n’Amerikë

5 Mars 2014 - 10:34 - Flaka Surroi      

Ndër shumë sendet që i ka Amerika e që ne nuk do t’i kemi, me gjasë edhe një kohë të gjatë, është edhe sistemi dypartiak që e dominon skenën politike dhe jetën atje. Dallimi tjetër i madh është se në Amerikë kush nuk vrapon me u bâ kryetar partie – në Kosovë jemi në gjendje t’i themelojmë madje 30-40 parti politike, veç dikush me u zgjedhë kryetar. Për shkak se kryetari i partisë me automatizëm bëhet kandidat për kryeministër, edhe nëse i ka veç një autobus përcjellës

Në mesin e një mori shënimesh statistikore dhe absurdeve numërore që i elaboroi (më qartë nuk ka mundur) Lumiri në kolumnen e djeshme, e që lidhen për Qeverinë dhe për derivatet e saj që e “shnukën” këtë vend krejt, megjithatë ishin dy lajme që më së shumti u përfolën javën e shkuar.

Lajmi i parë lidhej me Ukrainën. Për revoltën qytetare që po zgjat më shumë se tre muaj; për keqqeverisjen dhe hajninë e strukturës udhëheqëse, të zgjedhur thuhej “në formë demokratike” dhe aparatit shtetëror të dhunës; për rrezikun e copëtimit të shtetit, pasojë e politikës së moçme kolonizuese të Stalinit, të kombinuar me koketimin e kryetarit të ikur Janukoviç me Putinin dhe pushtetin rus. Kriza e thellë ekonomike dhe pasurimi marramendës i qeveritarëve dhe i njerëzve të judikaturës, disi edhe pa dashur ta kujton realitetin e Kosovës. Edhe nëse kësaj ia shtojmë se personi i parë që u duk andej pari nga BE-ja ishte Ashton, të bën të mendosh se tashmë po e përjetojmë një deja-vu. Kulminacioni do të arrihej po ta shihnim baroneshën tek e feston ditëlindjen e saj me Medvedevin dhe Jacenjukun – tek zhvillon rundin e radhës të negociatave Rusi-Ukrainë, ashtu si di ajo më së miri...

Lajmi i dytë më i komentuar ishte shorti për Evropianin në futboll që do të mbahet në Francë më 2016. Në grupin e fundit, atë “I”, në një vend u gjetën Shqipëria dhe Serbia dhe, apapapapapa, t’u ndez patriotizmi (do t’i mundim serbët!!!) dhe rinisi fushata për Januzajn (t’i mbledhim një zilion nënshkrime për ta bindur që të luajë për Shqipërinë). Duket thuajse tashmë tifozët kuqezi janë dorëzuar dhe se janë pajtuar se nuk do të shkohet në Francë, ngase në atë grup janë edhe danezët, edhe portugezët - zor për t’u mundur. Ama, po qe se bën vakia dhe mundet Serbia, nuk ka dert edhe një dështim në kualifikime.

Gjërat tjera kryesisht ishin të lidhura për skandale, me të cilat, për fat të keq, jemi mësuar shumë dhe tashmë nuk na bëjnë ndonjë përshtypje si popull. Por, nuk ka dyshim se u bëjnë shumë përshtypje atyre që janë prekur me zbulimin e informatave që për ta do të ishte më mirë të mbesnin të groposura. Për pasojë, për ta shpëlarë veten, u qasen shpifjeve për ta kthyer vëmendjen tjetërkund, duke u paraqitur viktimë fushatash. Mirëpo, ka urtësi në atë që e kanë thënë pleqtë, e kështu do të jetë edhe në rastet që u bënë temë ballinash – rrena i ka këmbët e shkurtra, dhe më parë herët sesa vonë, gjërat do të vijnë në vend të vetin..., sepse ende besoj se jo e gjithë gjyqësia në këtë vend është e komprometuar...

...dhe çdo herë e më shumë jam e bindur se durimi i popullit e ka një kufi. Një copëz kufiri u thye kur u kërkua dorëheqja e rektorit mashtrues. Një tjetër protestë po paralajmërohet për ditën e pranverës, pavarësisht se 82 mijë vetave u premtohen rritjet e rrogave – sepse pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj, në mungesë të fitimit dhe të prodhimit, do të jetë rritja e çmimeve dhe e inflacionit. Dhe kjo do të jetë dhuratë e kësaj Qeverie, thuhet, të zgjedhur në formë demokratike, pak para zgjedhjeve të reja.

Demokracia

Interesant është kjo puna e demokracisë në Kosovë. Me vite të tërë është protestuar në rrugë, në kërkim të saj dhe të lirisë. Me vite të tërë është ëndërruar realizimi i një nocioni për të cilin gjithmonë është marrë si shembull Amerika – si vendi më demokratik në botë, ani që historia tregon se demokracia ka lindur shumë-shumë më moti, diku në Evropë. Gjithmonë mbështetur në shembullin amerikan, se duhet luftuar për të drejtat civile (apo të drejtat e qytetarëve për liri dhe barazi shoqërore e politike), kështu u krijua lëvizja politike e kosovarëve nga fundi i viteve ’80, për të kulmuar me këtë që kemi tash – një shtet, i cili përkufizohet i tillë, por që ende po kalon nëpër dhimbjet e rritjes.

Për dallim nga shoqëria ime e fëmijërisë, unë isha me fat kur si 9 vjeçe u ballafaqova për herë të parë me konceptin e zgjedhjeve demokratike. Atëbotë, si nxënëse e klasës së katërt u bëra dëshmitare e një gare, pjesë e së cilës nuk mund të bëhesha, sepse nuk kisha shtetësi amerikane, si shumica e shokëve të klasës. Klasat e larta po organizonin debate në përpjekje për të fituar sa më shumë përkrahës virtualë për zgjedhjen e kryetarit të Amerikës, në zgjedhjet e vitit 1972, në të cilat po garonin Richard Nixon dhe George McGovern. Ani që asnjëri prej tyre nuk mund të votonte, ishte interesante të shihej vrulli që derdhej për të nxjerrë sa më shumë argumente në favor të njërit apo tjetrit kandidat.

Unë, natyrisht, nuk kuptoja gjë. Atë që e kapja ishte insistimi i të gjithëve që të përcaktohesha për njërin kandidat. Nuk e kisha të qartë përse duhej, nëse asnjëri s’kishin të bënin gjë as me popullin tim e as me shtetin të cilit i përkisja. Dhe, po të duhej, e vetmja gjë që do ta përcaktonte zgjedhjen time, në mungesë të të kuptuarit të luftës në Vietnam, përmirësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore SHBA-Kinë, të Luftës së Ftohtë, e të ngjashme – në fakt ishte: cili kandidat më dukej më facë. Nixoni më dukej antipatik për shkak të veshëve dhe hundës së madhe, ky tjetri, McGovern, dukej më cool, sepse i kishte zylyfet e gjata (atëbotë ishin në modë). Pra, vota ime inekzistente do t’i shkonte kandidatit demokrat për shkak të lookut.

Por mësimi nga kjo përvojë nuk do të blihej me para: sado që do të mund të ndikoheshe nga argumentet e të tjerëve për të të bindur kë të zgjedhësh, megjithatë vendimi ishte yti. Kishe mundësinë të mendoje politikisht. Kishe mundësinë të veproje politikisht. Ashtu siç e bëjmë në Kosovë më së paku 25 vjetët e fundit. Ashtu siç shpresoj do të bëjmë edhe në të ardhmen: ashtu që qytetarët do t’i artikulojnë kërkesat për realizimin e të drejtave të tyre edhe në rrugë po qe nevoja, pa pasur nevojë t’i qasen dhunës, por me të drejtën legjitime për t’u mbrojtur po qe se sulmohen nga aparati i dhunës së pushtetit, qoftë edhe me letër tualeti dhe me tetrapak qumështi.

Është thënë se protestat e studentëve kanë pasur prapavijë politike. Nuk e di saktësisht çka është menduar kur është thënë kjo. Ajo që dihet me siguri është se protestat janë nxitur nga një varg vendimesh të këqija politike të kësaj Qeverie: emërimi i anëtarëve të Këshillit drejtues sipas qejfit të ministrit dhe sa më afër partisë në pushtet; emërimin për rektor të një njeriu, i cili ka ardhur në atë post nga politika; emërimi i disa prorektorëve që me vite kanë shërbyer si këshilltarë politikë të ministrit; përzierja e politikës në Universitet dhe instalimi i krimit brenda si modus operandi i mësimdhënësve që do të duhej të ishin shembull për etikë dhe ndershmëri. E tash, nëse dalja në protestë me: kërkesën që të luftohet krimi; kërkesën për shkarkimin dhe ndjekjen penale të mashtruesve; me insistimin që të vendoset sundimi i ligjit në shtetin e gllabëruar nga ata që e dinë se do t’i shpëtojnë drejtësisë, sepse nuk ka kush i ndjek – është prapavijë politike, atëherë po, kjo paska qenë protestë e tillë. E mbështetur në të drejtën individuale të secilit për të luftuar për të drejtat civile, sipas zgjedhjes së tij. Si në demokraci. Si n’Amerikë.

Zgjedhjet

Ndër shumë sendet që i ka Amerika e që ne nuk do t’i kemi, me gjasë edhe një kohë të gjatë, është edhe sistemi dypartiak që e dominon skenën politike dhe jetën atje. Dallimi tjetër i madh është se në Amerikë kush nuk vrapon me u bâ kryetar partie – në Kosovë jemi në gjendje t’i themelojmë madje 30-40 parti politike, veç dikush me u zgjedhë kryetar. Për shkak se kryetari i partisë me automatizëm bëhet kandidat për kryeministër, edhe nëse i ka veç një autobus përcjellësish.

Po ta organizonim një kuiz qetash, e edhe ta ofronim shpërblimin e Lotos, zor se do të gjendej dikush që do të na tregonte se si quhen kryetarët e partive amerikane republikane e demokrate, respektivisht. Për shkak se sistemi i nominimit të kandidatëve në këto parti është shumë i koklavitur dhe gjithëpërfshirës. Jo si te ne – një mbledhje çfarëdo me plot përkrahës personalë të shefit; një deklaratë se kjo po bëhet me kërkesën e grave dhe të të rinjve të partisë; një votë me aklamacion dhe u bë... ja ku e kemi kandidatin, që po e pati fuqinë edhe me i vjedhë votat besa, do të na e zezojë jetën katër vjetët e ardhshëm.

Për Kosovën ajo që është e domosdoshme të ndodhë në muajt në vijim është ndërrimi i kësaj strukture udhëheqëse, e cila i ka bërë tepër dëm këtij vendi. Në afat të disa muajve të ardhshëm, edhe pse duket e pamundur, do të ishte ideale po të ndërroheshin brezat – po të vinin njerëzit e rinj, të paprishur, të sinqertë dhe me dëshirë e fuqi që përnjëmend të bëjnë diçka për shtetin dhe popullin e vet. E ndoshta atëherë nuk kishim dëgjuar kryeministrin tonë tek rren as pa u skuqur e as pa u zverdhur për zhvillimin ekonomik; për uljen e papunësisë, për ngritjen e standardit. Atëherë me siguri do të shihnim Kosovën duke ecur përpara, duke e ushqyer veten përnjëmend dhe duke u zhvilluar, duke e nxjerrë maksimumin nga kjo që është pronë e të gjithëve – me dallimin e madh, që maksimumi do t’u shërbejë të gjithëve, e jo një grumbulli hajnash të votave.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...