BE-ja nuk bën vetë atë që predikon rreth barazisë gjinore

20 Gusht 2014 - 09:02 - Augustin Palokaj      

Kryetari i zgjedhur i Komisionit të ardhshëm Evropian, Jean Claude Juncker, është në hall. Thirrjet e tij qeverive të vendeve anëtare që të nominojnë sa më shumë gra për postet e komisionereve nuk po respektohen. Parlamenti Evropian ka kërcënuar se do ta refuzojë konfirmimin e Komisionit nëse në përbërje të tij nuk do të ketë së paku 10 gra komisionere në ekipin prej 28 personave. Askush nuk ka pritur se vetë BE-ja do të gjendet në pozitë të ketë problem me respektimin e barazisë gjinore, një fenomen për të cilin Evropa i shet mend pjesës tjetër të botës

Edhe pse është kohë pushimi, në Bruksel në mënyrë mjaft dinamike po zhvillohen konsultimet, lobimet dhe kalkulimet për ndarjen e posteve kryesore në institucionet e Bashkimit Evropian për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Nëse do të shkojë gjithçka sipas planit atëherë në fund të tetorit do t’i skadojë afati Komisionit të tashëm Evropian të udhëhequr nga Jose Manuel Baroso dhe atë do ta zëvendësojë, për një mandat pesëvjeçar, Komisioni i ri i udhëhequr nga ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker. Janë shumë poste për të cilat shtetet anëtare po bëjnë përpjekje që të shtyjnë kandidatët e tyre.

Vetëm Parlamenti Evropian tashmë i ka ndarë postet e shefave të grupeve, delegacioneve dhe komisioneve, ndërsa Martin Schultz përsëri është zgjedhur në krye të këtij institucioni të BE-së, i cili përfaqëson direkt qytetarët evropianë, sepse deputetët janë zgjedhur me vota të tyre.

Edhe për Komisionin Evropian dihet se do të udhëhiqet nga Juncker, pak a shumë dihen edhe emrat e pothuajse të të gjithë komisionerëve të ardhshëm, por nuk dihet as përafërsisht se kush do të marrë cilin resor, kush do të ketë privilegjin të ketë edhe postin e zëvendëskryetarit të Komisionit dhe, që është ndoshta edhe më e rëndësishmja, kush do të jetë pasardhës i baroneshës Catherine Ashton në postin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që automatikisht siguron edhe postin e zëvendëskryetarit të Komisionit.

Vendet anëtare kishin dështuar në samitin e tyre në korrik që të bien dakord për kandidaturën e ministres së Jashtme të Italisë, Federica Migherini, dhe tash, pas dhjetë ditësh, në një samit tjetër të jashtëzakonshëm në Bruksel do të tentojnë të arrijnë pajtim edhe për këtë post, por edhe për kryetarin e ardhshëm të Këshillit Evropian, post ky i ri i cili është krijuar me Traktatin e Lisbonës dhe të cilin i pari pati rastin ta ketë Herman Van Rompuy. Edhe atij këtë vjeshtë i skadon mandati.

Formalisht i takon kryetarit të zgjedhur të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, që t’u ndajë resorët kandidatëve. Por ai në këtë detyrë nuk do të jetë krejtësisht i pavarur, sepse shtetet kryesore anëtare duan që pikërisht kandidatët e tyre të marrin resorët kryesorë. E resorët kryesorë janë ata që kanë të bëjnë me ekonomi, tregti, financa, bujqësi, konkurrencë, energji dhe ruajtjen e mjedisit.

Edhe pse Juncker gjatë karrierës së tij pothuajse 30-vjeçare në krye të Qeverisë së Luksemburgut ka dëshmuar se ka një integritet të lartë, se nuk vuan nga kompleksi i liderëve të fuqive të mëdha, ai nuk do ta ketë lehtë që të mos respektojë dëshirat e vendeve si Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Prandaj pritet që resorët kryesorë dhe ato me ndikim më të madh do t’u takojnë kandidatëve nga këto shtete.

Por për Junckerin ka lindur një problem i papritur e ai lidhet jo vetëm me dëshirën, por edhe me insistimin që në përbërje të ekipit të tij prej 28 anëtarësh të ketë më shumë gra sesa që ka pasur në Komisionin e Barrosos, apo së paku numër të njëjtë. Thirrjet e tij qeverive të vendeve anëtare që të nominojnë sa më shumë gra për postet e komisionereve nuk po respektohen.

Parlamenti Evropian ka kërcënuar se do ta refuzojë konfirmimin e Komisionit nëse në përbërje të tij nuk do të ketë së paku 10 gra komisionere në ekipin prej 28 personave. Askush nuk ka pritur se vetë BE-ja do të gjendet në pozitë të ketë problem me respektimin e barazisë gjinore, një fenomen për të cilin Evropa i shet mend pjesës tjetër të botës. Nëse vetë BE-ja nuk e respekton një parim të tillë atëherë do të duket joserioze në sytë e botës kur do të bëjë thirrje që të respektohen barazitë, të hiqet diskriminimi i çfarëdollojtë, përfshirë edhe në baza gjinore.

Edhe anëtaret e tashme të Komisionit Evropian kanë bërë apel që të ketë së paku dhjetë gra në përbërjen e Komisionit të ardhshëm. Në parim edhe shtetet anëtare pajtohen me një thirrje të tillë. Por kur flasin për këtë liderët e shteteve anëtare gjithmonë mendojnë se “dikush tjetër” duhet të sigurojë që të ketë sa më shumë kandidate gra e vetë nominojnë si kandidatë bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë dhe besnikë.

Deri tash vetëm 4 kandidatë të propozuar nga vendet anëtare janë të gjinisë femërore. Të gjithë tjerët janë meshkuj. Natyrisht se aftësitë e jo gjinia duhet të jenë kriteret kryesore për të përcaktuar ushtruesit e posteve kryesore në BE, por kur dihet se në këto pazare për poste bëhen balancime gjeografike, ideologjike, partiake dhe të tjera atëherë insistohet që, nëse jo në mënyrë të barabartë, atëherë së paku të përafërt, të ketë një lloj balance edhe gjinore.

Institucionet e BE-së edhe ashtu kanë problem serioz me barazinë e gjinive jo vetëm në postet më të larta politike, por edhe në postet e mesme menaxheriale. Femrat përbëjnë shumicën e votuesve dhe qytetarëve në BE (edhe pse një dallim i vogël, por femrat janë mbi 50 %) ato mesatarisht paguhen më pak se meshkujt dhe janë dukshëm më pak të përfaqësuara në postet udhëheqëse të kompanive të mëdha.

Pikërisht Komisioni Evropian ishte ai i cili nisi fushatën që të ketë kuota për numrin e grave në bordet menaxhuese të kompanive të mëdha. E si do të duket tash vetë Komisioni nëse në përbërjen e vet gratë do të jenë në numër edhe më pak sesa që ishin deri tash. Juncerit, por para së gjithash liderëve të vendeve anëtare nuk u ka mbetur shumë kohë që të zgjidhin këtë problem.

Edhe pse askund një gjë e tillë nuk është e shkruar si kusht, mungesa e numrit të duhur të grave në përbërjen e Komisionit Evropian mund të bëhet vërtet shkak që Parlamenti të refuzojë konfirmimin e Komisionit të ardhshëm dhe me këtë të shkaktojë një krizë institucionale në kohën kur një gjë e tillë më së paku i duhet BE-së.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...