Jadecat e Dellit

19 Gusht 2014 - 08:17 - Flaka Surroi      

Karremin ende e kemi në gurmaz, por fatmirësisht ende nuk na ka lëshuar fryma e fundit. Nëse, megjithatë Gjykata Kushtetuese e mbijeton 31 gushtin me një vendim, çfarëdo që të jetë ai, njërin jadec shpejt do të mund ta kemi në opozitë

Më shumë se kurrë më parë, sivjet Prishtina vlonte nga bashkatdhetarët tanë nga diaspora që, pos që na sollën stilin karakteristik të veshjes (shumica absolute e burrave na ekspozohet me bermude dhe me nga një çantë postieri të cilën e bartin në formë diagonale, sikur të ishte karikator automatiku), na prunë edhe një përzierje tingujsh nga më të ndryshmit, teksa komunikonin në gjuhët e shteteve të tyre adoptive.

Na sollën edhe shumë gjallëri, krijuan shumë tollovi në Panagjyr, por, mbi të gjitha, këtij vendi të gjorë i dhanë një injeksion aq të nevojshëm – i futën paratë e tyre në qarkullim, sa për të na bërë të besojmë bile këta dy muaj vere se nuk i kemi bash gjithë aq keq punët.

Nejse, për ta nuk e di çfarë do të ketë qenë java që e lëmë pas. Për mua, kjo ishte java më e nxehtë e verës deri tani, dhe jo vetëm për shkak të vapës së padurueshme në çaste, por edhe për shkak të arrestimit më masiv të një grupi të dyshuar për terrorizëm.

Gjatë javës do të merrej vesh se policia e kishte pasur informatën nga dora e parë për shkuarjen e organizuar në Siri, madje dhe për grumbullimin e armëve, tashmë nëntë muaj, porse nuk kishte vepruar deri në këto çaste.

Psenë e intervenimit mbase të vonuar do të duhej të na e shpjegonin zyrtarët, të cilët me keqqeverisjen e tyre e kanë mundësuar shtrirjen e lehtë të ekstremistëve. Sepse me mënyrën se si e varfëruan këtë vend, duke mos i dhënë asnjë grimë zhvillim ekonomik dhe perspektivë, ua mundësuan atyre që në emër të Zotit t’ua ndërrojnë jo vetëm mendjen, por edhe fizionominë. Ndërkohë, Kosova është në zgrip të kolapsit institucional, të cilën e kanë shkaktuar ambiciet e dikujt që patjetër do që të bëhet kryeministër sërish dhe dikujt që do që të tregojë se është madje më i fuqishëm se ky i pari.

I zënë në rrenë

Dhe, në vend të shpjegimit të kryeministrit në detyrë, na erdhi një rrenë e maaaadhe, kësaj radhe jo e postuar në FB, por e deklaruar për Wall Street Journalin prestigjioz (kush e di sa para të buxhetit na ka kushtuar blerja e kësaj hapësire në këtë gazetë). Ky i deklaroi kësaj gazete se personalisht e kishte autorizuar operacionin e zgjeruar për të lokalizuar dhe për të arrestuar pjesëtarë të dyshuar të grupeve që luftojnë në Siri dhe Irak. Nga ana tjetër, u bë publike që për këtë operacion kishin qenë të informuar vetëm gjyqtari Hamdi Ibrahimi, prokurori Blerim Isufaj dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.

Këshilltarët e tij do të duhej ta dinin se Kodi i Procedurës Penale i Kosovës saktëson se arrestimet kryhen vetëm me urdhër të Gjykatës, e jo të shefit të ekzekutivit.

Ndërkohë, ministri i tij i Brendshëm, derisa shpjegonte për detajet operative që ia kishte shpjeguar atij drejtori i Policisë, shfrytëzoi nga rasti në Interaktiv për të na treguar se nuk ia kishte dalë të bëhej deputet për shkak se ia kishin vjedhur votat strukturat e caktuara të partisë, duke përfshirë edhe komisionerët. Merreni me mend, kur votat i vidhen ministrit të Brendshëm brendapërbrenda partisë, çfarë duhet pritur ne të tjerët që nuk kemi as aparat dhune e as mjete e mekanizma për t’u mbrojtur nga hajnia partiake që është barazi me hajninë institucionale. Dhe të cilën hajni na e la jadec Delli, i cili, pasi që kishte deklaruar se kishte pasur vjedhje industriale të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, me shpejtësi u ngut për ta uruar Thaçin për fitoren. Për më tepër, u kujdes që t’ia formonte koalicionin me AKR-në dhe t’ia zgjidhte Pacollin kryetar me sms.

Për më keq, na e la edhe Thaçin jadec. Njeriun i cili është mishëruar me pushtetin dhe që nuk do që ta dorëzojë me asnjë kusht. Njeriun që krijoi koalicion me parti fetare veç për t’i siguruar nja 40 mijë vota. Njeriun që e bllokoi krejt një shtet, veç pse beson se 35% është më shumë se 65%.

Rrugës për në rrugë qorre

Tash gjendemi para një situate të pabesueshme, që është shkaktuar nga një masë e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese. Dhe situata është shumë më e komplikuar seç mund të imagjinohet, ngase sado teorike të jenë, ekzistojnë gjasat që së paku tri institucione të bllokohen nëse pahiri diçka u bën vaki gjykatësve të Kushtetueses.

Kushtetuesja aktualisht ka 8 gjykatës; shtatë prej tyre (që e bëjnë kuorumin) janë të inkuadruar në lëndën që e ka ngritur PDK-ja për zgjedhjen e Isa Mustafës kryeparlamentar, kurse njëri është “në pushim të dhunshëm”. Po qe se deri më 31 gusht nuk merret vendimi, Kushtetuesja do t’i humbë tre anëtarë të huaj, për shkak të skadimit të mandatit të tyre. Nëse cilitdo gjykatës bëhet i paaftë për të vendosur deri më datën 31 gusht, nuk do të ketë kuorum për të vendosur fare. Nëse kalon 31 gushti pa vendim të Kushtetueses, Kosova: 1) do të ketë Kuvend jofunksional (sepse është pezulluar puna e tij me masën e përkohshme); 2) nuk do të ketë Gjykatë Kushtetuese funksionale, për shkak se Kuvendi i zgjedh anëtarët e Kushtetueses; 3) nuk do të ketë Qeveri funksionale, sepse kjo që e ushtron detyrën nuk ka më para, apo i ka e nuk i ka falë faktit se nuk është rishikuar buxheti, kurse ajo e reja nuk mund të zgjidhet për shkak se nuk ka Kuvend që mund ta votojë.

Po qe se ndodh kjo, çka atëherë? Do të kemi bllokadë të plotë, sepse do ta kemi vetëm kryetaren funksionale. Kryetaren pa asnjë fuqi e dije, të cilën gjithashtu na e la jadec Delli, por jo pa kontributin e Thaçit, Mustafës dhe Pacollit..., e pas tyre edhe të gjithë deputetëve që e votuan atë për kryetare të Kosovës.

Kush i ka shikuar lajmet e së martës në KTV, e ka dëgjuar edhe këtë deklaratë, që nuk ka shumë kuptim, sepse janë një varg fjalish që janë hedhur me shpejtësi dhe me ndërprerje pas çdo tri fjalëve, që e dëshmojnë varfërinë e porosisë që ua adreson qytetarëve simboli i unitetit të shtetit: “Çështja e ekstremizmit dhe radikalizmit islamik ka qenë dhe vazhdon të jetë njëra nga brengat e madhe për vendin tonë dhe veprimi i djeshëm i institucioneve të sigurisë dhe i mekanizmave të sigurisë është për t’u përshëndetur nga të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka një rini jashtëzakonisht që duhet të krenohet me to, dhe rinia jonë duhet të jetë e orientuar, andaj kontributi i tyre për shtetin e tyre të drejtë proceseve integruese, sepse alternativa e vetme për Kosovën është rruga e jonë evropiane, është rruga e jonë euroatlantike... dhe ju e dini shumë mirë që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës e përcaktojnë qartë mandatin e secilit institucion dhe i tërë veprimi ka qenë ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ashtu siç e parashohin ligjet e Kosovës...”.

Jadeci i Dellit e kishte dhënë këtë deklaratë në Graçanicë, ku kishte shkuar në përcjellje të ambasadores amerikane, për ta vizituar komunën në të cilën nuk është asnjë simbol i vetëm që e përfaqëson Republikën e Kosovës: as flamuri, as stema. Nuk kam parë tabelë të shkruar në gjuhën shqipe, prandaj nuk e di nëse Kushtetuta zbatohet bile në këtë drejtim.

Për më keq, përjetoi që kryetari i kësaj komune t’i thoshte se nuk do te ketë pajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve derisa të mos adresohen krimet kundër serbëve, që duhet të trajtohen në Tribunalin e posaçëm për krime lufte. Dhe ne përjetuam që fillimisht ajo të hynte në një objekt ku nuk ka simbole shtetërore të shtetit të cilin ajo e kryeson, duke qenë në territor të Kosovës. Më pas përjetuam që ajo të heshtte pas këtij komenti, duke injoruar viktimat e vërteta të barbarisë serbe dhe të mos i shkonte në mendje që të përmendte bile ata 1.700 të zhdukur në Serbi që prej 1998-s...

Përjetuam, mbase atë që e merituam, ngase si popull heshtëm para mënyrës sesi na u instaluan institucionet nga një njeri, i cili në perfeksion e luajti rolin e mbretit, duke na treguar se ai e dinte më së miri se çfarë ishte më së miri për ne dhe kush do të ishin marionetat e përkryera për t’i realizuar ai planet a idetë e tij.

Si popull heshtëm, se Delli ishte i Amerikës – e Kosova ia kishte borxh gjithçka Amerikës. Përfshirë edhe dinjitetin. Delli shkoi, duke na i lënë jadec institucionet e korruptuara, të paafta, jofunksionale – sepse ato e bënë popullin të besojë se Amerika i përkrahte, pavarësisht se çfarë institucionesh e njerëzish ishin. Sepse u thirrën në emër të miqve ndërkombëtarë, e populli i ngratë e kafshoi karremin.

Karremin ende e kemi në gurmaz, por fatmirësisht ende nuk na ka lëshuar fryma e fundit. Nëse, megjithatë Gjykata Kushtetuese e mbijeton 31 gushtin me një vendim, çfarëdo që të jetë ai, njërin jadec shpejt do të mund ta kemi në opozitë. Tjetrin, me gjasë do ta bâjmë me shnet edhe nja dy vjet, pos nëse dikush do ta këshillojë që gabimisht ta shkelë kushtetutën, apo do ta këshillojë me mirësi që të japë dorëheqjen.

Ndërkohë, ndoshta mbledhim mend.

flaka@koha.net

© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...